Dashuria e Atit
Një pamje e tretë e dashurisë së Perëndisë është dashuria e Atit për birin e Tij. Kjo pamje e dashurisë është më e ngrohtë dhe më personale se sa dashuria e një artisti për kryeveprën e Tij apo dashuria e pronarit për kafshën e tij. Por ndonëse dashuria atërore është personale dhe intime, gjithsesi mbetet një dashuri me një qëllim.
Në të vërtetë cili është ai atë i dashur që do të thoshte: “Unë e dua tim bir, kështu që nuk ra rëndësi se sa dembel, i pavlerë, i keq apo i shfrenuar është, nuk ka rëndësi, mjafton që të jetë i lumtur? Kjo do të ishte një lloj dashurie e sëmurë, një dashuri e shtrembëruar, mos të themi se nuk do të quhej fare dashuri. Një atë me të vërtetë i dashur dëshiron që fëmijët e tij të rriten e të bëhen njerëz të mirë, të cilët do të arrijnë diçka në jetë. Sa më shumë që një baba i do bijtë e tij aq më shumë do të interesohet që të rriten si fëmijë të mbarë. Ai e përdor autoritetin e tij atëror, për të formuar karakterin e fëmijëve të tij dhe Ai pret që ata t’i binden atij.
Perëndia është një atë, dhe jo një gjysh. Shumë gjyshër, kanë prirjen të llastojnë nipërit dhe mbesat dhe t’i japin gjithçka që ata duan. Po të ishte për gjyshërit, nipërit nuk do të dilnin asnjëherë prej dyqanit pa blerë diçka që ata e duan. Po të varej prej gjyshërve, nipërit do të të jetonin veç me karamele dhe akullore. Sigurisht që është fantastike të argëtohesh me gjyshërit për një farë kohe, por fëmijës i duhet diçka më tepër se sa gjyshërit zemër butë. Ai ka nevojë për një baba që do të jetë i ashpër atëherë kur duhet. Një baba i mirë, është i dashur por njëkohësisht edhe i përgjegjshëm. Ai kërkon bindje prej fëmijëve jo vetëm për të plotësuar egon e tij por për të mirën e fëmijëve të tij. Ai aplikon disiplinën dhe ndëshkimin, jo sepse i pëlqen të shkaktojë dhimbje por që të formojë karakterin e fëmijëve të tij. Ne mund të duam që Perëndia të ishte si gjyshi, qëllimi i vetëm i të cilit është të na bëjë të lumtur. Por Perëndia është ATI ynë. Nuk është gjyshi ynë. Ai do të na llastojë deri në shkatërrim.
Bibla thotë: ” Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij, sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.” (Fjalët e urta 3:11-12) “Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korrigjon i ati?… kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij. Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.” (Hebrenjve 12:-11)
Me sa duket, Ati ynë qiellor, ka një qëllim për ne, ashtu si etërit tokësorë vendosin qëllime për fëmijët e tyre. Për fat të keq, disa etër tokësorë vendosin disa qëllime që nuk u përshtaten fëmijëve të tyre.
Etërit tokësorë, nuk i kuptojnë plotësisht, fëmijët e tyre dhe ndonjëherë mundohen t’i angazhojnë në gjëra që s’janë fare në karakterin e tyre. Por nuk ndodh kështu me Atin tonë qiellor. Ai na kupton shumë mirë, dhe qëllimi i Tij për ne është gjithmonë gjëja më e mirë. Çdo përvojë e pakëndshme, që Ai vendos përpara nesh do të ketë vlerë sepse ajo do të na bëjë të shenjtë ashtu siç është Ati ynë i shenjtë.
Dashuria e një bashkëshorti
Krahasimi i katërt biblik për dashurinë e Perëndisë gjendet në pamjen e dashurisë së bashkëshortit për nusen e tij. Kjo mund të jetë pamja më e bukur dhe më pasionante e dashurisë së Perëndisë në gjithë Biblën. Profeti Isaia thotë, ” Sepse krijuesi yt është dhëndri yt; emri i tij është Zoti i ushtrive.” (Isaia 54:5) “dhe ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty.” (Isaia 62:5)
Kjo është një pamje e mrekullueshme e dashurisë së Perëndisë dhe ajo tregon edhe njëherë se dashuria e Perëndisë nuk është sipërfaqësore, një lloj dashurie tolerante që në të vërtetë nuk do t’ia dijë se si jemi.
Sikurse C. S. Lljuis pohon “Kur biem në dashuri me një grua, vallë a rreshtim së interesuari për të, për të ditur a është e pastër apo e ndotur, e bukur apo e shëmtuar? A nuk fillojmë vallë të interesohemi për të? A mund ta konsiderojë një grua mos interesimin e burrit për pamjen e saj, si mungesë dashurie? Në të vërtetë, i dashuri mund ta dojë të dashurën edhe pasi kjo ka humbur bukurinë, por jo sepse e ka humbur. Dashuria mund të falë tërë gjymtimet dhe të dojë pavarësisht tyre: por dashuria nuk mund të reshtë së kërkuari që të largojë gjymtimet. Dashuria është më e ndjeshme se urrejtja vetë, ndaj çdo njolle të njeriut të zemrës.”
