Siç e dëgjuam edhe më lart, Pali u përball me Pjetrin për katër arsye. Arsyeja e parë ishte se Pjetri po refuzonte johebrenjtë që Perëndia i kishte mirëpritur. Kjo ishte shkatërruese për besimtarët e rinj. Ata kishin besuar se Jezusi vdiq për ta, ndërsa Pjetri po refuzonte që të hante me ta. Fryma e Perëndisë kishte ardhur të jetonte me ta, ose të paktën kështu mendonin ata. Po çfarë mund të mendonin ata kur pastori kryesor i kishës dhe përfaqësuesi i Zotit nuk donte të qëndronte me ta? Kjo gjë duhet t’i ketë turbulluar dhe stresuar shumë ata! Kështu Pali, për hir të johebrenjëve e kundërshton Pjetrin.
Arsyeja e dytë pse Pali e kundërshtoi Pjetrin ishte se ky po lëndonte edhe bashkëkombësit e tjerë judenj. Duke vepruar sikur rregullat dhe ligjet kishim më shumë rëndësi se besimi te Krishti, Pjetri po korruptonte shumë judenj, po kështu edhe një misionar të mrekullueshëm si Barnaba. Dhe kështu Pali, që ishte vetë jude iu desh të kundërshtonte Pjetrin se po drejtonte në mënyrën e gabuar judenjtë e tjerë.
Arsyeja e tretë e Palit ishte se Pjetri vetë po lëndohej. Pjetri po shkelte identitetin e tij si një njeri që nuk mbështetej më në përmbushjen e ligjit jude por varej plotësisht te Krishti i kryqëzuar dhe i ringjallur për të ndrequr marrëdhënien me Perëndinë. Pjetri po tregohej hipokrit, dhe hipokrizia që nuk ndryshon e shkatërron shpirtin. Ndaj Pali po e kundërshtonte Pjetrin për të mirën e vet.
Arsyeja e katërt dhe më e rëndësishmja pse Pali e kundërshtoi Pjetrin ishte se donte të nderonte Zotin Jezus. Nëse rregullat e vjetra mund t’i shpëtonin njerëzit, atëherë pse duhej të vdiste Jezusi? Nëse mund të bëheshim të drejtë para Perëndisë me përpjekjet tona, atëherë përse e derdhi Jezusi gjakun e Tij të çmuar? Pali shpalli të vërtetën se: “A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit!”. (Galatasve 2:21) Kurrë mos qoftë kështu. Pali e kundërshtoi Pjetrin për hir të Krishtit dhe lavdisë së Perëndisë.
Pra nuk ishte ligësia apo dëshira për të luftuar që e shtyu Palin të mbante qëndrimin e tij. Ai e bëri për hir të johebrenjëve, për hir të judenjve, për hir të Pjetrit dhe për hir të vetë Zotit Jezus. Nuk ka rëndësi sesa i famshëm ishte Pjetri, ai e kishte gabim. Ai duhej dënuar për këtë dhe Palit i duhej të përballej më parë me të.
Parimet themelore
Te përballja e Palit me Pjetrit ne shohim disa parime themelore që aplikohen në çdo kohë. Një parim është se autoriteti më i lartë për besimin dhe jetën është mesazhi i ungjillit, nuk është njeriu, cilido qoftë ai. Nuk ka rëndësi se çfarë thonë apo bëjnë drejtues si Barnaba, Pjetri a të tjerët, e vërteta është e vërtetë. Sikurse e thotë edhe Pali: “ata nuk po vepronin në një linjë me të vërtetën e ungjillit” dhe kjo do të thotë se ata po vepronin gabim. Luteri dhe drejtuesit e tjerë të Reformacionit nënvizuan të njëjtin parim duke iu referuar vetëm Shkrimeve, në vend që t’i referoheshin autoritetit të papës apo drejtuesve të kishës, si autoriteti më i lartë. Fjala e Perëndisë është e pagabueshme, njerëzit nuk janë të pagabueshëm.
Ende sot ka njerëz të cilët mendojnë se papa, predikuesi apo patriarku i tyre është i përsosur, por e kanë gabim. Ne duhet ta shohim Biblën si autoritetin më të lartë. Por njëkohësisht mos harroni se ka shumë mënyra për ta shpërfillur Biblën me qëllim që të ndjekim autoritetin njerëzor. Një mënyrë është theksimi i tepruar i autoritetit të drejtuesit të kishës; një mënyrë tjetër pak më e zakontë këto ditë është theksimi i tepruar i autoritetit të studiuesve laikë.
Për shumë njerëz, shprehjet: “Studimet kanë provuar se…” apo “Studiuesit kanë zbuluar…” apo “Sondazhet tregojnë…”, janë bërë si ungjill për njerëzit. Nëse këto pohime kundërshtojnë Biblën atëherë ata e marrin si të mirëqenë se Bibla e ka gabim.
