Cilat janë pjesët më të rëndësishme të një ndërtese? Janë pjesët që ti nuk mund t’i shohësh. Nuk janë boja, letra e murit, anësoret, gjëra që shihen me sy, por më të rëndësishme janë gjërat që nuk mund të shihen me sy: themelet dhe struktura e fshehur e trarëve mbajtës, binarëve dhe dërrasave.
Nëse dëshiron të kesh një shtëpi që i reziston gjithçkaje, a e ndërton atë vetëm me bojë? Jo, ti ke nevojë për themele solide dhe materiale të forta ndërtimi. Nëse je duke u marrë me një ndërtesë të vjetër që ka probleme strukturale, a i hedh asaj thjesht një bojë të re? Jo, nëse themelet janë duke rënë, ato duhen rindërtuar. Nëse një murr është i dobët dhe rrëzohet ai duhet riparuar. Sado e madhe qoftë sasia e bojës, ajo nuk ka për ta shpëtuar një themel apo një mur të dobët.
Kjo e vërtetë vlen jo vetëm për ndërtesat por edhe për njerëzit. Pjesa që ti nuk mund ta shikosh ka më shumë rëndësi. Disa reklamues thonë: “Pamja është gjithçka.” Por të thuash këtë është njëlloj sikur të thuash: “boja e mban shtëpinë!” Gjëja më e rëndësishme nuk është pamja jote e jashtme apo përshtypja që le tek të tjerët. Ato që të formojnë ty janë themelet e tua më të thella dhe përkushtimet të cilat ndikojnë mënyrën si jeton. Imazhi që ti projekton për veten është i kotë, po që se shpiri yt nuk themelohet në Jezusin dhe strukturohet prej Fjalës së Tij.
Megjithatë shumë shpesh, ne shpërfillim problemet në themele dhe strukturë dhe shqetësohemi vetëm për imazhin dhe atë që duket në sipërfaqe. Drejtuesit e përfshirë në skandale, shpesh shqetësohen për opinionin publik në vend që të shqetësohen për dëmin real që mund të ketë ndodhur. Ata janë më të fokusuar tek kontrollimi i medias se sa të përballen me gabimin e bërë. Ata mbulojnë dështimet e tyre dhe shfajësohen në vend që të bëjnë ndryshime jetëgjata.
Edhe ne si individë veprojmë njëlloj sa herë jemi më të shqetësuar për të bërë një përshtypje të mirë tek të tjerët, se sa të ndërtojmë jetën tonë në Zotin. Ne e bëjmë këtë sa herë dëshirojmë rregullime sipërfaqësore dhe të shpejta, në vend të ndryshimeve të thella dhe të përhershme. Ne duam të rrisim vlerësimin për veten; ne nuk duam një vete të re. Ne dëshirojmë të ndihemi mirë, pa u përmirësuar në të vërtetë.
Ne kemi predikues dhe mësues që na ndihmojnë për ta arritur këtë. Në vend që të na thërrasin të largohemi prej mëkateve, ata i mbulojnë ato me fjalë për vetëvlerësimin, pranimin dhe të menduarit pozitiv. Ata ofrojnë siguri për jetën pa pendimin; ata na thonë se jemi mirë kështu si jemi. Ata flasin shumë për dashurinë e Perëndisë dhe asnjëherë për shenjtërinë e Tij, flasin shumë për bekimin por kurrë për gjykimin. Ata na qetësojnë dhe na japin një ndjenjë paqeje, por kjo është një paqe e rreme. Bibla thotë se të bësh këtë është njëlloj si të lyesh me bojë një mur që mos rrëzohet.
Por a e mban boja një mur apo e mbajnë themelet? Tek Ezekieli 13 Perëndia përballet me mësuesit e rremë dhe optimistë dhe u thotë:
“Ju nuk jeni ngjitur mbi të çara dhe as nuk keni ndërtuar ndonjë mur rreth shtëpisë së Izraelit për të rezistuar në betejën në ditën e Zotit.
6 Kanë pasur vegime të rreme dhe shortari të gënjeshtërta dhe thonë: “Zoti ka thënë”, ndërsa Zoti nuk i ka dërguar. Megjithatë ata shpresojnë që fjala e tyre të plotësohet.
7 A nuk keni pasur vallë vegime të rreme dhe a nuk keni shqiptuar shortari të gënjeshtra? Ju thoni: “Zoti ka thënë”, kurse unë nuk kam folur”.
8 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Me qenë se keni thënë gënjeshtra dhe keni pasur vegime të gënjeshtërta, ja ku jam kundër jush”, thotë Zoti, Zoti.
9 “Dora ime do të jetë kundër profetëve që kanë vegime të rreme dhe shqiptojnë shortari të gënjeshtra. Ata nuk do të marrin pjesë në këshillën e popullit tim, nuk do të jenë të shkruar në regjistrin e shtëpisë së Izraelit dhe nuk do të hyjnë në vendin e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, Zoti.
