Predikimi më i ashpër në histori

Print

Titulli: Predikimi më i ashpër në histori (pjesa 2)

Rreziku që përballemi sot është: Në rast se njerëzit nuk e pëlqejnë mesazhin e Biblës, jepu atyre diçka tjetër që e pëlqejnë. Bëj gjithçka që mundesh për të fituar njerëzit.

Ndoshta ky lloj afrimi ndaj tyre mund të sjellë shumë njerëz në besimin tuaj, por nuk do t’i afrojmë aspak me mbretërinë e Perëndisë. Çdo besim apo kult mund të kthejë njerëz në besimin e vet. Por në cilin besim po i konvertoni ata? Jezusi thotë se nuk është mirë t’i kthesh njerëzit në besim në rast se po i drejton ata drejt ferrit.

Duhet shumë më tepër se sa zell për të konvertuar të tjerët në besimin e vërtetë. Duhet një keqardhje e sinqertë për mëkatin, një besim i gjallë në mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë, një përkushtim ndaj Jezus Krishtit dhe një besim i patundur në Fjalën e Perëndisë, Biblën. Çdo gjë tjetër veç këtyre, i çon njerëzit drejt ferrit dhe sa më shumë njerëz të përfshijë kjo gjë aq më keq është.

Udhërrëfyes të verbër

Jezusi më pas ngriti padinë e tij të tretë:

Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: “Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s’është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar”.

17  Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?

18  Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s’është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar”.

19  Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?

20  Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!

21  Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.

22  Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.

“Të verbër, të verbër, të verbër”! Tri herë Jezusi i quan këta njerëz të verbër. Kjo është shenjë e verbërisë shpirtërore kur njerëzit kërkojnë shtigje në ligjin e Perëndisë, kur ata përdorin teknika qesharake për tu shfajësuar për gënjeshtrat dhe premtimet e shkelura.

Kur ti je pjesë e një besimi të projektuar për njerëzit e mirë dhe jo për mëkatarët, do e gjesh veten duke kërkuar shumë shtigje shfajësimi. Ti nuk e përballon dot pranimin e gabimeve të tua e të kërkosh falje. Ti duhet të tregosh se nuk ka asgjë të keqe në atë që bëre. Ti përfundon duke luajtur një lojë ashtu si ai fëmija që thotë gënjeshtra dhe më pas thotë se realisht nuk po thoshte gënjeshtra sepse i kishte gishtat e kryqëzuar kur i tha ato.

Farisenjtë po u thoshin njerëzve: “Në rast se bëni premtime dhe betoheni në emër të tempullit, Perëndia nuk e ka problem nëse nuk e mbani premtimin.

Por në rast se zotoheni mbi arin e tempullit, atëherë premtimi yt është detyrues, sepse Perëndia ngulmon që ti ta mbash premtimin.”

Gjepura,thotë Jezusi. Premtimi është premtim. Gënjeshtra është gënjeshtër. Udhërrëfyesit e verbër mund të shpikin pritshmëri dhe shfajësime nga më të ndryshmet, por Perëndia shikon edhe këto lojëra idiote.

Shfajësimet dhe gënjeshtrat tona nuk do të parandalojnë Perëndinë e së vërtetës që të na kërkojë neve llogari.

Zmadhimi i gjërave të vogla

Akuza e katërt e Jezusit është po aq shkatërruese. Ai akuzon elitën fetare për zmadhimin e gjërave të vogla dhe zvogëlimin e gjërave të mëdha:

Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mendrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.

24  Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!

Këta njerëz besonin tek e dhjeta, praktika e dhënies së dhjetë përqindëshit të të ardhurave të tyre para Perëndisë. Ata ishin kaq të saktë në llogaritjen e saj deri në qindarka. Ata madje ishin të sigurt që të dhuronin edhe një të dhjetën e çdo erëze që merrnin. Ndërkohë ata nuk dinin më të rëndësishmen: drejtësinë dhe të shtypurit, mëshirën për të rrëzuarit dhe të jashtmit, apo besnikërinë ndaj atyre që po mbështeteshin tek ata.

