Shkollat e krishtera, në ndryshim nga të tjerat e bëjnë Biblën bazën e tyre për gjithçka. Ato i ndihmojnë studentët të eliminojnë supersticionin, të zhvillojnë bindje solide dhe, të kenë një ide të qartë për kuptimin e jetës.
Në shkollat e krishtera studentët mësojnë atë që Bibla thotë: ata mësojnë doktrinën e shëndoshë, ata mësojnë historinë e kishës, por jo vetëm kaq. Ata mësojnë si ta ndriçojnë dritën e Biblës në fushat e tjera, siç janë historia, gjuha, letërsia, shkenca, matematika dhe muzika.
Kjo shkollë bashkohet me shkruesin biblik që thotë: “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.” (Psalmi 119:105) Bibla është themelore. Kjo është shenja e dytë e një shkolle të mirë të krishterë.
3. Kurrikula ka Krishtin në qendër
Ne tashmë e kemi prekur paksa këtë gjatë diskutimit të dy shenjave të para dalluese për një shkollë të mirë të krishterë, por edhe kjo kërkon një vlerësim të veçantë teksa kërkoni të njihni një shkollë.
A është gjithë kurrikula e përqendruar te Krishti? A është e mundur që një shkollë të plotësojë dy standardet tona të para, pra të deklarojë një përkushtim të qartë ndaj Krishtit dhe të pohojë se Bibla është themelore, por pastaj të mos bëjë një punë të mirë për Krishtin përsa i përket fushave të ndryshme të kurrikulës. Një shkollë mund të ketë klasa lutjeje dhe studimi apo, shërbesa biblike që janë gjëra shumë të mira, por ajo mund të dështojë në shpalljen se Jezusi është Zoti mbi gjithçka.
Si mund të ndodhë kjo? Ndoshta shkolla mund të mos ketë filluar si një vizion i sovranitetit të Krishtit, por thjesht si një dëshirë e prindërve që fëmijët e tyre të mësojnë rreth Biblës dhe lutjes në shkollë.
Prindërit janë mbledhur dhe kanë menduar t’i ofrojnë fëmijëve të tyre diçka më të mirë. Ata filluan një shkollë të re dhe menjëherë vendosën në kurrikulën e përditshme lutjen dhe studimin e Biblës, si dhe veprimtari të tjera që lidhen me besimin.
Deri këtu në rregull. Por shumë prej prindërve dhe mësuesve ishin të edukuar në shkolla publike dhe universitete laike. Atje ata kishin përvetësuar në mënyrë të pavetëdijshme nocionin se feja ka lëndën e vet, nuk ka lidhje me çështjet e tjera të studimit dhe diskutimit publik.
Këta prindër dhe mësues që morën një iniciativë të mirë nuk mësuan asnjëherë një pikëpamje të krishterë më të gjerë dhe, asnjëherë nuk mësuan të shikojnë se si përshtatet sovraniteti i Jezusit në çdo lëndë studimi.
Shkolla që ata filluan mund të jetë më e mirë se alternativat e tjera dhe, mund të përmirësojë rrugës aftësinë për ta bërë të gjithë kurrikulën të përqendruar te Krishti, por kjo shkollë nuk është aq e mirë si shkollë e krishterë derisa e tërë kurrikula të jetë e përqendruar te Krishti.
Bibla thotë: “të gjitha gjërat janë krijuar me anë të Tij dhe në lidhje me Të. Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të.” Në të (në Krishtin) janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes.” (Kolosianëve 1:16,17, 2:3) Jezusi është një shpëtimtar dhe mik personal, por Ai është shumë më tepër se sa kaq. Ai është drejtuesi i çdo aspekti të jetës dhe qendra ku bashkohet gjithë njohuria.
Kjo ka një kuptim shumë të thellë për edukimin. Sikurse e ka shprehur Xhon Van Dajk, një profesor kolegji, me fjalët:
Një kurrikul e krishterë shqyrton planin dhe programin e Zotit për botën. Për shembull, shkenca fizike studion strukturën e universit fizik, sikurse jepen shembuj prej Fjalës së Perëndisë së pushtetit. Shkencat e jetës studiojnë larminë e mrekullueshme, konstruksionin dhe funksionin e krijesave të Perëndisë si edhe ndërveprimin e tyre me njëra-tjetrën. Shkencat sociale dhe artet gjuhësore ekzaminojnë mënyrat se si Zoti ka planifikuar që qeniet njerëzore të lidhen me njëra- tjetrën. Studimet historike eksplorojnë mënyrën se si kulturat dhe civilizimet kanë vëzhguar dhe shpërfillur vullnetin e Perëndisë. Artet sigurojnë mundësi për t’iu përgjigjur bukurisë dhe projektit të krijimit të ndërtuar prej vetë Krijuesit…. Zbulesa e Perëndisë në Shkrime zgjon dhe thellon ndjeshmërinë tonë ndaj zbulesës së Perëndisë në krijim…
Në rast se drejtojmë një shkollë të krishterë nuk mund të mësojmë në klasat biblike se universi drejtohet prej vullnetit të Perëndisë, ndërsa në klasat shkencore të themi se universi kontrollohet prej ligjeve natyrore. Po ashtu nuk mund të këndojmë fjalët: “Shpëtimtar i bukur, mbret i Krijimit”, në kishë, ndërsa në klasat e laboratorit të mos shohim asnjë lidhje midis kimisë dhe besimit tonë të krishterë. Në rast se edukimi i krishterë nuk unifikohet në tërë programin e vet, ai mund të prodhojë personat që e ndjekin Zotin pjesërisht dhe që ndërkohë i shërbejnë edhe zotëve të tjerë.
