Sa fort e dëshiron Atë?

Print

Titulli: Sa fort e dëshiron Atë? (pjesa 1)

Sa mirë që e prezantuam temën me dëshirat sepse unë duhet të vazhdoj me disa pyetje që prekin zona të ndaluara. Cfarë gjëje i druhesh më tepër? Çfarë i shmangesh më tepër? Ndoshta ke frikë prej minjve, merimangave apo lartësive, por nuk e kam fjalën për këto gjëra. E kam fjalën për gjëra që të ndikojnë drejtpërdrejtë. Çfarë të vë në siklet? A ka ndonjë person, të cilin mundohesh ta shmangësh? A ke ndonjë kujtim që e mban të shtypur përbrenda e nuk do ta mendosh, diçka prej së kaluarës që duket sikur të ndjek nga pas ? A ke ndonjë sfidë që të duket tepër e vështirë për tu kaluar? A ke një dobësi të fshehtë që nuk dëshiron ta dijë askush tjetër? çfarë të bën ta vesh në dyshim veten dhe të habitesh nëse ke atë që duhet për të arritur diçka? Cila është ajo gjë që i druhesh më tepër?

Ndonjëherë frika jote lidhet me atë që ti do më tepër.

Shqetësimi yt vendoset mes teje edhe asaj gjëje që ti dëshiron më shumë.

Ti dëshiron një marrëdhënie të mirë me dikë, por ke frikë se mos refuzohesh dhe nuk guxon të flasësh hapur me atë person. Ti dëshiron të mposhtësh një kujtim të dhimbshëm, por nuk guxon të përballesh me të. Ti dëshiron të zbulosh se Cili je në të vërtetë, por duke qenë se ke luajtur një rol të caktuar për njëfarë kohe, tani pyet veten mos vallë je duke u sjellë si dikush tjetër, duke mos qenë vetvetja. Ti dëshiron të kesh sukses, por ke shumë frikë se mos dështon ndaj nuk merr iniciativën. Ti dëshiron një bekim të madh, por ia ke frikën pengesave të mëdha.

Tani pyetja është, a e dëshiron vërtetë atë bekim? A e dëshiron atë mjaftueshëm sa të luftosh për të? Që të marrësh bekimin, para së gjithash duhet të përballesh me atë gjë që të frikëson më shumë. Dhe gjatë procesit, mund të tronditesh kur të zbulosh se ajo gjë që e kishe shumë frikë, nuk është dhe aq e frikshme sa dukej dhe se ajo që t’i dëshiron aq shumë nuk është aq e admirueshme.

Udhëtimi i Jakobit

Jakobi ishte një njeri me shumë dëshira dhe frikëra.

Bibla na tregon te Zanafilla, se Jakobi e mashtroi vëllanë e tij Esaun dhe e zemëroi atë aq shumë sa që Esau tha se do ta vriste Jakobin. Jakobi duhet të largohej prej shtëpisë e të shkonte larg. Kur Jakobi u largua prej shtëpisë, ai nuk kishte as prona asgjë tjetër, veç një shkop që e mbante në dorë.

Por Perëndia iu shfaq në një ëndërr Jakobit, ku një shkallë lidhte qiellin me tokën. Atje Perëndia i premtoi Jakobit se do ta mbronte dhe do ta kthente atë në shtëpinë e origjinës. Teksa vitet kaluan, Jakobi u bekua në një vend tjetër. Ai u bë i pasur dhe kishte një familje të madhe, por pati një fërkim në marrëdhënien e tij me vjehrrin dhe Jakobi u ndje sikur nuk mund të gjente asnjëherë rehat me të. ” Pastaj Zoti i tha Jakobit: ‘Kthehu në vendin e etërve të tu dhe te fisi yt, dhe unë do të jem me ty’”. (Zanafilla 31:3) Kthimi në shtëpi ishte diçka që Jakobi e dëshironte fort por njëkohësisht kjo gjë e frikësonte. Aq sa donte të kthehej në shtëpi të takonte prindërit, po aq i trembej për vdekje Esaut. Por Perëndia i tha Atij që të shkonte.

Kështu Jakobi nisi udhëtimin drejt vendit ku dëshironte të ishte, dhe drejt vëllait që ai kishte shmangur gjithë këto vite. Ai duhet të ketë përjetuar një përzierje emocionesh ndoshta, ngazëllim, kërcënim, dëshirë dhe frikë. Teksa udhëtonte “Engjëjt e Perëndisë e takuan atë. Kur Jakobi i pa u tha, Ky është kampi i Perëndisë!'” (Zanafilla 32:1-2) Ky ishte një inkurajim shumë i madh për Jakobin në udhëtimin e Tij.

Por para se të ndodhte kjo ai ishte i frikësuar si asnjëherë tjetër. Jakobi i dërgoi lajmëtarë Esaut, të cilit i treguan për planet e tij për tu kthyer si edhe i kërkuan përulësisht favor në emër të Jakobit, që ky të kthehej e të takohej me të vëllanë.

Por Esau nuk foli shumë, në vend të kësaj ai mori katërqind burra me vete dhe shkoi për të takuar Jakobin.

