Vazhdojmë sot diskutimin tonë rreth pyetjes “ pse nuk është më e gjallë jeta ime e krishterë?”, një pyetje me vend që buron nga zemra e Perëndisë.
Veprime
Pra nëse kjo pyetje vërtitet në mendjen tënde hera herës, atëherë çfarë duhet të bësh?
Më lejo të të tregoj disa hapa që do të ndihmojnë në këtë gjë.
Dua ti përgjigjem duke përsëritur atë që kam thënë.
Ky ËSHTË një problem serioz, dhe DUHET treguar shumë kujdes.
Ti duhet të jesh i bindur për këtë. Qëndrimi në mediokritet nuk është ajo çka Perëndia kishte në mendje për ty, kur shkoi në kryq.
Të qenurit “gjysmë i shëruar”, nuk përfaqëson gjithë plotësinë e pasurisë së Krishtit Jezus, që na përket me të drejtë.
Ktheju Biblës herë pas here, dhe do të dëgjosh zërin e Krishtit që të fton të rritesh në besim, të prodhosh frute, të bëhesh më produktiv në jetën , bindjen shërbesën dhe dëshminë e krishterë.
Pra do të ishte e nevojshme të identifikoje çfarë po të mban prapa.
A ka diçka që të pengon? Vini re se si e përshkruan Gjoni Llazarin. Ai tregon se diçka po e pengon që të ecë, të flasë dhe të lëvizë.
Gjoni e pohon qartë se duart e këmbët i ka të mbështjella me rripa pëlhure, po kështu edhe një copë rizë rreth fytyrës.
Pra është shumë e qartë se çfarë duhet bërë, dhe çfarë duhet çmbështjellë.
Dhe kur Pali i shkroi të krishterëve të Korintit, ai bëri të njëjtën gjë.
Ai e identifikoi shumë qartë problemin që duhej zgjidhur.
Ata e kishin ndërtuar jetën e tyre të krishterë me materiale shumë të dobëta, madje ai e identifikon jetën në komunitetin e tyre me fjalët: ju ziheni, keni ndasi brenda kishës, bëheni disa drejtues bashkë kundër një tjetri, keni gjithë llojet e xhelozisë, toleroni imoralitetin, dhe ngrini padi shumë lehtë ndaj njëri-tjetrit.
Po është shumë e qartë, se ku duhet treguar kujdes.
Po ti ç’mund të na thuash për këtë?
Çfarë po të pengon në ecjen tënde të krishterë që do të doje ta hiqje qafe? Cilat zakone mëkatare po e pengojnë rritjen tënde? Cilat qëndrime të gabuara po e vrasin gëzimin tënd?
Cilat janë ato marrëdhënie të thyera që po të shkatërrojnë? A ke ndonjë mëkat, apo zemërim të pa rrëfyer? Çfarë zakonesh jo të krishtera të kanë mbërthyer? Identifikoji këto dhe mundohu t’i shkulësh me rrënjë.
Më lejoni t’ju sugjeroj disa praktika personale që do t’ju ndihmojnë të mposhtni pengesat.
Lutu për drejtimin e Frymës së Shenjtë të Perëndisë. Fryma e Shenjtë është personi i tretë i Trinitetit të Shenjtë dhe Atij i është besuar rritja dhe zhvillimi i besimit tënd.
Ai dëshiron të të bëjë ty më shumë si Krishti. Ai kënaqet kur ti rritesh; Ai brengoset kur ti je vetëm “Gjysmë i shëruar.”
Dhe ky është lajmi i mirë, Ai është i gatshëm të japë kur kërkoni.
Dëgjoni Jezusin tek Luka 11:13: ” Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë.”
Ndaj mos hezito kërko. Ai ta ka bërë këtë ftesë. Kërkoji atij që të dërgojë Frymën, I cili do të japë një shërim dhe rritje më të mirë.
Po kështu praktiko disiplinat e jetës së krishterë. Janë disa zakone në jetën e krishterë që ne i quajmë: “disiplina”, që nëse tregojmë kujdesin e duhur, bëhen mjeti përmes të cilit Perëndia dhe Fryma e tij punon në zemrën tonë për tu rritur më shumë.
E kam fjalën për rrëfimin e vazhdueshëm të mëkateve tona, që të marrim faljen e Tij, e kam fjalën për leximin e shkrimeve që të ushqejmë zemrën tonë, e kam fjalën për përsiatjen mbi Fjalën e Tij, që Fryma e Tij t’i flasë frymës sonë,
E kam fjalën për kohën e lutjes, ku shprehim dashurinë tonë, adhurimin, ku i tregojmë nevojat tona dhe i kërkojmë Zotit të kujdeset për të tjerët.
