Shkolla të njohura të krishtera

Print

Titulli: Shkolla të njohura të krishtera (pjesa 3)

5. Prindërit janë primarë

Shkollat më të mira të krishtera janë miqësore ndaj familjeve. Ata e dinë prej Shkrimeve se prindërit caktohen prej Perëndisë si edukatorët më të mirë, të fëmijëve të tyre. Ata e dinë se shkollat kanë autoritetin të edukojnë fëmijët vetëm në atë shkallë që prindërit ia kanë deleguar atë autoritet atyre.

Shkollat si këto nuk e shohin veten si zëvendësuese të prindërve, por si bashkëpunëtorë të prindërve. Ata e shohin veten jo si ekspertë që janë më të mirë se prindërit e tyre, por si mbështetës të rolit të prindërve, që punojnë për prindërit dhe punojnë në bashkëpunim me prindërit.

Nëse një shkollë i ngjan një fabrike korporate, por jo një familjeje të besëlidhjes, në rast se i ngjan më shumë një institucioni burokratik qeveritar, se sa një partneri personal, ki kujdes! Kur ti ke një pyetje për edukimin e fëmijës tënd ti nuk duhet të plotësosh shumë formularë për një shumicë komisionesh dhe zyrtarësh që të marrësh përgjigjen. Ti duhet të jesh në gjendje të flasësh direkt me mësuesin për këtë.

Shkollat me emër mirëpresin mendimet e prindërve dhe inkurajojnë përfshirjen e tyre. Ata nuk mundohen të fshehin gjërat apo të fshihen pas shpinës së prindërve. Ata mirëpresin prindërit, që këta të vizitojnë klasat. Ata i ftojnë ata që të vijnë në udhëtime të ndryshme ose i përfshijnë në veprimtari të tjera jashtë kurrikulës. Mësuesit dhe personat e tjerë në drejtim i përgjigjen me gëzim pyetjeve të tyre dhe sigurojnë për prindërit informacionin e saktë se çfarë po mësojnë fëmijët e tyre. Ata mbështeten në ndihmën e prindërve, të cilët do të sigurohen që fëmijët do të bëjnë detyrat e tyre. Shkollat e famshme e dinë se prindërit janë më të rëndësishmit dhe ecin sipas kësaj.

6. Shoqëria ndihmon karakterin

Shkollat e njohura të krishtera e dinë se edukimi nuk ka të bëjë vetëm me ndërtesat, librat dhe tabelat e zeza. Por bëhet fjalë për marrëdhëniet dhe fuqinë e shoqërisë. Njerëzit formojnë njerëzit. Shoqëria e mirë ndërton karakterin, ndërsa shoqëria e keqe e shkatërron karakterin. Bibla thotë: “Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq”. (Fjalët e Urta 13:20)

Një shkollë e njohur i mban në zemër ato fjalë duke i kërkuar mësuesve dhe stafit që jo vetëm të jenë profesionistë të talentuar, por njerëz të zgjuar dhe të perëndishëm. Shembulli dhe ndikimi i tyre do të ndikojë për mirë studentët. Unë njoh një mësues të krishterë gjeografie, i cili ndihmoi një studente të depresionuar të largonte mendimet për vetëvrasje dhe të gjente një shpresë të re në Krishtin.

Unë njoh trajnerë shkollash, pastrues dhe sekretarë të krishterë të cilët kanë një ndikim pozitiv tek studentët. Një shkollë është po aq e mirë sa njerëzit që janë në të. Shkollat e njohura kanë njerëz të njohur.

Studentët bëhen të zgjuar në shoqërinë e njerëzve të zgjuar. Kjo do të thotë se shkollat duhet t’i kushtojnë vëmendje edhe mënyrës se si studentët ndikojnë njëri-tjetrin. Tek e fundit, studentët nuk ndikohen aq nga stafi sa ndikohen nga njëri-tjetri. Në një shkollë të krishterë nuk tolerohen, shitësit e drogës, anëtarët e bandave dhe ngatërrestarët e tjerë.

Ata pezullohen për një kohë dhe nëse nuk ndryshojnë rrugë, ata përjashtohen përgjithmonë. Shkolla nuk do të lejojë që ata të shkatërrojnë nxënësit e tjerë. Ndërkohë, shkolla përpiqet të ofrojë atmosferën e duhur për një ndërveprim pozitiv mes nxënësve, në sporte, drama, dhe klube të ndryshme, shoqëruar me mbikëqyrjen dhe urtësinë e të rriturve.

Kur ti zgjedh një shkollë, asnjëherë mos harro fuqinë e miqësisë. Gjej një shkollë ku stafi dhe nxënësit përbëhet nga i tip njerëzish që do të doje të ishin ndikimi i mirë për fëmijët e tu. Shmang shkollat që janë të mbushura me njerëz imoralë dhe të pa perëndishëm.

Tani mos më keqkupto. Qëllimi kryesor i një shkolle të krishterë nuk është të mbajë studentët të fshehur nga bota apo pjesa tjetër e njerëzve për tërë kohën, por t’i trajnojë ata që të ndryshojnë botën.

