Perëndia siguron përmes lutjes

Print

Titulli: Perëndia siguron përmes lutjes (pjesa 1)

Më pëlqen ta filloj me një histori reale. Ju tashmë jeni mësuar me mua besoj! Në vitin 1939, 10 vite pas Depresionit të madh në Amerikë, doli filmi “Magjistari i Ozit-The Wizard of Oz”. Në atë film, është një skenë ku vajza e re me emrin Doroti, vështron panoramën e shpëlarë të Kansasit, dhe këndon këngën “Diku përmbi ylber.” Kjo u bë kolona zanore e atij filmi. Aktorja që luante atë rol, Xhudi Gerlend (Judy Garland), këndoi një këngë për atë komb që po vuante prej mos realizmit të ëndrrave.

Ajo këndonte plot shpresë se ndoshta një ditë, shumë shpejt makthi kombëtar e ndërkombëtar ekonomik, do të merrte fund.” Diku përmbi ylber, qiejt janë blu, dhe ëndrrat që ti guxon të ëndërrosh, do të realizohen.”

Ajo këndoi këtë këngë ndërsa njerëzit i besuan atij zëri të ëmbël dhe të pafajshëm, duke shpresuar se një ditë do të zgjoheshin në një vend, “ku shqetësimet do të shkriheshin si bulëza uji, do të shkonin lart si tymi mbi oxhak…”

Tani nëse e përshpejton atë këngë, afro 60 vite më vonë, në një prej koncerteve të saj, këngëtarja Tori Amos kthehet në skenë pasi publiku e kërkon sërish me duartrokitje. Për çudi të publikut, ajo fillon të këndojë këngën:”Diku përmbi ylber…”

Por ky version është shumë herë më melankolik se i pari.

Ajo e këndon këngën pothuajse duke psherëtirë, sikur të shpreh zhgënjimin dhe ashpërsinë që ka parë në jetë. Ajo e këndon këngën me nuanca vaji: “Diku përmbi ylber, zogjtë blu fluturojnë. Zogjtë fluturojnë përmbi ylber, po unë përse nuk mund të fluturoj?!” Dhe kënga e saj zë vend në zemrat e njerëzve, që ashtu si ajo, po kërkojnë diçka, po kërkojnë një arsye shprese.

Ekziston një etje e thellë brenda secilit prej nesh që shprehet kur jemi në kërkim të shpresës, ndihmës dhe kuptimit.

Dhe ndjekësit e Jezus Krishtit duhet të bëjnë pyetjen: ‘A po dëgjojmë ne vajin e fqinjëve tanë? A dëgjojmë ne këtë etje të thellë në komentet dhe thirrjet e filmave të njohur, këngëve hit, shokëve në shkollë dhe fqinjëve tanë?’

Jezusi po dëgjonte. Ai dëgjoi zërin dhe thirrjet e zemrës, të njerëzve që kërkonin shpresë. Dhe ai iu përgjigj atyre me dhembshuri, shërim dhe shpresë. Kjo ishte shërbesa e tij. Kjo ishte arsyeja përse erdhi Jezusi.

Jezusi erdhi të ftonte njerëzit e humbur që të ktheheshin tek ai. Ai erdhi për mëkatarët. Misionin e tij mund ta gjejmë të përmbledhur në vende të ndryshme të ungjijve.

Te Gjoni 3:16, Jezusi tha ” Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” Jezusi erdhi të ofrojë shpresë dhe të ardhme. Më vonë, te Gjoni kapitulli 10 Jezusi tha: ” …unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.” Te ungjilli sipas Lukës, kapitulli 5, ai tha: ” Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët. Unë nuk erdha t’i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët.”

Pra shohim se Jezusi u shërbeu njerëzve në shumë mënyra. Ai kishte shërbesën e mësimdhënies. Ai shpesh jepte mësim në ambiente të hapura. Ai mësonte turmat që mblidheshin rrotull tij kudo. Ai ndaloi së udhëtuari me qëllim që tu jepte mësim dhjetëra mijëra njerëzve.

Nga predikimi në mal, e deri tek mësimet që ai dha teksa qëndronte në varkë disa metra larg bregut , Jezusi solli Lajmin e Mirë të faljes dhe thirrjen që ta ndiqnin atë nëse dëshironin ta dëgjonin.

Po kështu ai mësoi në forma të tjera më formale, si në sinagoga, në rastin e ditës së shabatit. Jezusi e bënte këtë rregullisht.

