A nuk do të prisje që njerëzit të kishin ndjenja të fuqishme për besimin, që shpesh shkojnë shumë më thellë se analiza dhe shpjegimi racional?
Pothuajse të gjitha foshnjat janë lindur me instiktin e thithjes. Ato e kanë këtë instinkt pa bërë ndonjë analizë racionale për ekzistencën e nënave. A do të thoshim se nënat nuk janë të vërteta sepse bebet kanë këtë nxitje drejt thithjes që nuk bazohet te logjika? Sigurisht që jo. Instikti i thithjes është një shenjë se bebet dalin nga nënat dhe janë krijuar në këtë mënyrë që të kërkojnë thithjen e qumështit të nënës. Pra pse të themi se Perëndia nuk është real? Vetëm sepse njerëzit kanë këtë shtytje për të besuar, e cila nuk është bazuar te logjika por thjesht në një dëshirë themelore? Po sikur kjo ndjenjë të jetë një shenjë se njerëzit vijnë prej Perëndisë dhe janë krijuar që të kenë një miqësi me të?
Bibla nuk thotë se ata që besojnë te Perëndia, ndjekin vetëm logjikën pa pasur ndonjë dëshirë të thellë. Për më tepër, shkruesi biblik thotë: ” Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.” (Psalmi 84:2)
“Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?” (Psalmi 42:1-2) Zoti është një realitet i gjallë, nuk është thjesht një provë psikologjike, apo një formulë matematike. Pra nxitja për ta njohur Perëndinë është një tregues i rëndësishëm se Ai ekziston, nuk tregon se Ai nuk ekziston. Shën Agustini dikur shkroi: “Zot ti na ke bërë për veten tënde dhe zemrat tona nuk gjejnë qetësi derisa pushojnë në Ty.” Si gnostikët, ashtu edhe atiestët ndonjëherë pyesin veten për Perëndinë dhe ndiejnë një shtytje për ta besuar Atë, ndonëse mund të vazhdojnë ta ndrydhin këtë nxitje. Nxitja për Perëndinë rritet në një pikë të cakuar pothuajse te çdo njeri.
Nëse je një skeptik, ndoshta do të duash të theksosh se dëshirimi i diçkaje apo dikujt nuk e bën aspak reale atë dëshirë. Sikurse e thotë edhe Stifën Evëns:
“Një marinar i mbijetuar pas shkatërrimit të anijes, qëndron në një varkë shpëtimi dhe mund të ketë një dëshirë të madhe dhe të dëshpërueshme për pak ujë të pijshëm. Ai mund të dojë kaq shumë një pikë ujë sa që i krijohen halicionacione për ekzistencën e ujit. Dukshëm atje nuk ka ujë të pijshëm. Kësisoj, një person mund të dojë apo të dëshirojë Perëndinë, por Perëndia nuk është atje, as për të as për askënd tjetër.” Dëshirimi i diçkaje nuk vërteton se do ta kesh atë. Është mjaft e drejtë. Por Evëns vazhdon duke nënvizuar faktin se: “Marinari si individ mund të mos gjejë as një pikë ujë për të pirë, por do të ishte shumë e çuditshme nëse ai do të kishte këtë nevojë dhe uji nuk do të ekzistonte fare. Fakti që njerëzit në përgjithësi kanë nevojë për ujë, është një dëshmi e fortë se diçka e tillë si uji ekziton me të vërtetë, ndonëse kjo nuk do të thotë se ky individ do të ketë ujin në raste specifike. Po kështu, fakti që ne kemi një nxitje të madhe për të besuar dhe për të zbuluar nëse Perëndia është i vërtetë, nuk do të thotë se çdonjeri prej nesh do të zbulojë Perëndinë dhe do të krijojë një marrëdhënie me Të. Do të ishte me të vërtetë e çuditshme të kishim nevojë për diçka që nuk do të ekzistonte.” (f. 57-58)
Psikologjia nuk shërben për të shpjeguar besimin te Perëndia.
Në të vërtetë, fakti që shumë njerëz duken të vendosur për të kërkuar një realitet më të lartë mbinatyror, duket si një shenjë se Perëndia është i vërtetë.
Por le të mos fokusohemi thjesht te motivet dhe nxitjet e brendshme. Nëse dëshirojmë të dimë nëse nxitja e Perëndisë është thjesht një aksident i biologjisë apo psikologjisë apo një dëshirë e Krijuesit e vendosur brenda nesh prej vetë Perëndisë, ne duhet të shikojmë përtej ndjenjave dhe dëshirave tona.
Për të zbuluar nëse Perëndia është i vërtetë, le të fokusohemi te dy ngjarje kryesore: krijimi i universit dhe ringjallja e Jezusit. Nëse këto gjëra nuk kanë ndodhur asnjëherë, atëherë Perëndia i krishterimit nuk ekziston dhe duhet të bëhesh një ateist ,gnostik a dikush tjetër.
Nga ana tjetër, nëse bota mbart shenjat e krijimit dhe nëse ringjallja e Krishtit është një ngjarje reale që shoqërohet me prova solide, atëherë Perëndia ekziston dhe duhet të besosh në Të dhe ta njohësh atë në Jezus Krishtin.