Prandaj kur vlerëson një shkollë të krishterë, së pari zbulo nëse ka një pikëpamje gjithëpërfshirëse që i shikon të gjitha lëndët dhe faktet në kontekstin e një vizioni më të gjerë dhe të unifikuar, pra të një realiteti që përqendrohet te Krishti. Shiko tekstet shkollore dhe materialet e tjera arsimore.
A sigurojnë ato një pikëpamje të krishterë? Po mësuesit? A mësojnë në çdo lëndë se gjithçka qëndron në Krishtin? A është kurrikula e përqendruar në Krishtin? Kjo është shenja e tretë e një shkolle të mirë të krishterë.
4. Përsosmëria e një shkolle
Shkollat e njohura të krishtera mundohen të sigurojnë edukim të shkëlqyer dhe të trajnojnë mendje të shkëlqyera.
Ato nuk bëjnë kompromis për më pak se kaq. Ato nuk zhyten në baltën e mediokritetit. Nuk kanë të gjithë studentët të njëjtat aftësi, por një shkollë e shkëlqyer mundohet të bëjë maksimumin sipas aftësive të çdo personi. Dhe shumica e studentëve kanë më shumë aftësi por shkolla nuk i jep mbështetje për t’i zhvilluar ato. Arsimi shpesh ka ulur standardet për t’i bërë studentët të ndihen më mirë me veten, ndonëse nuk kanë dalë aq mirë sa duhej në mësime dhe nuk janë bërë aq të aftë sa mendohej.
Shkolla e njohura asnjëherë nuk neglizhojnë me studentët apo të ulin standardet. Ato kanë pritje të mëdha për mësuesit e tyre, kanë pritje të mëdha për studentët e tyre dhe i ndihmojnë studentët të bëjnë maksimumin e dhuntive që u ka dhuruar Perëndia.
Bibla thotë “Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit.” (Kolosianëve 3:23) Në shkollat e njohura, mësuesit japin më të mirën dhe presin që edhe studentët e tyre të japin më të mirën, të përpiqen më shumë teksa punojnë për Zotin. Jezusi na thotë të duam Perëndinë me gjithë mendjen tonë (Mateu 22:37)dhe, mësuesit e mirë presin të njëjtën gjë nga vetja dhe nga studentët e tyre: që ata të shfaqin dashuri për Perëndinë dhe ta rrisin këtë dashuri duke zhvilluar dhe zgjeruar mendjet e tyre, duke studiuar sa më shumë të munden, duke menduar sa më qartë të munden, derisa mendjet e tyre të jenë më të forta se kurrë dhe, ata të jenë në gjendje ta duan Perëndinë, me më shumë inteligjencë se më parë.
Kur ti vlerëson një shkollë, kontrollo nëse aty pritet përsosmëri. Ndonjëherë ti mund të mësosh shumë shpejt se si është një shkollë thjesht duke hedhur një shikim rreth e rrotull shkollës.
A janë klasat, këndet e lojërave të pastra dhe të rregullta? Ato nuk kanë pse të jenë tepër luksoze; përsosmëria nuk është gjithmonë e shtrenjtë; edhe ndërtesat e thjeshta mund të sigurojnë shkolla të shkëlqyera. Por në rast se mureve u ka dalë boja, ndërtesat po mbahen keq dhe klasat janë kaotike, kjo tregon se në atë vend me siguri nuk kërkohet përsosmëri.
Sigurisht që nëse ndërtesat dhe dyshemetë janë të pastra dhe të lënë përshtypje të mirë, kjo nuk garanton përsosmëri në mësim.
Kjo do të thotë thjesht se shkolla ka fonde dhe një staf të mirë mirëmbajtjeje. Prandaj shiko me kujdes tekstet dhe materialet tjera mësimore.
A janë të mira, të sakta dhe interesante? A janë mësuesit të mirinformuar dhe talentuar? A përdorin ata metoda të provuara dhe solide për mësimdhënie, apo thjesht ndjekin tendencat e fundit? Zbulo se çfarë lloj nxënësish apo studentesh po prodhon shkolla!
A kanë shënuar ata arritje të larta? Këto janë pyetje shumë të rëndësishme.
Mos mendo se nuk ka problem nëse një shkollë ka ndërtesa të këqija dhe kurrikul të reduktuar, për sa kohë pohon përkushtimin e saj ndaj Jezusit.
Nuk është aspak shenjtëri të jesh i dobët në cilësi dhe i rreckosur. Dashuria për Krishtin është një frymëzim për të arritur përsosmërinë, nuk është një shfajësim për mediokritet. Përsosmëria pritet, në një shkollë të mirë të krishterë. Dhe kjo është shenja e katërt në një shkollë të njohur dhe të krishterë.