Një ungjill global (Krishtlindja)

Print

Titulli: Një ungjill global (pjesa 2)

Jemi duke diskutuar nga Luka kapitulli 3. Mesazhi i pastrimit të thellë hyjnor, që kërkon një pendim të plotë dhe të vërtetë, bëhet problematik kur i referohet një audience të gjerë.

Pse do të pyesni ju? Sepse për sa kohë që Gjoni qëndronte në breg të lumit, nuk kishte probleme.

Njerëzit që janë të interesuar për mesazhin e tij do të vijnë për ta dëgjuar. Nëse e pëlqejnë dhe e durojnë atë mesazh të ashpër, mund të pagëzohen dhe më pas të kthehen në shtëpi të kënaqur. Por nëse nuk e pëlqejnë thjesht mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Por pavarësisht reagimit të tyre nuk do të mbeteshin jashtë kërkimit të Gjonit, sepse Gjoni e di shumë mirë shtrirjen e krahut të Perëndisë dhe të Fjalës së Tij. Gjoni nuk është i interesuar që të drejtojë një shërbesë të qetë në breg të lumit. Gjoni pranon se shtrirja e Fjalës së Perëndisë nuk ka kufi. Kush do të pendohet? Të gjithë. Njerëzit nga çdo lëndinë, çdo mal. Të gjithë njerëzit do të shohin shpëtimin.

Pra Gjoni e fton edhe mbretin Herod që të pendohet për mëkatin e tij. Deri këtu shkon edhe prezantimi i Gjonit. Ne lexojmë pak më poshtë në këtë kapitull:

Por Herodi, tetrarku, mbasi u qortua prej tij për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij Filipit, dhe për të gjitha mbrapshtitë që ai kishte kryer,

20  U shtoi të gjitha të tjerave edhe këtë, domethënë e futi Gjonin në burg.”

Miq, qëllimi i besimit të krishterë është më i gjerë se sa mund ta mendojmë ne. Reagimi i njerëzve ndaj Gjon Pagëzorit asokohe nuk ishte si sot.

Kur i kthehemi mesazhit tonë të ardhjes së Zotit, inkurajohemi fort që të marrim qiririn tonë të vogël dhe ta mbajmë ndezur, atje ku jemi.

Le të marrim stinën e Krishtlindjes. A je shqetësuar për shitësit jo të krishterë që nuk vendosin në sfond muzikë të krishterë? Sot na thuhet se nëse dëshirojmë ta festomë Krishtlindjen duhet ta bëjmë këtë në qetësi, pa përfshirë asgjë që ka lidhje me njerëzit e tjerë.

Njerëzit na thonë se Krishtlindja është një çështje private. Por sigurisht që kjo veprimtari nuk vlen vetëm për Krishtlindje. Kjo vlen edhe për pjesën tjetër të vitit. Një politikan deklaron se bindjet e besimit të tij do të ndikojnë shumë në llojin e legjislaturës që ai voton apo prezanton.

Po kështu media thur të ashtuquajturën shkelja e murit ndarës mes kishës dhe shtetit. Një skuadër mjekësore amerikane shkon në fshatra të ndryshme të Amerikës së Jugut, për të ofruar kujdes mjekësor për shtresat e varfra. Po kështu ata ofrojnë informacion në gjuhët vendëse rreth Jezus Krishtit, shëruesit të madh. Shërbesa e tyre është konsideruar prej disave si manipuluese dhe e pakëndshme.

Ndoshta ju kujtohet se në verën e vitit 2007 një grup punëtorësh koreanë u rrëmbyen në Afganistan. Gjatë dy javëve të rrëmbimit, dy prej pengjeve u gjetën të vdekur. Në fund të negociatave, pjesa tjetër e pengjeve u lirua. Por përgjatë kohës së pritjes dhe negocimit, veçanërisht pasi u liruan pengjet, shumë njerëz bënë pyetje të vështira për punën që ky grup i krishterë ishte duke bërë në atë vend. Kisha vendëse u përgjigj duke theksuar punën ndihmuese të dhënë nga grupi, por nuk përmendi asnjë veprimtari misionare nga ana e tyre.

