Përse nuk është më e gjallë jeta ime e krishterë?

Print

Titulli: Përse nuk është më e gjallë jeta ime e krishterë? (pjesa 1)

Shpresoj te jeni pranë radios për të dëgjuar një temë mjaft interesante. Më lejoni ta filloj duke ju treguar për kohën kur një i ri erdhi në zyrën time. Kishim lënë takim për të folur.

Sapo hyri e dallova qartë, se ishte shumë i irrituar, me siguri kishte diçka që e shqetësonte.

E njihja prej vitesh, si djali që po rritej ne besim dhe ishte i përkushtuar, një anëtar besnik i kishës.

Ai nuk e zgjati shumë, por u hodh direkt në temë. “Pastor,” dua të tregoj se jam shumë i shqetësuar dhe i merakosur. Gjithë jetën time e kam quajtur veten i krishterë. Kam qenë besnik, i sinqertë dhe mendoj se kam qenë një anëtar i  mirë i kishës. Por…(ngurroi pak)…thjesht pyes veten…përse nuk është më e gjallë jeta ime e krishterë?”

Ai hyri ne thelb të asaj që e shqetësonte. Ai vazhdoi bisedën duke përmendur njerëz të tjerë që dukej sikur ishin gjithmonë në rritje, të mbushur me guxim dhe gëzim, ata ecnin shumë ngushtë me Zotin, luteshin shumë dhe, dëshmonin shumë… ” “dhe unë e kam në mendje këtë pamje, se kështu duhet të jetë një i krishterë, por…(ngurroi sërish)…pastaj ky jam unë!”

Dëgjova për një farë kohe dhe pastaj  fillova të hetoj me kujdes.

I bëra disa pyetje orientuese që do të më ndihmonin ta kuptoja më mirë para se të përgjigjesha duke thënë diçka të gabuar. Isha shumë i kënaqur që ishte ndërtuar mbi themelet e Jezus Krishtit, që Pali përmend në këtë pjesë që lexuam bashkë.

Isha i kënaqur me të, sepse përkushtimi i tij ishte i sinqertë .

Faktikisht, kjo pyetje u ngrit në zemrën e tij sepse besimi i tij ishte i sinqertë.

Teksa vazhdoja bisedën atë pasdite me djaloshin, fillova të kuptoja, se ky djalë me pyetjen e tij, mund të përfaqësojë një numër të madh të krishterësh, ç’është e vërteta, duhet ta pranoj se kjo pyetje më kishte munduar edhe mua hera herës.

Edhe unë kam bërë pyetjen: “pse nuk është jeta ime më dinamike?”

Po ti? A e gjen edhe ti veten në atë bisedë? Ndoshta edhe ti ndonjëherë ke ngritur të njëjtën pyetje.

Njerëz gjysmë të shëruar

Teksa vazhdoja bisedën me djaloshin, ajo mori një rrjedhë që do ta quaja “njerëz gjysmë të shëruar”, njerëz që ishin shëruar, prandaj nuk janë më si më parë, kanë ndryshuar, por procesi nuk ka përfunduar ende.

Ne i quajtëm”Gjysmë të shëruar”.  Ne thamë, njerëz që nuk janë më të sëmurë, por as plotësisht të shëndetshëm.

Po mendoja për njerëz që mund të ecin, por që nuk mund të ecin shumë mirë sepse janë ende të gjymtuar.

Dhe kemi folur më parë për një tjetër histori, tek Gjoni 11, historia që ne e njohim si historia e ringjalljes së Llazarit.

Ky kapitull i Biblës është shumë i veçantë për shumë të krishterë, sepse Jezusi bën këtë pohim të rëndësishëm dhe të guximshëm.

” Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë”.

Dhe në këtë kapitull mësojmë se Jezusi qëndroi jashtë varrit të Llazarit dhe i thirri:”Llazar dil jashtë!” dhe ai doli! Kjo ishte një ngjarje e pazakontë.

Llazari u kthye në jetë! Por në histori ka një element therës që ne të gjithë e anashkalojmë.

