Shlyerja e fajit

Print

Titulli: Shlyerja e fajit (Pjesa e Dytë)

Një dëgjues me pyeti një dite: “Si mund të paguajë Krishti për mëkatet e dikujt tjetri? Kjo nuk është e drejtë.

Atëherë unë iu përgjigja: “Perëndia nuk hodhi zemërim mbi Birin e tij të dashur në kryq. Por Ai hodhi zemërimin mbi mëkatin, rebelimin dhe mosbindjen e botës dhe të gjithëve ne.

Sigurisht që gjykimi në vetvete përmbante edhe zemërimin, por ky zemërim nuk ra mbi Jezusin, por mbi mëkatin që Ai po mbarte, që ishte mëkati ynë, duhet ta theksojmë këtë.

Kjo pra është e vërteta. Dashuria e Perëndisë ishte gjithmonë me Jezusin, ajo nuk u shfaq pasi Jezusi shkoi në kryq.

Diçka tjetër e rëndësishme është të kujtojmë se Perëndia nuk është si ne.

Ndonjëherë e teprojmë me zemërimin dhe dashurinë tonë, ose më saktë i ngatërrojmë këto. Ne reagojmë të shtyrë nga motivet e gabuara.

Fundja Zemërimi ynë është një instrument apo mjet i dashurisë. Ndërsa Perëndia nuk ka probleme të kësaj natyre. Ai nuk i nënshtrohet shpërthimeve të zemërimit. Zemërimi i Perëndisë është plotësisht i perëndishëm, sepse kështu zgjedh Ai të merret me mëkatin dhe që dashuria e Tij të fitojë.

Një përspektivë Biblike

Më ka tërhequr shumë historia e vërtetë e një adoleshenti Eli Uizël( Elie Ëiesel), i cili gjatë Holokaustit u kap dhe u burgos në një kamp përqendrimi. Një ditë pa i dhënë fare shpjegime e morën nga kampi dhe e dërguan në një spital. Aty, e futën në një dhomë ku rrinte shtrirë një ushtar gjerman i plagosur rëndë.

Ushtari ishte plagosur në Frontin Rus dhe i shtrirë aty në atë krevat spitali kishte kërkuar që të fliste me një jude, këdo qoftë. Kështu i riu El ishte zgjedhur si përfaqësues i racës së tij dhe tani ja ku po qëndronte para një ushtari gjerman.

Ushtari që po lëngonte në dhimbje, filloi t’i tregonte një histori dhe dukej qartë se dëshironte të pastronte ndërgjegjen para se të vdiste.

Ai i tregoi një mori gjërash të tmerrshme që kishte bërë vetë, po ashtu i tregoi shumë mizori të tjera që kishte parë se u bëheshin judenjve në Rusi dhe Poloni, pastaj e zgjati dorën drejt Elit dhe tha, “Të lutem më fal, para se të vdes.”

Ky djalosh pesëmbëdhjetë vjeçar papritur gjendet në rolin e përfaqësuesit të racës së vet dhe duhet të flasë në emrin e tyre para një përndjekësi.

Për një çast, Eli qëndroi në heshtje duke parë dorën e zgjatur, por duke kthyer kurrizin doli nga dhoma pa asnjë fjalë. Vite më vonë ai e përshkruan këtë ngjarje në librin e tij, duke iu drejtuar lexuesit me pyetjen, “Po ti çfarë do të kishe bërë?”

Çfarë mund të themi, ndonjëherë fjalët janë të kota, ato nuk mjaftojnë. Nuk mjafton të thuash, “Më fal” me qëllim që mëkatet e tua të falen. Madje nuk mjafton që Perëndia të thotë thjesht, “Të fal ty.”

