Perëndia në luginë

Print

Titulli: Perëndia në luginë (pjesa 1)

Dëshiroj t’ju flas për një çift të veçantë, jeta e të cilëve ndryshoi në një takim me Jezus Krishtin. Emri i tij është Sheldon Van Auken. Dhe ai ka shkruar një histori të mrekullueshme dashurie.

Sheldon ra në dashuri me Xhin Dejvis, një vajzë e mrekullueshme, të cilën e thërrisnin Dejvi.

Sheldon dhe Dejvi, u takuan kur ishin studentë, dhe u martuan shumë shpejt.

Dashuria e tyre për njëri-tjetrin ishte e thellë dhe shumë e madhe. Ishte një lloj dashurie e mbushur me shkëlqim. Por ishte një dashuri kryesisht pagane.

Po, kështu do ta përshkruante edhe Sheldoni vetë. Sepse ai dhe Dejvi, ishin njerëz të fesë dhe jo të besimit.

Por, Dejvi dhe Sheldoni ishin njerëz shumë të kulturuar. Në rast se do t’i takoje, besoj se do t’i quaje ata njerëz me të vërtetë magjepsës, të mprehtë dhe qytetarë.

Ata festonin gjithçka që ishte e mirë në botë.

Ata kishin ndjenjën e aventurës. Ata gjenin kënaqësi në muzikë dhe poezi.

Por Sheldoni dhe Dejvi nuk mendonin se kishin nevojë për Perëndinë në jetën e tyre.

Ata kishin njëri-tjetrin, dhe gjërat më të mira të botës. Sipas konceptimit të tyre ata ishin paganë të kulturuar.

Por një ditë Sheldoni dhe Dejvi takohen me Si. Es Lljuis, autorin e madh të krishterë, të shekullit të njëzetë.

Sheldoni dhe Dejvi në atë takim, pranuan Jezusin si Zot. Ata e pranuan Jezusin në jetën e tyre, dhe lejuan këtë palë të tretë të ndërhynte në marrëdhënien e tyre. Van Auken thotë,se pikërisht atëherë, pasi u bënë ndjekës të Krishtit, gjërat filluan të ndryshojnë për ta. Dejvi dhe Sheldoni kaluan një sërë krizash personale, duke arritur kulmin në tragjedinë më të madhe të imagjinueshme. Dejv Van Auken, ndonëse ishte vetëm në të tridhjetat, u godit prej një virusi misterioz dhe vdiq. Mes hidhërimit të tij, Sheldon Van Auken kërkoi ndihmën e mentorit të tyre, Si Es, Lljuis, dhe i tregoi për ngjarjet e çuditshme që kishin pasur në jetën e tyre. Si ka mundësi që jeta e tyre shkonte vaj para se të njihnin Krishtin, ndërsa tani ndryshoi kështu?

Dhe Lljuis i kujtoi atij historinë e vizionit të nën Terezës para Krishtit, në një përvojë personale shumë të frikshme. Ajo iu ankua Zotit të saj, se ishte goditur prej shqetësimeve ne jetën e saj si e krishterë. Krishti iu përgjigj: “Por unë kështu i trajtoj miqtë e mi.” Dhe Tereza me një sinqeritet të ashpër ia ktheu: “Atëherë Zot, nuk është çudi që ke kaq pak miq.”

PROBLEMI ME PROVIDENCËN

Ndoshta ajo bisedë legjendare është e çuditshme për shijet e tua. Por ki parasysh. A nuk është ky problemi që kanë shumë njerëz sot me Perëndinë: pajtimi i shqetësimeve të tyre të përditshme, me mësimet e thjeshta rreth kujdesit sigurues të Perëndisë. Këngët e Dhjatës së vjetër që ne i quajmë Psalme, flasin qartë për providencën e Perëndisë.

Psalmi 121– “Ja, Ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.”
Psalmi 145– “Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.

Të krishterët e quajnë këtë parim të mësimeve biblike: ‘providenca.’ Në rrënjë të kësaj fjale qëndron fjala “siguroj”. Perëndia siguron për njerëzit e tij. Por a është e vërtetë kjo gjë?

E dini, shpesh, njerëzit janë naivë në lidhje me providencën. Unë kam kuptuar se në biseda të zakonshme shumë njerëz e përdorin këtë fjalë për të përshkruar ngjarje me fat.

E kam fjalën për ato lloj ngjarjesh “ që kanë një fund të lumtur.”