Tek Efesianëve 5 Bibla e krahason dashurinë e Jezusit për kishën, me dashurinë e një burri për gruan e tij dhe thotë: Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të, që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.” (Efesianëve 5:25-27) Jezusi e deshi aq shumë nusen e vet sa që vdiq për të, dhe për shkak se Ai e do atë aq shumë, ai dëshiron që të jetë e tija, madje e pa njollosur.
Këtu ne kapërcejmë limitet e çdo lloj krahasimi që mund të përdorim për të ilustruar dashurinë e Perëndisë.
Jezusi është dhëndri që e do nusen. Ai është po ashtu Ati që ia prezanton nusen vetes. Ai është po ashtu rrobaqepësi dhe kosmetologu i cili do ta bëjë nusen të bukur, aq sa ti lerë njerëzit pa fjalë, një nuse pa asnjë të metë. Jezusi është përtej çdo krahasimi, por puna është se Ai e do kishën aq shumë sa që po i kthen njerëzit e tij në njerëz të mrekullueshëm, përtej asaj që ne mund të kemi imagjinuar ndonjëherë.
Si duhet t’i përgjigjemi një dashurie kaq të madhe?
Me gjithë gëzimin dhe ngazëllimin e një nuse që bëhet gati për dasmën e saj!Sikurse e thotë edhe Bibla: “Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e Tij është përgatitur! Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve”. (Zbulesa 19:7-8)
Dashuri e shenjtë
Dashuria e Perëndisë nuk është e turbullt apo e përgjithshme; ajo është e përcaktuar dhe personale. Dashuria e Perëndisë nuk është e pavlerë apo e padëmshme; ajo është e fuqishme dhe ndonjëherë e dhimbshme. Dashuria e Perëndisë nuk është pa një qëllim. Ajo është një dashuri me një qëllim. Ajo është dashuri e shenjtë që do të bëjë gjithçka duhet për të na bërë neve të shenjtë. Kjo është frikësuese apo jo? Perëndia nuk është një person që i merr gjërat lehtë. Nuk është një gjysh i hutuar, qëllimi i vetëm i të cilit është që t’i të argëtohesh. Ai nuk është një burokrat që sillet me mirësi, që të dorëzon një çek parash, por realisht nuk interesohet se çfarë bën apo nuk bën me jetën tënde. Ai nuk është një operator hoteli, detyra kryesore e të cilit është të kënaqë blerësin dhe të bëjë ty të ndihesh rehat. Ne mund të dëshirojmë ndonjëherë që Perëndia të ishte ashtu, por Ai nuk është ashtu. Dashuria e shenjtë e Perëndisë është aq ngulmuese dhe perfeksioniste, sa kryevepra e një artisti, aq absolute dhe diktatoriale sa një pronar që i mëson qenit si të sillet në familje, aq pasionante dhe xheloze sa dashuria që një burrë ka për nusen e tij.
Kjo është e tepërt për tu përballuar. Pse duhet që Perëndia i pafund dhe i përjetshëm, Krijuesi i plotfuqishëm i tërë universit, tregon interes për krijesa kaq të vogla dhe mëkatare siç jemi ne? Pse duhet të na dojë ai kaq shumë apo të na vlerësojë kaq lart? Pse ta ketë ai këtë dëshirë që të bëjë me ne diçka më të mirë dhe më të madhe se ç’jemi realisht? Është një dashuri që ne nuk mund ta shpjegojmë, një dashuri që ne nuk e meritojmë, një dashuri që ne as nuk e dëshirojmë, por e kemi falë hirit të Tij. Ne preferojmë që Perëndia të na llastojë sesa të na dojë.
Por kur dashuria e Perëndisë zbret në jetën tënde, dhe fillon ta njohësh Jezusin si Shpëtimtarin tënd, kjo është dashuria me të cilën ti duhesh, pavarësisht se ti nuk ndihesh rehat me këtë.
Kjo është dashuria e shenjtë e Perëndisë për të zgjedhurit e tij. Një dashuri që buron prej thellësive të përjetësisë, një dashuri që shfaqet në vdekjen e Krishtit, një dashuri e cila ka paguar çmimin më të lartë për të na pasur ne. Një dashuri e cila do të bëjë gjithçka duhet për të na transformuar dhe pastruar që të mund të jemi:” të lavdishëm… pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jemi të shenjtë dhe të paqortueshëm.” Ky është qëllimi më i madh i dashurisë.
Këtu kemi përfunduar edhe temën tonë për qëllimin e dashurisë së Perëndisë. Shpresoj të jeni inkurajuar në këto minuta në shoqërinë e programit Fjalët e Shpresës. Deri herën e ardhshme mirë u dëgjofshim!