Nxitja drejt Perëndisë

Print

Titulli: Nxitja drejt Perëndisë (pjesa 1)

A ekziston Perëndia? Kjo është një pyetje jetike, dhe mund t’i bëjë të pakëndshëm njerëzit që pyesin. Por nuk ke pse bëhesh i pakëndshëm për këtë. Unë kam mësuar se nuk është mirë të fyesh njerëzit që nuk besojnë te Perëndia, përkundrazi duhet të mundohem t’i kuptoj ata.

Gjithashtu kam kuptuar se jo të gjithë ateistët dhe gnostikët janë kundër besimtarëve. Një herë u tregova i pakujdesshëm dhe thashë se ateistët nuk duan që njerëzit e tjerë të luten. Unë bëra gabim që u shpreha kështu. Nuk vonoi shumë dhe dikush më shkroi që të më korrigjonte. Ky person më tha: “Unë jam ateist dhe nuk bezdisem nëse njerëzit e tjerë luten. Nëse lutja i bën të ndihen më mirë, shumë mirë le të luten, unë nuk e kam problem.”

Disa ateistë shkojnë deri në gjyq për të parandaluar përmendjen e emrit të Perëndisë në shkolla publike, ndërsa disa të tjerë mbajnë qëndrimin e ateistit që ta përplas në fytyrë me ato që shkruan në një faqe interneti: “Bota ka dy klasa njerëzish, njerëzit e zgjuar pa besim dhe njerëzit besimtarët pa inteligjencë.” Por nuk mund të themi se të gjithë ateistët janë kaq armiqësorë ndaj besimtarëve. Shumë mendojnë se besimtarët bëjnë gjëra të mira. Disa madje japin para apo dalin vullnetarë për disa projekte bamirësie me bazë fetare sepse besojnë tek gjërat e mira që këto bamirësi bëjnë, ndonëse nuk besojnë te Perëndia i kësaj bamirësie.

Kur unë fillova të flisja në radio, mora disa mësime trajnimi si folës nga një peron me përvojë në transmetimet në radio. Unë isha fillestar dhe mësova shumë gjëra prej tij, sepse kishte një kohë të gjatë në radio. Ai ishte një person i mrekullueshëm, i gatshëm të më ndihmonte në përmirësimin e aftësive të mia komunikuese. Në fakt më ofroi një çmimin shumë të leverdishëm për kursin, krahasuar me tarifat e tij të zakonshme.

Pas një bisede miqësore doli se, ky njeri kaq i dashur dhe miqësor ishte ateist. Ai nuk besonte te Perëndia. Megjithatë donte të më ndihmonte që tu flisja të tjerëve për Perëndinë. Pse duhet ta ndihmonte ky ateist një predikues? Ai tha: “Unë dua të të ndihmoj sepse mendoj se ti ndihmon shumë njerëz që të kenë një jetë më të mirë. ” Më pas ai shtoi me një buzëqeshje të ëmbël: “Unë nuk jam dakord me parimet e tua bazë, por unë sërish mendoj se ti bën gjëra shumë të mira”.

Nëse je ateist apo gnostik ndoshta edhe ti ndihesh kështu. Ti nuk shkon vërdallë duke sulmuar besimin. Ti vetë nuk beson te Perëndia, por nuk ke për qëllim të lëndosh ndjenjat e besimtarëve të tjerë apo t’i pengosh ata që të gëzojnë besimin e tyre. Ti mendon se besimi te Perëndia mund tu bëjë mirë disa njerëzve, mund t’i bëjë të ndihen më mirë, si dhe të përballojnë më lehtë jetën. Ti thua: “Edhe sikur Perëndia të mos jetë i vërtetë, pse të përpiqemi t’i ndalojmë ata që besojnë në disa ideale që shpesh janë të lidhura me besimin te Perëndia?”.

Sidoqë të jetë, nëse tregohesh miqësor me njerëzit ose jo , nëse mendon pozitivisht për besimin ose jo, një ditë do të përballesh me pyetjen e prerë: “A është i vërtetë Perëndia?”.

Filozofi Stifën Evëns (Stephen Evans) tregon për vajzën e tij pesë vjeçare, e cila e pyet: “Babi a ekziston me të vërtetë Babagjyshi i Vitit të Ri?”.

Evëns nuk donte ta gënjente dhe të shtirej sikur ai besonte te babagjyshi, por njëkohësisht nuk donte ta trondiste besimin e një fëmije.  Kështu që iu përgjigj: “Krishtlindja është një kohë dhurimi dhe ofrimi dhe, historia për Babagjyshin është një mënyrë argëtuese për ta shprehur këtë.”

Vajza e vogël nuk u kënaq me përgjigjen. Ajo donte një përgjigje faktike. Evëns vazhdon: “Fryma e Krishtlidjes është shumë e mirë dhe e shkëlqyer, por vajza ime donte të dinte nëse ekzistonte me të vërtetë një burrë plak që zbriste nga oxhaku së bashku me dhuratat. Nëse ekzistonte atëherë si e bënte këtë hile?”.

Kur vijmë te pyetja: “A është Perëndia i vërtetë?”, disa njerëz mund të thonë se pavarësisht nëse Perëndia ekziston ose jo, duhet të besojmë në idealet e mira që besimtarët flasin për Perëndinë. Por ne nuk mund të kënaqemi me kaq.