Perëndia nuk thotë: “Hej s’ka gjë, mos e vrit mendjen, nuk ka problem fare, do të fal për mëkatin që bëre, për gënjeshtrën që the, për atë që vodhe, për reputacionin që prishe, për mikun që tradhtove, për vendin që shkatërrove, për gjenocidin që krijove.” As Perëndia nuk mund të thotë “s’ka gjë, të fal”. Këtë mund ta bënte vetëm nëse do të tradhtonte veten apo do të hiqte dorë nga jeta jonë duke e quajtur atë të kotë. Perëndia nuk mund ta heqë mëkatin pa u marrë me ne.

Teologu Riçard Njuhauz (Richard Neëhouse) shkroi kështu për shlyerjen e fajit: “Pas ndarjes që shkakton mëkati nuk mund të ketë ribashkim të lehtë. Pajtimi duhet të ndreqë gabimet. Nuk mjafton thjesht të shohësh të keqen. Ne nuk do të mund të jetonim në një botë ku e keqja merret shumë lehtë, ku e mira dhe e keqja nuk diferencohen. Sepse nëse do të vepronim kështu atëherë ne si individë nuk do të përbënim asnjë ndryshim në botë. Më ruaj nga ai lloj ungjilli ku dashuria duket aq e arritshme sa e bën jetën time të parëndësishme.”

Shlyerja e fajit nuk i ngjan hileve të një llogaritari. Po kështu nuk i ngjan një vështrimi plot mirësi. Perëndia nuk do ta llogariste mëkatin po të mos i interesonte miqësia jonë, si njerëz të shpenguar. Për këtë Ai solli shlyerjen e fajit.

Dua t’iu tregoj shkurt katër të vërteta:

  1. Me qëllim që mëkati të falet duhet të bëjmë diçka me të, duhet të ndodhë diçka me mëkatin. Mëkati mund të falet vetëm duke paguar diçka sepse mëkati është i tmerrshëm dhe për të treguar që është i papranueshëm prej Perëndisë, duhet të bëhet drejtësi, duhet bërë diçka në këmbim.
  2. Çfarëdo qoftë kjo që duhet bërë, përsëri nuk është në dorën tonë. Nuk jemi në gjendje të paguajmë çmimin që kërkohet, apo të shfajësohemi me veprat tona. Paga e mëkatit është vdekja.
  3. Dikush tjetër ka paguar dënimin për mëkatin tonë. Ky është edhe thelbi i ungjillit që ne predikojmë. Për këtë flet edhe Dhjata e Re.

Këtë e thotë edhe Pali tek Romakëve 3. Perëndia ia doli të gjente drejtësinë e vërtetë duke mos u bazuar në dështimin tonë dhe në veprat tona, por vetëm tek vepra shumë e çmuar që Jezus Krishti bëri, duke derdhur gjakun në kryq për ne. Tek kryqi u takua drejtësia dhe mëshira. Drejtësia u përkrah ndërsa mëkati u ndëshkua, pikërisht në atë vend ndodhi shlyerja e fajit.

  1. Ne duhet ta vendosim besimin tonë tek Ai. Kjo sakrificë e kryqit për shlyerjen e fajit na ofrohet falas përmes gjakut të Tij. Duhet të besojmë Perëndinë dhe t’ia dorëzojmë jetën Atij. Në Krishtin ka falje të vërtetë sepse Ai kreu shlyerjen e fajit për ne. Jashtë Krishtit nuk mbetet gjë tjetër veç mëkatit, vdekjes dhe ferrit dhe te Krishti mund të shkojmë me anë të besimit. Pra kjo do të thotë që t’i besosh Atij gjithçka, veten dhe jetën tënde dhe të përkushtohesh që të jetosh për Të. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të gjetur faljen e vërtetë. Nuk mjafton të themi vetëm “më vjen keq”, sepse ndonjëherë fjalët janë të kota.

Vdekja e Krishtit, është thelbi i ungjillit të krishterë, sikurse e dëgjuat edhe më lart. Po ti vetë a ke interes për këtë ngjarje historike? Çfarë të lidh ty me këtë?

Besimi është lidhja e vërtetë që i jep kuptim shlyerjes së fajit, por besimi nuk është gjithmonë i lehtë. Do të flasim më shumë për këtë herës tjetër.