Qysh prej ardhjes së Krishtit, asnjë etni politike, apo racore nuk ka ekskluzivitetin e veçantë për të pohuar se ka një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë. Realiteti i ri tregon se kisha është populli i ri i Perëndisë:
- Një komunitet shpirtëror por jo racor
- Një komunitet shumëkombësh dhe shumë etnik, universal
- Një komunitet i hapur për anëtarësi, pavarësisht se kush janë apo ku jetojnë, por thjesht bazua në faktin se baza e besimit të tyre është Jezus Krishti.
Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme; ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pa mëshiruar, por tani të mëshiruar. 1 Pjetri 2:9-10
Një popull i zgjedhur
Idetë e Pjetrit në këtë pasazh janë të rrënjosura thellë në shkrimet dhe identifikohen me besëlidhjen e popullit të Dhjatës së vjetër. Dëgjoni këtë pasazh nga ligji i përtërirë 7:6-8:
Me qenë se ti je një popull që je shenjtëruar tek Zoti, Perëndia yt; Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut. Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve;
por sepse Zoti ju do ..
Përgjigja e parë që japim ne si të krishterë kur na pyesin “se kush jemi” është: Ne jemi një popull i zgjedhur, pra i përkasim Perëndisë në një farë mënyre ndryshe nga të tjerët.
Edhe pse mund të duket sikur unë e kam zgjedhur atë, kur u ktheva në Krishtin, në njëfarë mënyre, më mbetet mua të zgjedh, por e vërteta më e madhe është se Perëndia më ka zgjedhur mua i pari.
Kjo e vërtetë i jep çdo të krishteri shpresë dhe forcë. Një qëllim më i lartë i mësimeve të Biblës për zgjedhjen e besimtarëve bazohet tek fakti se shpëtimi ynë vjen prej dashurisë së palëkundur të Perëndisë dhe jo prej besnikërisë sonë të lëkundshme ndaj Tij.
Perëndia nuk na zgjedh prej besimit që kemi, as prej moralit tonë të lartë, as prej aftësisë tonë për të bërë mirë. “Jo Perëndia nuk të zgjodhi sepse ishe një popull kaq i veçantë.” Këtë i kujton Mojsiu Izraelit. ” Zgjedhja e Perëndisë është një vepër e mirëfilltë favori. Perëndia zgjedh ata që nuk e meritojne thjesht sepse i do dhe ndaj dëshiron t’i bëjë njerëz të vecantë.
“Dikur nuk keni qenë një popull, por tani jeni populli i Perëndisë, dikur nuk kishit marrë mëshirë pro tani keni marrë mëshirën e Perëndisë.”
Pjetri na kujton gjithashtu se zgjedhja e Perëndisë ka lidhje të drejtpërdrejtë me zgjedhjen që Ai bëri për Krishtin.
Duke iu afruar Atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë, edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit. (vv. 4-5)
Pjetri thotë se kur ti vjen në Krishtin, gurin e gjallë edhe ne bëhemi gurë të gjallë dhe ngremë së bashku një shtëpi frymërore. Me fjalë të tjera, bëhemi një komunitet i ri njerëzish që janë shpenguar në Krishtin dhe së bashku përbëjmë trupin e Tij, kishën.
Një priftëri mbretërore
Pra Pjetri thotë “Ju jeni një popull i zgjedhur, një priftëri mbretërore”. Kjo pra është përgjigja e dytë që ne si të krishterë japim sa herë që na pyesin se kush jemi.
Në rast se na rritet mendja kur mendojmë këtë, Pjetri nuk harron të përmendë se jemi zgjedhur që të shërbejmë.
Mos mendo se je anëtar i një grupi të zgjedhurish të veçantë ku ofrohet një shërbim cilësor dhe ekskluziv vetëm për ty. Jo nuk është kështu. Zgjedhja sipas Biblës është se ti thirresh bij dhe bijë por në të njëjtën kohë je thirrur të shërbesh.
Në Dhjatën e Vjetër ishte përgjegjësia e Priftit të dilte para Zotit duke ofruar sakrifica për llogari të mëkateve të njerëzve, si edhe për të ofruar lutje për ta para Perëndisë.
