të parët nga rëndësia

Print

Titulli: Njerëzit, të parët nga rëndësia (pjesa 1)

Disa mendojnë se do të ishte mirë nëse njerëzit do të kishin më pak fëmijë dhe nëse më shumë njerëz do të vdisnin prej sëmundjeve. Disa mendojnë se ka raste kur do të ishte më mirë të vritej një njeri se një lopë a një mace. Disa mendojnë, më mirë të vrasësh foshnjat se të vrasësh vrasësit.

Kush thua ti, janë ata persona që mendojnë se duhet të ulet shkalla e lindjeve dhe të rritet shkalla e vdekjeve?

Sigurisht që janë ata që mendojnë se bota është e mbipopulluar dhe duhet të ketë më pak njerëz. Autorë apo zyrtarë të ndryshëm, shqetësohen për mbipopullimin dhe promovojnë politika që përpiqen më shumë të parandalojnë lindjet se vdekjet.

Kush është ai që mendon se është më mirë të vrasësh një njeri se të vrasësh një lopë apo mace? Një profesor i etikës, në një prej universiteteve më të famshme Pitër Singër (Peter Singer) profesor në Prinston, drejtuesi kryesor në lëvizjen e të drejtave të kafshëve, shprehet kështu në librin e tij “Emancipimi i kafshëve” (Animal Liberation): “Pa dyshim që ka disa kafshë, jeta e të cilave, brenda çdo norme, është më e çmuar se jetët e disa njerëzve. T’i japësh përparësi një jete, thjesht për faktin se është pjesë e species sonë, do të na poziciononte njëlloj me racistët.” Ai vazhdon duke pohuar se një fëmijë me zhvillim të vonuar ka më pak të drejtë të jetojë se një mace e lumtur. Bindjet e Singërit për të drejtat e kafshëve, përkrahen nga disa mësues të famshëm, familjarë, e një numër njerëzish të zakonshëm që sa vjen e rritet.

Kush thua ti, është ai që e mendon më të drejtë vrasjen e disa foshnjave, por të gabuar ekzekutimin e një vrasësi?

Ky është çdo politikan, gjykatës, a predikues që miraton abortin por kundërshton dënimin me vdekje. Miliona njerëz mendojnë se njerëzit kanë të drejtën të vrasin foshnjat e palindura, por mendojnë se qeveria nuk ka të drejtën të ndëshkojë me ekzekutim vrasësit e këqij.

Njerëzit kanë opinionet e tyre për këto gjëra, po Perëndia çfarë mendon për këtë? Në Bibël Perëndia i ve qeniet njerëzore të parat për nga rëndësia, se çdo qenie tjetër në tokë. Te Zanafilla 9:1-7 Perëndia tregon se çfarë rëndësie ka vënia e njerëzve të parët, për rritjen e popullsisë, përdorimin e kafshëve nga njerëzit dhe dënimin me vdekje.

Pastaj Perëndia bekoi Noeun dhe bijtë e tij dhe u tha atyre: “Qofshi frytdhënës, shumëzohuni dhe mbusheni tokën.

2  Dhe frika dhe tmerri juaj do të ushtrohet mbi të gjitha kafshët e tokës, mbi të gjithë zogjtë e qiellit, mbi gjithçka që lëviz mbi tokë, si edhe mbi të gjithë peshqit e detit. Ata janë lënë në pushtetin tuaj.

3  Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t’ju shërbejë si ushqim; unë ju jap tërë këto gjëra; ju jap edhe barin e gjelbër;

4  por nuk do ta hani mishin me gjallërinë e tij, domethënë me gjakun e tij.

5  Unë do të kërkoj sigurisht llogari për gjakun e jetëve tuaja dhe këtë do t’ia kërkoj çdo kafshe dhe njeriu. Do t’i kërkoj llogari për jetën e njeriut dorës së çdo vëllai të njeriut.

6  Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij.

7  Ju, pra, jini frytdhënës dhe shumëzohuni; rrituni me të madhe në tokë dhe shumëzohuni në të”.

Fjalët që Perëndia i tha Noeut pas përmbytjes kishin shumë të përbashkëta me atë që ai i tha Adamit dhe Evës. Kur Perëndia krijoi Adamin dhe Evën, sipas imazhit të Tij: “Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë’”. (Zanafilla 1:28) Qysh prej fillimit, Perëndia dëshironte që popullsia njerëzore të rritej dhe ai i dha njerëzve autoritet mbi çdo krijesë të gjallë.

