Herën e kaluar e lamë mesazhin tonë te fuqia e Jezusit për të falur e cila është shumë herë më e madhe se fuqia e Tij shëruese, ndonëse në sytë e njerëzve kjo duket më e rëndësishme.
Por nuk ka pasur asnjëherë ndonjë profet i cili të ishte i aftë të thoshte me autoritet: “Mëkatet e tua janë falur.” Po falja është shumë herë më e vështirë se sa shërimi.
Kur bëhet fjalë për marrëdhënien tonë me Perëndinë, kemi një mal me faje saqë vetëm Perëndia mund t’i largojë prej nesh.
Kush mund të falë veç Perëndisë?
Këtë pra thanë edhe autoritetet religjioze.
Falja është shumë herë më e vështirë se sa shërimi. Por për ta vërtetuar se Ai mund të bëjë gjëra më të mëdha, Ai bën këtë tjetrën më të vogël në rëndësi.
Ai i thotë të paralizuarit, “Çohu dhe ec!”
Dhe më pas burri ngrihet në këmbët e veta dhe shkon në shtëpi. Shërimi radikal, thekson faljen radikale.
Pse mund ta bëjë Jezusi këtë? Pse mund të bëjë Jezusi një mrekulli shërimi që dëshmon mrekullinë e faljes?
Sepse Jezusi vetë ka ardhur të merret me shkakun kryesor të gjendjes së mjerueshme njerëzore. Ati ka dërguar Birin e Tij të vetëm në një botë që është larguar prej shtëpisë së vërtetë.
Biri ka ardhur me qëllim që të përballet me fajin që na ndan ne prej Perëndisë.
Jezusi është gati të shkojë në kryq. Ai është gati të përjetojë se çfarë do të thotë të jesh larguar plotësisht prej shtëpisë së Atit, për hatrin tonë. Në kryq, Jezusi thërret: “Perëndia im, Perëndia im përse më ke braktisur mua!”. Ai thotë këto fjalë në prag të Kalvarit, dhe dera e shtëpisë së Atit i përplaset Jezusit në fytyrë, për të vetmen arsye se Ai mori mëkatet e mia dhe të tuat. Dera e qiellit mbyllet. Jezusi bëhet përfundimisht një njeri i mjerë! Dhe përse? Që të merrte fajin tim dhe tëndin bashkë, që njerëz të mjerë si ti dhe si unë të mund të kalojmë pragun e shtëpisë së Atit dhe, të mund të hyjmë në praninë e këndshme të Atit Perëndi.
ASOKOHE, PO TANI?
“Bir, thotë Jezusi, “Mëkatet të janë falur.”
A nuk është e mrekullueshme! Por çfarë mund të themi për njerëzit e tjerë? Ndoshta ne themi:Ky djali i paralizuar, fundja fare nuk ishte dhe aq i keq. Ndoshta me gjithë ato sfida që ishte përballur në paaftësinë e tij, tani do të ishte bërë një shenjtor shpirtëror. Por a është falja një mundësi për të gjithë njerëzit, pavarësisht se sa keq janë katranosur?
Mirë të shikojmë se si vazhdon historia te ungjilli i Mateut. Mateu vë përballë shërimin me thirrjen, thirrjen e një taksa mbledhësi me emrin Mate.
Unë mund të them se ti edhe unë ndoshta nuk jemi shtylla të virtytit, por nëse do të kishim dalë me Mateun për një shëtitje, më beso do të na vrisnin. Sepse si taksambledhës që ishte, Mateu ishte njëkohësisht një mashtrues dhe tradhtar i popullit të tij.
A të kujtohet Vidkun Kuishling? (Vidkun Quisling) Ai ishte një oficer i ushtrisë norvegjeze, që tradhtoi vendin e tij dhe, e dha në duart e gjermanëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai ndihmoi Gjermaninë në pushtimin e planifikuar mbi Norvegji. Ai përdori pushtetin e tij si oficer norvegjez, për të shpejtuar disfatën e vendit të tij. Për përpjekjet e tij ai u caktua si marionetë në Norvegjinë e pushtuar prej Gjermanisë. Deri sot Kuishling njihet si një tjetër fjalë për të cilësuar tradhtarët.
