Do të flasim pra për Shlyerjen e fajit, një temë tepër e veçantë. Ndoshta ty nuk të duket si nevojë bazë për të arritur lumturinë njerëzore, por Bibla pohon kështu. Çfarë është shlyerja e fajit? Çfarë kuptimi ka ky term teologjik?
Do të flasim sot rreth idesë së shlyerjes së Fajit, një fjalë mjaft e madhe për shumë njerëz. Si do ta përkufizonim këtë fjalë dhe kuptimin e saj?
Disa njerëz kanë dëgjuar se fjala “shlyerja e fajit” i referohet veprës shpëtuese të Perëndisë përmes Jezus Krishtit dhe kjo do të thotë se bëhemi një me Të.
Pra thelbi i kuptimit të shlyerjes së fajit është një unitet, që arrihet përmes Jezus Krishtit bazuar në dashurinë e Perëndisë.
Qysh prej fillimit kryqi ka qenë simboli i krishterimit. Kjo nuk është e rastësishme.
Kryqi është diçka fizike dhe vizuale që na kujton vdekjen e Jezus Krishtit dhe ky është thelbi i krishterimit biblik.
Të krishterët besojnë se Krishti vdiq si sakrificë e nevojshme për mëkatin, me fjalë të tjera, si rruga e vetme për shlyerjen e fajit. Pikërisht kjo nuk mund të ndahej prej idesë së kryqit të Jezus Krishtit.
Shumë njerëz janë të mbyllur para këtyre koncepteve, prandaj e shikoj të arsyeshme të diskutojmë në lidhje me këtë.
Përmendëm kryqin dhe vdekjen, sigurisht që këtu bëhet fjalë për vdekjen e Jezusit. Pra, çfarë ndodhi në vendin e kryqit që e bën atë thelbin e idesë së shlyerjes së fajit?
Mendoj se ideja është kjo: ajo që ndodhi në kryq, tregon se Krishti mori gjithë mëkatet e botës, gjithë shkatërrimin dhe rebelimin tonë kundër Perëndisë, dhe i mundi ato që ne të jemi të lirë. Veprën e kryqit mund ta gjejmë në shumë shkrime.
Tek 2 Korintasve kapitulli 5 gjendet një prej pohimeve më të njohura të kryqit.
Pali mundohet të shpjegojë se kryqi është shpëtimi ynë dhe ai e thotë këtë në fund të kapitullit, “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne Ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të”. Mendoj se ky varg është përmbledhja më e mirë e ungjillit, megjithëse nuk mund të spjegojmë si funksionoi me saktësi. Përsëri këtu ka mister, sepse është vepër e vetë dorës së Perëndisë.
Ndonjëherë gjejmë karikatura të kryqit kudo. Jo vetëm kaq, por shumë shpesh në këngë dëgjojmë fjalët, “Jezusi i pagoi të gjitha, për gjithçka i jam Atij borxhli”. Të gjithë ne i këndojmë këto këngë që sigurisht janë të vërteta, por ka njerëz që këto fjalë i duken të çuditshme.
Disa njerëz kur i dëgjojnë këto fjalë thonë, “Kjo është shumë ofenduese! Çfarë po thua?” Njerëz të tjerë thonë, “po Jezusi fitoi në kryq.” Dikush tjetër mund të thotë, “Do të thuash që ka pasur një betejë? Për cilën betejë e ke fjalën?” Pastaj ka të tjerë që thonë, “Jezusi na shpengoi”, por dikush habitet edhe thotë: Na shpengoi?! Po pse, kur ishim peng?! Nuk e dija se isha peng!”.
Dua të spjegoj se të gjitha këto shprehje janë mënyra që përdorim kur spjegojmë kryqin, por të gjitha kanë kuptimin figurativ. Pra është një gjuhë e zgjedhur që flet përmes figurave letrare.
Këto figura letrare që shkrimet përdorin siç janë, “betejat”, “shpengimi”, “Ai zuri vendin tonë” e të tjera, janë përpjekje gjuhësore për të shpjeguar atë që ndodhi në kryq, me anë të dashurisë së Perëndisë në Krishtin.
Dikush mund të thotë: “Pse duhet të ishte kryqi, ky ekzekutim i dhimbshëm në publik”? Është e vështirë t’i përgjigjemi kësaj. Duket se kjo është mënyra që zgjodhi Perëndia për shpëtimin tonë dhe mendoj se nuk ka asnjë besimtar të rritur në besim që ta vërë në dyshim këtë.
Deri këtu jemi në rregull, për besimtarët që kanë shumë njohuri nga Bibla, por çfarë mund të themi për shumë të tjerë që thonë: Ej ne nuk kemi nevojë fare që të na shlyhen fajet. Njerëzit mund të shpëtohen thjesht duke u kthyer tek Perëndia, apo duke bërë të mira, apo mund ta gjejnë Atë në traditën e tyre fetare, cilado qoftë ajo, ne nuk kemi nevojë për Jezusin… sigurisht që Ai ka qenë një njeri i mrekullueshëm sepse vdiq si një martir, por të lutem mos na ngatërro me këtë idenë e shlyerjes së fajit.”
Kështu pra shprehen shumë njerëz dhe kam zbuluar se priren ta shohin shlyerjen e fajit, kryqin, vuajtjet, veçanërisht vuajtjen dhe vdekjen e Tij, në dy pikëpamje. Disa njerëz, që shpesh janë kundërshtues të kryqit, mbajnë qëndrimin “ vërtetoje atë”. Ata thonë: “vërtetoje se shlyerja e fajit ishte e nevojshme. Nuk kam ndërmend ta besoj këtë derisa të më tregosh se duhet të ndodhte patjetër kështu. Kjo është një rrugë pa krye”.
