Do të ndalemi sot te e vërteta e Jezusit. A e mposhti Ai vdekjen? A është gjallë?
I vdekur apo i gjallë?
Faktet tregojnë se ky krijues i jetës ka fuqi për të mposhtur vdekjen. Shfaqja kryesore e realitetit të Perëndisë është ringjallja e Jezusit prej së vdekurish. Nëse mendon se besimi është thjesht çështje opinionesh apo ndjenjash, mendoje edhe një herë. Ringjallja e Jezusit nuk është çështje ndjenjash por faktesh.
Ringjallja ose ndodhi ose nuk ndodhi. Besimi i krishterë nuk është vetëm shpirtëror, por edhe fizik. Bibla thotë se Perëndia u bë mish në personin e Jezusit. Pasi Jezusi u torturua, u vra dhe u varros, trupi i vdekur u kthye në jetë sërish me anë të fuqisë së Perëndisë. Ky është një pohim përfundimtar dhe fizik. Nëse ringjallja nuk do të ishte e vërtetë atëherë Perëndia i të krishterëve nuk ekziston. Por nëse ringjallja është fakt fizik, atëherë Perëndia është real dhe i gjallë, dhe ti mund t’i besosh Jezusit, si i vetmi që jep jetë të përjetshme.
A ndodhi ringjallja? A është Jezusi i gjallë apo i vdekur? Nëse ti tashmë e njeh personalisht Krishtin e ringjallur dhe e ndien praninë e Tij në jetën tënde, nuk ke nevojë të vërtetosh ekzistencën e dikujt që qëndron përballë teje.
Ti i sheh drejtpërdrejtë atë person dhe nuk ke nevojë të vërtetosh ekzistencën e tij. Por nëse nuk e njeh Krishtin personalisht, a do të ishe i gatshëm të shqyrtoje provat se Ai është i vërtetë dhe i gjallë, edhe sikur të mos e kesh njohur ende Atë?
Le të shqyrtojmë faktet. Jezusi vdiq dhe u varros, por disa ditë më vonë varri u gjet bosh.
Çfarë ndodhi me trupin e tij? Armiqtë e Jezusit nuk e kishin marrë, përndryshe po ta kishin ata, do ta nxirrnin në publik që të shuanin çdo zë se Jezusi ishte gjallë. Armiqtë e Jezusit pohuan se miqtë e Tij e vodhën trupin dhe gënjyen për ringjalljen e Tij. Por a ishte e mundur kjo? Çfarë do të fitonin dishepujt po të vidhnin trupin e Tij, e të predikonin se Jezusi ishte ringjallur? Ata u përndoqën dhe u vranë vetëm se pohuan që Jezusi ishte gjallë.
Njerëzit janë gati të vdesin për besnikëri ndaj Zotit, por a do të vdiste dikush për një gënjeshtër? Sigurisht që jo. I vetmi shpjegim që ka kuptim për ringjalljen e Jezusit është se varri bosh i Jezusit shpjegon se ai u kthye në jetë.
E vetmja gjë që shpjegon arsyen pse dishepujt e Jezusit ishin të gatshëm të vdisnin në vend që të ndryshonin historinë e tyre, është se ata po thoshin të vërtetën kur pohuan se kishin parë Jezusin gjallë. Jezusi iu shfaq shumë njerëzve pas vdekjes së tij, dhe këto shfaqje nuk ishin aspak vizione të mistershme. Jo, Jezusi foli me ndjekësit e tij, hëngri bashkë me ta. Ai hëngri peshk, madje ftoi edhe Thomanë, dishepullin më skeptik që të prekte plagët e Tij. Kur Jezusi iu shfaq disa grave, ato ranë në gjunjë para Tij dhe filluan ta adhuronin. Ndonjëherë ai u shfaq para individëve, grupeve të vogla dhe të paktën një herë iu shfaq një grupi të madh mbi pesëqind vetë.
Nuk ka mundësi që një grup kaq i madh të ëndërronte apo të kishte halucinacione në të njëjtën kohë.
