Dua t’ju flas tani për një tjetër shkrimtar të Biblës i cili na paralajmëroi për këtë problem. Emri i tij është Jakob. Jakobi për të cilin e kam fjalën ishte vëllai i Jezusit, tashmë i kthyer në besim.
Dhe ai ishte i privilegjuar, të shkruante këtë letër të Biblës, që mban emrin e tij.
Në një pjesë të letrës, Jakobi ndalon dhe flet për gojën tonë dhe se si duhet ta përdorim atë, se sa bekim mund të jetë nëse e përdorim si duhet dhe sa e rrezikshme është nëse keqpërdoret.
Jakobi përmend diçka që e dinin të gjithë, që frerët në gojën e kuajve bëjnë të mundur bindjen dhe drejtimin e tyre aty ku duam ne, timoni i anijes ndonëse është i vogël është në gjende të drejtojë një anije të madhe, edhe atëherë kur erërat janë të forta, dhe se si një shkëndijë e vogël mund të djegë një pyll të madh.
Po, thotë Jakobi, gjuha jonë ka këtë fuqi. Gjuha mund të bëjë si të mirën ashtu edhe të keqen.
Gjuha ka shumë fuqi dhe ndonjëherë është e vështirë ta zbusësh. Çfarë ndodh si rezultat? E njëjta gojë që mund të adhurojë perëndinë mund të mallkojë njerëzit e tjerë.
E njëjta gjuhë që mund të ndërtojë të tjerët mund edhe t’i rrëzojë ata.
E njëjta gjuhë që mund të përçojë dashuri mund të përçojë edhe urrejtje.
E njëjta gojë, e cila mund të shërbejë për të thënë të vërtetën, mund të shërbejë për të thënë edhe gënjeshtra.
Dhe më pas Jakobi thotë:“Vëllezërit dhe motrat e mia, nuk duhet të ishte kështu!”
Pra kur ne vëmë re disa mospërputhje në gjuhën në gojën e Pjetrit, fjalët e mira, dhe fjalët e këqija që tha, dhe kur dëgjojmë paralajmërimet që vijnë përmes Jakobit, arrijmë të kuptojmë më mirë se sa e rëndësishme është goja për ne të krishterët dhe sa e rëndësishme është që të mësojmë ta përdorim si duhet. Pyes veten si reagon ti dhe si ndihesh për mënyrën si e përdor gojën tënde?
Unë fillova duke thënë se goja është e mrekullueshme. Ajo është një dhuratë prej Krijuesit tonë. Nëse mund të flasësh dhe të bisedosh, falënderoje Perëndinë që të ka krijuar në këtë mënyrë. Nëse nuk je i krishterë, të inkurajoj që ta njohësh Jezus Krishtin, dhe ta lejosh atë të fillojë në ty një jetë të re, që të kesh një mesazh për të vërtetën dhe jetën e ta ndash atë me njerëzit e tjerë.
Eja tek Jezusi për një jetë të re dhe kjo jo vetëm që do të ndryshojë ty përgjithmonë, por do të japë gjënë më të mirë në botë, për të cilën mund të flasësh:Ungjillin e Shpëtimit të Jezus Krishtit!
Ndoshta ti ke një problem me gojën tënde, sepse ke një problem në zemër, të cilin vetëm Jezus Krishti mund ta shërojë.
Dhe nëse je i krishterë, të nxis t’i kushtosh vëmendje të veçantë,
Nëse je i krishterë, të inkurajoj t’i kushtosh vëmendje të veçantë mënyrës si e përdor gojën; sigurohu që ta përdorësh atë në shërbim të Shpëtimtarit i Cili të drejton ty.
Pra le të flasim për pak çaste, në lidhje me shqetësimet tona.
Si mund të sigurohemi se po e përdorim si duhet gojën tonë,apo që po flasim si të krishterë?
E dini, të mësosh të flasësh mirë, është pjesë e rëndësishme e rritjes sonë shpirtërore.
Nëse dikush do të pyeste: “A po rritesh ti si i krishterë?” Ndoshta ti mendon se rritja jote mund të përcaktohet nga koha që kalon në leximin e Biblës, apo në lutje, në kishë, apo nga fakti e jep ose jo të dhjetën. Shumë mirë nëse i bën këto, por a të ka shkuar ndonjëherë në mendje të shqyrtosh mënyrën se si flet?
Pra mund të sugjeroj disa gjëra, të cilat do të ndihmojnë të rritesh në aftësinë tënde për të folur mirë. Fillo duke i kujtuar vetes se ti ke aftësinë të folurit. Sikurse thashë edhe pak më parë, kjo është një dhuratë që na është dhënë të gjithëve ne nga Krijuesi ynë. Ji mirënjohës për këtë, dhe falënderoje Perëndinë. Por sa herë që e marrim këtë dhuratë, duhet të dimë se vjen bashkë me përgjegjësinë për ta përdorur atë si duhet.
Ne jemi kujdestarë të gojës sonë dhe do të japim llogari, për mënyrën se si e përdorim atë.
Dhe së dyti, kujtoi vetes nevojën që kemi për tu rritur dhe për të mësuar që ta përdorim si duhet.
Ne nuk kemi lindur me një fjalor; duhet të mësojmë ato fjalë përgjatë viteve. Kjo flet shumë për rritjen. Po kështu, duhet kohë për të mësuar si të flasësh mirë.
Kur Jezusi e thirri Simon Pjetrin, të ishte një ndjekës dhe ta ndiqte atë, Jezusi e dinte se ky peshkatar i ashpër, duhet të merrte shumë trajnim, dhe rritje.
