Njeriu madhështor

Print

Titulli: Njeriu madhështor (pjesa 3)

Pritje më të mëdha

Të krishterët ndonjëherë akuzohen për faktin se kanë një këndvështrim tepër të ulët për qeniet njerëzore  sepse ne kritikojmë adhurimin e personave të famshëm, dhe të ideve mashtruese për vetë vlerësimin. Ne akuzohemi veçanërisht për faktin se flasim shumë për mëkatin dhe dështimin njerëzor.

E vërteta është se të krishterët që flasin për mëkatin kanë një këndvështrim më të lartë se çfarë do të thotë të jesh njerëzor, se sa personi që flet vetëm për vetëvlerësimin.

I krishteri i cili e quan njerëzimin si një dështim të madh zakonisht ka një këndvështrim më të lartë se çfarë do të thotë të jesh njerëzor se sa ata që thonë se njerëzimi është një sukses i madh.

“Si është e mundur kjo?” mund të pyesësh ti.” Si mund të thuash se të folurit për dështimin tregon një këndvështrim më të lartë për njerëzimin se të folurit për suksesin?” Mendoje këtë gjë kështu.

Imagjino sikur një djalë adoleshent, mund të kërcejë më lart se gjithë të tjerët në shkollë.

Miqtë e tij i thonë gjithmonë se sa atletet i zoti është ai. Më pas vjen në shkollë fituesi i një medaljeje ari në olimpiadën e kërcimit së larti, i cili i thotë djaloshit:”Do të doja të punoja me ty, por po ta them që në fillim se ti duhet të ndryshosh. Teknika jote ta shpif. Unë e shikoj që ti je lindur për tu marrë me kërcimin së larti, por ti po e bën në mënyrën e gabuar. Duhet të më lejosh të të ndihmoj. Ti nuk ke për të fituar asnjë medalje olimpike, nëse vazhdon kështu.”

Si mendon kush ka një pikëpamje të drejtë për atë djalë? Miqtë e tij të cilët e lavdërojnë vazhdimisht, sepse ai është më i miri mes një tufe mediokrish?

Apo profesionisti olimpik i cili i thotë djalit se stili i tij i gabuar po e shkatërronte talentin e tij të kalibrit olimpik? Sigurisht që profesionisti.

Ai mund të ketë një vështrim të ulët për rezultatin e djalit, por këtë ai e bën për të vetmen arsye se ka standarde të larta dhe një pikëpamje më të lartë për djalin dhe mendon se ai mund të arrijë rezultate më të mira.

Në të vërtetë, fakti që një fitues medaljeje olimpike tregon interes për një djalë shkolle, nuk është vetëm për ta kritikuar atë por për t’i dhënë djalit një dorë drejt suksesit dhe, kjo gjë vlen më shumë se lëvdimet më të mira të gjithë shokëve të tij që nuk marrin vesh nga atletika.

Në të njëjtën mënyrë, kur Perëndia flet në Bibël, për mëkatin dhe dështimin e njeriut, nuk e bën këtë për arsye se pikëpamja e Tij për njerëzimin është më e ulët se ata të cilët thonë se sa të mrekullueshëm dhe të suksesshëm jemi të gjithë ne. Por ai e bën se pikëpamja e tij për njerëzimin është shumë më e lartë. Perëndia ka pritje më të mëdha për ne, se sa ato që ne guxojmë të presim nga vetja.

Ne mendojmë se nëse dukemi mirë, vrapojmë shpejt, bëjmë para apo kemi një familje të bukur dhe bëjmë një jetë të qenë, atëherë jemi të suksesshëm.

Por Perëndia thotë se në rast se kjo është gjithçka që bëjmë në jetë, jemi të mjerë dhe të dështuar. Ne nuk do të jetojmë asnjëherë në praninë e Tij, a të reflektojmë lavdinë e Tij, as të gjykojmë engjëjt a të sundojmë mbi universin nëse kemi këtë stil jetese.

Bibla thotë: “Të gjithë kanë mëkatuar dhe kanë rënë prej lavdisë së Perëndisë.” (Romakëve 3:23) Ti mund ta quash këtë pohim si një fyerje dhe një goditje ndaj vetë vlerësimit tënd të çmuar. Por e vërteta është se Perëndia na merr seriozisht dhe Ai na mban në standardin e lavdisë së Tij dhe jo në një standard më të ulët. Ajo që thotë Perëndia për ne mund të na bëjë të trembemi kur mësojmë se kush jemi planifikuar të jemi dhe se si mund të bëhemi, me anë të hirit të Perëndisë.

Vetëm me njohjen e madhështisë së Perëndisë dhe faktit se jemi krijuar për të reflektuar madhështinë e Tij, ne mund dimë se sa dobësi kemi dhe sa shpejt rrëzohemi. “Të gjithë kanë mëkatuar dhe kanë rënë prej lavdisë së Perëndisë.” Fakti që Perëndia shqetësohet që të na tregojë këtë neve, është një kompliment më i madh se çdo lajkë tjetër për ndonjë prej arritjeve tona të parëndësishme.

Të kurorëzuar me lavdi

Te Hebrenjve kapitulli 2, shkruar pas ardhjes së Jezusit, Bibla citon disa vargje nga Psalmi 8: ” çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?

Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.

E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij.” Sa pohim i mrekullueshëm!

