Rrëfimtarë të së vërtetës

Print

Titulli: Rrëfimtarë të së vërtetës (pjesa 2)

Qysh prej fillimit në kopshtin e Edenit, djalli, ky gjarpër i vjetër, ka qenë duke treguar gënjeshtra vrastare. Perëndia i tha Adamit dhe Evës se mund të hanin nga çdo lloj fruti, përveç një peme. Pemës së ndaluar, përndryshe do të vdisnin. Gjëja e parë që Satani i tha Evës ishte: “A e tha me të vërtetë Perëndia këtë?”. Ai e bëri Evën që të dyshonte të vërtetën e Perëndisë. Më pas i tha asaj se Perëndia nuk do ta vriste nëse nuk bindej. Nëse do ta hante frytin do të ishte e lirë. Ajo do të bëhej si vetë Perëndia. Eva dhe Adami i besuan Satanit, ata e dyshuan Perëndinë dhe qysh atëherë njerëzit vazhdojnë të gënjejnë dhe të vdesin.

Sa herë që dikush thotë një gënjeshtër, Satani kënaqet, ai avancon në fushatën e tij vrastare për të shkatërruar dhe vrarë shpirtrat e njerëzve. Jo të gjitha gënjeshtrat janë aq spektakolare sa pohimi se Juda dhe Kaini ishin të mirë. Gënjeshtrat dhe mashtrimi vijnë në forma të ndryshme.

Një djalë lajkaton një vajzë me fjalë të ëmbla, duke i thënë se sa shumë e do atë, por pasi ka rënë në shtrat me të, e ndërron me një tjetër sikur të ishte plaçkë. Një grua bën premtimet e martesës, dhe më pas vendos se do të ishte më mirë pa burrin e saj dhe, kështu e tradhton atë dhe e le zemërthyer. Një fëmijë në shkollë sillet mirë me një fëmijë tjetër, por prapa krahëve u thotë fëmijëve të tjerë se ai është dështak. Një mësues korrigjon një sërë provimesh dhe u vë nxënësve nota maksimale, duke i dhënë atyre një ndjesi false të  arritjes dhe duke i privuar prej nxitjes për tu përmirësuar dhe për të shkëlqyer.

Një atlet, nënshkruan një kontratë gjashtë vjeçare dhe dy vjet më vonë kërcënon se nuk do të luajë nëse nuk negociojnë sërish për marrëveshjen.

Një tregtar mashtron një blerës për nënshkrimin e një kontrate. Vetëm më vonë, kur kontrata printohet klienti kupton se e kanë gënjyer. Një studiues falsifikon zbulimet e tij ose fsheh rreziqet e disa produkteve të caktuara, në mënyrë që të arrijnë në treg më shpejt dhe si pasojë e kësaj vdesin shumë njerëz. Një doktor gënjen dhe i thotë një pacienti se ka shumë mundësi të mbijetojë, duke i privuar pacientit që është duke vdekur, mundësinë për tu përballur me guxim dhe pa frikë me vdekjen, po kështu duke e detyruar atë të durojë shtimin e dhimbjes dhe fyerjen e një trajtimi të kotë.

Një politikan bën një sërë premtimesh që e di se nuk do t’i mbajë dhe njerëzit e humbasin besimin te qeveria. Një prezantues televiziv, flet broçkulla, një sërë thashethemesh, spekulimesh, apo gjysmë të vërtetash, dhe njerëzit bëhen cinikë për gjithçka. Një predikues thotë një gjë, por bën të kundërtën dhe bashkësia e tij fillon të pyesë veten nëse mund t’i zihet besë njeriu, apo duhet të besojnë gjithçka.

A ka diçka më tipike që tregon se një jetë është mëkatare sesa të gënjyerit? Ti bën diçka të gabuar; ti nuk do që njerëzit e tjerë ta marrin vesh; kështu që çfarë bën? Ti gënjen. Dhe sapo thua një gënjeshtër, duhet të thuash një tjetër për ta mbuluar atë dhe më pas një tjetër, e një tjetër, derisa e gjithë jeta jote të kthehet në një rrjet gënjeshtrash.

Gënjeshtrat i helmojnë marrëdhëniet. Mendo se çfarë ndodh kur një grup njerëzish mblidhen bashkë, në një lokal, apo festë, apo kudo qoftë. Vështro gjithë buzëqeshjet e tyre! Dëgjo se sa miqësorë janë të ata! ” Gëzohem që të takova.” , thotë njëri. “Mu bë qejfi shumë që folëm bashkë.”- ia kthen tjetri. Pas kësaj vër re pëshpërimat dhe vështrimet e pahijshme dhe, dëgjo se çfarë kanë për të thënë ata pasi personi largohet nga dhoma. Bie maska e miqësisë së rreme, e lajkave dhe e shtirjes dhe, shfaqet njeriu i vërtetë me atë çka mendojnë realisht për njëri-tjetrin.