Pra Jezusi, kaloi shumë kohë me Pjetrin për ta modeluar atë, për të qenë një person, i cili do të shërbente mirë me gojën që i kishte dhuruar Perëndia.
Nuk ishte kaq e lehtë të arrihej kjo.
Ndonjëherë ai bënte dy hapa para një hap mbrapa.
Dhe kjo gjë vlen edhe për ne sot. Ne jo vetëm duhet të mësojmë një fjalor, por të dimë si ta përdorim, si t’i lidhim bashkë të gjitha fjalët, si të flasim qartë,
Por ne duhet të mësojmë se si ta përdorim këtë aftësi të dhuruar nga Perëndia, e të rritemi në karakterin tonë si të krishterë.
Pas kësaj duhet të kujtojmë se si të krishterë kemi një mesazh të mrekullueshëm për të folur.
Ne kemi diçka solide, të përjetshme dhe që ia vlen të flitet.
A të shqetëson fakti që shumë prej fjalëve që themi janë kaq të parëndësishme, kaq të vogla, dhe jo domethënëse për gjëra që nuk kanë vlerë, apo që nuk do të zgjasin?
Por veç tyre ka shumë fjalë të tjera shkatërruese si: thashethemet, fjalët e rëndomta, fjalët profane dhe gënjeshtrat. Ne duhet të flasim një mesazh shumë ndryshe nga këto fjalë!
A të kujtohet se çfarë i tha Jezusi Pjetrit, pasi ky rrëfeu faktin se Jezusi është Biri i Perëndisë së gjallë?
“Pjetër,” tha ai, “Ati im, në qiell ta ka dhënë këtë mesazh.” Të krishterët kanë marrë një mesazh nga Perëndia dhe duhet ta ndajnë atë me të tjerët.
Kjo është një detyrë shumë e lartë për gojën tonë!
Nuk është çudi që Pjetri më vonë në një nga letrat e tij tha se duhet të jemi gati tu japim përgjigje njerëzve kur të na pyesin për shpresën që kemi në Krishtin.
Më pas kjo na çon te diçka tjetër. Njerëzit, të cilët dëshirojnë të flasin mirë, duhet të kenë pasion për të vërtetën.
Jam i sigurt se e di mirë, ose e kupton deri diku, dëmin që kanë sjellë gënjeshtrat në botën tonë.
Po kështu ti e di se gënjeshtrat dëmtojnë marrëdhëniet tona personale. Por e vërteta bën diçka tjetër.
E vërteta ndërton marrëdhënie; e vërteta i drejton njerëzit; e vërteta sjell shërim. Prandaj nëse duam që të përdorim gojën tonë si duhet, së pari duhet të zhvillojmë ndjenjën e dallimit të së vërtetës nga gënjeshtra.
Dhe ne duhet të jemi njerëz, të cilët e duan të vërtetën dhe e urrejnë gënjeshtrën.
Ky pasion për të vërtetën, jo vetëm që na bën të dëshirojmë që e vërteta e Perëndisë të përhapet në botë, por që të na japë formë edhe neve, që të mund të quhemi persona të besueshëm dhe themi të vërtetën sa herë që hapim gojën.
Por ka edhe diçka tjetër për të cilën dua t’ju flas.
Përbërësi i fundit që dua ti shtoj karakterit tonë është çështja e disiplinimit-disiplinimit të gojës.
Pra vetë-disiplinimi, vetë-kontrolli, apo vetë- mbikëqyrja. Unë mendoj se ky ishte problemi që kishte Pjetri, para se Jezusi të fillonte punën me të.
Ky ka qenë problemi për shumë njerëz.
Goja e tyre zbulon, gjëra të këqija dhe të pavërteta, që dalin pa u kontrolluar, apo pa u menduar mirë.
Ndoshta ky është edhe problemi yt. A të kujtohet kur apostulli Jakob foli për frerët në gojën e kuajve, apo për timonin e anijes?
Këto janë instrumente drejtimi dhe kontrolli. Vetë- disiplinimi, mundëson që të drejtojmë të folurën tonë në atë mënyrë, që t’i bekojë të tjerët, dhe aspak në një mënyrë që t’i lëndojë apo vrasë ata.
Kohë më parë po qëndroja në një vend parkimi në një qendër biznesi.
Pak metra më tutje, dëgjova një grindje të dhunshme. Dy njerëz po ziheshin me njëri-tjetrin, me shumë zemërim dhe me gjaknxehtësi ata po gjuanin me grushte njëri-tjetrin dhe po bërtisnin fort.
Ato fjalë që i thoshin njëri-tjetrit nuk ishin për tu thënë në publik…e askund tjetër, por ja që po i thoshin!
Nga gojët e tyre po dilnin fjalë zemërimi, të ndyra dhe sharëse, le të themi se po i hidhnin njëri-tjetrit granata dore.
Dhe unë mendova me vete: sa keq e përdorin njerëzit gojën!
Por pas kësaj ngjarjeje u ula në një restorant me disa miq. Ishte koha të dëgjonim nga njëri tjetri se çfarë kishte ndodhur me shërbesat tona, e po kështu të shprehnim dashurinë dhe shqetësimin tonë për njëri- tjetrin, pse jo të luteshim në fund.
Për të gjitha këto ne përdorën gojën tonë. Në këtë rast jo për të shprehur zemërim, dënim apo ndyrësira, por inkurajim, përkujdesje dhe lutje.
Unë mendova me vete, kjo është një mënyrë e mrekullueshme për të përdorur gojët tona! Goja është diçka e mrekullueshme. Mëso ta përdorësh atë si duhet!