Bota thotë se, ti mund të jesh i krishterë për sa kohë që e bën këtë në privacinë tënde, apo në kishën a shtëpinë tënde, por leri të tjerët jashtë saj. Por ungjilli ynë është gjithëpërfshirës. Gjon Pagëzori e dinte këtë dhe e predikoi. Ndaj në të u përfshi edhe vetë mbreti Herod. Jezusi këtë mësim la, kur u ngjit në qiej, së bashku me një listë me emra. “Ju do të jeni dëshmitarët e mi, në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari e deri në skajet e dheut.” Dhe Luka, historiani i parë i kishës, përshkruan jo vetëm këto fjalë por edhe përmbushjen e tyre, duke i cituar si Lajmi i Mirë i dashurisë së Perëndisë në Jezus Krishtin, i shpërndarë në gjithë perandorinë.

Pra është kjo farë e pendimit që mbiu në lumin e Galilesë dhe u përhap në tërë botën.

Përgjatë shërbesës së Jezusit dhe ndjekësve të Tij, ushtarët, centurionët dhe kryepriftërinjtë, nëpunësit e qytetit, qeveritarët, mbretërit dhe Cezari vetë, do të përfshiheshin në historinë më të rëndësishme që ka ekzistuar ndonjëherë: historia e Perëndisë që zbriti në tokë për të shpëtuar të humburit. Jezusi erdhi për çdo njeri, kudo që ai ndodhet. Sepse ungjilli është gjithëpërfshirës. Ai është Lajmi i Mirë që çliron gjithë të robëruarit, shëron të sëmurët, ka dhembshuri për të varfrit dhe të dëbuarit, për të vejat dhe fëmijët jetimë.

Kjo është fytyra e pendimit.

Motra dhe vëllezër të dashur në Krishtin, dua të them këtë se besimi nuk është diçka private. Ky është mashtrimi që bota dëshiron që ne ta besojmë.

A është besimi personal? Po. Sigurisht. Gjithmonë. Por a është besimi diçka private? A është diçka që të tjerët nuk duhet ta dinë? Jo. Aspak.

Nuk dua të them që të bëhemi militantë deri në atë pikë sa të arrijmë në arrogancë shpirtërore.

Protestat e zhurmshme para klinikave të abortit, mbajta e sloganeve të urrejtjes para një koncert rroku, apo lidhja e vetes me zinxhirë pas monumenteve të dhjetë urdhërimeve, nuk janë aspak pjesë e ungjillit. Janë vetëm reagime të hovshme që shfaqin frikën tonë. Ne dhe bota jonë jemi më mirë kur kisha jeton në dashuri me të tjerët. Por sërish ne duhet t’i nënshtrohemi kulturës, të qëndrojmë kundër perandorisë. Ne duhet ta quajmë mëkatin mëkat, i pëlqen botës apo nuk i pëlqen!

Ne mund të flasim dhe të veprojmë për të treguar se Zoti të Cilit i shërbejmë ka një rol në këtë botë. Ne jemi njerëzit që e dinë se diku atje jashtë ka dele pa bari, njerëz të sëmurë që kanë nevojë për shërimin e Doktorit të madh. Ne jemi njerëz që besojnë se na është dhënë fjala e hirit dhe faljes që i bën njerëzit të lirë dhe së fundi ne besojmë se një ditë i gjithë njerëzimi do të shohë shpëtimin e Perëndisë.

Ungjilli që predikojmë ne ka një përfshirje globale. Nëse është e mirë për dikë duhet të jetë e mirë për të gjithë. Gjon Pagëzori e dinte këtë. Ai nuk ishte i interesuar të bënte veç një shfaqje të veçantë për turistët në shkretëtirë. Në rast se mesazhi ishte i vërtetë, do të kishte disa nënkuptime për të gjithë.

Ky pasazh nga libri i Lukës, është një fjalë e mirë për kishën e hershme. Ata duhet të jenë ndier në ato vite të hershme, si një farë e vogël, në një tokë të fortë. Mendo pak këtë. Të krishterët e parë në Jeruzalem, u hasën papritur me kundërshti të mëdha, me anë të hierarkisë së themeluar judease, këshillit që u quajt Sinedër. Përgjatë perandorisë lindore, nga qyteti në qytet, nga Antioki i Sirisë përgjatë detit Egje deri në Romë, të krishterët ishin mbledhur së bashku në takime të vogla. Vetëm pak njerëz takoheshin së bashku në zonat e mëdha urbane, duke përqafuar një mënyrë krejt të re jetese, e cila do të nxiste kundërshtimin jo vetëm të zakoneve të kohës, por edhe ligjeve civile dhe ekonomike, që ishin si varka shpëtimi të perandorisë.

