Në vitin 1968 biologu Pol Erliç (Paul Ehrlich) shkroi librin “Bomba e Popullimit” (The Population Bomb) dhe parashikoi se: “Në vitin 1970 bota do të kalojë krizë–qindra miliona njerëz do të vdesin urie.” Por Erliç u gabua. Teksa popullsia rritej, uria binte. Prodhimi i ushqimit botëror u rrit më shumë se dyfishi, falë përparimeve bujqësore. Krizat që pasuan erdhën si pasojë e luftës, korrupsionit dhe mos arritjes për të shpërndarë ushqimin si duhet dhe jo prej mungesës së ushqimit në botë.
Njerëzit e alarmuar për popullsinë kanë gabuar në parashikimin e tyre për sasinë e pakët të ushqimit të botë, po kështu kanë gabuar në parashikimin e sasisë së energjisë në botë. Në vitin 1865 një shkencëtar social i njohur, parashikoi se industria e Anglisë shumë shpejt do pësonte një frenim, sepse Anglia do të shterohej prej rezervave të saj të qymyrit. Por u gjet më shumë qymyr dhe u zhvilluan forma të tjera të energjisë dhe sot, rezervat e saj të qymyrit janë më të mëdhatë që njerëzimi mund të ketë përdorur ndonjëherë.
Sot askush nuk shqetësohet nëse mbarojnë rezervat e qymyrit; por shqetësohen se mos mbeten pa rezerva nafte. Por edhe shqetësimi i tyre mund të jetë i gabuar.
Rezervat e tanishme të naftës i kalojnë dhjetë miliardë fuçi, mjaftueshëm sa për katërqind vite të tjera, nëse vazhdojmë me ritmin e konsumit aktual e për më tepër priten zbulime të tjera. Ka shumë mundësi që forma të tjera të energjisë do të zëvendësojnë energjinë e bazuar te nafta, para se popullsia e botës të ketë konsumuar të gjitha burimet e karburantit.
Sheik Ahmed Jamani (Ahmed Yamani), ministri i naftës së Arabisë për njëzetë vitet e kaluara, ishte një prej njerëzve që dinte shumë për rezervat dhe çmimet e naftës. Ndoshta ti mendon se Sheik Jamani do të kishte dashur që çmimet e naftës të ishin sa më të larta, por ai realisht ishte i etur të parandalonte që çmimi i naftës të mos rritej shumë. Arsyeja e kësaj ishte sipas tij se rritja ekstreme e çmimeve të naftës do të sillte përfitime të mëdha për një periudhë të shkurtër kohore, por ama shkatërrim afat gjatë për vendet që prodhojnë naftën, sikurse vendi i tij. Pse? Sepse çmimet e larta të naftës do të nxisnin prodhimin e sasive më të mëdha të naftës, në të njëjtën kohë do të shpejtonte zhvillimin e teknologjisë që përdor më pak naftë. Kjo do të sillte që rezerva e naftës mbarëbotërore do të rritej dhe kërkesa do të rrudhej. “Viktimat e vërteta” u shpreh Jamani, “do të jenë vende si Arabia Saudite, që kanë rezerva të mëdha, por nuk kanë çfarë t’i bëjnë, nafta do të mbetet në tokë përgjithmonë.”
Ai vazhdoi “Epoka e gurit erdhi drejt fundit, por jo nga mungesa e gurëve; po kështu edhe epokës së naftës do t’i vijë fundi, por jo nga mungesa e naftës.” Njerëzit e alarmuar prej rritjes së popullsisë shqetësohen se pas një periudhe kohore( 400 vjet) do të mbetemi pa naftë, ndërsa ekspertët e naftës shprehin një tjetër frikë: që kërkesa për naftë do të shterojë para se të jetë përdorur e gjithë nafta.
Njerëzit që e shikojnë botën si të mpi populluar me njerëz, shpesh përdorin tendencat e kohës për të parashikuar problemet e së ardhmes. Por sikurse e thotë një autor tjetër: “Në vitin 1883 një njeri mund të vlerësonte nga sistemi i atëhershëm i transportit, që rrugët e qyteteve tona do të mbuloheshin nga një metër e gjysmë pleh organik. Zonat tona urbane kanë shumë probleme, por ky është njëri prej tyre.”
Teknologjia vazhdon të ndryshojë teksa njerëzit vazhdojnë të bëjnë zbulime.
Është marrëzi të flasësh për tokën si një varkë shpëtimi e mbipopulluar. Perëndia i njeh nevojat tona dhe Ai siguron shumë burime. Sigurisht që duhet të përdorim dhuratat e Tij me mençuri dhe të mos i shpërdorojmë, por njëkohësisht duhet të jemi të sigurt se Perëndia kujdeset për ne dhe të mos shqetësohemi vazhdimisht që planeti ynë nuk mund të mbajë kaq shumë njerëz.
Kush e di se si shpikjet e reja njerëzore do të gjejnë mënyra për të përdorur burimet bujare të Perëndisë? Nëse i shikojmë njerëzit thjesht si, disa gojë që duhen ushqyer, pyetja kryesore do të jetë si të mbajmë në minimum atë numër. Por nëse i shikojmë njerëzit si krijesa sipas imazhit të Perëndisë, si producentë krijues dhe nëse e konsiderojmë çdo fëmijë si një bekim nga Zoti, atëherë çështja jonë kryesore do të jetë si të mbështesim dinjitetin njerëzor e si të plotësojmë nevojat njerëzore.