Dua t’ju tregoj një ngjarje. Një të diel shumë vite më parë, nipi im po shkonte me makinë për në kishë, kur një kamion i doli papritur përpara.

Duke qenë se ishte vetëm në makinë, ai kaloi në anën e pasagjerit, pak para se makina të rrëshqiste nën kamion. Çatia e makinës u hoq si një kuti sardelesh.

Por nipi im u largua në kohë i paprekur dhe i pa lënduar. Kur policia mbërriti në ngjarje dhe e pyeti se ku dëshironin ta çonin, ai i tha ta çonin drejt destinacionit ku ishte nisur: në kishë në shërbesën e adhurimit. Ai mbërriti atje dhe u ul në karrigen e tij vetëm me disa copëza xhami nëpër flokë, pa asnjë lëndim.

Shumicën e të dielave, vëllai i nipit tim ishte pasagjeri në ndenjësen mbrapa. Por i vëllai ishte vonuar pak në punë kështu që ky kishte marrë makinën dhe ishte nisur vetëm atë mëngjes. Si do ta shpjegoje ti këtë seri ngjarjesh? Çfarë kuptimi ka kjo? A ndodhi rastësisht? E di si e cilësuam ne në familje këtë ngjarje: Ndërhyrja e rastësishme.

Dhe kishim të drejtë. A mund të thuash se dora e Zotit kishte ndërhyrë për të shmangur një tragjedi të tmerrshme? Po sikur këta dy vëllezër të mos e kishin ndryshuar rutinën e tyre atë mëngjes të diele?

Atëherë çfarë mund të thoni për kujdesin e Perëndisë?

Po ne priremi të lidhim fjalën providencë për ngjarje që kanë një fund të lumtur.

-Një kontroll i rregullt te mjeku, zbulon se jemi në një gjendje kërcënuese për jetën, e cila mund të kurohet veç me ilaçe të thjeshta. “Ishte rastësi” themi ne, “që doktori e kapi në kohë.”

-Një ndryshim në planet tona na kurseu jetën gjatë rrëzimit të një avioni. “Ishte rastësi që shefi anuloi udhëtimin tim të punës,” i themi ne një kolegu.

Në momente si këto, kur jemi shumë pranë një fatkeqësie të madhe,  providenca duket si një jelek anti plumb, i cili mund të pengojë edhe plumbat më të rrezikshëm e më të furishëm.

Po sikur ajo gjendje e rrezikshme shëndetësore të mos vihet re, pavarësisht kontrolleve të rregullta? Po sikur avioni të rrëzohet dhe ne të jemi ulur në klasin e parë? Po atëherë çfarë duhet të themi?

TË VESH NË PRAKTIKË FJALËN E JEZUSIT

Sinqerisht ju them, unë nuk i di të gjitha përgjigjet për pyetjet tuaja. Shpjegimi i arsyeve të vuajtjes, për gjetjen e një përgjigje përfundimtare i ngjan qërimit të qepës. Nëse heq një shtresë, gjithmonë ka një tjetër poshtë. Përgjigjet për vuajtjen na çojnë drejt pyetjeve të tjera, dhe pyetjet nuk mbarojnë derisa ne të shohim Krishtin ballë për ballë dhe të qëndrojmë në heshtje para Atij që vuajti për hatrin tonë.

Megjithatë, vargjet që lexojmë nga Mateu na ndihmojnë t’i modelojmë çështjet e kujdesit të Perëndisë nën një dritë të re.

Dua që të lexosh Mateun kapitulli 10 nëse ke kohë sot.

Mateu 10:29-31

A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj.

30  Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.

31  Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.

Nëse e lexon gjithë kapitullin do të kuptosh se këto vargje që sapo lexuam sot, flasin shumë për gjërat që duhet të presin në jetë, ne si ndjekës të Jezusit.

Tani, ky është një prej kapitujve që na bën të përpëlitemi. Sepse Jezusi është shumë i sinqertë në lidhje me atë që dishepujt e Tij duhet të përballen.

Kur Uinston çërçill (Winston Churchill) zuri postin e kryeministrit të Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai tha se mund t’i premtonte Anglisë vetëm gjak, lot dhe djersë.

Jezusi bën një premtim të ngjashëm, një premtim më të skajshëm. Jezusi na tregon se të qenit dishepull do të na bëjë të përballemi me shumë gjëra.

Veçanërisht, Jezusi po na thotë:

“Nëse mua më quajtën Djall, çfarë kujtoni se do t’ju quajnë JUVE? Nëse mua më gozhduan në kryq, çfarë mendoni se do të bëjnë me juve?”

