Përgjithmonë i ri

Print

Titulli: Përgjithmonë i ri (pjesa 3)

Shpresa jonë më e madhe, nuk vjen prej njerëzve që nuk vdiqën asnjëherë, si Enoku dhe Elia, por prej njohjes së dikujt që vdiq por u ngrit sërish në jetë. Ky është Zoti Jezus Krisht. Ndonëse do të na duhet të vdesim fizikisht, të gjithë ata që i përkasin Zotit të gjallë Jezus Krisht, mund të marrin zemër se pas vdekjes shtrihet diçka tjetër. Perëndia që siguron një mënyrë të tërthortë për të mos kaluar vdekjen mund t’i kalojë të tjerët përmes luginës së hijes së vdekjes dhe t’i sjellë ata shëndoshë e mirë dhe të ringjallur.

Një prej vargjeve të mia të preferuara është 2 Timoteu 1:10, i cili thotë: ” dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit.” Jetë dhe pavdekësi! Jetë pikërisht tani lidhur me Perëndinë dhe gëzimin e tij dhe pavdekësi që mposht sëmundjen, shkatërrimin dhe vdekjen.

Jeta që ia vlen të jetohet

Jezusi është i vetmi që mund t’i japë vlerë jetës pikërisht këtu. Bibla thotë: ” Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve”. (Gjoni 1:4) A je gjallë, a je me të vërtetë gjallë? Apo thjesht merr frymë dhe sillesh rrotull? Në rast se nuk je i lidhur me Perëndinë, ti mund të kesh një puls por nuk je i gjallë. Ti rend kënaqësi pas kënaqësie, por a je me të vërtetë i kënaqur dhe i lumtur? A je me të vërtetë i gjallë? Bibla thotë se ata që jetojnë vetëm për kënaqësi janë të vdekur ndërkohë që jetojnë. (1 Timoteu 5:6) Thelbi i ekzistencës njerëzore është të njohë Perëndinë dhe të gëzosh në Të. Ekzistenca pa Krishtin është e kotë dhe e pajetë.

Po sikur shkencëtarët të mund të gjenin vërtetë një mënyrë për të ndihmuar që ti të jetoje me gjatë, le të themi të vazhdoje të jetoje për disa shekuj? Unë vetë do të isha i kënaqur nëse do të kuroheshin më shumë sëmundje dhe do të largohej sa më shumë dhimbja dhe unë do të mirëprisja metodat e zgjatjes së jetës për sa kohë që këto metoda do të ishin etike. Por zgjatja e jetës nuk është e mirë sa duhet nëse vetë jeta nuk do të ishte më e mirë. Më e mirë, jo në kuptimin, të jesh më i ri e më aktiv si njeri, por më i dashur, më i denjë, më shumë në kontakt me Perëndinë.

Mendo për kohën kur njerëzit jetonin më shumë se 900 vite. Shumë prej tyre ishin super të shëndetshëm, super të fortë, sikurse Bibla i quan “heronjtë e moshuar.” Por shumë prej këtyre heronjve ishin heronj të “tmerrshëm”. Me super forcën e tyre, ata u bënë super mëkatarë. Me super shëndetin e tyre dhe jetën tejet të gjatë, ata u zhytën më thellë në mëkat se sa do të mund të bënin për një periudhë më të shkurtër kohore. Bibla thotë: ” Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet.” (Zanafilla 6:5-6) Kjo ndodhi kur Perëndia dërgoi përmbytjen e madhe që shfarosi çdo njeri me përjashtim të Noeut dhe familjes së tij. Pas kësaj, Perëndia i premtoi se nuk do të dërgonte asnjëherë një gjykim kaq shfarosës dhe në të njëjtën kohë Perëndia filloi të shkurtojë kohëzgjatjen e jetës së njerëzve, për të kufizuar ligësinë e tyre. Perëndia vendosi që kurrë më nuk do të shfarosë njerëzimin me përmbytje, por njëherazi vendosi që të mos i lejonte individët të jetonin sa më parë, pra afro një mijë vite. Njerëz që jetojnë për një kohë të shkurtër mund të bëjnë të këqija plot, por njerëzit që jetojnë për një kohë vërtetë të gjatë, mund të bëhen vërtetë shumë keq.

