Rifitimi i ekuilibrit

Print

Titulli: Rifitimi i ekuilibrit (pjesa 2)

Më bëri përshtypje diçka që një adoleshente e shkëlqyer në kishën time, shumë e rritur në besim, më vuri në pah rreth faktit se mungesa e ekuilibrit mund të gjurmohet te postmodernizmi, te individualizmi dhe fragmentimi, i cili vjen natyrshëm kur nuk ka asnjë meta-tregues që të formojë jetën tënde.

Po, realisht ajo përdori fjalë të mëdha. Ajo donte të thoshte se sipas postmodernizmit, nuk ka asnjë histori të madhe e cila i jep formë historisë dhe jetës tënde, kështu që ti duhet të bësh historitë e tua të vogla përmes zgjedhjeve që ti bën dhe aktiviteteve që ndjek. Kjo është arsyeja përse unë thashë se kemi humbur ekuilibrin, sepse kemi një problem me veshin e brendshëm.

Në vend që të dëgjojmë me vëmendje historinë fantastike të dashurisë së Perëndisë, në Jezusin, dhe të gjejmë vendin tonë në atë histori, ne zgjasim historinë tonë duke shkuar në të njëjtën kohë në shumë drejtime. Dhe kështu e humbasim ekuilibrin.

Pikërisht këtë i sugjeroi edhe Jezusi Martës. Përkëdhelja e tij me fjalë është si një puthje e lehtë mbi ballin e një fëmije me temperaturë.

Plot hir, ai thotë: “Marta, Marta.” Ai nuk thotë “Marta!” sikur t’i jepte një shuplakë në fytyrë, por me një përqafim të ngrohtë pas një dite të vështirë i thotë: “Marta, Marta.” Ai  nuk thotë “mbylle atë punë, o grua!”, por i bën një ftesë të ëmbël personale.

“Marta, Marta, ti je shqetësuar dhe merakosur për shumë gjëra….” Problemi nuk është se je i zënë me punë, por se je i shqetësuar dhe i merakosur, se përbrenda ke ankth ndërsa jashtë dukesh e trazuar.

Nuk është keq të jesh i zënë me punë.

Jezusi ishte shumë i zënë me punë “teksa merrej me punët e Atit”, kjo është arsyeja për të cilin ishte në tokë.

Predikimi, mësimdhënia, shërimi dhe nxjerrja e demonëve jashtë, trajnimi i dishepujve dhe ngrënia me mëkatarët, qortimi i farisenjve, dhe vuajtja në krah të së keqes.

Nuk është çudi që Ai kishte nevojë të kalonte një kohë pushimi me raste. Por pas kësaj, Ai i kthehej menjëherë “punëve të Atit”, dhe Ai na fton të bashkohemi me Të në atë punë, dhe ne duhet të bashkohemi.

Por kur ne lejojmë që rrëmuja e jetës të na marrë me vete e të na vjedhë paqen e brendshme dhe qetësinë e jashtme, atëherë e kemi humbur ekuilibrin. Unë nuk po dënoj me këto fjalë gjithë Martat e botës.

Bota do të ishte një rrëmujë e vërtetë, pa një përkushtim veprues në detyrat e vështira.

Por si mund ta ruajë Marta balancën pa i krijuar vetes telashe?

Cila është zgjidhja? Si e rifitojmë ekuilibrin e humbur? A i tregon vallë Jezusi Martës, që të ndalojë vrullin e saj, apo ta menaxhojë kohën më mirë, a të thjeshtojë jetën duke hequr dorë prej diçkaje?

A i thotë ai vallë: Harroji mbulesat prej pëlhure dhe vaktet me pesë pjata të ndryshme, Marta. Thjesht bëj disa hamburgerë shpejt e shpejt dhe shërbeji në pjata plastike.

Në një kërkim në internet, gjeta një artikull shumë të vlefshëm përsa i përket Martave post moderniste, të cilat mundohen të gjejnë ekuilibrin në jetën e tyre personale dhe familjare, me kërkesat e botës sonë. Artikulli përfshinte këto gjashtë këshilla: 1)gjej një punëdhënës fleksibël, 2) kërko një orar pune fleksibël, 3) formo një ekuilibër mes punës dhe jetës, 4) cakto një kohë për “veten”, 5) kupto se mungesa e përkohshme e ekuilibrit është e pranueshme, 6) prano se do të ketë edhe rraskapitje.

Unë kam një dyshim se ne të gjithë kemi provuar këto këshilla në jetën tonë dhe jemi munduar të rifitojmë ekuilibrin, dhe deri diku na janë dukur shumë ndihmuese.

Por Jezusi e drejton Martën në një drejtim tjetër. “Vetëm një gjë nevojitet,” i thotë ai. ” Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet.” Çfarë ka zgjedhur Maria? Ajo ishte ulur në këmbët e Jezusit duke e dëgjuar se çfarë kishte për të thënë Jezusi. Këtë duhet të bësh edhe ti, Marta, të rifitosh ekuilibrin në mes të punëve të shumta në jetën tënde.

Ti nuk ke për të ndalur sorollatjen, nuk ke për ta gjetur drejtimin, dhe as ekuilibrin derisa të jesh ulur para këmbëve të Jezusit, e të dëgjosh me shumë vëmendje fjalët e Jezusit.

Kjo nuk duket kaq e lehtë, për tu bërë nëse je një person i shkëlqyer, dhe shumë i përkushtuar si Drejtor Ekzekutiv, i lidhur pas një telefoni Blekbërri, (Blackberry), si në punë ashtu edhe në shtëpi. Pra si të fillojmë?

