VËSHTIRËSIA E FALJES
Të fal të tjerët nuk e kam të lehtë. Dhe nuk do të çuditesha aspak nëse edhe ti do të më thoshe të njëjtën gjë.
Oh, nuk e kam fjalën për rastet kur i falim njerëzit për sjelljen e tyre të ashpër, apo të pakëndshme, apo kur u shpëton gjuha dhe thonë gjëra të pamenduara mirë.
Realisht ne mund të numërojmë raste pafund, gjatë të cilave përplasemi me njëri tjetrin dhe lëndojmë egot tona.
Një ditë unë kthehem në shtëpi pas një dite të lodhshme në zyrë, dhe jam aq i pështjelluar sa nuk e pyes fare gruan si kalove sot?
Ose ndonjëherë për shkak të stresit me të cilin përballem në punë, kapem më kot me vajzën kur ajo më kërkon një mendim për problemin që ka.
Të gjithë themi gjëra të gabuara kur jemi të tensionuar, por që më vonë pendohemi që i kemi thënë.
Ne varim buzët, e humbasim durimin, dhe i mbajmë inat njerëzve që kemi përreth.
Ne si njerëz kemi shije dhe pritje të ndryshme, dhe nuk e kuptojmë ndonjëherë përse njerëzit e tjerë nuk janë si puna jonë.
Ne i kritikojmë njerëzit pa pasur arsye. Dhe pas kësaj, e vetmja gjë që i zgjidh gjërat është të themi:“Më fal” Por sinqerisht ama!
Në shumë prej këtyre rasteve, ky ofendim harrohet shumë shpejt.
Një ditë unë i kërkova falje një koleges sime në punë sepse isha sjellë pak ashpër me të, megjithatë ajo më tha:
“Nuk prish punë Berti, une nuk e mora seriozisht. E kuptova se po kaloje një ditë të vështire.” Disa fjalë të thëna me nxitim sigurisht që janë pjesë e jetës së përditshme apo jo?
Por në raste të tjera falja bëhet e vështirë, të paktën për mua! Sepse ndonjëherë ajo që na ka ndodhur duket si goditje pas shpine. Fjalët kanë qenë kaq therëse, kaq të padrejta sa që ndihemi sikur na kanë rënë pas koke me një tub hekuri.
Ne ndihemi emocionalisht të goditur prej kritikave të pamerituara. Ndihemi të lënduar dhe të zemëruar.
Sepse ajo që na ka ndodhur është me të vërtetë e padrejtë.
Nuk e meritonim këtë gjë. Ajo që na ndodhi, e dëmtoi madje e shkatërroi jetën tonë dhe jetën e njerëzve tanë të dashur. Tani e vetmja gjë që dëshirojmë është hakmarrja.
Po falja ku është? As që bëhet fjalë për të, e as duket gjëkundi!
Më kujtohet një ngjarje ku isha i ri, teksa po shikoja një mikun tim të dashur, i cili ishte lënduar thellë prej një padrejtësie. Për shkak të dhimbjes që mu shkaktua u desh kohë për të falur.
Thellë brenda meje dëshiroja ta shihja të lënduar personin që më kishte lënduar mua.
Unë dëshiroja shumë që hesapet e vjetra të laheshin.
Mu deshën vite para se t’i uroja me të vërtetë dhe me gjithë shpirt gjithë të mirat atij njeriu që më kishte shkaktuar aq dhimbje dhe padrejtësi. Mu deshën shumë vite për ta falur.
FJALËT E FUNDIT
Unë mendoj se e kam të vështirë të fal, por pastaj kur kujtoj se ky është sezoni i Pashkës, kujtoj Kalvarin ku Krishti vdiq dhe kujtoj fjalët e fundit që ai tha nga kryqi dhe mahnitem!
Gjatë këtyre dy javëve në programin tonë Fjalët e Shpresës, dëshiroj që të ndalemi tek fjalët e fundit të mrekullueshme të Jezusit, sepse ato ndriçonin shumë mirë personin e tij dhe veprën që Ai erdhi të bënte.