Pasi Llazari u ringjall, thotë, ” Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë.”

Sigurisht që kjo lidhej me procesin normal të varrosjes, mbështjelljes së trupit dhe lyerjes me vajra aromatikë.

Por mendoni për pak pamjen e këtij djaloshi që qëndronte para hyrjes së varrit të vet.

Ai është i gjallë. Po, kishte vdekur prej katër ditësh, por tani është gjallë. Po, është vërtetë gjallë.

Por ai…është mbështjellë, kokë e këmbë… pra nuk mund të shikojë, nuk mund të ecë, as nuk mund të flasë.

Gjithë mbetja e trupit të vdekur ishte ende e plotë dhe e mbështjellë.

Jezusi e urdhëron: ” Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!” Më në fund ai ishte personi i ringjallur, sipas dëshirës së Jezusit!

Dhe më pas menduam për një tjetër situatë të ngjashme.

Kësaj here ishte një i verbër, historinë e të cilit mund ta gjeni në kapitullin tetë të ungjillit të Markut.

Jezusi u takua me një të verbër, jashtë Betsaidës. Ai po i lutej Jezusit që ta prekte, kështu do të shërohej prej verbërisë.

Jezusi e preku. Ai vendosi pak pështymë në sytë e verbrit dhe e pyeti atë:” A sheh gjë?

“Dhe pastaj ai vështroi lart dhe tha :”Unë shikoj…” Por ai nuk tha vetëm kaq. Ai tha, ” Po shoh njerëz si pemë që ecin”.

Epo kjo nuk ishte shumë e mirë, sepse nuk shihte qartë.

Prandaj Jezusi e preku sërish dhe ” dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.”

Pra me sa duket ai ishte i shëruar, ai mund të shikonte, por ishte gjysmë i shëruar sepse nuk mund të shikonte qartë.

Ai nuk ishte ende personi i plotë që Krishti donte që ai të ishte.

Në atë frymë Pali flet për bashkësinë e besimtarëve këtu në Korint, në pjesën që lexuam më parë.

Ata janë besimtarë, ata kanë ndërtuar shpresën për qiellin mbi këtë themel, i cili është Jezus Krishti; ai i quan ata vëllezër dhe motra. Nëse vazhdojmë me terminologjinë tonë, ata janë njerëz të shëruar, nëse e themi kështu.

Por ende ka një ndryshim të madh midis tyre. Dëgjoni se si e përshkruan ai këtë.

Ai po thotë se ata po ndërtohen në atë themel që është vendosur, por ata po ndërtojnë ndryshe.

Disa po ndërtojnë në ar, të tjerë në argjend dhe gurë të kushtueshëm, por të tjerë po ndërtojnë me dru, sanë dhe kashtë.

Kjo do të thotë se disa po ndërtonin me materiale që kishin më shumë vlerë se të tjerat.

Disa do të zgjasin, disa nuk do të zgjasin. Ç’është e vërteta, disa prej materialeve janë të djegshme disa janë të padjegshme. Dhe ato do të provohen ditën e fundit, në ditën e gjykimit, kur të vlerësohet gjithë vepra e jetës sonë.

Pali thotë:”Zjarri do të provojë cilësinë e veprës së gjithsecilit “) një pjesë do të digjet ndërsa pjesa tjetër do të mbijetojë.

Kjo do të thotë se disa të krishterë do të shpëtohen, vetëm për shkak të hirit, megjithatë do të humbasin gjithçka për të cilën kanë punuar.

Prandaj kur miku im erdhi dhe më tregoi se përse jeta e tij e krishterë nuk ishte më e gjallë, ne filluam të flisnim për njerëzit “gjysmë të sëmurë”, ne po merreshim me një shqetësim të madh që ndodh realisht mes të krishterëve dhe është shumë i rëndësishëm.

Rreziku dhe Dëmi

Por përse? Pse është kaq e rëndësishme kjo?