Atmosfera jonë është kaq e ndotur prej gënjeshtrave saqë rrezikojmë të mbytemi. Ne në njëfarë mënyre kemi nevojë të marrim ajrin e freskët të së vërtetës dhe të zbulojmë jetën dhe lirinë që vjen kur flasim ” të vërtetën me dashuri”. (Efesianëve 4:15)

Perëndia i së vërtetës

Ne kemi nevojë të jemi njerëz të së vërtetës për të mirën tonë, dhe sepse Perëndia është Perëndi i së vërtetës. Nëse e njeh Perëndinë, atëherë do ta duash të vërtetën dhe do ta urresh gënjeshtrën. Pse? Sepse kështu bën Perëndia. Bibla thotë: ” Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij.” (Fjalët e Urta 12:22)

Perëndia e do të vërtetën dhe urren gënjeshtrën sepse e vërteta është në natyrën e tij. Bibla e përshkruan Zotin si: “Perëndia i së vërtetës”. (Psalmi 31:5) Në të thuhet se “Perëndia nuk gënjen” (Titi 1:2) Po kështu ajo thotë: ” Është e pamundur që Perëndia të gënjejë.” (Hebrenjve 6:18) Fuqia e Perëndisë është e pafund, pothuajse çdo gjë është e mundur për Të, veç një gjëje: gënjeshtrës. Perëndia nuk mund të gënjejë. E vërteta është thelbi i ekzistencës së tij. Perëndia nuk do të ishte Perëndi, nëse nuk do të ishte plotësisht i besueshëm dhe besnik.

Bibla thotë: ” Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë?” (Numrat 23:19) ” Sepse Fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjitha veprat e Tij janë bërë me saktësi.” (Psalmi 33:4)

Kur Perëndia erdhi në tokë, si një njeri në personin e Jezusit, ai tha: “Unë jam e vërteta” (Gjoni 14:6) Kur Jezusi do të gjykohej para Pilatit, Ai tha: “Për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim.” (Gjoni 18:37)

Dhe si reagoi Pilati? Ai pyeti: “çfarë është e vërteta?” Kjo është pyetja që bën çdo njeri që dëshiron të shmangë Perëndinë, që dëshiron të bëjë diçka që e di mirë brenda vetes se është e keqe. Ashtu si çdo vepër e keqe që shoqërohet me një rrjet gënjeshtrash, ose mbulohet me gënjeshtrën më të madhe që ekziston: E vërteta nuk ekziston; askush nuk mund të jetë i sigurt se Perëndia ekziston apo se si është Ai. Askush nuk e di me siguri se çfarë është e drejtë apo e gabuar. Nëse nuk ka të vërtetë, atëherë nuk ekziston as e vërteta dhe as e gabuara, kjo do të thotë se unë mund të vazhdoj të bëj atë që po bëj.

Disa intelektualë e kanë kthyer këtë madje në një filozofi. Çfarë është e vërteta? Kush e di? Le të besojmë të gjithë atë që duam, dhe të bëjmë çfarë të duam, edhe sikur për këtë të nevojitej kryqëzimi i Birit të Perëndisë, sikurse bëri Pilati.

“Çfarë është e vërteta?” Kjo pyetje sarkastike e Pilatit mohon se Perëndia është i vërtetë dhe se zbulesa e Tij është e besueshme.

Ne kemi marrë shembull kërdinë që bëhet në zona të ndryshme të jetës kur gënjejmë njëri-tjetrin, qofshin këto gënjeshtra të momentit që shtrembërojnë atë që thotë Bibla për Jezusin, apo gënjeshtra të përditshme që u themi të tjerëve. E vërteta vjen nga Perëndia, dhuruesi më i madh i jetës. Gënjeshtrat vijnë nga Satani, vrasësi më i madh. Nuk po themi thjesht se ndershmëria është e bukur dhe gënjeshtrat nuk janë të bukura. Por po themi se në ligën e kujt jemi, në ligën e Perëndisë të së vërtetës, apo në ligën e atit të rrenave, Satanit.

Ta thuash të vërtetën me dashuri

Sinqeriteti është shumë i rëndësishëm për të pasur një marrëdhënie reale me Perëndinë dhe me të tjerët. Bibla thotë: ” Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njeri me tjetrin.” (Efesianëve 4:25) ” që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrine, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit, por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti.” (Efesianëve 4:14-15)

“Ta thuash të vërtetën me dashuri” është çelësi i çdo marrëdhënieje. Deri tani kemi parë pasojat e gënjeshtrës dhe sa e nevojshme është të themi vetëm të vërtetën, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Para se të themi diçka, së pari duhet të pyesim veten: ” A është e vërtetë kjo?” Më pas duhet të bëjmë pyetjen tjetër: “A ka dashuri brenda” A po e them të vërtetën me dashuri.’?” Ajo që dua të them është se nuk duhet vetëm që të pyesim veten se a ia vlen ta them këtë, por edhe të pyes veten: a do të më ndihmojë kjo?