Po, Mateu ishte një Kuishling. Ai ishte një bashkëpunëtor romak. Si taksa mbledhës ai kishte të drejtë të vilte taksat si dhe sa të donte vetë, për sa kohë që i jepte Romës atë që i takonte. Në kohën e Jezusit, pak njerëz konsideroheshin me aq zgjyrë sa Mateu.
Sigurisht që nëse do të krijonim një organizatë të krishterë sot, Mateu nuk do të ishte në atë listë, as ndër anëtarët e bordit. Pasi nëse do të merrnim Mateun si vullnetar, puna jonë do të kishte një nam të keq.
Por Jezusi nuk ka të njëjtën pikëpamje. Jezusi i thotë këtij taksambledhësi të neveritshëm: “Ndiqmë.” Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Jezusi shkon për drekë në shtëpinë e Mateut, dhe kalon kohë me miqtë e tij të pandreqshëm.
Pse? A nuk e di Jezusi se po të rrish me plehrat, do të vish era plehra? A nuk është Jezusi i frikësuar se reputacioni i tij do të nxihet nëse vazhdon të dalë me këtë shoqëri?
Po, Jezusi i njihte rreziqet. Por Ai e di se nuk ka ardhur për të thirrur në pendesë të shëndetshmit, por mëkatarët. Asnjë rast nuk është tepër i vështirë për Doktorin e madh, miqtë e mi. Ai ka ardhur të sjellë falje, për rastet më të vështira që mund të imagjinojmë.
Po ti?
Ndoshta ka ardhur edhe për rastin e vështirë ku ndodhesh ti. Ndoshta ti identifikohesh me Mateun. Ose ndoshta, mëkati yt, nuk është aq i dukshëm sa ai i Mateut. Ndoshta njerëzit nuk tundohen të të pështyjnë në fytyrë kur ti kalon në rrugë. Në fakt, ti mund të kesh një reputacion të pastër.
Njerëzit heqin kapelën sa herë të shohin. Ata të mbajnë ty si shembullin e moralit. Por ti e di mirë se çfarë fsheh pas fasadës. Ti e di se si i ke fituar paratë e tua. Ti e di se çfarë lloj personi bëhesh kur je me familjen dhe kur të tjerët nuk të shikojnë. Ti i di të gjitha kujtimet e turpshme që të mbajnë zgjuar natën. Ti e njeh fajin tënd.
Sjuzën Haueç( Susan Hoëatch) në librin e saj “Imazhe shkëlqyese” na prezanton me Çarls Eshuorth, jeta e të cilit është shumë e bukur. Shumë e bukur. Ai është një kler anglikan. Ai vjen nga një familje e mirë angleze. Ai ka shkruar një libër të bukur dhe, ka një pozitë të mirë në universitet. Ndërsa martesa e tij përfundon me vdekjen e gruas.
Dhe jeta e tij në dukje ishte kaq e pastër, kaq e bukur!! E bukur, po gjithcka dukej e bukur. Me përjashtim të faktit se familja e tij kishte dyzetë vite që kalonte grindje. Dhe babai i tij i kishte thënë se nuk do të arrinte asgjë në jetë. Dhe në martesën e tij të bukur, ai e kishte çuar gruan e tij në dëshpërim për shkak të përsosmërisë së tij, dhe e dinte thellë brenda vetes se vdekja e saj nuk ishte aksident por vetëvrasje. Stili i tij i jetesës si anglez shpesh ndërpritej prej udhëtimeve në Francë për të vizituar prostitutat. Dhe kur ai përballet me gjithë këto, ai ti thotë vetes se: “Nuk jam unë Ky!!!”.