Ne nuk kemi thjesht nevojë që të na shtohen disa vite më shumë: ne kemi nevojë që të na zgjatet jeta. Larg Jezusit jemi të vdekur ndonëse jemi gjallë. Por Jezusi mund të na nxjerrë prej asaj gjendjeje ku mungon jeta dhe të na bëjë vërtetë të gjallë. “Ai që e dëgjon Fjalën time dhe dhe e beson atë që më ka dërguar , ka jetë të përjetshme dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë”. (Gjoni 5:24) Jezusi të merr prej asaj ekzistencës të përqendruar te vetja dhe të jep jetën emocionuese të Perëndisë. Shkrimet thonë: ” Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet.” (Kolosianëve 2:13). ” Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontrolluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe.” (Romakëve 8:6)

Shkencëtarët mund të studiojnë pjesët e trupit dhe qelizat e ADN-së por nuk do të gjejnë asnjëherë shkakun kryesor të shkatërrimit të trupit të njeriut dhe të vdekjes dhe, ata nuk do të gjejnë kurrë një kurë që jep me të vërtetë jetë. Shkaku i vdekjes është mëkatimi kundër Perëndisë dhe e vetmja kurë për vdekjen është Fryma e Perëndisë. Jezusi thotë: ” Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë”. (Gjoni 6:63) Momentin që ti beson në Jezusin, ti le mbretërinë e vdekjes dhe Fryma e Shenjtë të jep ty jetë.

Ti bëhesh i gjallë për Perëndinë dhe jeta që Krishti vendos brenda teje, nuk mund të hiqet. Kjo është një jetë e pakufizuar, si në cilësi ashtu edhe në sasi.

Pavdekësia

Jezusi sjell jetën dhe pavdekësinë përmes ungjillit. Ungjilli quhet ndryshe Lajmi i Mirë që thotë, se jeta mund të jetë ndryshe nga sa kemi jetuar më parë, nëse zgjedhim t’i besojmë Perëndisë, i Cili na i fal mëkate për hatër të Jezusit që na sjell në një marrëdhënie të gjallë me Perëndinë. Ungjilli është njëkohësisht Lajmi i Mirë se Jezusi e mposhti vdekjen. Ai jo vetëm që i jep vlerë jetës sonë, por ai bën që të zgjatë përgjithmonë. Ai jo vetëm që e bën frymën të gjallë, por ai e ngre edhe trupin. Vetë trupi i Jezusit fitoi mbi vdekjen. Pasi Jezusi u torturua dhe u vra, ai u ngrit prej së vdekurish në një trup të pavdekshëm dhe të lavdishëm. Jezusi e shkatërroi vdekjen dhe zbuloi pavdekësinë.

Asnjë shkencëtar nuk do të jetë ndonjëherë në gjendje ta bëjë këtë, por disa njerëz shpresojnë akoma. Disa njerëz i mbajnë trupat e tyre të ngrirë në lëng nitrogjeni, me shpresën se mbajtja në ngrirje e trupave të vdekur do t’i mbrojë prej dëmtimit derisa shkenca të ketë zbuluar një mënyrë për të kthyer mbrapsht plakjen dhe tu kthejnë sërish jetën dhe shëndetin trupave të ngrirë. Unë nuk kam pse të ngrij trupin tim për të ditur se trupi im do të jetojë një ditë përsëri. Unë nuk po mbështetem te shkenca. Unë po mbështetem te Zoti. Jezusi ” i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm…”. (Filipianëve 3:21)

Ndërkohë nëse ne kemi jetën e Jezusit, pikërisht tani, nuk duhet ta kemi frikë vdekjen. ” Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë”, thotë Jezusi. (Gjoni 8:51) Kur ti i beson premtimet e Jezusit dhe ndjek udhëzimet e fjalës së tij, kur ti je i gjallë në frymën e Tij, ti nuk do ta shohësh as vdekjen. Kur jetës tënde në këtë botë ti ketë ardhur fundi, fryma jote do të kalojë menjëherë në qiell me Zotin ndërsa trupi yt do të ngrihet, do të transformohet dhe do të ribashkohet me frymën kur Jezusi të vijë sërish dhe të sjellë qiellin në tokë. ” Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.” (Gjoni 6:40)

Dëshira jonë për të jetuar përgjithmonë të rinj, është e sëmurë dhe e shëndetshme njëkohësisht. Është e shëndetshme të duash pavdekësinë sepse vetë Perëndia dëshiron që ne të jemi të pavdekshëm, por nuk është mirë të mendosh se mund ta arrijmë këtë pa Perëndinë. Ringjallja është dhuratë e Tij, nuk është arritja jonë.

Shumë fe kanë disa ide për pavdekësinë, por vetëm Jezusi e ka bërë të mundur këtë. Kush është ai drejtues fetar, që u kthye në jetë dhe ia tregoi veten më shumë se pesëqind njerëzve njëkohësisht, ashtu siç bëri Jezusi? Asnjë. Jezusi është i vetmi që solli në dritë jetën dhe pavdekësinë.

Jeta dhe pavdekësia nuk përbëjnë tashmë një sekret.

Ti nuk ke pse pret për një zbulim shkencor. Nuk ke pse pret për një zbulesë të re fetare apo për shfaqjen e një Mesia tjetër. Ringjallja tashmë është bërë realitet në personin e Jezusit dhe Ai premton jetë të pakufizuar për të gjithë ata që i besojnë Atij.