Print

Titulli: Qëllimi i Dashurisë (pjesa 1)

Një burrë, i lodhur prej gruas së vet, lidhet me një grua tjetër, e cila e bën më të lumtur se kurrë më parë. Kur ai i tregon gruas se po e lë për të dashurën, gruaja fillon të qajë duke thënë:”Por ç’mund të thuash për ato premtime martesore që bëre në kishë? Ç’mund të thuash për premtimet që bëre para Perëndisë?” Në çastin që përmendet Zoti, burri përgjigjet: “Epo, a nuk dëshiron Perëndia që unë të jem i lumtur?”

Një vajzë po kalon kohë të vështira: ajo ka probleme financiare dhe po ashtu vdes një anëtar i familjes. Një mik i tregon asaj se këto probleme mund të vijnë nga çdokush tjetër por jo nga Perëndia; Perëndia dërgon vetëm begati dhe lumturi. Cilido qoftë burimi i këtyre vështirësive, ato nuk kanë të bëjnë fare me planet që Perëndia ka për të. Perëndia nuk do të kishte zgjedhur asnjëherë që ai të ndjente dhimbjen apo vështirësitë. Miku thotë, “Perëndia dëshiron vetëm që të ti të jesh e lumtur.”

Zakonisht dëgjojmë që thonë: Perëndia dëshiron që ne të jemi të gëzuar. Fundja fare, Perëndia është dashuri, apo jo? Dhe nëse Perëndia na do, Ai dëshiron që të jemi të gëzuar apo jo? Po sikur Perëndia të më dojë mua kaq shumë sa të ketë një plan më të mirë se sa thjesht një lumturi afatshkurtër? Shumë prej nesh kanë në mendje një pamje të dashurisë së Perëndisë, veçanërisht një pamje që është sipërfaqësore dhe e rrëmujshme.

Ne pohojmë se Perëndia është as më shumë e as më pak se Dashuria vetë, dhe pastaj e marrim me mend se dashuria nuk është gjë tjetër veç të qenit i mirë.

Neve do të na pëlqente të mendonim se Perëndia nuk na dënon për asgjë që na bën neve të lumtur dhe po ashtu do të na pëlqente të mendonim se nuk na i dërgon Perëndia. problemet apo dhimbjet e jetës, të cilat na trishtojnë.

Por sipas Biblës, Perëndia dënon shumë gjëra që neve mund të na pëlqejnë, dhe po, Perëndia lejon edhe dhimbjen dhe vuajtjen. Por sipas Biblës, Perëndia dënon shumë gjëra, pra as Perëndia nuk është shumë i dashur, ose të paktën dashuria e Tij për ne, nuk ka atë pamjen që mendojmë ne shpeshherë.

Ndonjëherë thuhet se Dashuria e Perëndisë është pa kushte. Në njëfarë mënyre kjo është e vërtetë, por edhe mund të keqkuptohet. Dashuria e Perëndisë është pa kushte, në kuptimin që, ajo nuk varet nga ajo çka ne bëjmë, për ta fituar atë. Kur vijmë tek Jezusi për shpëtim, Zoti na fal çdo mëkat, madje edhe më të keqin, dhe na pranon ashtu si jemi, për hir të sakrificës së Jezusit në kryq. Por ndonjëherë ne e trajtojmë “dashurinë pa kushte” jo si një dashuri që mund të na falë ligësitë, por si një dashuri që nuk do t’ia dijë për ligësinë tonë, jo si një dashuri që na pranon ashtu si jemi, por si një dashuri që na le ashtu si jemi.

Por dashuria e Perëndisë nuk është kështu. Dashuria e Perëndisë ka një plan, një qëllim. Perëndia mund të të dojë pavarësisht ligësisë tënde, por Ai nuk do të miratojë ligësinë tënde e as nuk do ta lerë atë të pandryshuar apo të pa sfiduar. Kur Perëndia të kap për dore, Ai të ndryshon. Zoti të pranon ashtu si je, por nuk të le ty ashtu si je. Nëse Jezusi të deshi aq shumë sa vdiq për ty, atëherë Ai të do mjaftueshëm sa të punojë në ty dhe të nxisë ty drejt qëllimit që ka për ty. Bibla thotë: ”  i madhit Perëndi dhe  Shpëtimtari Jezu Krisht….i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira. ” (Titi 2:14)

Dashuria ka si qëllim të na bëjë të pastër dhe të etur për të bërë të mirën. Dhe dashuria do të bëjë gjithçka që duhet për ta arritur këtë qëllim. Jezusi la lumturinë e përsosur të qiellit dhe, duroi vuajtjet më të tmerrshme, për të më kthyer mua tek Ai. Prandaj mos u trondit nëse Zoti të trishton ndonjëherë, nëse ai lejon që të të ndodhin gjëra të papëlqyeshme, apo të kalosh përvoja lënduese. Dashuria e Jezusit nuk është një ndjenjë sipërfaqësore që thotë: “Unë dua që ti të kesh gjithçka që të bën të lumtur, ëmbëlsira ime.” Dashuria e Jezusit është e ashpër dhe e shkëlqyeshme.

Në rrugëtimin e gjatë, Perëndia synon të na bëjë njerëz të lumtur, por më së shumti dëshiron të na bëjë të lumtur duke qenë të shenjtë.

Kështu që derisa të jesh aq i pastër sa dëshiron Perëndia, derisa të kënaqesh në gjërat që e kënaqin Perëndinë, nuk është e thënë që të jesh medoemos i lumtur. Në planet e Perëndisë shenjtëria jote vjen para lumturisë.