Teksa lindin më shumë fëmijë në botë, ne mund të gjejmë mënyra për të plotësuar nevojat e tyre, mënyra që as i kemi menduar se ekzistonin dhe disa prej atyre fëmijëve mund të jenë të vetmit që bëjnë këto zbulime kaq shumë të nevojshme.
Ndër gjithë burimet që Perëndia siguron për të ndihmuar njerëzit që të mbijetojnë dhe lulëzojnë, mund të themi burimi më i madh, janë pikërisht njerëzit e tjerë!
Shqetësimi për mbipopullimin nuk është diçka e re. Rreth 1800 vite më parë, dikush shkroi: “Kudo ka ndërtesa, kudo ka njerëz, kudo ka komunitete, kudo ka jetë… Ne peshojmë në këtë botë; burimet e saj zor se mjaftojnë për të na mbështetur ne.” Mirë, atëherë popullsia e tokës është rritur shumë gjatë njëmijë e tetë qind (1800)viteve të fundit, por përsëri ka burime më se të mjaftueshme.
Disa njerëz të alarmuar e përshkruajnë rritjen e popullsisë si një shpërthim, apo si ndotje të popullsisë, apo si kancer që shtohet jashtë kontrollit. Por një profesor i krishterë I. Kalvin Bejsner (E. Calvin Beisner) pohon: “Raca njerëzore nuk është shpërthimi i popullsisë por lulëzimi i popullsisë; nuk është bumi i popullsisë por çelja e plotë e popullsisë; nuk është ndotja e njerëzve, por zgjidhja e njerëzve; nuk është kancer por përgjigje.” Në vend që të frikësohemi për popullsinë e madhe të botës, le të falënderojmë Perëndisë për këtë bekim. Në veçanti, të krishterët që besojnë Biblën, duhet të gëzohen për çdo fëmijë që Perëndia i shton familjes së tyre, duke qenë se Bibla i quan fëmijët një bekim i Zotit.
Jam i lumtur që prindërit e mi nuk ishin fanatikë të rritjes së popullsisë me koeficient zero, përndryshe unë nuk do të ekzistoja. Unë jam i pesti nga gjashtë fëmijët. Ndërsa babai im është më i vogli në gjashtë vëllezërit dhe motrat. Ndërsa një miku im pastor ka shtatë fëmijë të vetët. Pra një i krishterë i vlerëson fëmijët që i jep Perëndia. Ne i vlerësojmë fëmijët tanë. Ne i besojmë Perëndisë, që do t’i bëjë ata të perëndishëm, persona produktivë, që u sjellin bekim të tjerëve.
A mund t’i përdorin njerëzit kafshët?
Vendosja e njerëzve në vend të parë për nga rëndësia, së pari përfshin kënaqësinë që familja njerëzore është rritur kaq shumë, e po kështu përfshin bindjen se njerëzit janë superiorë ndaj kafshëve. Disa prej kundërshtarëve më ekstremë të rritjes së popullsisë, janë ambjentalistët radikalë, që mendojnë se kafshët duhet të kenë të njëjtat të drejta si njerëzit. Në fakt, disa njerëz dëshirojnë që të mos ekzistonin fare qeniet njerëzore. “Popullsia njerëzore optimale e tokës është zero,” tha një ekstremist. “Raca njerëzore mund të shkojë drejt zhdukjes dhe unë nuk do të derdhja lot as për një njeri të vetëm.” Unë mendoj se do të ishte e vështirë për një person që kërkon zhdukjen e të tjerëve të llojit të vet, që të nxjerrë lot!
Ingrid Njukërk (Ingrid Neëkirk), përfaqësuese e organizatës “Njerëzit për trajtimin etik të kafshëve” (PETA),tha: “Ne [njerëzit] jemi rritur si një kancer. Ne jemi plaga më e madhe në faqen e dheut.” Sipas opinionit të saj, është gabim të ketë kaq shumë njerëz, po kështu që njerëzit janë superiorë ndaj kafshëve. “Forma më e vogël e jetës, qoftë një milingonë a molusk, është e barabartë me një qenie njerëzore”, tha ajo. “Kur bie fjala te ndjenjat, një mi është një qen, është një djalë. Të gjithë këta janë gjitarë. Të gjithë këta ndiejnë dhimbje. Nuk ka baza racionale për të thënë se qeniet njerëzore kanë të drejta të veçanta,” ngulmoi Njukërk . “6 milion judenj vdiqën në kampet e përqendrimit, por në vitin 2006 u therën gjashtë miliardë zogj pule në thertore.”
Nëse kafshët janë të barabartë me njerëzit, atëherë ngrënia e pulave është po aq e keqe sa gjenocidi. Kërkimet mjekësore që përdorin kafshët janë po aq të këqija sa eksperimentet naziste me njerëzit. “Edhe sikur zbulimet e bëra në kafshë të rezultonin në kurimin e AIDS-it,” tha Ingrid Njukërk “ne do të jemi kundër kësaj gjëje”.
Një tjetër organizator për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve tha: ” Edhe sikur vdekja e një miu të shëronte të gjitha sëmundjet, kjo nuk do të bënte asnjë ndryshim për mua.”
Cilat janë faktet që hedhin poshtë idenë e organizatorëve të mbrojtjes të të drejtave të kafshëve se jeta e një kafshe është e barabartë me jetën e një njeriu? Për më tepër na ndiqni herën e ardhshme, do të ndalemi në faktin tjetër: a është mirë të torturojmë kafshët thjesht për argëtim, apo të shfarosim të gjitha speciet në zhdukje?