Ata ishin kaq të sigurt për atë që panë, dëgjuan dhe prekën sa që zgjodhën të vdisnin për Krishtin në vend që të ndryshonin dëshminë e tyre. Nëse do të ishe pjesë e një jurie dhe do të kishe dëshminë e besueshme të qindra personave të pranishëm, njerëz të cilët pohuan se panë një person të caktuar, a nuk do tu besoje fjalëve të tyre nëse të gjithë do të pohonin se më mirë të vdisnin se të ndryshonin dëshminë e tyre?
Simon Grinlif (Simon Greenleaf) ishte një ekspert i provave në Fakultetin e Drejtësisë të Harvardit. Ai ishte i njohur në gjykatën Supreme dhe u nderua me çmime në shumë qarqe ligjore. Ky profesor jude u tall me ringjalljen, por një ditë një student i tij e sfidoi për të kërkuar provat e ringjalljes së Jezusit. Grinlif përdori të gjitha metodat për të gjetur prova të sigurta, dhe u bind se ringjallja kishte ndodhur me të vërtetë dhe pas kësaj ia kushtoi jetën e tij Jezusit.
Të kërkosh dhe të gjesh
Pra të besosh se Perëndia ekziston nuk do të thotë të shpërfillësh trurin tënd por të përballesh me faktet. Perëndia krijoi botën dhe realiteti i tij shkëlqen te gjërat që Ai ka bërë. (Romakëve 1:20) Jezusi u ngrit prej së vdekurish dhe ” Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse…”.(Veprat 1:3) Vetëm Perëndia i gjallë është i vërtetë mund të plotësojë dëshirat tonë më të thella dhe nevojat më të mëdha.
Perëndia thotë në Bibël: “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.” (Jeremia 29:13) Li Strobel (Lee Strobel) ishte një ateist i cili filloi të pyeste veten A ekziston me të vërtetë Perëndia? për këtë arsye ai bëri diçka të çuditshme; ai i kërkoi ndihmë Perëndisë.
Ai tha:” Perëndi unë nuk e di nëse Ti ekziston, por nëse ekziston, unë dua të të zbuloj ty. Unë dua të di të vërtetën. Kështu që nëse ti ekziston me të vërtetë, të lutem më shfaq veten tënde”. Dhe Perëndia kështu bëri. Liu filloi të lexonte Biblën për të mësuar se çfarë thuhej në të. Ai studioi fakte që ishin pro dhe kundër Krishterimit. Ndërkohë ai qëndroi në kontakt me njerëz të cilët besonin te Perëndia dhe e ndiqnin Jezusin. Liu, nuk vendosi menjëherë se çfarë do të bënte, por pas dy vitesh kërkime ai u bind se Perëndia ishte i vërtetë, dhe filloi kështu një marrëdhënie me Jezusin.
Ndoshta tani, ti nuk beson te Perëndia, ose nuk e njeh atë ndaj edhe nuk mund të ndërrosh mendje menjëherë. Ndoshta do të duhet kohë. Ndonjëherë Perëndia e shfaq veten e Tij papritur dhe ndonjëherë gradualisht. Unë jam i lumtur që na ke ndjekur në këto minuta dhe ke menduar së bashku me mua për Perëndinë. Edhe sikur të mos jesh ende gati për një vendim, ti mund të vazhdosh kërkimin. Nëse e kërkon me të vërtetë, Perëndia do të bëjë të mundur që ti ta gjesh Atë.
Nga mund t’ia fillosh? Thuaji Perëndisë që të ndihmojë në kërkimi tënd, edhe sikur të mendosh se Perëndia nuk po të dëgjon ty. Dëgjoje zërin e Perëndisë në Bibël, edhe sikur të mos jesh i sigurt nëse Bibla është Fjala e Perëndisë.
(Libri i Lukës është shumë i mirë si pikë fillimi, atje do të mësosh më shumë për Jezusin dhe ato që Ai bëri apo tha.) Kërkoji Perëndisë që të largojë çdo pengesë që të pengon të shohësh ekzistencën e Tij dhe përgatitu për surpriza teksa vazhdon ta njohësh Atë. Ndoshta ti pyet veten a do t’ia vlejë ky kërkim, por premtimi i Jezusit thotë : “Kërko dhe do të gjesh.” (Luka 11:9)