Po të vinin engjëjt këtë Krishtlindje (Krishtlindja)

Print

Titulli: Po të vinin engjëjt këtë Krishtlindje (pjesa 3)

Perëndia me ne

E dini çfarë, për sa kohë që do ta kemi mendjen tek engjëlli, për sa kohë që presim për një shfaqje mbinatyrore të fuqisë së Zotit, do të humbasim kuptimin e Krishtlindjes. Para së gjithash Krishtlindja nuk është për engjëjt në qiell; por për foshnjën e grazhdit. Nuk është për një Perëndi që na verbon me shkëlqimin e Tij; por është për Perëndinë Birin, që le mënjanë shkëlqimin e Tij për tu bërë një foshnjë e përulur.

Lajmi i madh i Krishtlindjes nuk është vetëm ai që thotë se ekziston një Perëndi i lavdishëm dhe i gjithëfuqishëm, shoqëruar gjithmonë prej engjëjve të ndritshëm. Kjo është e vërtetë sigurisht, por nevoja jonë më e madhe, nuk është thjesht të dimë se Perëndia ekziston diku, por që Ai është i pranishëm pikërisht këtu. Ne duhet të kuptojmë se Ai ka jetuar dhe ka ecur mes nesh, që i ka njohur brengat tona, e ka marrë tërë vuajtjet tona, që ka ndjerë tundimet ashtu si ne, që ishte si ne në çdo aspekt, me përjashtim të faktit që Ai nuk mëkatoi, dhe në fund të dimë se ai mund të na ndihmojë në dobësinë tonë.

Jezusi lindi mes gjakut dhe përpëlitjeve në një grazhd druri dhe vdiq mes gjakut dhe përpëlitjeve në një kryq druri.

Midis këtyre dy fazave të jetës së tij, ai u rrit në familjen e një zdrukthëtari të thjeshtë. Ai u bë mik i prostitutave të turpëruara, dhe po ashtu i mësuesve të respektueshëm. Ai u shoqërua si me peshkatarët e ulët, ashtu edhe me drejtuesit e sinagogave. Ai u tregoi dashuri vejushave të pashpresa, dhe oficerëve të fuqishëm ushtarakë. Ai e njihte urinë ashtu edhe bollëkun, gëzimin ashtu edhe pikëllimin.  Ai e njihte vetminë dhe tradhtinë, refuzimin dhe dhimbjen. Ai u bë si njëri prej nesh në çdo aspekt, ai i bëri të tijat situatat tona, dhe në fund ai mori mëkatet e një bote të thyer mbi shpatullat e tij dhe vuajti ferrin për hatrin tonë teksa u varr në kryq.

Kjo është arsyeja përse Krishtlindja ka rëndësi. Kjo është arsyeja përse Perëndia u bë si njëri prej nesh. Ai u zhyt në thellësitë e mjerimit tonë, dhe e lidhi veten me njerëzimin në çdo mënyrë. Më pas ai u ngrit dhe doli nga thellësitë, duke e ngritur njerëzimin së bashku me të në jetën e Perëndisë. Perëndia me anë të Jezusit i kupton njerëzit plotësisht. Kështu që Krishtlindja nuk është thjesht një kohë pushimi prej vështirësive tona; është një kohë për të festuar faktin që Perëndia vetë hyri në vështirësitë tona. Jezusi erdhi për të hyrë në mjerimin tonë, për të ecur me ne mes mjerimit, dhe në fund për të na nxjerrë prej tij.

Pra ti edhe unë nuk kemi nevojë të shkëputemi prej realitetit, dhe nuk na duhet një engjëll verbues për të na larguar dyshimet. Ne kemi nevojë që Perëndia të jetë me ne. Ne duhet të bindemi që Perëndia na deshi aq shumë sa që Ai u bë njeri, si ne. Ne kemi nevojë që ai të na bindë për mëkat, dhe të na ndihmojë të pranojmë shpëtimin që vetëm Perëndia/njeri, Jezus Krishti, mund të sigurojë.

Për sa kohë që ti nuk e pranon atë që Jezusi ka bërë për ty, për sa kohë që nuk e pranon faljen e Tij, dhe e mirëpret atë në zemrën tënde, ti do të zbulosh se është e vështirë të besosh se ky njeri është Perëndia me ne. Dhe sikur të mos e besosh këtë, nuk do të bëjë ndonjë ndryshim për ty. Ajo thjesht do të lerë me këtë pyetje në mendje: “E çfarë pastaj?”

Me pak fjalë, nuk kemi nevojë për engjëjt që të ndryshojmë mendim; por që Krishti të na ndryshojë zemrat. Ne kemi nevojë që Zoti ta pranojë mëkatin dhe gjendjen tonë të pashpresë, kemi nevojë për ndihmën e Tij që ta shohin Jezusin si të vetmin që mund të na shpëtojë . Ne kemi nevojë që Fryma e Zotit të ndihet rehat në zemrat tona. Atëherë Krishtlindja do të jetë një kohë plot me gëzim dhe festim, një kohë që na ndikon përgjatë gjithë vitit dhe përjetësisë.