Ti mund të kesh shumë pyetje dhe kundërshtime në lidhje me besimin te Perëndia, por gjërat më të rëndësishme vijnë të parat. Ndaje mendjen për sa i takon krijimit dhe ringjalljes. Nëse ti ke këtë nxitje të Perëndisë në zemër, dhe nëse pranon provat se krijimi dhe ringjalljen si të vërtetë, atëherë ti mund të jesh besimtar. Çdo pyetje apo kundërshtim i vazhdueshëm mund të përbëjë për ty një zonë eksplorimi të mëtejshëm, por këto pyetje a kundërshtime nuk mund të përdoren për të mohuar ekzistencën e Perëndisë. Para se të përballemi me pyetjet e tjera, le të merremi me dy pyetjet më të mëdha: A është kjo botë një krijim apo një rastësi? A u ngrit Jezusi prej së vdekurish apo jo?
Krijim apo Aksident
Kur ne pyesim nëse krijimi ka ndodhur me të vërtetë ose jo, kufizohemi prej faktit se askush prej nesh nuk ishte i pranishëm kur filloi universi. Por sërish mund të pyesim: A është kjo botë një aksident i rëndomtë, apo është produkt i një mendjeje inteligjente?
Le të marrim për shembull largësinë e tokës nga dielli. Nëse dielli do të ishte me afër tokës, të gjithë ne do të digjeshim prej nxehtësisë. Po të ishte më larg, të gjithë ne do të vdisnim së ftohti. Por toka është pikërisht në largësinë e duhur nga dielli. A ka ndodhur thjesht rastësisht kjo?
Toka rrotullohet rreth vetes. Nëse do ti merrte le të themi pesë mijë orë dhe, jo njëzetë e katër orë për çdo rrotullim, sikurse bëjnë disa planete, asnjë krijesë e gjallë nuk do të mund të mbijetonte.
Ditët do të ishin shumë të gjata dhe lagështia e planetit do të zhdukej menjëherë përmes avullimit. Netët do të ishin shumë të gjata. Edhe sikur dikush t’i mbijetonte ditës, me siguri do të vdiste prej të ftohtit, natës.
Por toka rrotullohet çdo njëzet e katër orë dhe është një strehë e mirë për jetën e gjallë. A thua kjo ndodhi rastësisht?
Edhe qeliza më e thjeshtë njerëzore kërkon mbi dyqind enzima komplekse, dhe mundësitë që këto enzima të prodhohen dhe kombinohen rastësisht, janë një në 40 mijë raste. Komentit se jeta erdhi papritur në ekzistencë, shkencëtari i shkëlqyer Fred Hojl (Fred Hoyle) tha se kjo gjë ishte po aq qesharake dhe e pamundur sa një tornado që bie mbi një oborr me rangullina dhe prodhon një mjet reaktiv fluturues.
Çdo qelizë e njeriut përmban mjaftueshëm informacion gjenetik, për të mbushur të paktën një mijë libra, me pesëqind faqe secili. A mund të deshifrohet ky informacion dhe të transmetohet përmes një procesi të rastësishëm? Nëse gjen një librari plot me libra që mund të përbëjnë rreth gjysmë milion faqe informacion, a do të mendoje se të gjitha këto libra dhe ky informacion është shkruar rastësisht pa një autor inteligjent? Do të duhej shumë besim për ta besuar këtë gjë.
Askush në botë nuk di më shumë rreth gjenetikës dhe ADN-së se sa Frensis Kollins. Ai drejtoi një skuadër prej më shumë se dymijë shkencëtarë, në një projekt të quajtur “Projekti i Gjenomit Njerëzor”, duke vënë në hartë projektin gjenetik për jetën njerëzore. Frensis Kollins është një i krishterë që beson te Krijuesi. Ai e konsideron ADN-në si gjuhën e Perëndisë dhe së fundi ka publikuar një libër me të njëjtin titull.
Provat e fuqisë dhe urtësisë së Perëndisë janë kaq të shumta në gjërat e krijuara sa që Bibla nuk e merr mundimin të vërtetojë se ekziston Perëndia. Ai thjesht fillon duke thënë: ” Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” (Zanafilla 1:1) Bibla thotë se ” Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm”. (Romakëve 1:20)
Nëse nuk e besojmë ekzistencën e një krijuesi, kjo nuk është për faj të mungesës së provave. Perëndia na ka dhënë një sasi provash të ekzistenës së Tij rreth nesh dhe brenda nesh. Ne e dimë se diçka nuk mund të lindë nga hiçi. Ne e dimë se qeniet e gjalla nuk mund të krijohen nga materia e vdekur. Ne e dimë se inteligjenca racionale dhe ndërgjegja morale, nuk janë thjesht reaksione kimike. Ne e dimë se nxitja për të njohur Perëndinë është një dëshirë për një person që është real, për Qenien supreme.
Ne i dimë këto gjëra, ndonëse e bindim veten se nuk janë të vërteta. Duhet një hap i madh i besimit ateist apo një lavazh i madh truri për të mposhtur ndjenjën e natyrshme se jemi krijuar prej një personi të zgjuar, jemi sjellë në ekzistencë prej një personi të fuqishëm dhe po kështu se bëhemi të përgjegjëshëm me anë të dikujt që është më i mirë se ne. Faktet tregojnë se nuk jemi rastësi por vepra e Krijuesit.