Njerëzit fetarë ndonjëherë bëhen kaq të fiksuar për t’i parë gjërat me detaje, sa që harrojnë gjërat e rëndësishme. Deri tani më, miliona njerëz nuk e njohin Krishtin ende, qytetet janë të mbuluara prej dhimbjes dhe varfërisë. Sëmundja e AIDS-it po vret miliona fëmijë, fëmijët po abortohen dhe abuzohen. Dhe çfarë bëjnë njerëzit fetarë ndërkohë? Ne shumë shpesh merremi me gjëra të parëndësishme. Ne duam të sigurohemi se po zbatojmë si duhet të gjitha ritualet dhe rregullat.

Madje edhe atëherë kur arrijmë të bëjmë gjënë e duhur në këto çështje, sidoqoftë do të jemi në gabim para syve të Jezusit, sepse po “neglizhojmë çështjet më të rëndësishme si drejtësia, mëshira dhe besnikëria.”

Kur ne mërzitemi për detajet e vogla të jetës së një kishe,  aq sa harrojmë t’i tregojmë dashurinë e Krishtit atyre që po humbasin pa Të në botë, ne u ngjajmë farisenjve që sitnin mushkonjën dhe kapërdinin devenë.

Zmadhimi i vogëlsirave dhe zvogëlimi i madhësive: kjo është një e keqe vdekjeprurëse për kishat, po ashtu edhe për individët. Disa njerëz admirohen për bujarinë e mbështetjes së tyre financiarë nëpër kisha apo bamirësi.

Por ata i bëjnë ato para, përmes marrëveshjeve të errta të biznesit dhe duke i paguar punëtorëve paga që nuk mjaftojnë as për ta mbajtur veten gjallë.

Më duhet ta them! Perëndia nuk interesohet vetëm për faktin nëse e jep dhjetë përqind të parave të tua ose jo! Ai është po aq i interesuar të dijë edhe si i ke bërë ato para dhe nëse u ke dhënë punëtorëve të tu pagën që u takon.

Mjerë ai që e harron këtë! Unë nuk po them se të gjithë njerëzit që bëhen të pasur dhe japin në bamirësi janë fajtorë për shfrytëzimin e të tjerëve, jo aspak, nuk dua ta them këtë. Por unë po ju them se asnjë prej bamirësive të tua nuk mund të ndreqë marrëveshjet e biznesit që  shpërfillin “drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë.”

Tani dua të jap edhe një shembull tjetër të zvogëlimit të gjërave të rëndësishme dhe zmadhimit të gjërave të parëndësishme: ka njerëz të cilët largohen nga një kishë për arsye se stili i muzikës i ofendon ata, por të njëjtët njerëz mund të mbajnë mëri për dekada pa i vrarë ndërgjegjja fare. Dashuria dhe falja janë në thelb të besimit, megjithatë ata e quajnë problem më të madh shijen muzikore të dikujt tjetër, se sa mungesën e dashurisë në veten e tyre. Për këtë e kishte fjalën Jezusi kur tha: se ju sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë.

Ritualet përmbi realitetin

Akuza e pestë e Jezusit e dënon besimin që i ve rëndësi më shumë gjërave sipërfaqësore se atyre të brendshme, pra ritualeve që mbulojnë realitetin.

Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime.

26  Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.

(v. 25-26)

Jezusi sulmon ata që duket sikur kalojnë nëpër gjithë ritualet e duhura, por brenda tyre nuk janë gjë tjetër veçse zgjyrë. Në veçanti Jezusi dënon lakminë dhe vetë kënaqësinë.

Një kishë e gjallë dhe plot energji është si ajo shtëpia që zien nga poterja e fëmijëve. Por çfarë i jep energji dhe entuziazëm një kishe si kjo?