Në këto raste ai hapte Shkrimet, Biblën hebrease, që ne sot e njohim si Dhjata e Vjetër. Dhe më pas me autoritet shpjegonte se si filloi Lajmi i Mirë i Perëndisë me ligjin dhe profetët, dhe u përmbush në Të.

Në pjesën që lexuam sot, shohim gjithashtu, diçka nga shërbesa shëruese e Jezusit.

E para shërohet vjehrra e Pjetrit. Ajo kishte ethe, dhe në atë kohë ethet ishin një sëmundje shumë serioze.

Ne nuk duhet të mendojmë me vete se Jezusi po bënte thjesht diçka për mirësjellje duke e kuruar atë. Shumë sëmundje vdekjeprurëse, qoftë të lashtat dhe modernet, fillojnë me ethe serioze. Ndoshta vjehrra e Pjetrit kishte malarie. Kjo do të shpjegonte arsyen përse ajo nuk ishte në gjendje të punonte. Cilado qoftë arsyeja, Jezusi solli shërimin. Ai e mori për dore, e ngriti lart dhe ethet u larguan. Ajo i shërbeu menjëherë Jezusit sepse kështu shprehet mirënjohja e vërtetë.

Fjala mund të jetë shpërndarë, sepse turma të mëdha erdhën për ta takuar Jezusin atë mbrëmje.

Ata erdhën sapo dielli perëndoi. Asokohe, kishte ligje shumë strikte për udhëtimet e panevojshme, puna ishte e ndaluar në shabat. Dhe shabati judeas fillonte nga perëndimi i diellit një ditë më parë deri në perëndim të diellit ditën e shabatit. Pra Marku po mundohet të na tregojë se njerëzit erdhën sa më shpejt që mundën.

Ishin kaq shumë njerëz. Marku thotë se atë natë erdhën shumë njerëz për të takuar Jezusin, në mos ta takonin, veç që ai tu hidhte një vështrim atyre.

Dhe shumë prej tyre dëshironin të shikonin se çfarë mund të bënte ai dhe si mund ta bënte këtë. I gjithë qyteti doli jashtë, ndoshta dy mijë njerëz. Imagjino të kesh këtë turmë para derës së shtëpisë!

Me siguri që ata po kërkonin diçka. Ata duhet të kenë besuar se kishin gjetur diçka. Sot ne do t’i quanim ata, kërkues të besimit. Jezusi ishte i rrethuar nga njerëz që kërkonin shpresë, dhe një të ardhme më të mirë.

Ata që kishin qejf të këndonin të dëgjonin dhe ëndërronin ishin të gjithë aty. Edhe bota jonë është e mbushur me njerëz të tillë. Ata njerëz u mblodhën rreth Jezusit, për ta parë atë, për ta prekur, për ta njohur.

Sa bekim që është kur gjithë këta njerëz kërkojnë udhëheqjen e Perëndisë.

Ne shikojmë faqet dhe historitë e Biblës për të mësuar se çfarë do të thotë të jesh si Jezusi.

Ne mbërrijmë tek teksti që kemi sot, me bindjen se ne duhet të bëjmë atë që bëri Jezusi, të jetojmë ashtu siç na mësoi ai.  Pra duket sikur edhe ne duhet të ofrojmë shpresë edhe shërim.

Por si ta bëjmë këtë? Ne nuk jemi bërës mrekullish, ose të paktën jo në atë shkallë që ishte Jezusi. Një numër i vogël njerëzish arrijnë të mbledhin rreth tyre a shtëpisë së tyre një turmë kaq të madhe njerëzish, e të dëbojë demonët apo sëmundjet e një qyteti të tërë. Për ne është një betejë të ruash atë lloj pasioni, durimi dhe mirësie që na mban në shërbesë dhe larg prej cinizmit. Pra si mund të bëjmë të njëjtat gjëra si Jezusi?

Ne duhet të kemi të njëjtët ingredientë që pati edhe Jezusi. Jezusi mori gjithçka që i duhej për shërbesën e tij në marrëdhënien e ngushtë që kishte me Atin.

Dhe kjo gjë në vetvete kërkonte pak përpjekje. Ai largohej nga turmat që e kërkonin vazhdimisht. Ju kujtohet, mëngjesi pas asaj mbrëmjeje të mbushur me shërime dhe dëbimin e demonëve? Pikërisht atë mëngjes ai nuk fjeti deri vonë. Ai doli jashtë herët në mëngjes. Shumë herët-thekson Marku. Ai thotë se Jezusi doli teksa ishte ende errësirë, para se gjithë të tjerët të ishin zgjuar. Marku po na thotë se sjellja e Jezusit i çuditi ata. Ishte e pazakontë.