Ndoshta ti mendon të thuash “ edhe çfarë pastaj? Pra çfarë ndodh nëse nuk po jeton gjithmonë si duhet jetën tënde të krishterë?” Më lejo të të kujtoj disa arsye se përse kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Së pari, këtë dëshiron edhe Satani për të krishterët.

Nëse ai nuk ia del mbanë që të na ndalojë të bëhemi të krishterë (që është zgjidhja e tij e parë, sigurisht ), pra nëse nuk e arrin dot këtë, atëherë do të preferonte që ne të ishim gjysmë të shëruar, të dobët dhe joproduktivë.

Së dyti, kjo gjendje prodhon të krishterë shumë të shqetësuar. Arrij të imagjinoj Llazarin që qëndron plotësisht i mbështjellë, i paaftë të lëvizë, dhe thotë: “Pra? Pse çuditeni kaq shumë që u ringjalla? Ky është thjesht ndryshimi që duhet të ndodhte.”

Ndërsa për të verbrin që ankohej për faktin se nuk ishte shëruar mirë : “por unë nuk mund të lexoj ende!” Pyes veten sa të krishterë rreth nesh ndjehen kështu, ndjehen sikur janë qepur pas mediokritetit.

Veç të tjerash, mediokriteti ndalon dhe vonon rritjen tonë. Krishti dëshiron që fëmijët e tij të rriten dhe të ndërtohen mirë në themele me materiale shumë cilësore.

Ai na shpengoi, jo vetëm që të jemi bijtë e tij , por që si fëmijë të tij të jemi të rritur dhe të japim fryte.

Nëse nuk dëshirojmë më shumë, atëherë nuk do të ketë as  shtysë për rritje shpirtërore.

Por ajo bën edhe diçka tjetër. Gjendja që ne e quajmë “gjysmë të shëruar”, jep një dëshmi të keqe të jetës së kishës dhe ungjillit të Krishtit.

Ne të gjithë e dimë se ka shumë njerëz që e dëgjojnë me vëmendje ungjillin e Krishtit dhe mesazhin e kishës së krishterë, ose e refuzojnë atë, në bazë të asaj që shohin tek ne, që jemi në kishë. Kush do të tërhiqej nëse mesazhi i  përcjellë do të ishte ky: ti mund të jesh “gjysmë i shëruar?”. Kjo gjithashtu e bën kishën më të dobët.

Pikërisht ky ishte edhe shqetësimi i Palit për kishën e Korintit. Korinti ishte një qytet i rëndësishëm dhe aty nevojitej një dëshmi e fuqishme e ungjillit.

Por në vend që të dëshmonte, kisha ishte shumë materialiste, e pazhvilluar dhe midis besimtarëve kishte ndarje nga më të ndryshmet.

Sipas Palit kjo sjellje do të sjellë turpërim në ditën e Gjykimit.

Dëgjoni fjalët e tij, kur dita e gjykimit të provojë dhe të zbulojë cilësinë e punës sonë, atëherë disa prej nesh do të kuptojnë se gjithçka që kemi pasur është konsumuar.

Oh po, është e vërtetë se ne jemi shpëtuar me anë të hirit të Perëndisë dhe ne hyjmë në qiell vetëm përmes atij hiri, ose siç përshkruhet në fjalët e Palit,” por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit.”

Por turpërimi gjendet në faktin se gjithçka që kemi mbartur me vete, gjithë këto vite jetë që Perëndia na ka dhuruar do të konsumohen dhe ne do të humbasim. Me fjalë të tjera, na kanë mbetur vetëm hiri. Mendoj se do të ishte turp nëse do të ndodhte kjo. Nuk mendon edhe ti kështu?!

Pra pyetja : pse nuk është më e gjallë jeta ime e krishterë, nuk duhet mënjanuar. Pas saj mund zbulojmë shumë. Por më shumë në lidhje me verimet që duhet të ndërmarrim për ta gjallëruar jetën tonë të Krishterë do të flasim herën tjetër, deri atëherë mirë u dëgjofshim.