Por në thelb ky është i njëjti gabim që njeriu ka bërë gjithmonë: ka vendosur autoritetin njerëzor mbi autoritetin e Perëndisë. Nëse Pjetri u gabua dhe shkoi aq larg, kushedi sa larg mund të shkojnë studiuesit dhe kërkuesit që nuk e njohin Krishtin. Pra lejo mesazhin e ungjillit që përshkruhet në Shkrime, të jetë autoriteti yt më i lartë.
Një tjetër parim themelor, që Pali i kujtoi Pjetrit, është se një qëndrim i drejtë me Perëndinë, varet në hirin e Perëndisë, dhe na ofrohet falas vetëm me anë të besimit në Krishtin, në mënyrë që vetëm Perëndia ta marrë lavdinë.
Shpëtimi nuk është hiri i Perëndisë plus disa ligje dhe rituale. Jo! shpëtimi mbështetet vetëm në hirin e Perëndisë. Pra nuk është vetëm besim plus disa vepra të mira. Shpëtimi mbështetet vetëm te besimi. Shpëtimi nuk varet pjesërisht nga ato që bëj unë dhe, pjesërisht nga ato që bën Krishti. Jo shpëtimi mbështetet vetëm te Krishti. Dhe kështu Perëndia nuk merr vetëm një pjesë të lavdisë, por gjithë lavdia i shkon Perëndisë.
Pali e kujtoi Pjetrin: ” duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin…” (Galatasve 2:16) Pali e qartësoi këtë gjë edhe më vonë kur po i fliste kishës së Romës. “ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.” (Romakëve 4:5) Ky parim i shfajësimit vetëm me anë të besimit, ishte thelbësor për Luterin dhe Reformuesit e tjerë. Në të vërtetë, Luteri e quajti hirin si të vetmen gjë mbi të cilën kisha qëndron ose bie.
Mund të duket se një këndvështrim i tillë, i bën njerëzit akoma më të këqij. Në rast se shpëtimi nuk do të bazohej te veprat e mira, ose të paktën pjesërisht, a nuk do të bëhesha unë më i keq se ç’kam qenë? Ky ishte kundërshtimi me të cilin u përballën Luterin, reformatorët e tjerë dhe vetë Pali.
Në fakt nëse je predikues dhe njerëzit nuk e ngrenë asnjëherë këtë kundërshtim, ndoshta nuk je duke predikuar ungjillin. Ungjilli biblik i shpëtimit që konsiderohet si një dhuratë falas, e fituar në vendin tonë prej Krishtit dhe që merret vetëm përmes besimit, ngre dukshëm kundërshtime prej disa njerëzve.
Ndërsa atyre që pyesnin: “A e nxit rënien në mëkat mësimi i Jezusit se ne mëkatarët jemi shfajësuar me anë të Krishtit? Pali u përgjigj: “Absolutisht jo”. Jezusi vdiq që të paguante dënimin për mëkatet tona dhe për të na sjellë falje, por nëse ti mendon se duke qenë se Perëndia është i hirshëm mund të mëkatojmë pa problem, atëherë mendoje edhe një herë mirë këtë. Fundja fare Pali thotë se Krishti nuk vdiq vetëm për mua; unë vdiqa bashkë me të, pra natyra ime mëkatare u përball me vdekjen atje në kryq.
Jo vetëm kaq, shton Pali, por Krishti që vdiq për mua dhe jeton në mua, e transformon jetën time me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.
“Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë por Krishti rron në mua dhe këtë jetë që jetoj tani e jetoj me anë të besimit të atij që më deshi dhe dha jetën e tij për mua.” Raporti i drejtë me Perëndinë mbështet vetëm te besimi në Krishtin dhe jeta e përditshme mbështet plotësisht te Krishti që është brenda nesh dhe jo te fuqia jonë.
Pali qëndroi para Pjetrit dhe të tjerëve dhe u kujtoi atyre këto gjëra, dhe ata e dinin se ai kishte të drejtë. Ata e dinin mirë se ky ishte ungjilli që u kishte mësuar Jezusi. Ata kishin devijuar prej së vërtetës dhe ishin mirënjohës që u kthyen sërish te e vërteta e ungjillit, e cila i bashkonte ata me Perëndinë dhe me popullin e Perëndisë kudo nëpër botë.
Ky ungjill vazhdon sot të bashkojë ty me Perëndinë dhe me popullin e tij. Ky është ungjilli i Biblës, ungjilli i Jezusit, ungjilli i apostujve dhe reformatorëve, i vetmi ungjill i vërtetë që ekziston. Besoje atë dhe gëzohu në të.