10 Sepse, po, sepse kanë bërë popullin tim të devijojë, duke i thënë: ‘Paqe’, kur nuk ka paqe, dhe kur një njeri ndërton një mur, ata e suvatojnë me një llaç që nuk mban,
11 u thuaj atyre që e suvatojnë me llaç që nuk mban, se ai ka për të rënë. Do të vijë një shi i rrëmbyer dhe ju, o gurë breshëri, do të rrëzoheni; do të shpërthejë një erë e stuhishme,
12 dhe ja, kur do të rrëzohet muri, nuk do t’ju thuhet vallë: “Ku është llaçi me të cilin e keni suvatuar?””.
13 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Në tërbimin tim do të bëj që të shpërthejë një erë e stuhishme, në zemërimin tim do të bëj që të bjerë një shi i rrëmbyer dhe në tërbimin tim disa gurë breshri për një shfarosje të plotë.
14 Kështu do të shemb murin që keni suvatuar me llaç që nuk mban, do të hedh për tokë dhe themelet e tij do të zbulohen; ai do të rrëzohet dhe ju do të shkatërroheni bashkë me të; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.
15 Kështu do të shfryj tërbimin tim mbi murin dhe mbi ata që kanë suvatuar me llaç që nuk mban; dhe do t’ju them: “Muri nuk është më dhe as ata që e suvatonin.”Ezekieli 13:5-15
A e kupton se përse të ndërtuarit si duhet është kaq i rëndësishëm? Nëse jeta jote është ndërtuar mbi themele të dobëta, dhe struktura të gabuara, e gjitha ka për të rënë kur të vijë koha e testimit, pavarësisht se sa e bukur të jetë boja që duket në sipërfaqe.
Kodet e ndërtimit
Shumë komunitete kanë kode të ndërtimit, kërkesa për ndërtimin e shtëpive dhe bizneseve. Atje ku unë jetoj, nëse dëshiron të marrësh leje për një ndërtim të ri, duhet që departamenti i ndërtimeve lokale të miratojë planin e ndërtimit prej një arkitekti të licencuar.
Në faza të ndryshme të ndërtimit, inspektorët sigurohen që ndërtesa të plotësojë kodin e ndërtimit. Një ndërtesë nuk konsiderohet e sigurt nëse ajo shkel kodin e ndërtimit, dhe ndërtesa mund të banohet pasi ka kaluar tërë inspektimet dhe është miratuar.
Do të ishte më e shpejtë dhe më e lirë thjesht të shpërfillësh kodin dhe të mos kesh asnjë standard.
Por a do të doje të ndërtoje një shtëpi pa i kushtuar rëndësi faktit, se a do t’i rezistojë ajo ndonjë stuhie të mundshme? A do të doje të ndërtoje një shtëpi pa e menduar fare çështjen e sigurisë në rast zjarri? Nëse jeton në një zonë tërmetesh, a do të doje të ndërtoje një shtëpi pa konsideruar faktin, se a do të përballojë ajo tërmetet apo lëkundjet e forta? E dyshoj këtë. Ti dëshiron një shtëpi që është ndërtuar për të qëndruar për një kohë të gjatë.
A nuk do të doje edhe ti një shpirt që është ndërtuar për të qenë jetëgjatë, i aftë për të qëndruar i vendosur përballë çdo prove apo sfide? Ne tashmë kemi dëgjuar se si Perëndia e krahason gjykimin e Tij me një stuhi ere, me breshrin, përrenjtë dhe shiun. Në një tjetër pasazh biblik, Perëndia thotë se dita e gjykimit do të jetë si zjarri: që gjithçka që kemi ndërtuar t’i rezistojë zjarrit, nuk do “të digjet” (1 Korintasve 3:12-15)
Në një tjetër pasazh Biblik, Perëndia flet për një tërmet të madh. Ai thotë:
“Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dheun, por edhe qiellin”.
Dhe kjo fjalë “edhe një herë” tregon ndryshueshmërinë e gjërave, që tunden, si të bëra me dorë, që të mbeten ato që nuk tunden.” (Hebrenjve 12:26-27) Ti edhe unë duhet të ndërtohemi sipas kodit të Perëndisë, të ndërtohemi për të qenë jetëgjatë, të ndërtohemi në atë mënyrë që t’i bëjmë ballë çdo stuhie, zjarri, dhe tërmeti. Jezusi vetë thekson rëndësinë e një ndërtese jetëgjatë, për këtë shiko Luka 6:46-49,
“Përse më thirrni, “Zot, Zot” dhe nuk bëni atë që ju them?
Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t’i vë në praktikë, unë do t’ju tregoj kujt i ngjan.
Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s’e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.
Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh”.