Hebrenjve 2 më pas shton një dozë të fortë realizmi dhe thotë: ” Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij.” A nuk është kjo e vërteta?! Ne nuk e shohim njerëzimin të shkëlqejë me lavdinë e Perëndisë. Ne e shohim mëkatin dhe ligësinë e njerëzve që zënë zonën e tyre të rehatisë pa pasur asnjë ambicie për të lartësuar Perëndinë dhe për t’i ngjarë Atij. Ne nuk shohim gjithçka të nënshtruar ndaj njerëzimit. Ne i shikojmë njerëzit e vegjël që luftojnë kundër universit për rreth dhe faktikisht humbasin teksa vdesin dhe kthehen në pluhur. Pra a janë veç ëndrra boshe të gjitha idetë e mëdha për shkëlqimin tonë si krijesa njerëzore dhe për destinacionin tonë të lavdishëm? A është e vërtetë që Perëndia nuk ka lënë asgjë pa ia nënshtruar njeriut, kur tani nuk shohim asgjë të nënshtruar ndaj njeriut?

Ja se si trajtohen këto pyetje te Hebrenjëve 2. Aty thuhet: ” Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij”. Sepse, mbasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa iu nënshtruar. Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e Tij, por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.” (Hebrenjve 2:8-9) Vetëm në Jezusin mund të zgjidhet madhështia dhe misteri i mjerimit tonë. Vetëm në Jezusin mund të largohet mëkati ynë dhe të ndryshohet skllavëria jonë ndaj vdekjes. Vetëm në Jezusin ne bëhemi edhe një herë të mëdhenj, të përtëritur në imazhin e Perëndisë, duke mbretëruar me Të.

Te Psalmi 8 Davidi shprehu çudinë se si Perëndia i galaktikave kujdesej për njerëzit që janë kaq të vegjël. Por nëse ky fakt e çuditi psalmistin, ç’mund të themi për Jezusin? Ç’mund të themi për faktin që Perëndia i galaktikave, po, ai vetë u bë pjesë e njerëzimit? Sa çudi, njësoj si unë, një krijese kaq e vogël, e quajtur njeri që as mund ta ëndërrojë t’ia kalojë një çite apo të udhëtojë drejt një ylli, Krijuesi i pakufishëm i çitave dhe i yjeve është bërë si njëri prej nesh! Në të vërtetë, Ai u bë si një nga më të vegjlit ndër ne. Perëndia i Cili  përdor lavdërimin e foshnjave për t’ia mbyllur gojën armiqve të tij, ky Perëndi u bë foshnjë vetë, duke lindur në një grazhd. Kjo foshnjë lindi për të qenë një person pa asnjë kacidhe në xhep, pa një adresë fikse, pa asnjë medalje, pa asnjë përvojë qeveritare dhe përfundoi i përçmuar dhe i vdekur, i kryqëzuar mbi një kryq. Por ky zdrukthëtar i kryqëzuar u ngrit prej së vdekurish dhe u kthye në vendin që i takonte, mbi engjëjt dhe tërë krijesat e tjera.

Jezusi është kurorëzuar me lavdi dhe nder dhe të gjithë ata që i përkasin Atij janë kurorëzuar me lavdi dhe nder së bashku me Të. Bibla thotë se Perëndia i ka ulur besimtarët me Krishtin në vendet qiellore, që ata të mbretërojnë mbi universin përgjithmonë me Të.

Tani për tani nuk e shohim njerëzimin ashtu si duhet të ishte dhe nuk i shohim të tëra gjërat të nënshtruara ndaj njerëzimit, sikurse duhet të ishin. Por ne shohim Jezusin, njeriun madhështor, që është një me madhështinë e Perëndisë.

A i kupton të gjitha tani? A e kupton që ti jo vetëm që je më i zgjuari i kafshëve, por je krijuar të jesh sipas imazhit të Perëndisë? A e shikon se sa të parëndësishme janë shumë prej veprimtarive të tua, krahasuar me thirrjen tënde për të pasur miqësi me Perëndinë e përjetshëm dhe për të përhapur lavdinë e Tij? A e kupton se sa poshtë lavdisë së Tij ke rënë?

A e kupton se sa e gabuar dhe tragjike është të shpërfillësh dhe çnderosh të Plotfuqishmin? Dhe më e rëndësishmja, a e shikon Jezusin? A e shikon Jezusin si personi i Cili vdiq që të paguante për mëkatet e tua? A e shikon atë si Personin i cili pushtoi vdekjen dhe u kurorëzua me lavdi dhe nder? A i beson Atij si personi i Cili të kurorëzon ty me lavdi dhe nder?

Pak para se Jezusi të gozhdohej, Ponc Pilati, ky drejtues romak, e nxori Jezusin para turmës që kërkonte kryqëzimin e Tij dhe tha: “Shikoni, njeriun.” Pilati po thoshte shumë më tepër nga sa kuptonte. ” Shikoni, njeriun.” Jezusi është njeriu, njeriu i përsosur, imazhi i Perëndisë, i krijuar më i ulët se engjëjt dhe i ulur më poshtë se më mëkatari më i keq, por tani i ngritur, i kurorëzuar me lavdi dhe nder dhe, duke sunduar mbi gjithçka.

Çfarë është njeriu? Jezusi është njeri. Shikoni njeriun! Besoji atij dhe do të bëhesh vërtetë njerëzor. Shikoni njeriun dhe, do të shikosh si mund të shkëlqesh me lavdinë e Perëndisë së pafund. Shikoni njeriun dhe kur të shohësh Jezusin për Atë që është dhe, se çfarë mund të bëjë Ai me ty, mund të pohosh: “O  ZOT, Zoti ynë, sa i madh është emri Yt në të gjithë tokën.”