Ja ku jemi rikthyer sërish në programin tonë. Le të fillojmë pa humbur kohë. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Uinston Çërçill (Winston Churchill) doli para popullit britanik dhe u tha se nuk kishte aspak synim të sheqeroste të ardhmen e tyre. Ai u tha se e vetmja gjë që mund të premtonte ishte gjaku, djersa dhe, lotët. Çërçilli refuzoi që të tallej me popullin e tij.
Po kështu edhe Jezusi refuzon që të tallet me ne. Sigurisht që Ai do të thoshte: të jesh dishepulli im është gjëja më e bukur në botë. Kjo do të çojë drejt diçkaje shumë më të madhe se vetë lumturia sepse do të sjellë gëzimin, po, vetë gëzimin e Perëndisë. Por ndërkohë Jezusi na fton të llogarisim koston e dishepullizimit. “Në këtë botë do të keni shqetësime.”
Dishepujt e Krishtit mbajnë barrët e të krishterëve të tjerë për dëshminë e besimit. Ndonjëherë dishepujt e Krishtit paguajnë koston duke luftuar në lutje për të fituar shpirtrat e tyre. Gjithë këtë shqetësim mund ta kishim shmangur nëse nuk do t’i ishim futur kësaj rruge, pra të besonim në Jezusin.
Ndoshta tani po thua. Pastor po këto fjalë ke zgjedhur si inkurajim për Vitin e Ri?! Çfarë kuptimi ka t’i urojmë njerëzve Gëzuar Vitin e Ri, pas kësaj që na the?! Por le të shqyrtojmë faktin e dytë që Jezusi pohon në këtë pjesë. Krishti vazhdon duke thënë: “Unë e kam mundur botën.
Më duhet ta pranoj se ky është pohim i guximshëm, për më tepër i thënë nga një person që vetëm pak orë e ndajnë nga kryqëzimi. Ky është një pohim vërtetë i guximshëm për dikë që do të përfundojë viktimë e ekzekutimit romak. Fjala mundje që Jezusi përdor këtu është marrë prej fushës së betejës. Kur Jezusi thotë se Ai e ka mundur botën, po deklaron se ai ka pushtuar dikë, ai ka triumfuar, ai është fitimtar mbi forcën më mizore të botës.
“Unë e munda,” thotë Jezusi.” Dhe nuk ka mundur veç disa gjëra të mërzitshme në jetën tënde, që të bezdisin ty. “Unë e mposhta BOTËN. Unë kam mposhtur çdo pushtet dhe mbretëri që kundërshton Perëndinë. Unë kam mposhtur çdo plan të të ligut, që kërcënon mbretërinë e Atit.” A e kupton madhështinë e këtij pohimi? Sa herë që bëhet fjalë për mposhtje në jetën tonë ne gjithmonë i referohemi gjërave të vogla. Ne themi se mposhtëm një zakon të keq, apo një pengesë në shkollë, a një sëmundje.
Por fitoret tona janë shumë të vogla krahasuar me fitoren që na ofron Jezusi. Sepse Jezusi thotë: “Unë e munda BOTËN.” Po ti si mendon, nëse Krishti do të donte të mposhtte botën, a do të ndiqte të njëjtën taktikë? Ai shumë mirë mund të kishte ngritur një ushtri për ta arritur këtë. Vetëm pak orë para vdekjes së tij, Jezusi vetë tha se mund të kishte thirrur dhjetë mijë divizione engjëjsh për të luftuar për kauzën e tij. Në vend që të dërgonte raketa prej qiellit ai mund të hidhte zjarr dhe squfur prej qiellit. Thuhet se do të ndodhë.
Por kur Krishti u bë gati për të mundur botën, la mënjanë mendësinë e përgjithshme të botës, me qëllim që të vinte në funksion urtësinë e Tij unike. Ai zgjodhi të mundte botën përmes diçkaje që shoqërisë së atëhershme garantonte humbjen e plotë. Ai zgjodhi që të mundte botën përmes vdekjes më tronditëse dhe më të tmerrshme, bëhet fjalë për vdekjen në kryq. Por me anë të marrëzisë së kryqit, Krishti, i hoqi maskën pushtetit të vdekjes. Ai vetë këputi prangat e ferrit. Krishti e mundi botën përmes dobësisë së Kalvarit, duke treguar kështu fuqinë dhe urtësinë e Perëndisë!
“Unë e kam mundur botën”, thotë Krishti. Dhe për shkak se Krishti e ka mundur ne nuk hyjmë në këtë vit të ri me një frikë paralizuese. Nuk ka asnjë arsye që ne të dridhemi nga frika, si shumë njerëz të tjerë.
Dhe ka një arsye për frikën. Mua më zë frika kur mendoj për njohurinë që kemi zbuluar dhe për faktin se kjo njohuri mund të përdoret për të bërë ligësi.
Por Jezusi ofron ilaçin shërues për frikën time dhe frikën tënde. Ai na nxit që të ekuilibrojmë frikën tonë me ngushëllimin. “Dëgjoni”, thotë Jezusi “unë i kam mundur gjërat që ti i ke frikë”. Kjo është arsyeja pse ky vit që po vjen mund të jetë i mbarë, i bekuar dhe i gëzueshëm. Kjo është arsyeja pse Jezusi kthehet te dishepujt dhe i ofron një ftesë. Kjo është arsyeja që ai mund të thotë thjesht: “Merrni zemër!”.