“Ne duam të dimë nëse Perëndia ekziston me të vërtetë” thotë Stifën Evëns. “A ekziston me të vërtetë një person i Cili bëri universin? A do t’ia dijë ai për ne? A kujdeset ai për ne? Po idealet që ne mbrojmë janë thjesht shpikjet tona apo janë themeluar në një realitet dhe pushtet më të lartë se sa ky i yni?” Përgjigja faktuale për pyetjen e Babagjyshit është: “Jo, Babagjysi nuk ekziston”.  Por cila është përgjigja për pyetjen që bëmë më lart rreth Perëndisë?

Mendojmë ato që duam?

Pse t’i besosh Perëndisë ndërsa Babagjyshit të Vitit të Ri të mos i besosh? Disa njerëz i futin të dyja këto bindje në të njëjtën kategori. Historia e Babagjyshit është sajuar shumë bukur, megjithatë do të ishte marrëzi për të rriturit që ta besonin, ndërkohë që faktet tregojnë të kundërtën. Kësisoj, shumë njerëz thonë se Perëndia është thjesht një histori e sajuar, që të mbërthen pas vetes, por gjithsesi mbetet një histori dhe, do të ishte marrëzi për të rriturit të besonin te Perëndia kur faktet tregojnë të kundërtën. A nuk është Perëndia thjesht një mendim që e dëshirojmë në mendjen tonë?

Frojdi, pionieri i psikologjisë, refuzoi besimin te Perëndia dhe e përshkroi besimin si një patericë për njerëzit që u duhet mbështetje emocionale. Sipas Frojdit, njerëzit e kanë frikë botën përreth dhe, të keqen brenda vetes. Ata dëshirojnë një figurë atërore që do t’i mbrojë prej rreziqeve dhe do t’i drejtojë këto prirje të njeriut në kanalet e duhura. Kjo dëshirë është kaq e fortë sa që i shtyn njerëzit të besojnë te Perëndia, pa prova apo arsyetime. Ata preken prej kësaj dëshire primitive dhe jo prej të menduarit racional.

Frojdi donte të thoshte diçka kur nënvizoi fuqinë e mendimit të dëshiruar. Njerëzit ndonjëherë besojnë atë që duan vetë. Por a vlen kjo vetëm për besimtarët? A nuk vlen edhe për ata që nuk besojnë te Perëndia? Shumë njerëzve u duket më e arsyeshme të jenë ateistë se sa të besojnë në një Perëndi, i Cili mund t’i kufizojë, apo të mos e miratojë  sjelljen e tyre.

Aldus Haksli (Aldous Huxley), autori i librit “Një botë e re e guximshme” Brave Neë Ëorld, pranoi se mosbesimi i tij nuk ishte thjesht rezultat racional i kërkimeve shkencore apo arsyetimit filozofik. Ai tha se së bashku me disa prej ateistëve të tjerë donin që bota të mos kishte as Perëndi dhe as kuptim më të lartë. Pse?

Pse? Sepse ata dëshironin që liria të bënte punën e tyre pa iu përgjigjur një qenieje më të lartë apo një standardi më të lartë. “Ne kundërshtuam moralin”, tha Haksli, “sepse kjo ndërhyri me lirinë tonë seksuale”. Ateizmi i Hakslit përshkruan më së miri të menduarin sipas dëshirës.

Një tjetër ateist, Niçja (Friedrich Nietzsche), tha: “Nëse do të ekzistonin perënditë,nuk do të mund ta duroja të mos isha unë vetë një perëndi! Kështu që nuk ka perëndi.” Niçja nuk përdori provat apo arsyetimin për të vërtetuar se nuk ka Perëndi apo realitet supernatyror. Ai ishte kaq i etur për të bërë vullnetin e tij, për të qenë suprem sa që e quajti ekzistencën e Perëndisë të padurueshme dhe, atë që nuk mund ta duronte, as nuk mund ta besonte. Ateizmi i Niçes ishte bazuar tek fakti i të menduarit sipas dëshirës.

Pra nëse nuk e pranon besimin te Perëndia, mos harro se edhe të mos besuarit te Perëndia mund të jetë thejsht një dëshirë e mendjes. Dhe nëse pajtohesh me Frojdin, se besimi është realisht thjesht një dëshirë për një figurë atërore, mos nënvlerëso faktin se shumë ateistë (përfshi këtu edhe Frojdin vetë) kishin probleme serioze me etërit e tyre. Refuzimi që i bëjnë Perëndisë mund të ketë qenë një mënyrë për të refuzuar çdo figurë atërore.

Argumenti psikologjik, kundër Perëndisë thotë se besimi te Perëndia nuk vjen përmes analizës racionale, por përmes një nxitjeje jo racionale. Por pyetja që mbetet është: pse shumë njerëz kanë këtë nxitje? Pse ekziston kjo nxitje në shumë kultura të ndryshme për të besuar në diçka më të lartë se vetja jonë? Ateizmi shumë rrallë vjen natyrshëm: duhet ta bindësh veten për këtë. Skeptikët mundohen të largojnë Perëndinë dhe të pohojnë se nxitja e thellë për të besuar te Perëndia është një instinkt irracional dhe një shenjë se Perëndia është një shpikje njerëzore, nuk është një realitet hyjnor. Por çfarë do të bëje nëse do të thosha se Perëndia është real dhe i krijoi njerëzit për të pasur një miqësi të ngushtë me Të?