Përtej ndriçimit të mendjes

Print

Titulli: Përtej ndriçimit të mendjes (pjesa 1)

Nuk është ASHTU siç MENDOHEJ!

Dua ta filloj me një pjesë interesante që kam shkëputur nga libri “Nuk është ashtu siç mendohej!” Në librin e tij, “Nuk është ashtu siç mendohej!”(Not the Way It’s Supposed to Be), Nill Platinga-Neal Plantinga shkëput diçka prej filmit, “Kanioni i Madh” (Grand Canyon). Një avokat, tenton të shmangë trafikun e rënduar duke marrë disa rrugë dytësore. Por rruga e tërthortë e çon atë në rrugë edhe më të errta dhe të shkretuara. Dhe aty arrin pika kulmore e filmit! Makina e tij ngec në një rrugë që kontrollohej nga disa grupe banditësh.

Teksa pret për një rimorkiator, pesë tipa të fortë, e rrethojnë makinën e tij dhe e kërcënojnë se do t’ia ndreqin samarin. Por rimorkiatori mbërrin në kohë dhe avokati i shpëton torturës duke ia mbathur. Ata tipat e fortë, nxihen nga inati sepse duhej vetëm pak që ta kapnin. Por shoferi i rimorkiatorit del nga makina dhe fillon një bisedë me drejtuesin e kësaj bande rrugaçësh, duke i bërë një analizë të shkurtër situatës, bisedë e cila shpalos të vërtetën filozofike me fjalë shumë të thjeshta, që edhe këta të rinj të mund ta kuptojnë.

“Hej djema,” i drejtohet ai, “Nuk ishte menduar që gjërat të shkonin kështu në botë. Ndoshta ju nuk e dini këtë, por gjërat nuk janë ashtu si duhet të ishin. Hej, unë duhej të bëja punën time, pa ju kërkuar lejë juve. Dhe ai avokati atje, duhet që të priste në makinën e vet i qetë, pa pasur frikën se do të sulmohej nga ju. Gjithcka duhej të ishte shumë ndryshe nga ç’është.” (Plantinga, Not the Way It’s Supposed to Be, p. 7)

Një këshillë goxha e mirë, do të thoshim, apo jo? Ndonjëherë kur hyj në internet për të parë lajmet e fundit, më çudisin shumica e gjërave që shoh atje. Ose më saktë, dua të them se ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhnin! Supozohej që gjërat të ishin ndryshe! Supozohej që njerëzit të ecnin nëpër rrugët e qytetit të sigurt dhe jo nën kërcënimin e vdekjes. Supozohej që pilotët të uleshin në pistë pa pasur frikën e sulmit terrorist. Supozohej që njerëzit të ishin në gjendje të blinin mallra në dyqan, pa pasur frikën se disa zyrtarë të korruptuar kanë marrë ryshfete për të pranuar disa mallra që nuk plotësojnë cilësinë e ushqimit. Por gjërat nuk janë kështu. Gjërat nuk janë ashtu si duhet të ishin!

Gjërat nuk janë ashtu si duhet të ishin as në nivelin personal. Në botë supozohet që burri dhe gruaja të jenë miqtë më të ngushtë, dhe jo armiqtë më të këqij.

Në botë gjërat duhet të funksiononin ndryshe: fëmijët duhet t’i respektonin prindërit, ndërsa prindërit ta meritonin respektin.

Në botë gjërat duhet të funksionin ndryshe, çdo fëmijë që lind duhet të ndiente gëzimin dhe dashurinë e familjes.

Por në fakt gjërat nuk janë kështu. Diçka nuk ka funksionuar mirë. Por çfarë shkoi keq? Dhe çfarë mund të bëhet për ta korrigjuar atë?

TRE PYETJE

ÇAK  KOLSON (Chuck Colson), në librin e tij, “Si do të jetojmë tani?” (How Now Shall We Live?) na tregon se çdo vështrim gjithëpërfshirës i jetës duhet të prekë këto tre pyetje. Ato janë:

Kush jemi ne?

