Perëndia në luginë

Print

Titulli: Perëndia në luginë (pjesa 2)

PËR TË KEQEN POR DHE PËR TË MIRËN

Por ne tani mësojmë diçka tjetër. Jo vetëm që përkujdesja e Perëndisë është në gjëra të mëdha dhe të vogla, por Ai kujdeset për ne në të mirë dhe në të keq.

Le të flasim për një situatë të cilën Jezusi përmend: Asnjë harabel nuk bie në tokë, thotë Jezusi, pa dëshirën e Atit tonë qiellor.

Jezusi e ka fjalën këtu për VDEKJEN e harabelave. Jezusi nuk flet këtu për shpëtimin e mrekullueshëm të harabelave prej fatkeqësisë së madhe.

Ai nuk flet për harabelin që i shpëtoi për një fije kthetrave të fajkoit. Jo, përkundrazi ai thotë se harabeli i ngordhur bie në tokë. Besoj se të ka ndodhur, që duke ecur në rrugë të zë syri diçka dhe thua: “ O një zog i ngordhur.”

Dhe më pas ti largohesh pa e vrarë shumë mendjen.

Harabela si ky vdesin vazhdimisht, por ne nuk e vëmë re asnjëherë. Por Perëndia e vë re. Vdekja e një harabeli i del përpara syve Perëndisë. Sepse ky përqafim hyjnor arrin jo vetëm harabelat e pajetë në oborrin e shtëpisë sate. Kjo dashuri, e mistershme dhe e mrekullueshme e Perëndisë na përqafon sa herë gjëra të vështira dhe të thjeshta ndodhin në jetë.

DHE TANI MISTERI

Dhe tani një pyetje e natyrshme: Si mund të jetë kaq e plotë providenca e Perëndisë? Pse nuk le jashtë providenca gjërat e vështira? Pse nuk na mbron prej pengesave dhe problemeve?

Ju thashë edhe pak më parë se në këtë temë pyetjet nuk kanë fund. Por le të shohim së bashku Mateun kapitulli 10 se si mund të na ndihmojë.

Kujtoni se unë thashë se kjo pjesë nga Bibla tregon për kujdesin e Perëndisë në mes të një jete me vështirësi, me të cilat do të përballeshin dishepujt. Dhe kur Jezusi flet për këtë, Ai flet në lidhje me faktin se Perëndia i dërgon ata në mision.

Ndoshta mund t’ju çudisë kjo që do t’ju them: Perëndia vetë është në mision. Misioni i Tij është të vërë gjërat në vend në këtë botë të rënë.

Por kjo do të thotë se edhe ne jemi në mision.

Dhe në një mision, që vetëm Perëndia i di arsyet se përse gjatë rrugës do të hasim gjëra të vështira.

Disa nga këto gjëra të vështira, kanë kuptim për ty.

Për shembull ne e dimë se disa do të na tallin se jemi të krishterë, por kjo është pjesë e paketës së përkushtimit tonë në Zotin. Por ka disa gjëra të tjera, të cilat nuk i kuptojmë, ose nuk janë logjike për ne.

Për shembull: vdekja e njërit prej fëmijëve, një sëmundje e tmerrshme, një dështim në biznesin tonë. Këto gjëra qëndrojnë përtej arsyes.

Në fakt, janë disa gjëra, që kur vijnë duket sikur Perëndia na ka përplas derën në fytyrë dhe na ka harruar fare. Por nuk është kështu. Kujto se Perëndisë i intereson edhe një harabel që është rrëzuar. Kujto se sipas fjalëve të Jezusit, ti ke më shumë vlerë për Perëndinë se shumë harabela së bashku.

Ti je në një mision, me Perëndinë për ta lejuar dashurinë e Tij të të ribëjë ty si dishepull të Krishtit.

Ti je në një mision, për ta lejuar dritën e Perëndisë të shkëlqejë në këtë botë të errët.

Dhe në këtë mision,Perëndia të kërkon ti besosh atij, e të durosh gjëra që për një farë kohe duken të pashpjegueshme, madje dhe të paarsyeshme.

Por sërish Perëndia thotë: më beso! Sepse Perëndia po bën pikërisht atë që fjala providencë nënkupton.

Fjala providencë vjen nga dy fjalë latine: Pro e cila do të thotë”para.” Dhe video-e cila do të thotë “të shohësh.” “Të shohësh përpara.” Ky është kuptimi i providencës.

Kjo është pamja e Perëndisë që shkon përpara nesh. Ashtu si një zbulues, i cili shkon përpara për të parë se çfarë do të ndodhë më pas.

Ashtu si një kalorës, i cili përgatit rrugën. Por përse shkon Perëndia përpara? Sepse shtigjet që Ai ka ndërmend të na udhëheqë, nuk janë gjithmonë të lehta. Por Ai nuk na çon në ato shtigje për të na shkatërruar ne. Ai na fton të ecim në ato shtigje në që të ndihemi të përmbushur.

MODELI I JEZUSIT

Më lejoni t’ju ftoj që t’i hedhim së bashku një vështrim të shkurtër jetës së një njeriu i cili përjetoi thellësinë e misionit të Perëndisë. Le t’i hedhim një vështrim vetë jetës së Jezusit. A të intereson të mendosh rreth faktit se si funksionoi providenca e Perëndisë në jetën e Tij? Po, Perëndia sigurues, shkoi papara Birit të Tij në vende ku Jezusi do të shkonte, në të gjitha vendet, madje edhe në atë kodër në Golgota.

