Patrioti i ngrysur

Print

Titulli: Patrioti i ngrysur (pjesa 2)

Në kohën e Jeremias, tendencat e reja në predikim i ndihmuan njerëzit që të ndiheshin më mirë për veten e tyre. Ata asnjëherë nuk e mendonin dy herë para se të mëkatonin. Ja dëgjoni këto fjalë: “A ju vinte turp kur kryenin gjëra të neveritshme?” pyet Perëndia “Jo! Nuk kishin turp fare dhe as nuk dinin se ç’ishte të skuqeshe.” Sigurisht që jo! Pse duhet të skuqeshin nga turpi?! Sigurisht që ata nuk po jetonin sipas Fjalës së Perëndisë, por kjo nuk do të thoshte se e kishin ata gabimin. E kishin Shkrimet gabim! Libri i Mojsiut, Davidit dhe shkrimet e tjera kishin dalë prej mode. Ishin histori antike! Prandaj ekspertët fetarë punonin shumë për t’i reformuar mësimet e vjetruara e për t’i sjellë ato në formë sa më moderne.

Por zbulesa e Perëndisë përmes Jeremias ishte ndryshe. ” Kështu thotë Zoti: “Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”. Por ata përgjigjen: “Nuk do të ecim nëpër të”. (6:16)

Ne e duam kaq shumë progresin, jemi kaq të etur të eci me hapin e kohës, kaq të vendosur të mos mbetmi mbrapa, sa që pranojmë çdo modë të re. Ne duhet të ndalojmë së ndjekuri atë që është e re dhe të mbahemi fort pas asaj që është e vërtetë. “Pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të.” Modernia nuk e zëvendëson të vërtetën. Jeremia e bëri shumë të qartë këtë.

Institucioni apo Integriteti?

Jeremia e bëri shumë të qartë se një institucion nuk mund të zëvendësojë integritetin. Ai po i fliste një populli që ishte shumë krenar për tempullin e tij të lavdishëm. Kur Jeremia foli për gjykimin e Perëndisë, ata nuk e besuan. Ata e kishin tempullin e Perëndisë! Ai ishte fat sjellësi i tyre. Perëndia nuk do të lejonte që t’u ndodhte diçka e keqe atyre dhe tempullit të Tij, apo jo? Jeremia qëndroi në portën e tempullit dhe tha:

Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Ndreqni rrugët dhe veprimet tuaja, dhe unë do të bëj që të banoni në këtë vend.

4  Mos u besoni fjalëve mashtruese duke thënë: “Ky është tempulli i Zotit, tempulli i Zotit, tempulli i Zotit!”.

5  Në rast se ndreqni plotësisht rrugët dhe veprimet tuaja, në rast se e zbatoni me të vërtetë drejtësinë njëri ndaj tjetrit,

6  në rast se nuk shtypni të huajin, jetimin dhe gruan e ve, nuk derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend dhe nuk adhuroni perëndi të tjera në dëmin tuaj,

7  atëherë do të bëj që të banoni në këtë vend, në vendin që u dhashë etërve tuaj prej shumë kohe dhe për gjithnjë.

8  Ja, ju u besoni fjalëve mashtruese, nga të cilat s’keni fare dobi.

9  Kështu ju vidhni, vrisni, shkelni kurorën, betoheni për të rremen, i digjni temjan Baalit dhe u shkoni pas perëndive të tjerë që më parë nuk i njihnit,

10  dhe pastaj vini të paraqiteni para meje në këtë tempull që mban emrin tim dhe thoni: “Kemi shpëtuar!”, pastaj kryeni tërë këto veprime të neveritshme.

11  Ky tempull, i cili mban emrin tim, mos është bërë vallë në sytë e tuaj një çerdhe hajdutësh? Ja, unë e pashë këtë”, thotë Zoti. (7:3-11)

Kur e ktheni shtëpinë e lutjes në një çerdhe hajdutësh, nuk mund të prisni që Perëndia t’ju mbajë të sigurt. Zoti e shkatërroi atë tempull të mrekullueshëm, ashtu siç tha edhe Jeremia. Pra a mendon se Perëndia do të kursejë zyrat qendrore të një denominacioni apo bashkësie që nuk e ndjek më Fjalën e Tij?

Ti nuk mund të kesh një kishë që thotë se të gjitha fetë të çojnë te Perëndia, apo që thotë se çdo idhull është po aq i mirë sa Krishti dhe më pas të mendosh se Perëndia do të bekojë ty. Ti nuk mund të kesh një denominacion që miraton dredhjen e gjakut të fëmijëve të palindur (sh. i. p pra abortin) e të pretendosh për favorin e Perëndisë.

