Patrioti i ngrysur

Print

Titulli: Patrioti i ngrysur (pjesa 3)

Sulmi ndaj lajmëtarit

Këto janë ato lloj kritikash që e zemëruan shumë Jeremian. Priftërinjtë e tjerë si punë e tij, e rrahën, e lidhën duar e këmbë dhe e hodhën në burg. (20:2) Një herë tjetër ata e futën në fund të një cisterne boshe. Ata ishin të lodhur duke dëgjuar se besimi i tyre ishte si një gropë boshe kështu që e futën Jeremian në një gropë. Ata do ta kishin lënë aty të vdiste po të mos kishte ndërhyrë një skllav i guximshëm.(37:1-13) Personi që e shpëtoi Jeremian, një afrikan me ngjyrë, mori guxim dhe, e nxori atë prej asaj grope të tmerrshme.

Njerëzit mund ta urrenin Jeremian dhe të bënin gjëra mizore me të, por një gjë nuk mund ta bënin: ata nuk mund ta ndryshonin të vërtetën. Mbreti i korruptuar sapo kishte ndërtuar një pallat të ri fantastik, me paratë që duhet t’i kishte përdorur për të ndihmuar të varfrit e mbretërisë së tij.

Ai ishte si disa prej krerëve që kemi ne sot, të cilët jetojnë të zhytur në lukse, në vend që të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Jeremia predikoi që ky sundues egoist dhe i korruptuar do të varrosej si një gomar. Mbretit nuk i pëlqeu kjo gjë. Kështu që kur dikush i dha atij një dorëshkrim me profecitë e Jeremias, mbreti vendosi ta shkatërronte. Ai u ul pranë zjarrit,  lexonte një pjesë të dorëshkrimit, pastaj e griste, lexonte një tjetër dhe griste. I grisi të gjitha, i hodhi në zjarr dhe i dogji. Ai vazhdoi ta bënte këtë derisa i gjithë dorëshkrimi u bë copë e cikë dhe u dogj në zjarr. Por e vërteta nuk digjet aq lehtë sa një copë letër. Jeremia bëri një dorëshkrim që përmbante pothuajse çdo gjë si i pari. “U shtuan gjithashtu shumë fjalë të tjera të ngjashme me to.” (36:20-32) Për këtë jemi të sigurt se mbreti vdiq para se të hynte në pleqëri dhe nuk iu bë një varrim me nderime ashtu si i takonte një mbreti.

T’i besosh një realisti

Më në fund gjykimi i  Perëndisë ra mbi Jeruzalemin dhe Judën. Kur gjykimi ra, askush nuk gjeti ngushëllim te predikuesit e mësimeve të kota. Ata kishin nevojë për dikë që do tu fliste hapur për fajin dhe pabesinë, i cili do të kuptonte hidhërimin dhe dëshpërimin e tyre, në disfatë dhe mërgim, të cilët do të mund të përballnin situatën me gjithë tmerrin dhe zymtësinë e saj, megjithatë do të shpallnin shpresë. Njeriu që i kishte zemëruar kaq shumë ata, që dukej kaq i zymtë, ishte i vetmi ku ata vështruan për një fije shprese.

Një miku im pastor më tregoi se si një djalë dhe një vajzë i kërkuan atij që të celebronte martesën e tyre. Pastori e dinte se njëri prej tyre nuk ishte besimtar, kështu që ata nuk kishin arsye pse të kërkonin një martesë në kishë. Mbi të gjitha, pastori e dinte se marrëdhënia e tyre kishte probleme serioze, kaq serioze sa që ai mendoi se martesa nuk do të zgjaste shumë. Pastori u tregua i sinqertë dhe u tha që ta shtynin martesën e tyre dhe refuzoi që të drejtonte ceremoninë nëse nuk do të merreshin më parë me problemet që kishin. Çifti doli prej zyrës së tij duke shfryrë zemërim. Ata gjetën një pastor tjetër që t’i martonte.

Shumë muaj më vonë, dikush trokiti në derën e pastorit. Kur hapi derën, ai u çudit që pa çiftin e sapomartuar që kishte qenë shumë i zemëruar me të. “Ne kemi shumë probleme dhe menduam nëse ti mund të na ndihmosh.” Pastori i pyeti: “Pse erdhët tek unë? Pse nuk shkoni te pastori që ju celebroi? Tek ai që ju martoi? Pse nuk i kërkoni atij që t’ju këshillojë?”. Çifti   u përgjigj: “Oh, ne nuk mund t’i besojmë atij! Ai bëri thjesht atë që i kërkuam ne, nuk ka tha se kishim probleme serioze. Ndërsa ti u tregove i sinqertë. Na the të vërtetën. Ti ishe realist për problemet tona. Ti u interesove vërtetë për ne duke na thënë jo, nuk ju martoj pa zgjidhur problemet tuaja. Ti je personi që ne kemi nevojë të këshillohemi.”

