Reagimi ndaj engjëjve realë?
Përfytyro sikur Krishtlindja jonë e bukur dhe e parashikueshme të vizitohej prej engjëjve të vërtetë? Papritur çdo njeri në botë, nuk do t’i besojë syve prej asaj që do të shohë. Imagjino veshët e tyre që kumbojnë prej zërave që askush nuk i ka dëgjuar ndonjëherë. Është engjëlli i Krishtlindjes, që kthehet për të na treguar të njëjtën gjë që si dikur u tha barinjve. Tani përfytyro një kamerë televizive që kalon person më person, duke marrë reagime të ndryshme.
Kamera shfaq një çift, i cili e ka dashur Jezusin dhe e ka besuar atë për vite me radhë. Ata po shikojnë qiellin të frikësuar dhe të çuditur. Ata thjesht po prisnin një tjetër Krishtlindje; nuk prisnin asnjëherë diçka të tillë. Por tronditja shumë shpejt i lë vend buzëqeshjes së kënaqësisë teksa engjëjt thonë: ” Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin.” Këta ndjekës të Jezusit i kanë dëgjuar këto fjalë shpesh në shumë festa Krishtlindjeje, por kur këto fjalë dalin nga goja e një engjëlli të vërtetë, është njëlloj sikur e dëgjon atë mesazh për herë të parë. Lajmi i mirë! Gëzim i madh! Po vërtetë! E gjitha kjo është e vërtetë. Gjithçka është reale. Tani më në fund ata mund të shohin realisht diçka që i largon dyshimet dhe frikën e tyre, diçka që konfirmon besimin dhe i ndez zemrat e tyre.
Kamera më pas i afrohet një humanist. Ky person ka shpërfillur Perëndinë dhe e ka bërë njerëzimin masën e të gjitha gjërave. Si reagoi ai ndaj engjëllit? Ai çakërriti sytë nga habia. Ai kishte menduar gjithmonë se engjëjt nuk ekzistojnë, se gjërat e mbinatyrshme janë veçse supersticion. Kozmosi është gjithçka që ishte, është apo do të jetë ndonjëherë. Por tani një dritë shkëlqen prej përtej kozmosit, dhe atje nuk ka shpjegime shkencore për atë. Koka fillon t’i vijë vërdallë, dhe ai rrëzohet në gjendje të fikëti.
Kur vjen në vete, ai dëgjon engjëjt që thonë: “Një shpëtimtar ka lindur për ju.” Këto fjalë e godasin fort humanistin. “Një Shpëtimtar?” pyet veten ai. “Pse na duhet ai? Njerëzimi është mirë përgjithësisht. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar. Nëse ka ndonjë gjë që duhet shpëtuar, këtë e kemi në dorë ne vetë. Ne jemi të vetmit që mund ta shpëtojmë veten dhe planetin tonë,- të paktën kështu kam menduar gjithmonë. Por unë e kisha gabim. Po e kisha gabim! Gjithë ato gjëra me të cilat isha tallur janë të vërteta.”
Ndërkohë, engjëlli vazhdon të flasë: ” Një shpëtimtar ka lindur për ju. Ai është Mesia.” Në atë çast, kamera kalon te një grua judease. Ajo është e mahnitur. Mesia? Ajo ka dëgjuar nga tradita e lashtë judease se Mesia do të vinte, por e kishte pasur të vështirë, t’i merrte seriozisht fjalët për Mesian. Sigurisht që ajo nuk i kishte besuar pohimeve të krishtera se Jezusi është Mesia,
Krishti, i vajosuri, i premtuari për Izraelitët. Kjo nuk i jep të drejtë disave që e quajnë veten të krishterë, që të trajtojnë keq judenjtë. Si mund ta pranonte kjo grua judease Jezusin si Mesian e Izraelit?
Por engjëlli nuk lë vend për dyshime. Të gjitha pemët e Krishtlindjes dhe, skenat e grazhdit në botë, nuk mund ta bindnin atë për kuptimin e Krishtlindjes, por fjala “Mesia” në gojën e engjëllit do të mjaftonte për tia mbushur mendjen. Papritur ajo kupton se Jezusi përmbushi profecitë e lashta. Ajo kupton, se Mesia që shumë judenj kishin pritur, ishte lindur dy mijë vite më parë në një fshat të Bethlehemit.
