Paaftësia skandaloze

Print

Titulli: Paaftësia skandaloze (pjesa 2)

Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: “Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,

30 shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!”.

31 Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshin njeri tjetrit: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë.

32 Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë”. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.

Ndonjëherë, ne vendosim të veprojmë ashtu si njerëzit në këmbët e kryqit të Jezusit. Vini re zemërimin e fuqishëm që shfaqet ndaj Jezusit teksa Ai varet në kryq.

Dhe pse jo! Ky njeri, Jezusi i varur në kryq, mësuesi jude që shumë prej tyre e kishin nderuar si Mesian, Krishtin, mendohej të ishte njeriu i Cili do t’i shpëtonte ata prej shtypjes romake.

Njerëzit e shprehin mërzitjen e tyre në formën e zemërimit që i drejtohet personit i Cili i kishte zhgënjyer. Ata ngërdheshen para Tij duke thënë: “Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë, shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!”.

Mungesa e fuqisë në popull reflektohet në mungesën e fuqisë së këtij njeriu që kishin shpresuar se do të ishte Mesia.

Ajo që shohim këtu është se dobësia politike dhe personale ngatërrohet me pafuqinë fetare. Njerëzit kishin shpresuar me të vërtetë se Jezusi do të ishte Shpëtimtari i tyre. Tani, teksa Jezusi kryqëzohet, zhgënjim i tyre personal shoqërohet me rënien fetare të situatës.

Ata kishin shpresuar për një mbret të ri dhe të fuqishëm, dhe një shpëtimtar fetar. Si përfundim ata thjesht kanë një njeri që përfundon i vrarë prej romakëve. Ky njeri në kryq, është thjesht Jezusi nga Nazareti, një tjetër mësues i dështuar.

Njerëzit të cilët ecin në anë të kryqit dhe tundin kokën para Jezusit duke e fyer, nuk janë vetëm njerëz të mërzitshëm. Ata janë njerëz, të cilët ndihen të zhgënjyer.

Shpresa e tyre fetare, ishte vendosur te ky njeri dhe tani Ai është bërë zhgënjimi i madh i tyre. Ai është thjesht një tjetër njeri në radhën e gjatë të mesiave të rremë dhe të dështuar. Aftësia e tij fetare dhe politike, për të shpëtuar popullin duket sikur vdes në çastin kur Ai varet në kryq.

Mungesa e fuqisë politike, dhe dobësia personale, thyerja fetare që gjejmë përgjatë tekstit, jo vetëm që thekson paaftësinë skandaloze të popullit të Perëndisë, por po kështu paaftësinë e dukshme të Perëndisë sonë për të ndihmuar popullin e Tij të lashtë.

Ne jemi njerëz që kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë, por ndonjëherë duket sikur Ai thjesht na lë neve në dobësinë dhe dështimin tonë.

Diçka që më ndodhi kohët e fundit më kujtoi gjendjen e rënë të natyrës njerëzore. Këtë ma kujtoi një grua në kishë, e cila po takohej me një grup besimtarësh të rinj.

Ajo po u tregonte atyre për një “vendim të keq” që kishte marrë kohë më parë. Ky vendim e kishte vendosur atë në një rrezik të madh, dhe në një situatë që dukej qartë se ishte mëkat. Në fillim njerëzit e tjerë filluan ta fajësojnë atë duke i thënë se ishte treguar budallaqe që kishte rënë në atë mëkat. Por më vonë filluan të gjithë të rrëfejnë mëkatet, dobësitë dhe dështimet e tyre.

Tema e këtij diskutimi ishte anëtarësimi në kishë. Këta të krishterë të rinj, ishin njerëz të cilët do të rrëfenin besimin e tyre në Jezusin publikisht para kishës dhe do të bëheshin pjesë e kishës.

Në këtë takim një grua e re tha: “Pastor unë u luta që Perëndia të mos më lejonte ta bëja këtë gjë të keqe, por unë e bëra gjithsesi.” “Pse ndodh kjo pastor?” Uau! Çfarë pyetje!

Sigurisht që përgjigja e shkurtër për këtë pyetje është mëkati. Por thelbi i asaj që kjo grua dëshironte të shprehte ishte dhimbja e dështimit personal dhe fetar.

Ajo po shprehte të njëjtat mendime, që apostulli Pal shpreh te Romakëve 7. Atje Pali thotë: “Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. Oh i mjeri njeri që jam!” A nuk jetojmë ne sot me dështime personale dhe fetare!? Po, unë mendoj se jetojmë.

Unë nuk di se ku e gjen veten ti sot në anën fetare, politike dhe personale.

Ndoshta ti sot qëndron në një piedestal, me të gjitha gjërat që të pëlqejnë ty. Nëse po, lavdi Perëndisë! Por shumë prej nesh nuk janë në pozitën ku je ti. Për më tepër, edhe sikur të jemi në majë të malit, shumë prej nesh nuk mund të qëndrojnë në majë për një kohë të gjatë. Fjalët e njerëzve të lashtë dhe të kryepriftërinjve shprehin edhe mërzitjen tonë. Në mosbesimin e tyre zhgënjyes njerëzit thonë: “Zbrit nga kryqi dhe shpëtoje veten.” Kryepriftërinjtë, nxjerrin një thikë me majë më të mprehtë kur thonë: “ Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë.”