Perëndia sigurues, i cili e mbikëqyr jetën tonë, e çoi Jezusin në vendin e përmbushjes personale: në Kalvar.

Pse e bëri këtë?

Për hir të misionit të Tij. Për hir të qëllimit hyjnor të Atit. Vetëm kështu në kryq, të mund të paguhej borxhi marramendës i mëkatit dhe të mposhtej vdekja vetë.

Shembulli më i madh i providencës së Perëndisë nuk gjendet te harabelat apo këngët e zogjve, por në Krishtin!

Por Jezusi thotë te Mateu 10:” Një shërbëtor nuk është më i lartë se Zotëria i tij.” Zotëria ynë është Jezus Krishti.

Dhe ne nuk jemi përmbi Zotin tonë. Kjo do të thotë se një pjesë e gjërave të jetës së tij do të bëhen edhe tonat.

TA SHOHËSH VETEN NË MISION

Si e sheh ti jetën tënde? A sillen vlerat e jetës tënde rreth misionit të Perëndisë? Kam frikë se shumë njerëz nuk e shohin kështu jetën e tyre. Shumë njerëz besojnë se vlera më e madhe në jetë, nuk është misioni i Perëndisë por lumturia e tyre personale. Kur u thua njerëzve të sakrifikojnë, apo të bëjnë gjëra, të cilat do tu kushtojnë ata thonë: “Por nuk më besohet se Perëndia nuk dëshiron që unë të jem i lumtur.” Kultura jonë beson se lumturia është vlera më e rëndësishme në jetë.

Po sikur të mos jetë? Më lejo të kthehemi sërish te historia e Ci. Es. Lljuis me çiftin e konvertuar sajë predikimeve të tij. Emrat e tyre ishin Sheldoni dhe Dejvi. Sheldoni dhe Dejvi ishin të marrosur pas njëri- tjetrit.

Në fakt ata kishin shpallur se dashuria e tyre ishte vlera më e rëndësishme. Për ta nuk kishte asgjë më të rëndësishme se dashuria e tyre. Ata nuk kishin në plan të bënin fëmijë, sepse mendonin se këta do të ndërhynin në dashurinë e tyre për njëri-tjetrin.

Le të themi se dashuria e tyre për njëri- tjetrin, ishte Perëndia i tyre. Por një ditë ata njohën Krishtin.  Teksa jetonin me besimin në Krishtin, ata zbuluan diçka e cila lëkundi nga themelet sistemin e tyre të vlerave. Jezusi kërkonte prej tyre besnikërinë më të lartë. Njohja e Perëndisë dhe pushtetit të dashurisë së Tij ishte e vetmja gjë që kishte rëndësi.

Përfshirja në misionin e mbretërisë së Tij, ishte e vetmja gjë që kishte rëndësi.

A është lumturia e vetmja gjë që ka rëndësi në jetën tënde? A ke ngritur një murr të fortë rreth lumturisë sate?Që asgjë mos ta prekë atë? Por kjo barrierë do të bjerë një ditë. Ti nuk mund ta mbrosh lumturinë përgjithmonë. Ti e di shumë mirë këtë.

Ngjarjet e jetës do të sulmojnë. Ndaj edhe të ftoj të dëgjosh se çfarë dinë ata që kanë njohur kujdesin sigurues, apo providencën e Perëndisë.

Mendoj se ka një qëllim më të lartë në jetë. Ky qëllim është njohja e Krishtit, dhe pushtetit të ringjalljes së Tij. Kjo do të thotë të konformohesh me karakterin e Birit të Perëndisë. Kjo do të thotë të marrësh pjesë në misionin e Perëndisë, pavarësisht kostos. Ata që e kuptojnë këtë, do të shohin se përkujdesja e Perëndisë është gjithmonë mbi ne, në kohë të mira dhe të këqija. Në të gjitha gjërat, Perëndia tregon dashurinë dhe mëshirën e tij në jetën tonë.

Predikuesi, Dagllas Nelson (Douglas Nelson) tregon për një rast kur vizitoi një qeli të tmerrshme në dhomën e nëndheshme të një kështjelle të vjetër angleze.

Pa dyshim se përgjatë viteve atje ishin burgosur njerëz për asgjë më shumë se sa besimin e tyre.

Në atë qeli të nëndheshme drita e diellit nuk hynte kurrë. Në njërin prej mureve, gjendej gjurma në formën e një dore, sepse njerëzit që vdisnin nga etja, mbështesnin dorën në mur për të thithur lagështinë e pistë që zbriste poshtë përmes një të çare të vogël. Dhe në errësirën e asaj qelie të tmerrshme dikush kishte shkruar fjalët e Jakobit: Zoti ishte në këtë vend dhe unë nuk e dija.

Po Zoti është edhe atje. Zoti është me ty në vendet më të vështira të jetës.

Besoj se kjo fjalë ka qenë inkurajuese për ty, për mua, për të gjithë ne. Nuk po shtoj më. Veç dua t’ju uroj një ditë sa më të bekuar në praninë e Zotit dhe mirë u takofshim në programin e radhës.