Çfarë shkoi keq në këtë botë?

Çfarë duhet bërë për ta ndrequr?

Këto tre pyetje janë çështjet kryesore që duhet t’i përgjigjet çdo sistem religjioz. Në fakt, nëse dëshiron të vesh në provë besimin tënd, duhet t’i përgjigjesh sinqerisht dhe me mençuri këtyre tri pyetjeve.

Gjatë këtyre ditëve kemi folur në  programin tonë Fjalët e Shpresës, rreth lëvizjes Epoka e Re. Dhe sot do të doja të vazhdoja këndvështrimin tonë për lëvizjen Epoka e Re duke i bërë të njëjtat pyetje për këtë lëvizje.

Ju e dini se lëvizja Epoka e Re, është një lëvizje shumë ndryshe. Nëse i pyet anëtarët e lëvizjes Epoka e Re për besimin e tyre, përgatitu për një diskutim të ashpër. Por ka disa kërcënime të përbashkëta që i mbajnë të lidhur anëtarët e lëvizjes Epoka e Re. Fakti është se, anëtarët e lëvizjes Epoka e re, kanë të njëjtat përgjigje, për pyetjet që ngriti Kolsoni.

KUSH JEMI NE?

Pyetjes “Kush jemi ne?” Epoka e Re i përgjigjet duke thënë se ne jemi perëndi dhe perëndesha në krijim e sipër.

Ne marrim pjesë në detin e gjerë e të qenit hyjni, sikurse e përkufizon Epoka e Re.

Kjo duket goxha mbresëlënëse! Të mëson shumë rreth panteizmit të Epokës së Re, se, gjithçka dhe çdo gjë që ekziston merr pjesë në natyrën hyjnore. Dhe kjo do të thotë se nuk ka asgjë unike rreth njerëzimit.

Besimi i krishterë ofron një identitet ndryshe. Kjo thuhet pikërisht në kapitujt e parë, të librit të Zanafillës. Atje, na thuhet se ne nuk jemi perëndi, por njerëz që mbartin ngjashmërinë e Perëndisë.

Si njerëz që reflektojnë aftësinë intelektuale dhe morale të Perëndisë, jemi thirrur të jemi kujdestarë të krijimit të Perëndisë. Sipas Zanafillës 2, ne jemi thirrur të ‘ popullojmë botën dhe ta nënshtrojmë atë’.

Ne jemi kujdestarë, jemi thirrur për të zbuluar mundësitë dhe potencialet fantastike të botës që na rrethon.

TANI, PYETJA E RRADHËS
Zoti na ka thënë që të jemi kujdestarë, por ne nuk e bëjmë shumë mirë këtë detyrë, apo jo? Dhe kjo na çon te pyetja e dytë: “çfarë shkoi keq në këtë botë?” Ose le të themi ndryshe: PSE nuk janë gjërat ashtu si duhet të ishin?”

Sipas lëvizjes Epoka e Re, ne të gjithë jemi hyjni. Por ja se çfarë thotë njëri prej tyre: “Po, anëtarët e lëvizjes Epoka e Re, mund të thonë se unë jam një Perëndi, por unë nuk NDIHEM si perëndi. Unë u zgjova këtë mëngjes me dhimbje koke. Më pas shkova në garazh dhe makina nuk ndizej. Më vonë në punë, ra telefoni dhe një prej fëmijëve të mi më tha se ishte me grip. A mund të shkoj ta marr atë nga shkolla?”

Pas këtyre gjërave mund të thuash: “A e frymëzojnë këto përvoja ndjenjën time të plotfuqishmërisë! Unë nuk ndihem shumë i gjithëdijshëm. Unë nuk ndihem shumë i fuqishëm! Mendimet e hyjnisë nuk rrahin mendjen time nga mëngjesi në darkë.”