Nuk mendoj aspak risistemimin e programit.

Unë jam e sigurt se as heqja dorë prej disa gjërave nuk do të bëjë punë, as rivendosja e prioriteteve, apo orët që do të kalosh duke punuar, apo cilin studim kualifikues shtesë do të braktisësh. Dua të them, cili prej nesh i njeh aq mirë vështirësitë në jetën e tjetrit, sa t’’i tregojë atij se si duhet të ndryshojë detajet e historisë së jetës së tij apo të saj.

Jo, ne duhet të fillojmë atje ku filloi edhe Marta.

Kur humbi ekuilibrin, Marta, bëri gjënë e duhur.

Ajo erdhi menjëherë pranë Jezusit me gjithë ankimet dhe zemërimin e saj. Në fakt, fjala e përdorur këtu thotë se ajo iu afrua qetësisht Jezusit.

Këtë sugjeron edhe përkthimi në anglisht, ndërsa ai në greqisht, pra në gjuhën origjinale, thotë se ajo u turr drejt tij, apo u zbraz para tij.

Sigurisht si mund të bënte ndryshe! Ajo kishte humbur ekuilibrin, prandaj u zbraz te Ai dhe i tregoi të gjitha problemet e saj.

Unë mund ta shoh fytyrën e saj të mbuluar me djersë, flokët paksa të ngatërruar nga puna, duart e saj duke u dridhur prej zemërimit.

Zëri po i dridhet prej irritimit dhe rraskapitjes, teksa thotë: ” Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë!”

Teksa humbasim ekuilibrin dhe biem para Jezusit, ai na kap në hirin e Tij. Jezusi na thërret butësisht dhe ëmbëlsisht në emër dhe na thotë: “Sigurisht që më intereson. Më intereson që të rifitosh ekuilibrin tënd, çka është më e rëndësishme se zgjidhja e problemit që ke përpara.

Nëse gjen ekuilibrin, mund të jetosh në mes të një tornadoje në paqe dhe gëzim.

Nëse jo, nuk ka rëndësi se sa punon kolegu dembel në zyrën tënde, apo nëse shefi të jep një kohë pushimi, apo si i rregullon detajet në jetën tënde. Sepse sërish do të jesh në akth, dhe i shqetësuar.” Dhe në hirin e tij, Jezusi tregon një mënyrë më të mirë jetese një mënyrë për të bashkëpunuar me kërkesat dhe vështirësitë, të cilat e bëjnë jetën tonë kaq të furishme dhe frikësuese.

Ai na tregon të vetmen gjë që na duhet për të rifituar ekuilibrin tonë.

“Maria zgjodhi pjesën më të mirë.”

Edhe ne mund ta bëjmë këtë me anë të hirit të Perëndisë. Jezusi na fton të marrim sërish kontrollin e jetës, duke zgjedhur një mënyrë më të mirë jetese.

Jo, nuk është zgjedhja se prej cilit aktivitet do të heqim dorë, por se cilën histori do të dëgjojmë dhe do të jetojmë: historitë e vogla, që po i shpikim vetë, historinë e madhe të suksesit tonë, apo historinë e veprës shpëtuese të Jezusit, që ka për ne?

Jam shumë i bindur se pikërisht këto fjalë i ka thënë Jezusi Marisë teksa qëndronte ulur në këmbët e Jezusit.

Shkrimet që lexuam sot, na lidhin me atë histori përmes fjalëve: “Teksa Jezusi dhe dishepujt e Tij, ishin rrugës për në Jeruzalem.”

Te Luka 9:51 na thuhet se Jezusi u nis drejt Jeruzalemit dhe vdekjes së Tij të pashmangshme, drejt ringjalljes dhe kthimit të Tij në qiell.

Tani Ai është rrugës, vetëm dy milje larg prej destinacionit të përjetshëm.

Për këtë e kishte fjalën Jezusi kur tregoi historinë e vet: historinë e Perëndisë së plotfuqishëm, i Cili vuajti për të sjellë mbretërinë e Perëndisë në të cilën gjithë Maritë dhe Martat e botës do të gjejnë një jetë të paqtë dhe emocionuese teksa e ndjekin Jezusin.

Përgjatë viteve, Jezusi na  thërret në emër, butësisht dhe ëmbëlsisht dhe na fton të zgjedhim një mënyrë më të mirë jetese, një jetë e cila është njëkohësisht plot me punë por dhe me ekuilibër, si produktive ashtu edhe paqësore.

A i mungon ekuilibri jetës tënde personale? A i mungon ekuilibri jetës tënde familjare? Para se të bësh diçka tjetër, Jezusi të fton ta dëgjosh Atë.

Sigurisht, ti nuk do ta dëgjosh atë ashtu siç e dëgjoi Maria, për së gjalli me veshët fizikë. Por ti mund ta dëgjosh atë teksa flet përmes Biblës.

Dëgjo predikime. Dëgjo Fjalën në kishë. Dëgjo Frymën. Dëgjo me veshin tënd të brendshëm, historinë e Jezusit dhe dashurisë së Tij të madhe, në të cilën ti je po aq i rëndësishëm dhe i dashur sa Maria dhe Marta.

Bëj të vetmen gjë që duhet për të fituar ekuilibrin. Ulu diku dhe qëndro vetëm. Ulu dhe qëndro me familjen tënde. Bëje këtë gjë përditë nëse mundesh. Bëje të paktën njëherë në javë. Bëje veçanërisht kur nuk ke kohë të dëgjosh sepse je shumë i zënë me punë. Ulu dhe dëgjoje Jezusin.