Bibla thotë se Jakobi ndjeu “frikë të madhe dhe ankth”.

(Zanafilla 32:7) Në rast se do të takoje një grup me katërqind njerëz të fortë me në krye një person që të është betuar dikur se do të vrasë, a nuk do të ndieje edhe ti ” frikë të madhe dhe ankth”? A nuk do të vrisje mendjen se si t’ia mbathje nga sytë këmbët? Ndoshta në ato çaste do të doje që Perëndia mos të vendoste në këtë situatë të tmerrshme. Por këtë e bën Perëndia: Ai bën që të përballesh me situatën që ke shmangur prej kohësh dhe të takohesh me personin e fundit që t’i dëshiron të takosh.

Jakobi reagoi ndaj kësaj duke planifikuar me mençuri dhe duke u lutur me përulësi. Në këtë plan ai ndau njerëzit dhe pronat e tij në grupe të veçanta, që të paktën ata të shpëtonin në rast se i sulmonte Esau. Më pas ai i dërgoi përpara dhurata të mëdha Esaut, me shpresën se Esau do të tregohej më miqësor dhe pranues.

Jakobi jo vetëm që planifikoi por edhe u lut. Ai kujtoi premtimet e Perëndisë dhe se si e kishte bekuar Perëndia atë, si i kishte dhënë aq shumë gjëra që ai nuk i meritonte. Jakobi pranoi para Perëndisë: ” Unë nuk jam i denjë i të gjitha mirësive dhe i gjithë besnikërisë që ke treguar ndaj shërbyesit tënd.” (Zanafilla 32:10) Kur ndihemi të padenjë, ne mund të mendojmë se nuk ia vlen të lutemi, por Jakobi nuk e la ndjenjën e tij e të qenit i padenjë që ta ndalonte atë. Ai e dinte se edhe në të kaluarën nuk i kishte merituar bekimet e Perëndisë. Por Perëndia e kishte bekuar gjithsesi. Nëse Perëndia tashmë i kishte dhënë atij kaq shumë bekime të pamerituara, pse të mos i kërkonte më shumë duke ditur se Perëndia e premtonte këtë?

Nëse mendon se mund t’i kërkosh ndihmë Perëndisë vetëm kur e ke këtë të drejtë, duhet ta mendosh edhe një herë mirë. Perëndia nuk ndihmon njerëzit që mendojnë se e meritojnë ndihmën. Ai ndihmon ata që pranojnë se nuk e meritojnë atë. Perëndia kënaqet dhe nderohet kur ne dorëzohemi para mirësisë së tij dhe i kërkojmë shumë më tepër se sa kemi të drejtë t’i kërkojmë. Lutja e vërtetë mbështetet në bujarinë e Perëndisë dhe premtimet e Tij dhe jo në kualifikimet tona.

Jakobi rrëfeu se ishte i padenjë, dhe iu lut Perëndisë që ta shpëtonte atë dhe familjen e tij prej shkatërrimit.

Ndërkohë, ai vazhdonte t’i kujtonte Perëndisë premtimet e Tij, për ta bekuar e për ta mbrojtur.

Ashtu si një fëmijë i vogël që i thotë babait të vet: “Ti më premtove! Ti më premtove!” edhe Jakobi ia kujtonte vazhdimisht Perëndisë premtet e Tij. (32:9-12)

Tani, nëse Perëndia bën premtime dhe jep dhurata të pamerituara, a do të thotë kjo se detyra e Perëndisë është ta bëjë jetën tënde të rehatshme e pa mundime? Një burrë mori në telefon shërbesën tonë. Ai u ankua duke thënë se Perëndia nuk i ishte përgjigjur lutjeve të tij. Ai tha se kishte qenë duke u lutur që Perëndia t’i jepte shumë para dhe një shtëpi të madhe pa kredi apo borxhe për të paguar.

Por ndonëse u lut, asnjë qindarkë nuk ra nga qielli dhe po kështu nuk mori një shtëpi pa kredi apo pa borxhe. Perëndia nuk i dha Atij atë çka donte, dhe kjo gjë e zemëroi atë. Ndonjëherë ai madje e mallkonte Perëndinë.

Ndërkohë, ky burrë nuk kishte asnjë interes për të lexuar Biblën apo për të shkuar në kishë. Ai ishte i mendimit se është detyrë e Perëndisë ta mbrojë atë, ndërsa detyra e tij është t’i japë urdhra Perëndisë dhe ta injorojë atë gjithë pjesën tjetër të kohës.

Shumë njerëz të tjerë mendojnë pak a shumë të njëjtën gjë. Rasti i këtij burri, ishte më ekstremi, por shumë njerëz e pëlqejnë ungjillin e prosperitetit. Ata presin që Perëndia t’i bëjë jetët e tyre të kënaqshme, pa dhimbje dhe të begata. Perëndia po të donte mund ta bënte këtë, por shumë shpesh udhëtimi drejt bekimit është i vështirë dhe i dhimbshëm.