“Merrni zemër!” Ky urdhërim i thjeshtë ka brenda tij dy ftesa. Së pari një ftesë për të pasur guxim.
Dikush sot ka thënë se guximi është një virtyt që ka dalë nga moda. Fundja në ditët tonë nuk të hyn në punë, sepse sot mund të bësh luftë me anë të armëve luftarake që drejtohen drejt një populli që nuk i ke parë kurrë. Dhe nuk ke nevojë për guxim kur je i sëmurë, sepse tani ke mjaftueshëm ilaçe, për të shuar dhimbjen apo çdo formë vuajtje. Guximi është një virtyt që ka dalë nga moda.
Por unë nuk jam dakord me këtë. Kështu mendon edhe Aleksandër Solzhenitzeni (Alexander Solzhenitzen). Solzhenitzeni, disidenti i madh rus që kaloi shumë vite në burgjet komuniste, ka deklaruar se nevoja më e madhe në botë sot është për GUXIM. Dhe unë besoj se ai ka të drejtë.
Teksa hyjmë në këtë vit të ri, kemi shumë nevojë për guxim. Duhet guxim për të përmbushur përkushtimet që ke marrë. Duhet guxim për të pranuar fajet dhe dështimet.
Duhet guxim për të qenë i përgjegjshëm. Duhet guxim për të bërë atë që është e drejtë dhe jo atë që është e lehtë. Duhet guxim, për të shpallur të vërtetat e Krishtit në botë, kur gjithë të tjerët thonë se po paragjykon. Duhet guxim për të përballur një botë me vuajtje dhe për të mbajtur barrët e saj. Duhet guxim.
Gjëja e parë që Jezusi thotë këtu është merr zemër, ki guxim. Në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm do të përballemi me gjëra të vështira. Por Krishti thotë, merr zemër unë e kam mundur botën!
Merr zemër sepse asgjë nuk mund të të ndajë ty prej dashurisë së Perëndisë. Merr zemër sepse Zoti do të jetë me ty kudo që të shkosh dhe në gjithcka që do të bësh.
Merr zemër sepse sado e errët të jetë nata, ringjallja e Krishtit premton fitoren e plotë dhe përfundimtare mbi të ligun. Merr zemër.
Disave prej nesh do tu duhet guxim në këtë vit sepse do të kthehemi sërish në atë punën e lodhshme, ku të bie bretku. Ndërsa disa të tjerë kanë nevojë për guxim që të merren me fëmijët e tyre rebelë. Disave prej nesh do tu duhet guxim për të vepruar si duhet me një martesë që është bërë e vështirë dhe po shkatërrohet. Disave prej nesh do tu duhet guxim për tu marrë me sëmundjen që ka zgjatur shumë më tepër nga sa e kishim menduar. Disave prej nesh do tu duhet guxim për tu ndarë prej mëkatit.
Disave prej nesh do tu duhet guxim për të ndërprerë një marrëdhënie jashtë martese, apo të përballemi njëherë e përgjithmonë me varësinë tonë ndaj pornografisë.
Disave prej nesh do tu duhet guxim për të shkuar te dikush ndaj të cilit kemi mëkatuar dhe të themi: më fal në emër të Jezusit.
Ti do të kesh nevojë për guxim në këtë vit të ri. Grekët e përkufizuan guximin kështu: të bësh gjënë e duhur ndonëse ndien presion për të bërë të gabuarën. Krishti thotë: KI GUXIM. Sepse unë e munda botën.
Tani dua të ndalem tek diçka tjetër. Perëndia na fton jo vetëm që të kemi guxim, por edhe të gëzohemi. “Mbushuni me gëzim” thotë Krishti. Tani, vetëm nëse ke guxim mund të kesh gëzim. Kështu është, nuk bëhet ndryshe. Nëse zgjedh rrugën e shkurtër për të zgjidhur problemet, nëse e refuzon thirrjen “beso dhe bindu”, nuk ke për të përjetuar asnjëherë gëzimin e Perëndisë. Frikacakët zgjedhin diçka të lehtë në vend të gëzimit. Ata rrëmbejnë atë që unë do ta quaj: lumturia artificiale. Lumturinë që vjen nga gjërat, lumturinë që nuk të kënaq asnjëherë me të vërtetë.
Gëzimi është mrekullia që ndodh kur e fillojmë Vitin e Ri me sigurinë se prania e Perëndisë na shoqëron kudo dhe po kështu kur zbulojmë në jetën tonë paradoksin e ungjillit.
HYR NË KËTË VIT ME GËZIM!
Por pse themi gëzuar vitin e Ri, pse zgjedhim pikërisht gëzimin për urim? Gëzimi është diçka më e madhe dhe më fantastike se sa lumturia. Thuhet se gëzimi është flamuri që ngrihet mbi kështjellën e zemrës kur mbreti banon atje. Gëzimi është dhurata e Perëndisë për luftëtarët. Gëzimi është dhurata e Perëndisë për njerëzit e guximshëm. Në mes të vuajtjes ka fuqi. Në mes të frikës, forcë. Në mes të vuajtjes, paqe. Në mes të pasigurive, sigurinë e pranisë së qëndrueshme të Krishtit.
Nuk dua t’i shtoj asgjë më shumë këtyre fjalëve. Edhe një herë dua t’ju uroj gëzuar Vitin e Ri dhe, qoftë plot me surpriza të bukura për të gjithë ju.