Shkolla po trajnon një ushtri, nuk po e mban atë thjesht të izoluar. Por mos harro, të rekrutuarit janë ende në trajnim; ata nuk janë ende gati për të luftuar.

Fëmijët apo të rinjtë e brishtë nuk janë ende gati të ndryshojnë botën. Për një farë kohe ata duhet të mbrohen nga e  keqja e botës që një ditë do të duan ta ndryshojnë.

Lënia e fëmijëve në një shkollë të paperëndishme me një grup njerëzish të pa perëndishëm është njëlloj sikur t’i vendosësh para kampit armik rekrutët e rinj të ushtrisë. Ata ose do të lëndohen keq prej armikut, ose më keq akoma do të bashkohen me armikun dhe do të luftojnë në palën e gabuar. Bibla e thotë shumë qartë: “Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.” (1 Korintasve 15:33)

Kur kërkon për një shkollë, kontrollo për të verifikuar se si janë personeli dhe nxënësit.

Sigurisht, askush nuk është i përsosur, por a janë pjesa më e madhe e tyre njerëz të mençur dhe të perëndishëm? A ka atje një ambient social të shëndetshëm? Kontrollo këtë para se t’i dërgosh fëmijët atje. Dhe pasi fëmijët e tu të përfshihen në shkollë, vazhdo të kontrollosh herë pas here shoqërinë e fëmijës tënd. Edhe në një shkollë kryesisht të mirë, ka mundësi që fëmija juaj të ngatërrohet me një grup të keq fëmijësh dhe të fillojë të bëjë gjëra të këqija. Në rast se është kështu atëherë ti duhet ta largosh vajzën apo djalin prej ndikimit negativ, edhe sikur të duhet ta çosh në një shkollë tjetër. Një shkollë e përsosur për fëmijën tënd është ajo ku shoqëria e ndikon për mirë në karakterin e tij apo të saj.

7. Realiteti përshtatet me Retorikën

Shkollat e famshme ofrojnë shumë më tepër se sloganet dhe idealet e fryra. Një shkollë mund të bëjë gjërat e duhura dhe t’i tregojë prindërve të krishterë gjithçka që ata duan të dëgjojnë, megjithatë praktika e shkollës mund të bjerë poshtë parimeve të saj, çka e bën atë një vend të papërshtatshëm për fëmijën tuaj.

Besimi se po e shkollojmë fëmijën në një institucion të krishterë nuk mjafton. Sigurohu që institucioni aktual në të cilin po bashkëpunon të praktikojë atë që predikon.

Nuk po them ji mosbesues apo dyshues, por thjesht ji vigjilent. Shkollat që dikur ishin të famshme mund të marrin tatëpjetën. Ato mund të kenë një histori dhe një reputacion të mirë, por mos u bazo te fakti se çfarë ka qenë një shkollë dikur apo se çfarë pohon se është në materialet e saj reklamuese. Bazohu tek ajo që është. A përshtatet ky realitet me retorikën?

Të lutem shikoji këto shtatë cilësi seriozisht. Kur kërkon një shkollë të krishterë për herë të parë, duhet të dish se çfarë të presësh.

Dhe sikur të jesh përfshirë me një shkollë të krishterë për një farë kohe, rri vigjilent. Vazhdo të vlerësosh nëse shkolla përputhet me kërkesat e tua. Bëj gjithçka që mundesh për të ndihmuar shkollën që të qëndrojë e fortë dhe të bëhet akoma më e mirë. Lutu për shkollën dhe inkurajo ata që punojnë atje. Dhe në rast se në një moment të caktuar del në përfundimin se ajo shkollë nuk është vendi ku fëmijët e tu mund të lulëzojnë si ndjekës të Jezusit, atëherë gjej një shkollë që është më e mirë, ose shiko mundësinë e shkollimit në shtëpi.

Sigurisht që vlerësimi i shkollës nuk është gjithmonë i lehtë. Asnjë shkollë nuk është absolutisht e përsosur në çdo kohë. Një shkollë mund të jetë e fortë në shumicën e gjërave por e dobët në disa të tjera dhe, nuk ka asnjë formulë që të thotë se sa shumë mund të sakrifikosh në një fushë për të fituar në tjetrën. Po ashtu zgjedhja e shkollimit ndikohet prej punës, financave, situatës familjare dhe faktorëve të tjerë, pra nuk është gjithmonë zgjedhje e lehtë. Ti duhet të lutesh për urtësi nga Perëndia dhe të përdorësh arsyetim të mirë dhe gjykim të kujdesshëm. Megjithatë ka kaq shumë shkolla të mira të krishtera dhe  këto shtatë cilësi për strukturë bazë të një shkolle me siguri kanë për të ndihmuar që të marrësh vendimin e duhur.

Tani për herë të fundit po rendit edhe një herë listën. Në një shkollë të mirë të krishterë:

1. Përkushtimi është i qartë.

2. Bibla është themelore.

3. Kurrikula përqendrohet te Krishti.

4. Pritet përsosmëri.

5. Prindërit janë primarë.

6. Shoqëria ndihmon karakterin.

7. Realiteti përshtatet me retorikën.

Këto ishin shtatë shenjat dalluese të shkollave të krishtera. A është e përfshirë familja jote në një shkollë si kjo?