Përballja me shqetësimin

Print

Titulli: Përballja me shqetësimin (pjesa 1)

Një prej kujtimeve të çuditshme të fëmijërisë sime ishte zgjimi herët një mëngjes; kur zbrita shkallët pashë në sallonin e shtëpisë dy kushërinjtë e mi, të cilët po qëndronin ulur në tryezën e ngrënies.  Ata nuk kishin qenë në shtëpinë tonë një natë më parë, ndaj edhe unë e pyeta mamanë time: “Pse kanë ardhur te ne?”  Dhe ajo ma ktheu: “Babai tyre ka shkuar në spital mbrëmë.”

“Po përse nuk qëndruan në shtëpinë e tyre, me mamanë e tyre- e pyeta unë?”  “Epo sepse ajo duhet të shkonte në spital bashkë me të, dhe spitali ishte larg, në Elbasan.”  “Po përse duhet të shkonte aq larg?” e pyeta sërish, duke ditur se kishim një spital të madh në qytetin tonë.

“Epo, ja xhaxhai yt pati një krizë nervore.”  Dhe pas kësaj erdhi pyetja e vështirë: “Mami, çfarë është një krizë nervore?” Kjo ishte historia që mu kujtua nga ai mëngjes i largët. Dhe tani që e mendoj, them se mamaja më ka dhënë përgjigje shumë të detajuara, si një pesëvjeçar që isha.

Por më tepër më ngeli në mendje shpjegimi që ajo tha: “Ja se çfarë ndodh kur shqetësohesh shumë.”

Më beso, prej asaj dite, unë jam shqetësuar vazhdimisht në lidhje me faktin se mos shqetësohesha shumë e sëmuresha si xhaxhai. Përveç faktit që mamaja më tregoi saktësisht çdo gjë, ajo u tregua shumë e zonja për t’i vënë gishtin një prej shkatërruesve më të mëdhenj të frymës së njeriut: Shqetësimit, ankthit. Për hir të temës që kam zgjedhur sot dëshiroj ta shikojmë shqetësimin si e kundërta e shpresës.

Shqetësimi dhe shpresa janë gjendje të mendjes, të cilat kanë të bëjnë me mënyrën se si ne e shohim të ardhmen. Shpresa fokusohet në lidhje me atë që është e sigurt në të ardhmen, gjëra si sundimi i Perëndisë, dashuria e Perëndisë; nënprodukte të shpresës dhe paqes. Shqetësimi fokusohet te pasiguritë e së ardhmes. Jeta është e mbushur plot me pasiguri: puna jonë, e ardhmja financiare, shëndeti ynë, fëmijët, nipërit dhe mbesat. Kush e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen?

Shqetësimi si gjendje mendore fokusohet te ato gjëra të cilat janë të pasigurta dhe të paparashikueshme në të ardhmen tonë, deri  diku ndihemi të paralizuar dhe të mbërthyer për të jetuar të tashmen.

Jezusi sot thotë: “Mos u shqetëso.” Ky është një urdhërim.  Ai jep tre arsye përse fëmijët e mbretërisë nuk duhet dhe nuk kanë nevojë të shqetësohen. Së pari shqetësimi nuk na bën mirë.  Mateu 6, vargu 27: “Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t’i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm?”

Arsyeja e parë që Jezusi sjell nuk ka lidhje fare me ndonjë mister psikologjik, apo me ndonjë të vërtetë më shpirtërore. Ai thotë se nuk të bën mirë!  Shqetësimi nuk ka ndryshuar asnjëherë asgjë, dhe as nuk i ka shtuar qoftë edhe një orë jetës së një personi.

(Në fakt shqetësimi vjedh kohën nga jeta e njerëzve, përsa i përket shqetësimit fizik që na shkakton.)

Hera e parë në jetën time, kur unë e kuptova se shqetësimi nuk të bën mirë, ishte para tridhjetë vjetësh, në lidhje me marrëdhënien me vëllanë tim, Landin. Vëllai i m ishte dhe është fizikisht i paaftë për të lëvizur.  Pas katër operacioneve të kryera në vitet 70’ për një plagosje në shpinë që kishte marrë në ushtri, ai e jeton çdo ditë, e çdo minutë të jetës së tij në dhimbje të vazhdueshme dhe të padurueshme.

Unë e dua shumë vëllanë tim. Dhe shqetësohem shumë për të. Unë lutem për të rregullisht. Dhe po kështu flasim rregullisht në telefon.

Por mua mu desh kohë që të mbërrija në këtë pikë, te lutja, te përkujdesja dhe të vepruarit pozitiv.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Tana, gruaja ime mund t’ju rrëfejë shumë mirë për shqetësimin e madh që kam pasur për vëllanë tim, shqetësim i cili më ka shoqëruar për shumë kohë.