Autori britanik C. S. Ljuis, ka një kapitull të shkëlqyer në librin e tij “Problemi i dhimbjes”- The Problem of Pain. Atje ai trajton dashurinë e Perëndisë për ne përmes katër metaforave: së pari, dashurinë e një artisti për veprën e tij. Së dyti dashurinë e një pronari për kafshën e tij të gëzuar. Së treti, dashurinë e një ati për një fëmijë, dhe së katërti: dashurinë e një bashkëshorti për gruan. Secila prej këtyre metaforave gjendet edhe në Bibël, ato na ndihmojnë shumë që të kuptojmë qëllimin e dashurisë.

Dashuria e një Artisti

Le të fillojmë me dashurinë e një artisti për veprën e tij të artit. Bibla shpesh e krahason marrëdhënien e Perëndisë me të bijtë me punën e një poçari që i jep formë argjilës. Perëndia dërgoi profetin Jeremia në shtëpinë e një poçari, për të parë artistin ndërsa punonte. Poçari po punonte me gishtërinj dhe po i jepte formë argjilës, ndërsa ajo vërtitej, por në një çast të caktuar, argjila u dëmtua dhe u shformua.

Por çfarë bëri poçari? Ai thjesht e mblodhi sërish bllok argjilën dhe formoi një poçe tjetër, duke i dhënë asaj formën që i dukej më e përshtatshme atij.” Pastaj Perëndia i foli Jeremias dhe i tha: ” A nuk mund të bëj unë me ju, ashtu siç bëri ky poçar?”, thotë Zoti. “Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia, o shtëpi e Izraelit!”. (Jeremia 18:1-6)

Perëndia nuk kënaqet që ta lerë popullin e tij të dashur si të pavlerë, si një pirg balte të shformuar. Dije se nëse Perëndia të do, Ai ka në plan të bëjë me ty diçka të dobishme, madje edhe të bukur.

Nëse Ai po të modelon dhe formon ty në vazhdimësi, arsyeja është se do të krijojë tek ti një karakter të caktuar. Dhe në këtë proces, Perëndia ka të drejtën dhe fuqinë absolute  për të bërë gjithçka që duhet, për të bërë ty ashtu siç Ai dëshiron.

Përfytyro sikur je një poçar dhe po punon me një argjilë të pazakontë, e cila do të kishte aftësinë për të menduar dhe folur. Ti ke një formë të caktuar në mendje, por argjila vetë mendon se është mirë ashtu si është.

Ajo nuk dëshiron të ndryshojë. Argjila të thotë: “Kështu jam unë, po deshe më pëlqe po deshe më bëj top balte! Ti do ta bëje top balte! Me siguri do ta ktheje argjilën një një top balte për t’ia filluar nga e para, duke i dhënë argjilës formën që ti dëshiron.

Perëndia është poçari, ne jemi balta apo argjila që ndonjëherë është kokëfortë. Ne priremi të mendojmë se duhet t’i japim formë poçarit në vend që poçari të na japë formë neve. Perëndia duhet të bëjë atë që duam ne. Pse duhet të bëjmë atë që do Ai? ” I keni përmbysur plotësisht gjërat,” thotë Bibla. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t’i thotë atij që e ka bërë: “Nuk më ka bërë ai”?, ose gjëja e formuar t’i thotë atij që e ka formuar: “Nuk ka zgjuarsi”?’. (Isaia 29:16) Ne mund të mendojmë se nuk na krijoi Perëndia, apo që Ai nuk e di se çfarë po bën. Nëse jeta jonë merr formën që na pëlqen por papritur ndodh diçka e tmerrshme dhe na shformon e na kthen në një top balte të pavlerë, ne mund të zemërohemi me Perëndinë, Poçarin. Por kjo mund të jetë mënyra që zgjedh Poçari për të na bërë të dobishëm.

Ndonjëherë  procesi i formimit lëndon në mënyrë të tmerrshme, por le të mos harrojmë që Perëndia ka të drejtën dhe fuqinë për të na dhënë neve formën që i pëlqen Atij më shumë, dhe të mos harrojmë dashurinë dhe interesin që artisti ka për veprën e tij.

Sa më shumë që një artist kujdeset për një vepër të caktuar arti, aq më shumë kohë dhe punë do t’i marrë ajo. Sa më shumë e vlerëson Ai atë, aq më pak i toleron ai defektet. Sa më e madhe të jetë vepra artit që Ai po punon, aq më shumë kujdes dhe punë do t’i kushtojë ai.

Po të donte vetëm një top balte të padobishëm, Ai nuk do të merrej fare me baltën. Nëse do të donte vetëm një poçe të ashpër, jo të lëmuar mirë, procesi i formimit do të ishte i shpejtë dhe i lehtë. Por përderisa Ai dëshiron të ketë një vazo të shkëlqyer, Ai vazhdon t’i japë formë me gishta derisa bëhet ekzaktësisht ashtu si Ai dëshiron dhe më pas e kalon argjilën në zjarr dhe nxehtësi të lartë për një kohë të gjatë. Kështu ndodh edhe me Perëndinë. Shpesh njerëzit që vuajnë më shumë, ata që kalojnë përmes formimeve më të dhimbshme dhe sprovave më të ashpra, janë njerëzit më të çmuar për Perëndinë. Ata rezultojnë kryeveprat e tij më e shkëlqyer dhe më me vlerë.

Materialet e lira bëhen shumë kollaj dhe nuk të lodhin. Bukuria e përsosur është krejt tjetër gjë.

Por më shumë rreth kësaj, do të flasim në programin tonë të herës së ardhshme. Deri atëherë kalofshi sa më bukur.