Realisht, edhe vetë fakti se si Jezusi ishte në gjendje të fliste nga kryqi më mahnit! Shumë njerëz që dënoheshin me kryqëzim villnin helm mbi torturuesit e tyre, aq sa këta të fundit ua prisnin gjuhën që të mos flisnin.
Me sa duket edhe legjendarët e rrahur me luftën mund të përballen me abuzimin verbal!
Po kjo është një shenjë e mrekullueshme e mirësisë dhe hirit të Jezusit, sa që gjuha e tij nuk nxjerr asnjë fjalë të keqe teksa drejtohet për në Golgota.
Po shohim se Jezusi thotë disa fjalë nga Kalvari tij i tmerrshëm. Por çfarë ka lënë pa thënë?
Fjalët duhet të jenë të pakta tani. Sepse Ai mezi po e duron torturën, teksa trupi i tij varet mbi kryqin e drunjtë, jo vetëm që fjalët por edhe fryma pakësohet, aq sa nuk i mbetet më fuqi për të thënë vetëm disa fjalë të zgjedhura.
Fjalët do të jenë të pakta, por shumë domethënëse. Çfarë do të na thotë Ai ?
ZAKONET E ANËS SHPIRTËRORE
Ti qëndron poshtë kryqit, dhe Jezusi flet fjalët e tij të para.
Ndryshe nga fjalët mallkuese që mund të prisje, do të dëgjosh një lutje! Midis gulçimeve do ta dëgjosh atë që thotë: “At, fali ata sepse nuk dinë se çfarë po bëjnë.”
Pra këtu Jezusi po bën të njëjtën gjë që bëri gjithë jetën e vet. Gjithë jetën e vet ai u lut. Edhe tani ai lutet.
Çuditërisht kështu është edhe me ne. Edhe ditën e fundit të jetës ti mundohesh të bësh atë që ke praktikuar gjatë gjithë kohës.
Njerëzit që nuk e marrin shumë seriozisht Perëndinë thonë se do të “merren e fenë” në thonjëza, kur të plaken.
Atëherë kur të kenë dalë në pension, kur të mos kenë më para për të udhëtuar, as energji për të shpenzuar, ata do të fokusohen te Perëndia.
Vetëm atëherë ata do të kenë mjaftueshëm kohë për tu lutur dhe për të medituar.
Ata e lenë çështjen e besimit për atë kohë kur do të jenë aq të plakur sa nuk mund të shijojnë asgjë tjetër.
Sa e çuditshme më duket kjo. Këta njerëz me të vërtetë besonin se mund të praktikonin besimin në mënyrë sipërfaqësore gjithë jetën e tyre, e më pas të vdisnin si një prej shenjtorëve më të mëdhenj të kishës? A nuk e dinë vallë ata se zakonet e zemrës janë zakone që zhvillohen duke i praktikuar ndër vite?
Si pastor kishe prej 20 vitesh, kam parë shumë njerëz të vdesin. Ndoshta do të çuditeshit po t’ju thoja se rrallëherë kam parë ndryshim në jetën e njerëzve që jetojnë ditët e tyre të fundit.
Po është e vërtetë. Kam pasur disa biseda me ta, që do t’i quaja biseda në prag të vdekjes.
Po kam pasur një ose dy raste të tilla.
Por e vërteta është se ne mundohemi ta mbyllim jetën pak a shumë ashtu siç e jetojmë.
Kapitujt e fundit që shkruajmë janë vazhda e kapitujve të mëparshëm. Në kohë krize ne priremi t’i kthehemi zakoneve të vjetra. Mënyra se si ti po e jeton jetën sot do të përcaktojë edhe si do ta përfundosh. Tani që e di këtë, a je i apo e kënaqur me mënyrën se si e forcon marrëdhënien tënde me Perëndinë?
