Ai ishte nga ata njerëz që e urrenin të gjithë. Dukej sikur gjithmonë kishte diçka të keqe për të thënë. Ai e krahasoi vendin e tij me gomaricën e egër në shkretëtirë. (2:24) Ai tha se njerëzit ishin “një tufë prostitutash që nuk pranojnë të kenë turp”.(3:1-3) Ai tha se nuk gjendej askund një njeri i qenë dhe e krahasoi popullin e tij me disa “hamshorë të ushqyer mirë dhe tërë afsh në mëngjes; secili hingëllin prapa gruas së fqinjit të tij”.(5:1-8) Ai tha se drejtuesit fetarë nuk ishin gjë tjetër veç gënjeshtarë, hajdutë dhe sharlatanë. (6:13-14) Ai tha se drejtuesit e qeverisë ishin hajdutë që donin thjesht të pasuroheshin, pavarësisht se kush lëndohej gjatë procesit.(22:1-17) Ai paralajmëroi se fatkeqësia po afrohej. Ai tha se kombi i tij do të pushtohej dhe do të shkatërrohej prej pushtuesve. Ky njeri ishte Jeremia. Ai kishte diçka të keqe për të thënë për këdo dhe pothuajse të gjithë kishin diçka të keqe për të thënë për të. Jeremia ishte po aq i famshëm sa një aligator në një festë në pishinë!
Në bisedat me Jeremian, njerëzit dëgjonin trishtim dhe gjykim. Pse të mos thoshte ai diçka pozitive? Kur njerëzit dëgjonin Jeremian të thoshte se kombi do të rrënohej, u dukej sikur ai e urrente kombin e tij. A nuk e njihte ky tradhtar kuptimin e patriotizmit? Te Jeremia, ata shihnin një njeri me zemër të hekurt; ai shprehej pa e vrarë shumë mendjen si do të ndiheshin të tjerët për këtë.
Ata panë tek Ai një njeri me lëkurën të fortë, me një lëkurë kaq të fortë sa që asnjë kritikë nuk mund të depërtonte tek ai apo ta bënte të zmbrapsej.
Por ky njeri që dukej kaq i fortë, në të vërtetë ishte shumë i turpshëm dhe i ndjeshëm.
Ky njeri që dukej se i pëlqente të kritikonte njerëzit dhe t’i bënte të ndiheshin keq, ishte me të vërtetë zemër thyer për atë që do tu ndodhte atyre.
Ky njeri që dukej si një tradhtar, ishte patrioti më i madh ndër të gjithë. Dhe përfundimisht, mesazhi i këtij njeriu, që dukej plot trishtim dhe gjykim, rezultoi si e vetmja gjë që duket se mbajti gjallë shpresën e njerëzve në orën e tyre më të errët.
Besoj se e dini se Jeremia ishte një profet i Perëndisë.
Ai nuk foli për gjykimin sepse kështu i pëlqente atij, ai ishte i detyruar ta bënte këtë. Kur Perëndia i tha Jeremias se ky ishte caktuar si profet, Jeremia tha “Mjerisht, o Zot, Zot, unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh.” Por Perëndia i tha që mos ta mendonte veten thjesht si një djalosh të turpshëm. “Sepse ti do të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të dërgoj unë dhe do t’u thuash tërë ato që do të urdhëroj.” (1:4-8)
Pra pavarësisht moshës së tij të re, apo natyrës së ndjeshme apo drojës që kishte, Jeremia foli fjalët e Perëndisë që kishin shumë fuqi në vetvete.
Jeremia ndihej tejet i lënduar që njerëzit e urryen atë, por kjo gjë nuk do ta bënte që të mbyllte gojën edhe sikur të mundohej ai vetë. Në një çast të caktuar, kur kundërshtimi i njerëzve po i afrohej atij, Jeremia shkroi:
Ti më ke bindur, o Zot, dhe unë e lashë veten të bindem; ti je më i fortë se unë dhe fitove. Jam bërë objekt talljesh çdo ditë; kushdo tallet me mua.
8 Sepse sa herë që flas, unë bërtas dhe shpall: “Dhunë dhe plaçkitje!”. Po, fjala e Zotit është për mua një shkak turpi dhe talljeje çdo ditë.
9 Atëherë unë thashë: “Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij”. Por fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha. (20:7-9)
Profeti thjesht duhet ta fliste atë fjalë nga Perëndia që i digjej përbrenda, përndryshe kjo do të shpërthente.
Jeremia nuk e kishte kënaqësi që tu tregonte njerëzve për gjykimin që po afrohej. Nuk ishte kënaqësi e madhe për të që tu thoshte bashkëqytetarëve të tij në Judë se Perëndia po dërgonte një ushtri vicioze nga Babilonia, për t’i ndëshkuar ata. Në fakt, Jeremia ishte kaq zemër thyer sa që ndonjëherë ai quhet si “profeti vajtues.” Ai shkroi: ” Për plagën e bijës së popullit tim jam i dëshpëruar, po mbaj zi, jam i tmerruar.” (8:21)
“Oh, sikur koka ime të ishte një burim uji dhe sytë e mi një burim lotësh, në mënyrë që të mund të qaja ditë e natë të vrarët e bijës së popullit tim!” (9:1)
Askush nuk e donte popullin apo kombin e tij më shumë se Jeremia. Ai qau kur mendoi për gjykimin e ardhshëm dhe u lut me gjithë zemër në emër të popullit të vet. (14:7-9,19-22) Ai nuk ishte tradhtar.