Besimi rritet e ndërtohet mbi këto disiplina.
Po kështu, adhurimi i gjallë duhet të jetë pjesë e jetës suaj.
Nuk e kam fjalën vetëm për shkuarjen në kishë, si pjesë e rutinës së zakonshme, por e kam fjalën për shkuarjen në një kishë të themeluar në Fjalën, ku do të kemi mundësinë të takohemi me Perëndinë, ta adhurojmë me gjallëri, të përfshihemi në lutje, të kemi miqësi me të tjerët dhe mbi të gjitha të mësojmë e njëkohësisht të marrim formë prej predikimit besnik të Fjalës së Perëndisë.
Shpresoj që të jesh pjesë e një kishe si kjo, e cila do të ndihmojë të rritesh, po kështu të jesh besnik me pjesëmarrjen tënde.
Po kaq e rëndësishme është që mësosh të jesh shërbëtor.
Mësohu të shërbesh, të japësh nga vetja jote për njerëzit e tjerë, pa egoizëm dhe për të sjellë një ndryshim në jetën e tyre. Bota jonë na mëson të mendojmë për veten, të jetojmë për veten, të shqetësohemi kryesisht, për veten dhe për atë që kemi nevojë apo që dëshirojmë.
Kalo përmbi këtë prirje, mëso t’i duash të tjerët. Gjej persona që janë më pak fatlum se ty, dhe ndihmoji.
Sot në botë, ka me mijëra njerëz që presin me padurim që të marrin ndihmën e të tjerëve: ata janë të varfër, të papunë të vetmuar, të sëmurë, njerëz që vuajnë nga padrejtësia apo AIDS-i. Ata janë njerëz të moshuar, të paaftë, dhe kryesisht të harruar nga shoqëria.
Një këshillues i famshëm dikur ka thënë, se gjëja më e mirë që mund të bëjmë për shëndetin tonë të brendshëm, është të hapim derën e shtëpisë, e të ecim përgjatë rrugëve, dhe nëse shohim dikë në nevojë të gjejmë një mënyrë për ta ndihmuar në emër të Krishtit.
Nëse ne e praktikojmë këtë gjë për gjashtë muaj, atëherë pyetja që ngritëm në fillim të programit do të zhduket menjëherë!
Pas kësaj më lejo të të sugjeroj diçka tjetër, gjej një mentor të mirë. Ndoshta ti e quan atë një partner përgjegjësie.
Ky është një person që përkushtohet për rritjen tënde në Krishtin, dikush që takohet rregullisht me ty dhe flisni për jetën , dikush që të inkurajon që të rritesh në besim, dikush që do të pyesë se si i praktikon disiplinat e krishtera, i cili do të pyesë për shërbesën tënde të krishterë, (shkurt)
Dikush që do të jetë për ty shembulli dhe modeli i jetës së jetuar mirë dhe plotësisht në emër të Krishtit.
Ne në kulturën tonë laike, kemi kaq shumë mentorë dhe heronj që në të vërtetë nuk na bëjnë aspak mirë.
Ne i quajmë ata heronj, por ata jetojnë për vlera që kundërshtojnë drejtpërdrejtë besimin tonë të krishterë.
Largohuni prej tyre, dhe mbusheni jetën tuaj me mentorë, miq, partnerë përgjegjësie, të cilët do të vendosin modele të shëndetshme për ty dhe do të bëjnë të qëndrosh në përkushtimet e tua.
Përfundime
Pra shqetësimi që ti ngre është me vend. Asnjëri prej nesh nuk duhet të bëjë kompromise me një jetë që është e zymtë, e pafrymëzuar dhe mediokre. Krishti erdhi të vdiste për ne që jeta jonë të ishte e gjallë, e mbushur plot me fuqinë e Frymës së Shenjtë.
Kisha do të jetë ashtu siç është thirrur që të jetë në këtë botë, kur të mbushet me këta njerëz që treguam më lart.
Por pyetja që ti ngre “ pse nuk është më e gjallë jeta ime e krishterë?”, është pyetje me vend dhe buron nga zemra e Perëndisë.
Sot vendos të qëndrosh në shtegun e bindjes dhe disiplinës të cilat do të tregojnë se po e ndërton jetën tënde me materialet më cilësore që ekzistojnë, me ar, argjend dhe gurë të çmuar të bindjes së Krishterë.
Kërko disa miq të krishterë që do të ndihmojnë. Gjej një kishë që do të inkurajojë. Kërko vazhdimisht ndihmën e fuqisë së Frymës së Shenjtë. Dhe kalo përditë kohë me Fjalën e Frymëzuar të Perëndisë, e cila ushqen shpirtin tënd.