Tema sot është vërtetë e bukur. A i ke zili barinjtë e Bethlehemit? Unë i kam ndonjëherë. Krishtlindja e tyre ishte më emocionuese se e imja. Kur shkoj në kishë për të festuar Krishtlindjen, zakonisht që para se të shkoj atje, e di se çfarë ka për të ndodhur. Unë di shumicën e këngëve që do të këndohen. E di që mesazhi do të jetë për foshnjën Jezus, i shoqëruar me kastën e zakonshme të aktorëve: Marinë dhe Jozefin, barinjtë apo dijetarët, ndoshta edhe disa engjëj. Të gjitha këto i kam ditur më parë.
Disa kisha duket sikur e kanë kuptuar që Krishtlindja është bërë tepër e parashikueshme, kështu që mundohen t’i gjallërojnë pak gjërat. Ata mund të bëjnë një korr në formën e një piramide dhe ta quajnë atë: pema e krishtlindjes që këndon, ose mund të ketë aktorë të veshur me kostume barinjsh apo aktorë me krahë engjëjsh. Një kishë që ka buxhet të madh për Krishtlindjen, mund të ketë dele apo deve të gjalla që ecin përqark, duke lënë në skenë pleh të vërtetë kafshësh. Por le të përballemi me të: nuk ka rëndësi se sa mirë është organizuar shfaqja, nuk ka rëndësi se çfarë marifetesh janë përdorur, kjo nuk mund të krahasohet me një vizitë prej engjëjve të vërtetë.
Përveç festimit të Krishtlindjes në kishë, në këtë kohë kemi edhe bërjen e pazareve, festat zyrtare, darkat familjare, këmbimet e dhuratave, e kështu me radhë. E gjithë kjo është pjesë e festimit. Shpesh këto festa janë të ëmbla, ndonjëherë plot tension, por shpesh nuk na habisin as nuk na ndryshojnë gjërat e jetës. Thjesht një Krishtlindje tjetër. Këngët janë të vjetra dhe të njohura. Atmosfera është plot nostalgji dhe ndjenja të bukura.
Krishtlindja zakonisht është aq e parashikueshme, siç është një gjeli deti i shijshëm që po piqet në furrë , që e dimë se do të ketë një shije të mirë. Fundja fare si çdo gjel tjetër që kemi provuar, por pasi të hahet dhe të tretet, s’kujton më asgjë.
Pasi shfaqjet madhështore mbarojnë, marrin fund edhe kënaqësitë. Kthehemi në realitet. Ti ke gjithë ato gjëra të zakonshme për të menduar: të kalosh provimet e të diplomohesh, të ruash punën në një ekonomi që ndryshon, të kapërcesh sfidat në marrëdhëniet e tua, të merresh me shqetësimet dhe brengat e mëdha. Je deri në fyt me probleme dhe, duket sikur Krishtlindja nuk po bën ndonjë ndryshim të madh për ty. Këtu fillojnë edhe pyetjet.
Krishtlindja është e ëmbël, por jeta është e hidhur. Krishtlindja është e njohur, ndërsa jeta sjell disa surpriza të pakëndshme. Krishtlindjen e kaluar ju kam treguar për Grinçin që vodhi Krishtlindjen. Ju kujtohet? Kam një pyetje: Si mendon, pse donte Grinçi të vidhte Krishtlindjen, kur ai kishte tashmë gjithë pjesën tjetër të vitit? Për shumë prej nesh, Krishtlindja është një festë shumë e bukur, një shkëputje e ëmbël prej realitetit, por kjo nuk ndihmon shumë për tu përballur me realitetin.
Ne duhet të fillojmë duke bërë pyetje më të thella. A ka Krishtlindja diçka më shumë veç festave tona të parashikueshme? Edhe sikur të shijojmë plotësisht Krishtlindjen, çfarë mund të themi për Krishterimin në vetvete? A është i vërtetë ai? A ishte me të vërtetë fëmija i Krishtlindjes, Perëndia i bërë mish, sikurse e pohon Bibla? Çfarë mund tu themi atyre që besojnë se Jezusi ishte veç një mësues i madh por që nuk jetoi gjatë? Çfarë mund tu themi atyre që thonë se Jezusi është njeri i mirë por i vdekur? Ndonëse Krishtlindja është e këndshme zakonisht, ka raste që ajo nuk na ndihmon në jetën tonë të përditshme. Nuk na ndihmon për t’i dhënë përgjigje dyshimeve dhe pyetjeve tona.
Kjo është koha kur unë i kam zili barinjtë.
Natën që lindi Jezusi, barinjtë pranë Bethlehemit panë dhe dëgjuan engjëjt. Ata u ndodhën para një shfaqjeje verbuese mbinatyrore. Drita qiellore, ua verboi sytë. Këngët e korit qiellor kumbonin në veshët e tyre. Por çfarë mund të themi për veten tonë sot?
Pse nuk ka engjëj për ne? Pse barinjtë panë një shfaqje mahnitëse prej engjëjve qiellorë, ndërsa ne kemi thjesht një tjetër Krishtlindje, asgjë tjetër veç këngëve, dritave, pemëve dhe shfaqjeve të parashikueshme? Nëse krishtlindja nuk është asgjë më shumë se një festë e bukur, pse Perëndia nuk e ndriçon qiellin edhe për ne? Pse të na lerë në errësirë, me gjithë pyetjet dhe shqetësimet tona? Sikur veç të shihnim atë çka panë barinjtë, sikur vetëm të dëgjonim atë çka dëgjuan barinjtë, do të ishte më e lehtë të emocionoheshim për Krishtlindjen.
Tek Luka 2, Bibla tregon për natën e parë të Krishtlindjes. Maria lindi foshnjën Jezus, të mbështjellë në rripa pëlhure, dhe e shtrinë në një grazhd, sepse nuk kishte vend për Të, në një shtëpi normale.
Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre. Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe. Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellë me pelena, të shtrirë në një grazhd”. Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”
Më pëlqen shumë kjo histori, por ndonjëherë i kam zili barinjtë. A nuk do të ishte bukur sikur edhe ne të kishim mundësinë të dëgjonim atë që ata dëgjuan? Po sikur engjëjt të vinin këtë Krishtlindje?
Për këtë do të flasim më shumë herën e ardhshme. Deri atëherë kalofshi sa më bukur.