Pra kjo kishë e vogël, ishte izoluar në skajet e shoqërisë. Ata u ndjenë të vegjël dhe të pafuqishëm, sepse po përballeshin gjithmonë e më shumë me persekutime. Çfarë duhet të bënin ata me botën? Ata duhet ta shpëtonin atë. Ata duhet të kërkonin të drejtën e tyre mbi të. Dhe ta përhapin ungjillin me bindje, gëzim dhe dashuri.

Kjo është një fjalë e mirë, për kishën globale sot. Bota do të na mbajë pas vetes. Njerëzit mund të thonë “Shko në kishë dhe atje mund të këndosh mund të lutesh a të besosh çfarë të duash. Kisha mund të jetë mbretëria jote e vogël”. Por mbretëria që shohim përfshin territorin në shkolla kolegje, legjislacionin kombëtar, dyqanet dhe bazat ushtarake, stadiumet e mëdha dhe zyrat e administratës shqiptare, pra kudo ku ka njerëz. E gjitha kjo, është mbretëria jonë.

Pra unë mendoj se nuk duhet të mërzitemi kur dëgjojmë përshëndetjen e ftohtë të shitësit që thotë ‘gëzuar Krishtlindjen’ teksa blejmë gjërat e Krishtlindjes. Nuk kemi pse mërzitemi për faktin se muzika e Krishtlindjes nuk do të dëgjohet me zë të lartë nëpër dyqane. Sepse nuk është detyra e dyqanit të shpallë ungjillin. Është detyra jote. Është detyra ime. Është privilegji ynë. Është shërbesa jonë. Është misioni ynë.

Pra nuk duhet të druhemi që të urojmë në këtë kohë të vitit, me zë të lartë: “Gëzuar Krishtlindjen. Jo, ne duhet të sigurohemi se zëri ynë do të dëgjohet. Si mund ta arrish këtë? Ndoshta ti mund të ftosh disa prej fqinjëve për një festë familjare apo për një kafe, a ëmbëlsirë, dhe tu tregosh atyre se çfarë kuptimi ka kjo festë për ty. Ndoshta ti dëshiron të ftosh një koleg të punës në festimin që kisha jote do të ketë për Krishtlindje. Ndoshta ti mund të dalësh me familjen apo miqtë e tu të krishterë e të këndosh këngë Krishtlindjeje në lagje.

Kjo mund të jetë po aq e thjeshtë sa një fjalë e thënë në kohën e duhur.

Një miku im i krishterë, me profesionin e gazetarit më shkroi dje këtë ndodhi të shkurtër.

“Unë isha në zyrën postare disa ditë para Krishtlindjes. Një punonjës shumë i sjellshëm dhe i gatshëm për të ndihmuar, pasi postova gjërat e mia më pyeti:” A mund t’ju ndihmoj me diçka tjetër?”.

Unë me të qeshur i thashë: “A mund të paguash faturën për Krishtlindje?”

Pa hezituar fare ai u përgjigj: “Dikush tashmë e ka paguar Krishtlindjen.”

Unë  shtanga në vend. Ndieva një përzierje emocionesh por njëkohësisht u ndieva i kënaqur. Po edhe  i habitur dhe paksa i turpëruar. Por mbi të gjitha i mahnitur.  Mbaj mend që murmurita diçka, më duket se thashë: Po sigurisht, pagoi Jezusi”, dhe më pas u largova.

Miku im vazhdon: “Unë e di që shërbimi postar nuk e ka këtë detyrë, prandaj edhe ishte gjëja e fundit që prisja, që një punonjës të thoshte se Jezusi pagoi për Krishtlindjen time. Ishte një frazë kaq e thjeshtë që më bëri të mendoja drejt. ”

Në këtë stinë Krishtlindjeje, nën drejtimin e shumë qeveritarëve jeta politike e të cilëve shkon dhe vjen, lejo që ungjilli universal i Jezus Krishtit, të dalë në çdo komb, në çdo lagje, në çdo vend të fshehtë apo të harruar ku njerëzit kanë uri për Lajmin e Mirë. Pse të mos jemi ne ata lajmëtarë?!