Kështu që pastori u ul me ta për të biseduar. Dashuria e tij këmbëngulëse i kishte zemëruar shumë ata në fillim, por kur punët nuk shkuan mirë, sikurse i kishte paralajmëruar ai, i vetmi person që ata donin të takonin ishte ai që ishte treguar i sinqertë për seriozitetin e problemeve të tyre dhe që kishte guxuar tua thoshte të vërtetën.

Diçka e ngjashme ndodhi me Jeremian. Ai ishte konsideruar si armiku numër një, por kur ra fatkeqësia, gjatë kohës më të keqe në historinë e Judës, mesazhi i Jeremias ua mbajti shpresën gjallë. Predikuesit e mësimeve të kota nuk mund tu jepnin atyre shpresë. Njerëzit kishin nevojë për një fjalë nga Perëndia. Jeremia solli një mesazh që paraqiste gjendjen e vërtetë të tyre, megjithatë ofronte edhe një të ardhme. Fjala e Perëndisë përmes Jeremias, shtypte çdo arsye që ata të mund të kishin shpresë në vetvete, por me anë të kësaj situate ata mësuan të shpresonin te Perëndia.

Shpresë dhe të ardhme

Përmes Jeremias Perëndia i tregoi popullit se Ai ishte në kontroll. Ai vepron si poçari me argjilën. Nëse forma me të cilën po punon nuk del, Perëndia mund ta kthejë sërish në një masë argjile dhe të fillojë ta punojë nga e para. Por Perëndia mund ta marrë sërish atë masë argjile dhe t’ia fillojë nga e para për të bërë diçka të re.(18:1-10) Perëndia mund t’i shndërronte ata në hiç gjë, por po ashtu ai mund të bënte diçka të re me ta. Edhe në kohën e gjykimit, ata ishin në duart e Perëndisë sovran. Kjo ishte shpresa e tyre e vetme, por nuk mjaftonte vetëm kjo. Përmes Jeremias Perëndia tha:

“Unë do t’ju vizitoj dhe do ta realizoj fjalën time të mirë, duke bërë të riktheheni në këtë vend. Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju”, thotë Zoti, “mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë. Do të më kërkoni dhe do të vini të më luteni, dhe unë do t’ju kënaq.

Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.” (29:10-13)

Në dëshpërimin e tyre, shumë prej këtyre njerëzve të thyer kujtuan fjalët e Jeremias dhe mësuan t’i besonin vetëm Perëndisë. Ata e dinin se kërcënimi i gjykimit nuk kishte qenë veç një blof, kështu që ata e dinin se as premtimet e gëzimit nuk do të ishin boshe. Ata e dinin se mund t’i besonin Perëndisë kur i tha: ” sepse do ta shndërroj zinë e tyre në gëzim, do t’i ngushëlloj dhe do t’i gëzoj mbas dhembjes së tyre”. (31:13)

Kur profeti i ngrysur u foli atyre për gëzimin, ata duhet të dëgjonin. Më vonë Jeremia u tha atyre: ” Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (17:9) Diagnoza e Jeremias për gjendjen e tyre nuk mund të kishte qenë më e zymtë se sa kaq dhe parashikimet e tij për shkatërrimin e kombit, nuk mund të kishin qenë më frikësuese se sa kaq. Por kjo e bëri atë më të besueshëm kur foli për hirin e Perëndisë. Ai e dinte ekzaktësisht se kush ishin ata dhe sa keq kishin qenë, ai e dinte se sa të tmerrshme ishin problemet e tyre, megjithatë ai deklaroi një mesazh shprese.

Jeremia i mësoi popullit që shpresonte përtej shpresës njerëzore, që të shpresonin në Perëndinë. Ai ishte pesimist për potencialin njerëzor, por ai kishte një besim të patundur në fuqinë hyjnore. Ai i mësoi ata se si të hiqnin dorë prej drejtësisë së tyre dhe t’i besonin një drejtuesi që ende nuk kishte ardhur, titulli i të cilëve do të ishte: “Zoti drejtësia jonë.” (23:1-8) Personi që përmbush këtë profeci është Jezusi, i Cili bën të mundur që njerëzit të kenë një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë. Jeremia mësoi se pavarësisht ligësisë në zemrën e tyre, njerëzit mund të shpëtoheshin sepse Zoti do tu jepte atyre zemra të reja.

“Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve”, thotë Zoti: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im. Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: “Njihni Zotin!”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi”, thotë Zoti. “Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.” (31:33-34)

Ky është i vetmi mesazh që sjell shpresë të vërtetë dhe shpëtim për njerëzit mëkatarë si ti dhe si unë. Kjo nuk është moda e fundit. Por është Fjala e Perëndisë. Nuk janë përpjekjet tona, as potenciali ynë, nuk është drejtësia jonë, por dikush emri  i të Cilit është: ” Zoti drejtësia jonë.” Sipas Biblës: “madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim.” (Romakëve 3:22) Ky është besimi historik i popullit të Perëndisë. Ne i nënshtrohemi gjykimit të Perëndisë dhe i besojmë mëshirës së tij. Ne heqim dorë prej cisternave tona të shterura e të thyera dhe, pijmë prej burimit të ujit të gjallë.