Pasi kemi thënë gjithë këtë, më duhet të pranoj se ende ndodh ndonjëherë, që i kam zili barinjtë, dhe jam i sigurt që nuk jam i vetmi. Shumë prej nesh dëshirojnë që Perëndia të bënte diçka befasuese apo të mrekullueshme një herë në kaq kohë. Ç’mund të themi për këtë? Po ndonjëherë ndodh kështu. Perëndia na bekon me ngjarje që na mahnitin, na verbojnë dhe forcojnë besimin tonë. Ndoshta jo aq shpesh sa do të donim ne, por kjo ndodh për disa njerëz , ndonjëherë,  dhe nëse je bekuar në atë mënyrë, ti mund ta falënderosh Perëndinë për këtë gjë. Por pavarësisht nëse përjeton mrekulli të mëdha, mesazhi i Krishtlindjes mbetet i njëjti:mrekullia më e madhe e Perëndisë, ndodhi kur Biri i tij u bë njeri dhe jetoi mes nesh, dhe kur Fryma e Tij, hyn në zemrat tona dhe jeton brenda nesh.  Asnjë mrekulli tjetër nuk mund të krahasohet me  këtë.

Takimi me Jezusin

Nëse ende dëshiron një shfaqje të dukshme të fuqisë dhe lavdisë së Perëndisë , do të plotësohet  dëshira. Po afrohet dita kur do të shikosh gjithë lavdinë që mund të përballosh dhe më shumë se sa kaq. Jezusi do të vijë sërish, kësaj here, jo si një foshnjë e përulur, por si Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotëve. Lavdia e Perëndisë do të ndizet para Tij, dhe engjëjt e Tij do të jenë me Të.

Pamja e engjëjve me Krishtin mbi krye, do të jetë më verbuese se gjithçka tjetër që barinjtë panë Krishtlindjen e parë. Ti do të takohesh me Jezusin dhe  kjo do të jetë e mahnitshme. Mund të ketë kohë kur unë si i krishterë mund të mendoj: “Ah sikur engjëjt të vinin këtë Krishtlindje!” Por dëshira ime më e thellë, është që Jezusi vetë të vijë shpejt, qoftë për Krishtlindje, apo çdo ditë tjetër që Ai zgjedh. Unë nuk dëshiroj thjesht që t’i shtoj pak lavdi të mbinatyrshme kësaj bote; Unë dëshiroj që Jezusi të kthehet dhe të na sjellë një tokë të re. Ajo ditë po vjen dhe, për sa për mua, sa më shpejt të vijë aq më mirë.

Por unë e di që Jezusi ka një arsye pse nuk është kthyer ende. Shumë njerëz nuk janë gati ta takojnë atë, dhe Jezusi po i jep kohë që të pendohen dhe të jenë gati për ardhjen e Tij. Lavdia e fytyrës së Tij do të sjellë shumë gëzim për popullin e Tij, por ky do të jetë tmerri më i madh për të gjithë ata që nuk e njohën kurrë Atë.

Para se ta njohësh Jezusin si Zotin e lavdisë, ti duhet së pari t’i besosh foshnjës në grazhd, mikut të mëkatarëve, të refuzuarit  të kryqit. Ti duhet të pranosh mrekullinë e vetëpëruljes së Perëndisë, dhe beso që e ai e kaloi tërë këtë vetëm për ty. Besoji Jezusit si i vetmi që mund të të çlirojë ty prej mëkateve të tua, të shpëtojë ty prej ferrit, dhe të rregullojë raportin tënd me Perëndinë. Pranoni Frymën e Jezusit në zemrën tuaj. Pasi të kesh pranuar atë që Jezusi bëri për ty në ardhjen e Tij të parë, dhe pasi Fryma e Tij vjen në zemrën tonë, ti do të jesh gati të takosh Krishtin sërish në lavdi.

A ka vend në zemrën tënde për Jezusin? Nëse po, kjo Krishtlindje do të jetë ndryshe nga të tjerat. Ai do të ta ndryshojë jetën.

Kemi kuptuar që Perëndia nuk na jep gjithmonë ato përvojat mahnitëse që duam ne. Por Ai siguron për ne Shpëtimtarin e përulur , për të cilin kemi nevojë. Ai nuk na mahnit gjithmonë me shfaqje të jashtme të pushtetit sikurse bëri me barinjtë, por ai bën mrekulli të brendshme për të na prekur që të pendohemi dhe të besojmë në veprën shpëtuese të Jezusit. Ai jeton në zemrat tona përmes Frymës së Shenjtë, ai ec bashkë me ne, në gjithë gëzimet dhe mundimet tona. Kjo është madhështia e Krishtlindjes.

Pastaj veç kësaj dua të them se prej dymijë vitesh, Perëndia ka dërguar çdo Krishtlindje nga një engjëll. Në gjuhën origjinale, fjala engjëll do të thotë lajmëtar, dhe çdo vit Perëndia ka dërguar lajmëtarë për t’i treguar botës për lindjen e Shpëtimtarit dhe për të ftuar të gjithë njerëzit të besojnë tek Jezusi. Në fakt, ti je duke dëgjuar një prej lajmëtarëve të Perëndisë, pikërisht tani. Unë nuk jam një engjëll i qiellit, (hahahh) por si lajmëtari i Zotit të sjell të njëjtin Lajm të Mirë që engjëlli i solli barinjve. “Për ju një shpëtimtar ka lindur. Ai është Mesia. Ai është Zoti. Ky është i njëjti lajm që dëgjuan barinjtë, dhe pret nga ne të njëjtin reagim. Barinjtë  shkuan menjëherë tek Jezusi, dhe këtë duhet të bësh edhe ti: shko tek Jezusi. Ti mund ta bësh këtë pikërisht tani me anë të një lutjeje të thjeshtë. Si thua, sikur të fillosh sot këtë udhëtim drejt Jezusit.

Të ftoj të lutesh bashkë me mua.