Po pse cili mendon se je ti- i thotë drejtuesi i vet shpirtëror. Cili je TI? dhe Eshuorth duhet ta pranojë-Unë jam. . . –“imazhi im i shkëlqyer.”
Imazhe shkëlqyese!! Sa nga ne jetojnë duke mos projektuar te të tjerët imazhe shkëlqyese?
Por çfarë bëjmë nëse zbulojmë atë që zbuloi Çarli se, nuk mund të jetojmë me imazhe shkëlqyese. Pesha e mbajtjes së një maske është shumë e rëndë.
Faji që ne mundohemi të mbajmë të varrosur, është shumë i madh për ne.
Jashtë është imazhi shkëlqyes, buzëqeshja e hirshme, imazhi i moralit. Por brenda nesh ka shthurje, tmerr dhe ndjenja faji për hir të mëkatit.
Ky është Lajmi i Mirë. Fëmijët e larguar prej Perëndisë mund të kthehen te Ati. Fëmijët e humbur mund të gjejnë rrugën e kthimit për në shtëpi. Sepse Jezusi është ashtu siç e ka emrin. Jezusi shpëton. Ai erdhi për një të paralizuar. Ai erdhi për Mateun. Ai vjen edhe për ty. Asnjëherë mos e nënvlerëso fuqinë e Ungjillit të Krishtit për jetën tënde.
Sepse larg të qenurit i errët, ky ungjill realisht sjell diçka që është e RE në botën tonë. Në fakt, ungjilli shpall se ata që besojnë në Jezus Krishtin kanë hyrë në risinë që nuk është asgjë më pak se sa përvoja e ringjalljes.
Pali thotë te Efesianëve 2: “Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi,
- edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit) edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore. . .” KJO është fuqia e hirit falës, përtëritës dhe shërues!
Pyes veten se ku je ti tani që po dëgjon këtë mesazh. Ndoshta ti je në dhomën e ndenjes dhe po mendon për pesëdhjetë vitet e kaluara.
Ndoshta jeton në një komunitet ku njerëzit ta dinë emrin. Ndoshta atje ndihesh si në shtëpi. Nëse është kështu, jam i lumtur për ty.
Por edhe nëse rrënjët shkojnë shumë thellë, a mendon se ke gjetur një vend për gjithë përjetësinë. A të mungon diçka?
Ndoshta nuk je aspak në gjendjen e mësipërme. Por je në një kontekst tjetër. Ndoshta po e dëgjon këtë program teksa je larg shtëpisë. Ndoshta po e dëgjon këtë program në makinë, në radio teksa udhëton në një vend të panjohur për ty. Në fakt, ti je i rrethuar nga miliona njerëz, por nuk njeh askënd shumë mirë.
Ndoshta ti e dëgjon këtë program nga një qeli burgu, lokal apo shtetëror. Që nga momenti që dyert të janë mbyllur në fytyrë, ti ndihesh sikur je në mërgim. Ndoshta ti mund të jesh në një vend tjetër dhe e dëgjove këtë program në gjuhën tënde dhe ndalove për ta dëgjuar.
Teksa e dëgjoje të mbuloi nostalgjia. Ti ke qenë për një kohë të gjatë në udhëtim dhe nuk e di më se ku është shtëpia.
A ke menduar ndonjëherë se mos vallë të gjitha ato ndjenja nostalgjike tregojnë se ku gjendet shtëpia jote e vërtetë? Është koha të kthehesh në shtëpi me Perëndinë. Dhe Jezusi siguron mënyrën për tu kthyer në shtëpi. Takohu me të si Zot dhe Shpëtimtar, me anë të besimit. Dëgjoje atë teksa të fton t’i besosh plotësisht kujdesit të Tij.
Dëgjoje atë teksa të fton të ecësh krah për krah tij. Dëgjo se çfarë thotë Ai: “Biri im, mëkatet e tua të janë falur.” Sot hyr në gëzimin e shtëpisë së Atit.