Në fakt, Jezusi u largua prej qytetit, dhe doli jashtë, më saktë në shkretëtirë. Të sqarojmë diçka, Jezusi nuk shkoi në shkretëtirën, e gjerë e të shkretë, ku populli i Izraelit udhëtoi vite më parë. Jo ajo zonë ishte në pjesën jugore të Izraelit, ndërsa Kapernaumi, vendi ku ndodhej Jezusi është në veri.

Jezusi u largua nga qyteti dhe nga vendet ku njerëzit mund ta gjenin. Por Marku përdor fjalën ‘shkretëtirë’ për të na kujtuar kohën kur Jezusi u tunduar prej Satanit, para se të fillonte shërbesën e tij, dhe vendi ku ai kaloi kohë në lutje dhe u forcua.

Kjo referencë kujton gjithashtu kohën kur Izraeli mësoi të mbështetet te Perëndia, pasi u largua prej Egjiptit. Jezusi u largua, për tu lidhur me Perëndinë, duke u lidhur me Atin e tij.

Dhe kjo nuk ishte hera e vetme. Marku thekson se Jezusi lidhej në lutje me Atin, kur ishte i ngarkuar me punë, apo i lodhur, apo nën stres, ai kërkonte drejtimin e Tij.

Më vonë, i thuhet se pasi ushqeu pesëmijë njerëz me tri bukë dhe dy peshq, i shpërndau turmat dhe dërgoi dishepujt tutje me varka, ndërsa vetë u ngjit në mal për tu lutur. Dhe kur Jezusi ishte në kopshtin e Gjetsemanesë, duke u përgatitur për arrestimin e tij, ai u tha dishepujve se shpirti i tij ishte mposhtur nga dhimbja deri në pikën e vdekjes. Prandaj ai u lut. Këtë bëri Jezusi kur e gjeti veten të zhytur thellë në betejën e ashpër të shërbesës.

Atë mëngjes, dishepujt nuk e gjetën. Ata u zgjuan pak më vonë dhe panë se ai tashmë kishte dalë nga shtëpia. Kështu që ata vazhduan ta kërkonin. Dhe e gjetën duke u lutur. Në të vërtetë ata e ndërprenë. Dhe jo vetëm e ndërprenë, por në formë mosmiratimi i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë Ty.” Të gjithë po kërkonin Jezusin për arsye të shërbesës së Tij të fuqishme dhe për arsye se ishin të etur për pije shpirtërore, sepse ata dëshironin shërim dhe ishin kërkues të besimit.

Dishepujt me sa duket nuk ishin shumë dakord që të shkonin në një vend të qetë për të kaluar kohë në lutje. Me siguri ata nuk e kuptonin rëndësinë e kësaj. Pse nuk e kuptonin?

Mendoj, së pari sepse Kapernaumi, ishte një hap larg vendlindjes së tyre, fshatit të vogël të njohur për peshkimin, i pozicionuar pranë detit të Galilesë, me emrin Betsaida. Kapernaumi përfaqësonte  vendin e mundësive të mëdha.

Njerëzit po e kërkojnë atë, atë dëshirojnë të ulen pranë Tij dhe ta dëgjojnë e ta shikojnë.

Këto mrekulli, janë një mjet shumë i mirë për ndërtimin e marrëdhënieve publike, për mbledhjen e një turme, e ndjekur më pas prej një lëvizjeje të re.

Kjo është një strategji për rritjen e shërbesës, që ne e kuptojmë shumë mirë. Sepse ne sot nuk ndryshojmë shumë nga ata. Besoj se edhe ti ashtu si unë lutesh për mrekulli. Jo për hatrin tim, sigurisht, por për hatër të Perëndisë dhe për rritjen e mbretërisë së Tij.

Shpesh është kaq e qartë për ne: se Jezusi e dinte mirë se çfarë duhet të bënte dhe si duhet të jetonte.

Por më shumë do të shohim herën e ardhshme se thelbi i suksesit të shërbesës së Jezusit ishte marrëdhënia e Tij me Atin Perëndi. Mos harroni të na ndiqni, ndërkohë shijojeni plotësisht miqësinë tuaj me Perëndinë.