Por Fjalët që i tha Noeut ndryshonin disi nga ato që Perëndia i tha Adamit dhe Evës. Në fillim Perëndia i tha Adamit dhe Evës të sundonte kafshët, por nuk i tha që tua kishin frikën kafshëve apo që mund të hanin kafshët. Perëndia i tha Adamit dhe Evës të hanin frytin e pemëve. Por në situatën e re që u krijua pas përmbytjes, Perëndia i dha lejë njerëzve të përdornin kafshët si ushqim.

Në fillim Perëndia nuk i foli Adamit dhe Evës për dënimin me vdekje. Në atë pikë ata nuk e njihnin mëkatin dhe toka ishte një parajsë paqësore; nuk ishte nevoja që ata të përballeshin me vrasjen. Por pasardhja e Noeut u përball me një tjetër situatë, që nuk ishte aq paqësore. Njerëzit ishin kthyer në mëkatarë. Disa madje ishin bërë të dhunshëm dhe vrisnin të tjerët. Perëndia i tha Noeut se jeta njerëzore është kaq e çmuar saqë ai që vret një njeri e meriton të humbasë jetën e vet.

Kjo gjë që Perëndia tha atëherë është po aq e rëndësishme për ne sot. Perëndia i vlerëson njerëzit dhe dëshiron një popullim të madh të tokës. Perëndia lejon që njerëzit të përdorin kafshët për qëllime të ndryshme, përfshi këtu edhe për tu ushqyer. Perëndia i vlerëson njerëzit sepse janë bërë sipas imazhit të Tij. Kështu që çdo person që vret një person tjetër humb të drejtën për të jetuar. Çdo njëra nga këto politika është e bazuar në parimet e Perëndisë për t’i vendosur njerëzit në vend të parë, ndër gjithë qeniet e tjera në tokë. Ky duhet të jetë edhe qëndrimi ynë. Njerëzit janë më të rëndësishëm se çdo krijesë tjetër në tokë.

 

A janë bebet një bekim?

Një mënyrë për t’i vendosur njerëzit, të parët nga rëndësia është t’i konsiderojmë fëmijët si një bekim dhe të gëzohemi që bota ka një popullsi të madhe. Kur Perëndia i tha Noeut dhe bijve të tij:” Qofshi frytdhënës, shumëzohuni dhe mbusheni tokën”, nuk ishte një mallkim; ishte bekim.

Por shumë shpesh, rritja e popullsisë konsiderohet si një fatkeqësi. Molli Jard (Molly Yard), ish presidente e Organizatës Kombëtare të Grave, në Amerikë ka thënë: ” Çështja e abortit nuk është vetëm për të drejtat e grave, por për jetën në planet. Botës i kanoset katastrofa mjedisore nëse popullsia vazhdon të rritet me këtë shkallë.” Thuhet se vrasja e miliona foshnjave të palindura është diçka e mirë, një mënyrë për të shmangur fatkeqësinë botërore.

Këtë linjë mendimi e çon më tej ambjentalisti finlandez Pentti Linkola. Ai dëshiron që qeveritë ta bëjnë të detyrueshëm abortin për gratë që tashmë kanë dy fëmijë. Ai dëshiron që të mos ketë ndihmë sociale për vendet e varfra, as azil për refugjatët, në mënyrë që të vdesin sa më shumë njerëz. Ai mendon se një tjetër luftë botërore do të ishte “një rast lumturie për planetin”. Linkola thotë se njerëzimi i ngjan një anijeje me njëqind pasagjerë, por varkat e saj të shpëtimit mbajnë vetëm dhjetë njerëz.” “Ata që e urrejnë jetën”, thotë ai “mundohen të hedhin sa më shumë njerëz nga anija që të mbyten të gjithë. Ata që e duan dhe e respektojnë jetën përdorin sëpatat për të prerë duart që varen në anët e anijes”.

Sipas këtij këndvështrimi, toka ka fare pak burime dhe shumë më tepër njerëz. Ndaj le të jetojnë disa, të tjerët duhet të vdesin. Por ky mendim paraqet të paktën dy probleme. Së pari, është moralisht i gabuar, i urryeshëm dhe mizor. Kjo shpërfill vlerën e çdo personi të bërë sipas imazhit të Perëndisë. Së dyti, jo vetëm që është e gabuar nga ana morale, por edhe bazuar në fakte.