Ti nuk mund të kesh një bashkësi plot me njerëz që urrejnë racat e tjera dhe shtypin të varfrit, apo që mendon se Perëndia ka preferenca të veçanta për grupin e tyre. Ti nuk mund të caktosh komitete studimi që shfajësohen për çdo çoroditje seksuale që bëhet nën diell dhe më pas të thuash se po flet për Perëndinë. Ti nuk mund të luash lojëra me çdo pjesë biblike që duket se nuk përshtatet me botën moderne, e më pas ta cilësosh këtë si një kishë të re dhe të përmirësuar, që Perëndia do ta bekojë se nuk ka zgjidhje tjetër.

Asnjë institucion nuk përjashtohet prej gjykimit të Perëndisë. Asnjë institucion nuk mund të shërbejë si zëvendësues i integritetit.

Kur dikush ngrihet për të sfiduar ligësitë e një kishe, është shumë e lehtë që personi të cilësohet si një ngatërrestar, i cili dëshiron të shkatërrojë kishën. Por kujto Jeremian. Ai nuk e urrente tempullin; ai e donte atë. Ai nuk e shikonte me përçmim profesionin e priftit; sepse ishte vetë prift. Për këtë arsye ai nuk i përçmonte as institucionet fetare; ai donte t’i reformonte ato. Ai nuk mund t’i lejonte ato të korruptoheshin.

Pra mos thuaj “Kisha ime e ka mirë, apo gabim” apo “Vendim im i mirë apo i keq.” Vetëm Perëndia e meriton besnikërinë e pakushtëzuar. Legjitimiteti i çdo gjëje të mirë varet nga besnikëria ndaj Zotit dhe Fjalës së Tij. Nëse e do me të vërtetë kishën apo vendin tënd, ashtu si Jeremia, nuk do të shpërfillësh dështimet e tyre. Por do të pendohesh për mëkatin dhe do t’i ftosh edhe të tjerët të pendohen.

Reformim apo Deformim

Nuk ka marrëzi më të madhe se sa të refuzosh Fjalën e Perëndisë dhe rrugën e Tij. Sipas Jeremias, nëse  i quan këta njerëz trupeshk, do të fyesh peshqit.

Jeremia thotë ” Madje edhe lejleku i qiellit i njeh stinët e tij, turtulli, dallëndyshja dhe krilat shikojnë me kujdes kohën e kthimit të tyre, por populli im nuk e njeh ligjin e Zotit.” (8:7) Zogjtë duket se ndjekin instinktet që Perëndia u ka dhënë atyre, por këta njerëz nuk e kanë idenë se çfarë kërkon Perëndia.

Ndonjëherë kur priremi të ndjekim një trend të ri, ne ngushëllohemi me faktin se ai ka aprovimin e ekspertëve, apo studiuesve. Për sa kohë që ekspertët thonë se kjo është diçka e mirë, ne mund të lëvizim pak prej besimit historik. Por sikurse e thotë edhe Jeremia:

Si mund të thoni: “Ne jemi të urtë dhe ligji i Zotit është me ne”? Por ja, pena e rreme e shkruesve e ka bërë një falsitet. Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë? (8:8-9)

Kur komitetet e ekspertëve të ndryshëm studiojnë Biblën dhe sugjerojnë ide të reja që kundërshtojnë  idetë dhe praktikat e profetëve, të Jezusit, apostujve dhe të kishës përgjatë shekujve, atëherë na del një problem.

Studiuesit që e nderojnë Fjalën e Perëndisë dhe respektojnë botëkuptimin historik të kishës për të vërtetën e Tij, mund të ndihmojnë në forcimin e besimit tonë. Por kur skribët e trajtojnë Biblën thjesht si një dokument tjetër dhe, jo si Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, ata e trajtojnë si të ishte e rreme. Këta skribë dhe ekspertë, shpesh flasin për reformimin e botëkuptimit tonë për Shkrimet, por realisht ajo që po bëjnë është thjesht deformimi i tyre.

Në besimin e krishterë, reformë nuk do të thotë të evoluosh dhe përparosh përtej zbulesës së Perëndisë në Krishtin dhe në Shkrimet. Reformë do të thotë të vazhdosh të kthehesh herë pas here te besimi historik.

Kjo do të thotë të kthehesh vazhdimisht te Perëndia i pandryshueshëm dhe te Jezus Krishti, që është i njëjti, sot, dje dhe përgjithmonë. Kjo nuk do të thotë se kemi mbetur me të vjetrën. Ne i praktikojmë të vërtetat e vjetra në situatat e reja. Por ne nuk mund të shpikim të vërteta të reja për të përmirësuar atë që Perëndia e ka zbuluar tashmë. Kur studiuesit fillojnë ta bëjnë këtë, ata kthehen në skribë që e trajtojnë me falsitet Fjalën e Perëndisë.

Në këtë pikë ne duhet të pyesim ashtu si Jeremia: “duke qenë se ata e kishin hedhur poshtë Fjalën e Zotit, çfarë diturie mund të kishin ata?”