Jezusi është shembulli i përsosur i kësaj që po them. Ai u lut gjatë gjithë jetës së tij. Jezusi e ndërtoi shërbesën e tij në përbashkësi me Atin e Tij. Ai ka qëndruar në lutje nga muzgu në agim.
Shkëmbi i shërbesës së tij ka qenë marrëdhënia që kishte me Atin qiellor. Andaj mendoj se nuk është çudi që Ai lutet tani. Lutja e tij të befason! Ai është në Kalvar, në një gjendje personale shumë të vështirë, por nuk lutet për veten. Ai lutet për të tjerët! Dhe përmend ato fjalë rreth faljes, që edhe ne sot e kemi kaq të vështirë ti themi. Ai thotë: “Fali o Atë sepse ata nuk e dinë se çfarë po bëjnë.”
TEOLOGJIKISHT E DYSHUESHME?
Prit një minutë, thua ti. Çfarë lloj lutjeje ishte kjo? A nuk po flisnim për faljen. A nuk thuhet te Gjoni 1:9, “ Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. . .”
A nuk është kështu apo jo? Ne rrëfehemi. Perëndia fal.
Dhe tani Jezusi vjen dhe thotë:“Atë, fali SEPSE ata NUK DINË se çfarë po bëjnë. . .” mos vallë Jezusi po thotë se injoranca është lumturi? A po thotë Jezusi se pendimi nuk ka rëndësi? Nuk besoj se është kjo!
Për të ndriçuar pak më mirë gjërat, duhet të dimë se për kë po lutet Jezusi.
Ndoshta ju mund të mendoni se këto fjalë të Jezusit kanë lidhje me atë turmë njerëzish që ishin mbledhur rreth kryqit të tij atë pasdite.
Ndoshta fjala “ata” i referohet ekzekutuesve romakë, garnizonit fatkeq që ju desh të zbatonte “Detyrën e Golgotës” atë të premte pasdite. Jo, nuk mendoj se Jezusi ka në mendje faljen e këtyre ushtarëve për krimin e tmerrshëm, teksa Ai bën lutjen e tij të fundit.
Jezusi thjesht po kërkon që këta njerëz të mos dënohen vetëm se kanë pranuar të zbatojnë detyrën, edhe pse në këtë rast ishte vrasja e Birit të Perëndisë.
Kjo është përqasja e parë ndaj fjalëve të Jezusit. Por unë nuk mendoj se kjo e shpjegon plotësisht qëllimin e lutjes së Jezusit.
Sepse teksa qëndron në Kalvar, Krishti ka në mendje arsyen përse është dërguar prej Atit. Kjo do të thotë se shtrirja e fjalëve të tij është përtej asaj kodre të vogël jashtë Jeruzalemit. Ai mban në mendje një vizion kaq të gjerë, sa që të përfshin ty edhe mua bashkë.
Kur vjen puna tek kuptimi i fjalëve të Jezusit, mendoj se poeti i njohur gjerman Johan Herman (Johann Heermann) ka pasur të drejtë kur shkroi këto vargje: “Oh, Jezus i Shenjtë, sa shumë ke zemëruar.
Kush ishte fajtori, kush ta ngarkoi fajin ty?
ndoshta tradhtia ime, Jezus të dënoi Ty
Apo isha unë Zot Jezus,
që të mohova,
Të kryqëzova Ty…
Në këto vargje Hermman po propozon një realitet tronditës. Që nëse do ti këndojmë këto vargje, duhet të përfshijmë edhe veten tonë në fjalën “ata” që Jezusi tha nga Kalvari me fjalët: “Atë, fali ata sepse nuk dinë se çfarë bëjnë.”
Kjo është një lutje që më mbërthen pas vështrimit të Jezusit.
Jezusi po kërkon që përmes vdekjes së tij, ku u pagua gjithë faji, njerëz si puna ime do të njohin hirin mahnitës të faljes së Perëndisë!
Këtu minutat tona edhe për sot mbaruan, Por do të kthehemi sërish herën e ardhshme me Fjalët e fundit të Jezusit nga Kryqi.