Qysh prej vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit të gjithë besimtarët janë thirrur të jenë priftërinj. Ne sot nuk kemi nevojë për një ndërmjetës njerëzor që të na ndihmojë ti afrohemi Perëndisë. Nuk kemi nevojë për sakrifica të tjera veç asaj të Krishtit, pra gjakun dhe kryqin e tij. Ai është prifti më i lartë. Ai është ndërmjetësi mes njerëzimit dhe Perëndisë.
Pra nuk operojmë më si priftërinj për të shlyer fajet në ndonjë mënyrë, sepse e gjithë puna është kryer. Jo nuk funksionojmë më kështu. Pjetri thotë se jemi ” një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezus Krishtit.” (v. 5). Këto përfshijnë adhurimin dhe bindjen tonë, frytin e buzëve tona dhe gjithë veten tonë si një sakrificë e gjallë dhe mirënjohëse në përkushtim ndaj Perëndisë. (Rom. 12:1-2).
Një popull i shenjtë
“Ju do të jeni një mbretëri priftërinjsh dhe një kombi shenjtë,” i tha Perëndia Mojsiut në shkretëtirë. (Eksodi 19:6). ” Këtë i thotë edhe Pjetri kishës së shekullit të parë. Pra kemi këtu përgjigjen e tretë se kush është një i krishterë: nëse jemi një popull i zgjedhur dhe një priftëri e zgjedhur atëherë jemi edhe një popull i shenjtë.
Në Dhjatën e Vjetër ideja e të qenit i shenjtë do të thoshte të ishe i ndarë mënjanë për Perëndinë. Kjo ide objektive e shenjtërisë ka edhe anën subjektive. Qëllimi i Perëndisë është të na bëjë një popull të shenjtë brenda vetes dhe kjo do të thotë se bëhemi më të mirë dhe më shumë në ngjashmërinë e Jezusit.
Pra prioriteti në jetën tonë është, si jetojmë. A jetojmë si popull i zgjedhur, i shenjtë i dashur, i përulur si në fjalë ashtu edhe në vepra?
Një forcë misionare
Përse jemi një popull i zgjedhur dhe një kombi shenjtë? Arsyeja është se Perëndia dëshiron që të shpallim: “që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.” Pra një arsye përse Perëndia na ka shpëtuar është që të tregojmë se çfarë ka bërë ai për ne.
Pyetja është, kujt duhet t’ia shpallim këto gjëra? Perëndisë?
Sigurisht që kjo do të përbënte adhurimin tonë për Perëndinë. Kur ne kuptojmë se cilët jemi dhe se çfarë ka bërë Perëndia për ne atëherë me siguri që do të mbushim qiellin me lavdërime për Perëndinë duke e falenderuar vazhdimisht për veprat e fuqishme që ka bërë për ne, duke shpallur dashurinë për Shpëtimtarin tonë të madh.
Ndoshta janë njerëzit audienca që synojmë? A duhet tu shpallim atyre Lajmin e Mirë të shpëtimit? Ne nuk jemi vetëm një popull i zgjedhur, një priftëri mbretërore dhe një komb i shenjtë. Ne jemi edhe një forcë ungjillëzuese. Privilegji që kemi, t’i përkasim Perëndisë balancohet prej përgjegjësisë që tu tregojmë të tjerëve për shpëtimin që ofron Jezusi, duke i ftuar të dalin prej errësirës në dritën e Tij të mrekullueshme.
E mira e kësaj është se nuk na duhet të zgjedhim. Si racë e zgjedhur , priftëri mbretërore dhe komb i shenjtë” mund t’i ofrojmë Perëndisë vetëm adhurimin që Ai meriton. Për hatër të Perëndisë mund t’i ofrojmë botës mesazhin që aq shume ka nevojë ta dëgjojë. Adhurimi është primar, misioni është sekondar por janë dy qëllimet përse Perëndia na ka shpëtuar dhe na ka bërë të Tijtë. Pra le ta bëjmë këtë!