Por mënyra se si përgjigjet besimi i krishterë është: shlyerja e fajit ndodhi për ty dhe për mua, për të gjithë ne, sikurse thuhet në kredon e Niceas (Nicene Creed), atëherë çështja nuk është më “vërtetoje kryqin”, por është: “le të flasim për gjuhën dhe figuracionin, shprehjet dhe doktrinën që mund të shprehet sa më mirë me fjalë”.
Le ti mendojmë vargjet e Palit si një mënyrë të mençur për të shprehur atë që tha tek Galatasve kur foli për Birin e Perëndisë “se më deshi dhe dha veten e Tij për mua.” Ndoshta nuk jemi në gjendje të vërtetojmë se përse ishte kështu, por e dimë që ndodhi kështu dhe, ky është themeli i mirënjohjes dhe i dashurisë që kemi për Të.
“Dhe ai dha veten e Tij për mua”. Ky varg më ka bërë gjithmonë përshtypje. Ai nuk kishte përse ta bënte këtë nëse nuk do të ishte e nevojshme.
Në një varg tek hebrenjtë Krishti portretizohet kështu:”Ai vuajti në të gjitha mënyrat si ne por pa mëkatuar” çka do të thotë se Krishti i njeh të gjitha dobësitë tona përveç mëkatit, që nuk e provoi. Pra këtu kemi një ngushëllim se Jezusi me të vërtetë na njeh, Ai nuk është një Shpëtimtar i largët që vjen e ikën prapë. Ai mori ngjashmërinë tonë por nuk njohu mëkat prandaj është në gjendje të shërojë njerëzimin nga mëkati. Mua kjo më duket tejet ngushëlluese dhe prekëse, më ngjall emocione, është e fuqishme.
Ja përse mendoj se këngët që këndojmë dhe fjalët e tyre nuk janë vendosur pa qëllim ashtu, sepse na afrojnë tek kryqi. Kryqi ka diçka që na tërheq dhe bën që ne te japim dashuri në këmbim të dashurisë së Tij.
Edhe pse disa njerëz mund të kenë dyshime për kryqin, duke pohuar se Perëndia është hakmarrës dhe jo i dashur, ne duhet të ulemi dhe t’i spjegojmë se Perëndia nuk kishte për qëllim hakmarrjen në kryq, por diçka tjetër. Qëllimi i Tij ishte dashuria, Ai është aq i dashur sa që bëri gjithçka për të na kthyer pranë vetes në miqësi me të.
Edhe sikur njerëzit ta quajnë kryqin karikaturë, edhe sikur ta kritikojnë duke thënë se tregon natyrën hakmarrëse të Perëndisë, si dikush që dëshiron të marrë hak ndaj një të pafajshmi, kjo do të jetë një tentativë e kotë sepse nuk do të funksionojë.
Një ditë një person më pyeti: “Si mund të paguajë Krishti për mëkatet e dikujt tjetri? Kjo nuk është e drejtë.
Atëherë unë iu përgjigja: “Perëndia nuk hodhi zemërim mbi Birin e tij të dashur në kryq. Por Ai hodhi zemërimin mbi mëkatin, rebelimin dhe mosbindjen e botës dhe të gjithëve ne.
Sigurisht që gjykimi në vetvete përmbante edhe zemërimin, por ky zemërim nuk ra mbi Jezusin, por mbi mëkatin që Ai po mbarte, që ishte mëkati ynë, duhet ta theksojmë këtë.
Kjo pra është e vërteta. Dashuria e Perëndisë ishte gjithmonë me Jezusin, ajo nuk u shfaq pasi Jezusi shkoi në kryq. Është e kundërta. Zemërimi i Perëndisë ishte instrumenti që bëri të funksiononte dashuria e Perëndisë dhe mënyra e vetme që dashuria e Perëndisë të funksiononte ishte që zemërimi të shkatërronte mëkatin.
Zemërimi është nën çadrën e madhe të dashurisë së Perëndisë dhe shërben si pjesë e planit të Perëndisë. Por Zoti ynë është Perëndi i dashurisë dhe jo i zemërimit. Zemërimi është mjeti që merret me mëkatin, në mënyrë që e gjithë bota, çdo njeri, të mund të rigjejë miqësinë me Perëndinë.
Mund ta shohim këtë nga një pikëpamje tjetër, pikërisht në termat e dashurisë sonë.
Dashuria jonë asnjëherë nuk është indiferente ndaj së mirës apo së gabuarës, ndaj Moralit. Ndonjëherë pavarësisht dashurisë që kemi, nuk mund të rrimë duarkryq para së keqes që mund të na bëjë dikush edhe pse mund të jetë i dashuri ynë.
Diçka tjetër e rëndësishme është të kujtojmë se Perëndia nuk është si ne.
Ndonjëherë e teprojmë me zemërimin dhe dashurinë tonë, ose më saktë i ngatërrojmë këto. Ne reagojmë të shtyrë nga motivet e gabuara.
Fundja Zemërimi ynë është një instrument apo mjet i dashurisë. Ndërsa Perëndia nuk ka probleme të kësaj natyre. Ai nuk i nënshtrohet shpërthimeve të zemërimit. Zemërimi i Perëndisë është plotësisht i perëndishëm, sepse kështu zgjedh Ai të merret me mëkatin dhe që dashuria e Tij të fitojë. Ketu duhet te mbyllim programin edhe per sot, por mos harroni se vazhdimin e kësaj teme do ta ndiqni neser. Bekime nga Perendia mbi ju dhe familjet tuaja.