Ai nuk mund ta shpëtojë veten…prit një minutë…a i dëgjove këto fjalë…? Dëgjojini sërish ato, “Ai i shpëtoi të tjerët, por nuk mund të shpëtojë veten.” Për çudi, në këto fjalë kur, kryepriftërinjtë pështyjnë në fytyrë me përqeshje, ne fillojmë të kuptojmë fuqinë e kryqit. Fundja fare, kur kryepriftërinjtë thonë se ai i shpëtoi të tjerët, ata po thonë të vërtetën. Ai i shpëtoi me të vërtetë të tjerët.

Për më tepër edhe pjesa tjetër e pohimit të tyre është e vërtetë, ai nuk mund ta shpëtojë veten.

Po, po, po e di se si Perëndi plotfuqishëm që është Ai duhet ë kishte zgjedhur të shpëtonte veten, por në të vërtetë, ai nuk mund ta bënte sepse ndryshe nuk do të ishte Biri i Perëndisë, që nënshtrohet para vullnetit të Atit, dhe vdes në kryq për mëkatet tona. Ai nuk mund ta shpëtonte atë, sepse po u shërbente të tjerëve. Atë që kryepriftërinjtë thonë me përçmim del se është një e vërtetë e thellë dhe jetë shpëtuese.

Për ta shprehur atë në gjuhën e duhur teologjike, Jezusi mund ta kishte shpëtuar veten, por në vend të kësaj ai iu nënshtrua vullnetit të Atit duke e ofruar veten si një sakrificë shpenguese për racën njerëzore. Ajo që shohim në kryq nuk është as dështim as dobësi apo paaftësi politike, personale dhe fetare. Jo! Në vend të kësaj shohim fuqinë sakrifikuese

Në vend të kësaj, ne shohim fuqinë sakrifikuese të Perëndisë, i cili është i hirshëm përtej çdo pritjeje.

Për çudi, njerëzit, të cilët kanë për qëllim të tallen dhe të fyejnë Jezusin, po thonë diçka të vërtetë. Ata thonë:” Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë, shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!” Edhe këto janë fjalë të vërteta. Vini re se këta njerëz flasin në kohën e tashme. “Hej ti që e shkatërron tempullin.” thonë ata. Dhe në fakt, pikërisht këtë do të bëjë Jezusi teksa varet në kryq.

Sepse kur Jezusi vdes, perdja e tempullit, griset nga fillimi në fund. Tempulli i Jeruzalemit del nga përdorimi, dhe teksa Jezusi ngrihet prej së vdekurish ditën e tretë, një tjetër tempull ngrihet, tempulli përmes të cilit Perëndia do të adhurohet në frymë dhe në të vërtetë. Jo Jezusi nuk mund të zbresë prej kryqit, sepse kryqi është fara që ka pushtetin e shpengimit. Ajo çka ne dhe njerëzit në kohën e Jezusit, e shohim si paaftësi skandaloze realisht është fuqia marramendëse e shpëtimit tonë.

Nëse i kthehemi edhe një herë një prej personazheve në historinë tonë, mund të shohim qartë se si Krishti, e kthen paaftësinë skandaloze, dobësinë dhe dështimin në fuqinë e shpëtimit.

Shembulli më i mirë i dobësisë që kthehet në fuqinë e shpëtimit, është Simoni nga Kirena. Është e qartë se Marku, i flet në emër këtij njeriu, Simon, dhe më pas i përmend emrat e bijve të tij, Aleksandër dhe Rufi. Madje përmend edhe emrin e qytetit nga vjen ky njeri. Kjo nënkupton se komuniteti i Dhjatës së Re, të kishës së hershme, e njihte shumë mirë këtë njeri dhe bijtë e Tij.

Në librin e romakëve, Pali përshëndet dikë me emrin Rufi. A bëhet fjalë për të njëjtin person që përmendet këtu? Ndoshta po, por nuk jemi të sigurt. Në fakt, tradita e kishës së hershme dhe historia na tregon se Simoni nga Kirena, u bë besimtar dhe mund të ketë qenë instrumenti i përdorur prej Perëndisë për të filluar një kishë të re, në Afrikën veriore. Nëse kjo është e vërtetë, dhe provat çojnë në atë drejtim, atëherë ne shohim prekjen fatlume të Perëndisë në jetën e këtij njeriu. Të paktën e dimë se ky njeri i pafuqishëm me emrin Simon ka rënë në kontakt me fuqinë e Perëndisë duke mbajtur kryqin. Kjo është prekja e Zotit që mund të transformojë dobësinë tonë në forcë.

Sot është dita kur prekja e Zotit mund të transformojë dobësinë tonë në forcën e shpëtimit.

Sepse në këtë ditë, Perëndia ka siguruar që ti të dëgjosh këtë program.

Kjo do të thotë se Perëndia të ka vendosur në një vend ku mund të dëgjosh mesazhin e përjetshëm të shpresës që kemi përmes Jezus Krishtit.

Kontrasti është i qartë. Ne ose mund të jetojmë me fuqinë e shpëtimit në Jezus Krishtin, duke jetuar të përkushtuar ndaj Tij, ose mund të vdesim në dështimet tona politike, fetare dhe personale.

Pra si mendon? A është dita e vdekjes së Jezusit në kryq, thjesht një tjetër ditë dobësie, dështimi dhe paaftësie për ty?

Apo je gati të sjellësh të gjitha dobësitë e tua në kryqin e Krishtit, që të mund të transformohesh përmes fuqisë së Shpëtimit?