Në kontekstin e këtij sinqeriteti të ashpër Jezusi parashtron çështjen e kujdesit të Perëndisë.

Jezusi flet në lidhje me providencën e Tij në KOHË TË VËSHTIRA.

Unë jam i lumtur për këtë. Nëse përkujdesja e Perëndisë ka ndonjë kuptim për ne, atëherë çastet më të vështira janë ato që duhen kujtuar më shumë. Përkujdesja e Perëndisë, duhet të përjetohet!

Përkujdesja e Perëndisë duhet të jetë një përvojë që ne e ndeshim në thellësitë por edhe në lartësitë e jetës. Jezusi ofron një thënie të thjeshtë në lidhje me përkujdesjen e Perëndisë, e cila ka nënkuptime të tjera më largpamëse. Kjo është në formën e asaj që ne e quajmë shëmbëlltyrë, një histori mësimdhënie. Dëgjoni:

A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj?”

Kjo shprehje më duket interesante, për dy arsye.

GJËRAT E VOGLA DHE TË MËDHA

Para së gjithash, Jezusi na mëson se Perëndia kujdeset për gjërat e vogla dhe për ato të mëdhatë.

Sepse Jezusi flet për harabelat. Tani, kur vjen puna për botën e zogjve, harabelat rrallëherë radhiten në dhjetëshen më të mirë.

Në qytetin tim, në dimër, më pëlqen të shikoj zogjtë që vijnë dhe vizitojnë tasin e ushqimit të zogjve.

Me të ardhur pranvera, pres me gëzim gushëkuqin e parë.

Në verë, kur jam pranë liqeneve më pëlqen të shikoj çafkat blu. Ndërsa në  vjeshtë, më pëlqen të shikoj rosat e egra, që formojë ato tufat në formë v-je dhe shtegtojnë drejt vendeve të ngrohta. Por harabelat asnjëherë nuk më ndezin kureshtjen. Gjithandej ka shumë harabela.

Thjesht ka shumë harabela dhe ata janë shumë të thjeshtë, të zakonshëm. Unë nuk i thërras asnjëherë gruas i habitur: “ Shiko, ka ardhur në harabel në dritare! ” Megjithatë harabelat janë fokusi në fjalët e Jezusit sot.

Siç e shikoni, Jezusi dëshiron të kuptojmë se providenca e Perëndisë do të arrijë çdo krijesë nga më voglat deri tek të mëdhatë. E po kështu, çdo ngjarje. Unë kam takuar shumë njerëz në shërbesën time si pastor, të cilët mendojnë se Perëndia interesohet vetëm për gjërat e mëdha në jetë. Fundja fundit, Ai është Perëndia i madh.

Ai ka shumë gjëra të rëndësishme në mendje. Prandaj Ai është më shumë i interesuar në hapat e mëdhenj dhe të rëndësishëm të jetës: si për shembull martesa, nëse martohemi, kur dhe me kë do të martohemi? Çfarë karriere do të ndjekim? A do të kemi fëmijë? Sa fëmijë? Por këta njerëz, thonë se Perëndia nuk interesohet për gjërat e zakonshme të jetës.

Por a e di se Perëndia di edhe gjërat më të vogla, ato detajet që ti ndan me familjen gjatë darkës, por që shumë shpejt ti vetë i harron, por Perëndia jo!

Perëndia nuk mund të interesohet për këto gjëra- thonë disa. Por nuk është kështu. Jezusi na mëson se Perëndia është person i detajeve. Perëndia është Perëndi i gjërave të vogla. Ai është Perëndia i harabelave! Pra Perëndia është i interesuar për bisedimet politike në Shqipëri dhe Ai është i interesuar për harabelat që kanë folenë në një pemë. Ai është i interesuar edhe për gazetarët që bëjnë lajmet kryesore.

Por në të njëjtën kohë ai është i interesuar edhe për ty, ndonëse emri yt nuk del në gazeta apo është i panjohur. Ai është i interesuar për ty, dhe të gjitha copëzat e jetës sate. Gëzimet e vogla dhe vuajtjet e vogla. Kujdesi i Perëndisë, përqafon gjithçka! Kjo është gjëja e parë që ne mësojmë nga fjalët e Jezusit.

Këtu ju përshëndes, miqtë e mi dhe ju lë takim herën e ardhshme për të folur më gjatë rreth temës së providencës së Perëndisë.