Jakobi nuk pati një jetë të lehtë. Ai shumë vite i kaloi në arratisje dhe jetoi në një vend ku nuk ndihej rehat. Edhe atëherë kur Perëndia i tha të kthehej në shtëpi, Zoti nuk e bëri të lehtë këtë. Jakobi duhej të përballej me vëllanë që pati mashtruar, e po kështu duhej të përballej me fajin, frikën dhe dyshimet e tij për të ardhmen. Gjatë udhëtimit do të ndeshej me të gjitha këto, veç kësaj do të ndeshej papritur me një kundërshtar akoma më të ashpër.

Beteja në natë

Natën para se të takohej me Esaun, pasi kishte planifikuar gjithçka, ishte lutur dhe, kishte mbaruar me organizimet, Jakobi gjendej vetëm në errësirë. Papritur një burrë  i doli në mes të errësirës dhe u përlesh me të. Kush ishte ky njeri misterioz? Mos vallë Esau, i vëllai? Mos kishte paguar ndonjë njeri për ta vrarë ? Por pasi u ndesh me të, e kuptoi se ai mund të kishte qenë kushdo tjetër veç jo i vëllai, Esau. Përleshja vazhdoi disa orë. Nëse ke qenë ndonjëherë mundës, apo je ndeshur me dikë, besoj se e di shumë mirë që ndihesh i rraskapitur që në minutat e para, imagjino këtë mundje që ka vazhduar për disa orë gjatë natës. Teksa rrezet e para të diellit aguan, Jakobit i erdhi ndër mend se kush mund të kishte qenë kundërshtari i tij. Në njëfarë mënyre Zoti vetë kishte marrë trajtën e një njeriu dhe po ndeshej me Jakobin. Zanafilla 32 thotë:

Kur ky burrë e pa se nuk mund ta mundte, i preku zgavrën e ijës; dhe zgavra e ijës së Jakobit u përdrodh, ndërsa ai luftonte kundër tij.

26  Dhe ai tha: “Lërmë të shkoj, se po lind agimi”. Por Jakobi iu përgjigj: “Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!”.

27  Tjetri i tha: “Cili është emri yt?”. Ai u përgjigj: “Jakob”.

28  Atëherë ai i tha: “Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Israel, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar”.

29  Jakobi i tha: “Të lutem, tregomë emrin tënd”. Por ai iu përgjigj: “Pse e do emrin tim?”.

30  Dhe kështu ai e bekoi. Atëherë Jakobi e quajti këtë vend Peniel, sepse tha: “E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal”.

31  Mbasi ai kaloi Penielin, dielli po ngrihej; dhe Jakobi çalonte për shkak të ijës. (32:25-31)

Jakobi u ndesh gjithë natën me një njeri misterioz që realisht kishte formën e një njeriu. Edhe atëherë kur Jakobi ishte i rraskapitur edhe atëherë kur ija iu lëndua vetëm prej një prekjeje, ai nuk do të hiqte dorë derisa të merrte bekimin e Perëndisë. Ky ishte një çast vendimtar për Jakobin. Ai po ndeshej me një njeri të gjymtuar, që shumë lehtë mund ta ulte në tokë dhe ta vriste. Në rast se Jakobi mendonte se kishte probleme dhe frikëra përpara, ai zbuloi se nuk kishte pasur asnjëherë diçka kaq të frikshme se sa kjo betejë me të Plotfuqishmin. Në të njëjtën kohë, nëse Jakobi mendonte se më parë kishte pasur bekime, asnjëra prej tyre nuk krahasohej me dëshirat e tij për të pasur bekimin më të madh, të vetë Perëndisë.

Perëndia dëshiron që të sjellë secilin prej nesh në atë pikë ku gjithë frikërat tona të zakonshme të përpihen prej frikës së Zotit dhe, ku gjithë dëshirat tona të zakonshme të përpihen prej dëshirës sonë për të pasur Perëndinë dhe bekimet e Tij.

Në rast se e gjen veten tënde në një betejë me Perëndinë, mbaj të njëjtin qëndrim si Jakobi. Thuaji vetes: “Unë nuk mund të fitoj, por as nuk duhet të humbas. Unë nuk duhet ta le Perëndinë të largohet, pa më dhënë bekimin e Tij. Unë nuk e di nëse do të mund të jetoj me të, por e di se nuk mund të jetoj pa të.

Në rast se Ai nuk më bekon, atëherë do t’i duhet të më vrasë, sepse unë nuk kam për ta lënë të shkojë.” Jakobi nuk kishte asnjë shans që ta mundte kundërshtarin e tij, megjithatë ai mbahej fort sepse e donte jetën. Si një djalë i vogël që vë poshtë vëllanë e madh, Jakobi i dobët, i lënduar dhe kokëfortë si asnjëherë nuk e lë të largohet. Ai i thotë: “Nuk të lë të ikësh pa më bekuar më parë.” Dhe kështu ai mori bekimin e Zotit!

Shumë inkurajuese është të dëgjosh se Jakobi mposhti frikën më të madhe të jetës. Por si arriti ta bënte këtë gjë Jakobi në betejën e tij me Perëndinë e plotfuqishëm? Për këtë do të flasim herën e ardhshme. Mos harroni të na ndiqni!