Sigurisht që jo. Dhe nëse ti do ti kundërshtoje anëtarët e lëvizjes Epoka e Re, ata do të përgjigjeshin: “Pikërisht ky është problemi! Këtu qëndron gabimi!

Problemi yt është amnezia, ose harresa shpirtërore. Ti ke harruar se kush je! Ti nuk e jeton jetën si hyjni.

Për këtë arsye të duhet ndriçimi i mendjes! Në këtë pikë të vjen në ndihmë pyetja e tretë: çfarë duhet bërë për të ndrequr gjërat?

Le të ndalemi pak tek ndriçimi i mendjes! Ndriçimi i mendjes përfaqëson shpëtimin për lëvizjen Epoka e Re. Një mënyrë e re për të njohur përvojën e re të përsiatjes transhendentale dhe ndriçimit të mendjes! -Ky është shpëtimi pas të cilit kapet lëvizja Epoka e Re! Është momenti kur ti zbulon se je një me universin! Sikurse e ka thënë Ken Uilbur (Ken Wilbur), një zëdhënës i lëvizjes Epoka e Re: “Ti nuk e sheh qiellin, qielli je ti. Ti nuk i dëgjon zogjtë që këndojnë, zogjtë që këndojnë je ti. Ti nuk e ndien tokën, toka je ti … “

Ky është shpëtimi, sipas stilit të lëvizjes Epoka e Re. Është momenti i ndriçimit kur ti përzien në gjithçka hyjnoren, me botën dhe përvojën.

Kjo ndodh pas amnezisë shpirtërore, ti zbulon identitetin e vërtetë.

ARRITJA E NDRICIMIT Të MENDJES
Si e arrin ti këtë ndriçim të mendjes? Këtu mblidhen të gjitha praktikat e lëvizjes Epoka e Re. Por ka një praktikë shumë të zakonshme që del në krye të gjithë praktikave të tjera të lëvizjes Epoka e Re.

Kjo quhet përsiatja transhendentale.

Ndoshta ti vetë je person që përsiat. Nëse po, për disa çaste dua të di mënyrën si përsiat ti, dhe çfarë synon me këtë përsiatje.

Përsiatja nuk është diçka e keqe. Edhe të krishterët përsiatin rreth Perëndisë. Por për këtë do të flasim pas pak.

Tani dua të ndalem te përsiatja që ka synim përjetimin e ndriçimit të mendjes. Përsiatja e lëvizjes Epoka e Re, synon që të shkrijë ndjenjat rreth vetes me ato të universit. Elizabet Lesër, në një prej librave të saj shkruan kështu për meditimin e lëvizjes Epoka e Re: ” përvoja përsiatëse na çon në mbretëri më të thella, ku gjuha , madje edhe mendimet e humbasin fuqinë e tyre. ” (p. 90) Në, përsiatjen transhendentale, qëllimi është të qetësohemi dhe të lejojmë mendjen të zbrazet prej çdo lloj mendimi racional.

Lesër na inkurajon të mos identifikohemi me mendimet tona. Këtë e shpreh me fjalët: “T’i shohim mendimet sikurse do ta vrojtonim motin nga kulla e vrojtimit.” Kjo provon qasjen e një praktikuesi të lëvizjes Epoka e Re, i cili tregon se kur  vjen një mendim në mendje, ne thjesht e cilësojmë atë ‘mendim’ dhe e lemë të largohet. ” Thjesht etiketoje  mendimin tënd,  si ‘mendim,’ dhe vazhdo jetën.” Cila është arsyeja që Elizabet Lesër dhe të tjerë mendimtarë të lëvizjes Epoka e Re, na ftojnë që të zbrazim mendimet e ndërgjegjes prej mendjes sonë? Sepse të menduarit thotë një anëtar i Lëvizjes Epoka e Re, të pengon që të zbresësh poshtë nivelit të ndërgjegjes. Te ai nivel ku ti përjeton të qenurit një me hyjninë!