Telefonatat e Landit sillnin gjithmonë një mbrëmje të trishtueshme.

Unë e bluaja nëpër mendje se çfarë do të ndodhte me të dhe se çfarë do të ndodhte me familjen e tij. Por kjo nuk kishte fare kuptim.  Shqetësimi nuk të bën aspak mirë. Ta dija se shqetësimi do ta shëronte vëllanë tim, do të shqetësohesha ditë e natë. Por nuk e ndihmon aspak. “Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t’i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm?”

Unë mendoj se mund të kthejmë këtë vështrim të parë të Jezusit në një udhëzim pozitiv: pra le të themi se në një situatë të caktuar fokusoje energjinë tënde mendore dhe shpirtërore te gjërat që mund të bësh për të ndryshuar situatën; merr një vendim të përgjegjshëm atëherë kur duhet marrë një vendim, dhe mbi të gjitha lëre atë problem të kalojë.

Tani, më vjen mirë që këtë mesazh nuk po e përcjell para gruas sime sepse ajo ka një kujtesë shumë të mirë dhe mund të thotë se nuk ka qenë kaq e lehtë për tu bërë kjo gjë në fillim. Tana dhe unë, qeshim për gjërat që na kanë ndodhur dy muajt e parë sapo ishim martuar.

Të paktën ajo qesh me këtë histori.

Kur u martuam, ne kishim mënjanë një shumë parash  të kursyera. Nuk ishte shumë e madhe por mendoj se do të na ndihmonte shumë ne si çift i ri për jetën tonë martesore.

Gjashtë javë pas martese, makina jonë filloi të harxhonte më shumë litra naftë në ditë, se sa e kishim menduar ne. Nuk e kisha idenë se çfarë të bëja, me këtë makinë të vjetër. Gjasat ishin këto, ose do ta rregulloja ose do ta shisja dhe do të blija një tjetër.

Por çdonjëra nga këto do të më kushtonte shumë para, do të më merrte kursimet e mia.

Unë isha i shqetësuar sa më s’ka. Çfarë do të bënim se pothuajse gjysma e kursimeve tona do të shkonte dëm?! Ky ishte një problem i madh.

Sjella ime nuk kishte kuptim për gruan time, ju kujtoj se kishim vetëm 6 javë martuar. Unë nuk do të çuditesha nëse gruaja ime gjatë atyre ditëve të para të martesës sonë do të shkonte për të kontrolluar edhe një herë premtimet martesore për tu siguruar, në mes të asaj krize të parë se mos kishte diçka që nuk shkonte me ato premtime.

Në të njëjtën kohë, ndonëse, nuk e dija asokohe se në çfarë telashesh isha futur; kuptova se isha martuar me një grua e cila nuk kishte dëshirë të kultivonte artin e shqetësimit.

Që ta kuptoni mirë, ajo më tha: “Berti, unë mendoj  se duhet të jemi falenderues që kemi para për të rregulluar makinën ose për të blerë një makinë tjetër.”  A mund të imagjinosh se si mund të jetë njeriu falenderues ndërkohë që sheh se paratë po i shkojnë dëm?

Ajo përfundoi bisedën e saj shumë thjesht me fjalët: “Berti, duhet të zgjedhësh: ose rregullo makinën(pra paguaj faturën) ose shite makinën(paguaj faturën). Cili është mendimi më i mirë? (hahhaha në të dyja rastet paratë do të fluturonin sipas këshillës së saj.)Unë nuk e di- u përgjigj gruaja. Kjo është fusha jote. Zgjidhe ti.”

Tana në fakt po më thoshte arsyen e parë përse nuk duhet të shqetësohemi:  sepse nuk na bën mirë; ose e thënë ndryshe, merr vendime të përgjegjshme në lidhje me gjërat që mund të ndryshosh në jetën tënde dhe më pas vazhdo jetën.

Arsyeja e dytë përse Jezusi thotë se nuk duhet të shqetësohemi është sepse kjo thyen strukturën kohore, në të cilën jemi krijuar për të jetuar jetën tonë: jetoi ditët një e nga një.

Mateu 6 Vargu 34: “Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet.”

Imagjino se sa shumë shqetësime krijojmë duke u munduar të jetojmë jetën duke menduar për shumë larg, për të ardhmen e largët, në vend që ta jetojmë në porcione të menazhueshme, të cilat Jezusi thotë se është mirë t’i jetosh ditët një e nga një.

Sa e çuditshme që është, ne shpesh e çojmë dëm ditën e sotme sepse shqetësohemi apo paralizohemi prej shqetësimit tonë për të nesërmen.

Jezusi thotë jetoi ditët një e nga një, sot merru me problemet e së sotmes, ndërsa nesër me problemet e së nesërmes.