Jeremia ishte një patriot, që i tregoi kombit të vërtetën për veten, edhe atëherë kur askush nuk dëshironte ta dëgjonte.
Ç’është e vërteta babilonasit vërshuan në Jerusalem, dhe vranë burrat, përdhunuan gratë, zunë rob fëmijët, dogjën shtëpitë e në fund shkatërruan tempullin e shndritshëm. Mos vallë Jeremia ua nguli sytë dhe i tha: “Hë, a s’ju thashë?”. Jo Jeremia nuk e bëri këtë. Ai ndjeu dhimbjen e popullit të tij dhe kompozoi diçka në formën e një poezie të trishtuar që përfshihet në Bibël dhe njihet sot si libri i Vajtimeve.
Profeti i madh u bë zëri i popullit të tij, me fjalë që shprehnin tmerrin dhe pikëllimin e tij, e njëherazi u tregoi atyre se pavarësisht se sa e errët dukej situata, ata kishin arsye për të shpresuar. Jeremia qau me ta dhe në të njëjtën kohë i ndihmoi të shihnin dritën përmes lotëve të tyre. Ai shkroi:
“Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj. Është hiri i ZOTIT që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote.” (Vajtimet 3:21-23)
Sterna të prishura
Jeremia foli për besnikërinë e madhe të Perëndisë edhe në mes të gjykimit. Ky profet i Perëndisë, ky reformator i guximshëm me një mesazh të pazakontë, është një njeri që duhet ta dëgjojmë me patjetër edhe ne sot. Le t’i hedhim një sy më nga afër mesazhit të tij.
Në fillim të librit të Jeremias, Perëndia shpreh kështu problemin kryesor: “Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.” (2:13) Ky ishte një problem asokohe, por është një problem edhe sot. Ne braktisim atë që na jep jetën e përjetshme si dhuratë dhe mundohemi kot duke gërmuar vrima në tokë për të nxjerrë ujin që nuk është gjë tjetër veç ujë i pisët. Ne që pijmë ujin e pisët, preferojmë fenë e bërë nga njeriu në vend të shpëtimit të ofruar prej Perëndisë.
Jezusi tha” Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.” (Gjoni 7:37-38) Duke i besuar Krishtit, ne pijmë ujë të freskët prej burimit të Frymës së Tij, por për disa arsye ne preferojmë të gërmojmë puset tona të thata e mundohemi të pijmë atë ujë të pisët.
Modernen apo të vërtetën?
Pse ndodh kështu? Sipas Jeremias, ne preferojmë më shumë modernen se sa të vërtetën. Ne biem në dashuri me “progresin”. Jeremia po u drejtohej njerëzve që pëlqenin të dëgjonin predikuesit që ecnin me hapin e kohës, njerëz që dinin të predikonin atë gjë që njerëzit donin të dëgjonin. Sikurse e përshkruan edhe Perëndia: “Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e popullit tim, duke thënë: ‘Paqe, paqe’, kur nuk ka paqe.” (6:14)
Kjo mënyrë të predikuari është pjesë e besimit konsumator. Kur një kishë ka nevojë për një pastor të ri, njerëzit shpesh kërkojnë një profesionist të talentuar që “do të përshtatet”, me kishën e tyre. Sapo gjejnë dikë që përputhet me pritshmëritë e tyre ata mundohen të përmbushin po ashtu pritshmëritë e tij, duke i ofruar një rrogë të mirë, përfitime dhe strehim për ta joshur në kishën e tyre. Është një marrëveshje e thjeshtë. Njerëzit marrin atë që duan, predikuesi merr atë që do!
Sipas fesë së konsumatorit, klienti është mbreti. Njerëzit e paguajnë predikuesin që të bëjë pagëzime, dasma dhe funerale, kështu që do të ishte mirë të mos refuzonte asnjë kërkesë për realizimin e këtyre ritualeve, edhe sikur njerëzit të jenë shumë larg Perëndisë. Njerëzit e paguajnë predikuesin që t‘i inkurajojë ata dhe do të ishte mirë që ai të mos i mërziste.
Sipas fesë së konsumatorit, ne marrim sipas asaj që paguajmë, por po ashtu duhet të paguajmë që të marrim. Ajo që paguajmë është fakti që kemi kisha që janë plot me njerëz që kanë tru për biznes por nuk janë shumë të mbushur me Frymën e Perëndisë. Ne e paguajmë atë duke u bërë alergjikë për të vërtetën hyjnore. (6:10) Ne e paguajmë atë duke e shtypur ndërgjegjen. (6:15) Në fund, nëse nuk ndryshon asgjë, e paguajmë këtë me jetën tonë. (6:19)