Kamera zhvendoset tek një tjetër person. Ky person beson në një fe e cila mëson se Perëndia ekziston, dhe se Jezusi është Mesia në njëfarë mënyre, por nuk ka besuar asnjëherë se Jezusi është Perëndia vetë, i ardhur në mish. Kamera kap nga afër reagimin e këtij personi të veçantë, pikërisht në çastin kur engjëlli është thjesht duke thënë: “Për ju ka lindur një shpëtimtar. Ai është Mesia, Zoti.” Kur dëgjon fjalën”Zot”, ky person e tund kokën me habi. Në besimin e tij ai ka mësuar gjithmonë se Jezusi është i veçantë në një njëfarë mënyre, por si mund të jetë Zot?! Si mund të jetë Jezusi Zot? Ai titull i përket vetëm Zotit. Por këtë po thotë edhe engjëlli. Ndërsa engjëlli flet fjalën “Zot”, ata që dikur e refuzonin Jezusin si Zot, nuk mund ta bëjnë më këtë. E paimagjinueshmja është e vërtetë. Jezusi është Zot. Ai është Zot. Kjo nuk mund të mohohet.
Pasi engjëlli mbaron së foluri, kamera, lëviz tek ata që tashmë janë ndjekës të Jezusit. Fytyrat e tyre shkëlqejnë. Çfarë gëzimi! Ata pohonin gjithmonë se kjo ishte e vërtetë, dhe shpresonin gjithmonë që kjo të ishte e vërtetë, por asnjëherë nuk guxuan të mendonin se do të ishte kaq e vërtetë. Po të vinin engjëjt këtë Krishtlindje, e po të dëgjonim sot këngën e engjëjve sikurse barinjtë atë ditë, dyshimet dhe gabimet tona do të fshiheshin. Mërzia dhe parashikueshmëria do të zhdukeshin në shkëlqimin qiellor. Të paktën kështu më pëlqen mua ta imagjinoj atë skenë.
E çfarë pastaj?
Por le të shkojmë pak më tej me mendimet tona. Pamja e engjëllit duket se është aq goditëse sa që Perëndia e bën atë një ngjarje vjetore. Çdo Krishtlindje engjëlli shfaqet në shkëlqimin qiellor. Çdo vit Ai shpall se Jezusi është Shpëtimtari, Mesia, Zoti. Shumë shpejt asnjë nuk do të dyshojë për atë çka ndodhi në Bethlehem kohë më parë. Askush nuk e vë në dyshim se kush është Jezusi. Kështu që teksa vitet kalojnë askush nuk çuditet me shfaqjet e Krishtlindjes. Në ditët e zakonshme njerëzit ndjekin rutinën e tyre, por sa afron Krishtlindja, ata anulojnë çdo punë tjetër, që të jenë gati të presin vizitën e përvitshme të engjëjve.
Më pas, një Krishtlindje, teksa engjëlli bën njoftimin e tij të zakonshëm, një fëmijë bën një prej pyetjeve më të sikletshme, për të cilën njihen fëmijët. Ai pyet: ” E çfarë pastaj?” Në fillim të gjithë shtangen nga kjo pyetje. Më pas mësohen me të. E çfarë pastaj? Edhe sikur engjëjt të vinin, edhe sikur fjalët e tyre të ishin të vërteta, çfarë pastaj? Çfarë ndryshimi do të bënte kjo?
Një i krishterë beson fakte të caktuara për Jezusin, fakte që njerëzit e tjerë nuk i besojnë. A është kjo mosmarrëveshje e vetmja gjë që i bën të krishterët të dallojnë nga të tjerët? Nëse një engjëll do të hiqte dyshimet e të krishterëve dhe do të bindte jo të krishterët që Jezusi është me të vërtetë Perëndi, çfarë ndryshimi do të sillte kjo? Fundja fare do të ishte një Krishtlindje si gjithë të tjerat. Engjëlli mund të jetë më i ndritshëm se sa predikuesi ynë i zakonshëm; ai madje mund të na bindë për gjëra që përndryshe nuk do t’i besonim; por cili është ndryshimi pas Krishtlindjes?
Si mund ti përgjigjemi pyetjes “E çfarë do të ndodhte po të vinin engjëjt këtë Krishtlindje? Nëse nuk mund t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, Krishtlindja nuk do ndryshojë asgjë, edhe sikur engjëjt të vinin këtë Krishtlindje. Dhe pasi i përgjigjemi pyetjes, dhe jemi nw gjendje të themi se ardhja e Jezusit i ndryshon jetët tona, ne mund të zbulojmë se nuk kemi aspak nevojë që një engjëll të vijë të na vizitojë.
Por nëse nuk kemi nevojë për praninë e engjëjve, atëherë për praninë e kujt kemi nevojë, që jeta jonë të ndryshojë. Sigurisht që vetëm Zoti ka fuqi jetëdhënëse dhe jetëndryshuese. Por më shumë rreth kësaj do t’ju flas herën e ardhshme. Bashkë mirë u dëgjofshim