“Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezus Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezus Krisht.”
Kështu e fillon letrën e tij të dytë apostulli Pjetër, duke i inkurajuar të krishterët të ruajnë besimin e tyre dhe të rriten në shenjtëri, të këmbëngulin kështu deri në kthimin e Krishtit.
Hera herës gjejmë përgjatë tekstit referenca personale që shprehin ndjenjat e apostullit plak për natyrën e vet vdekatare.
Por unë mendoj se është e drejtë, përderisa jam në këtë tendë, t’ju mbaj zgjuar duke ua sjellë këto gjëra ndër mend,
14 duke ditur se, së shpejti më duhet ta lë këtë tendën time, sikurse ma tregoi Zoti ynë Jezus Krisht.
15 Por do të kujdesem që, edhe pas largimit tim, ju të mund t’i kujtoni gjithnjë këto gjëra.
2 Pjetri 1:13-15,
Letra e dytë e Pjetrit, flet për porositë e fundit të Apostullit drejtuar kishës që ai e donte aq shumë.
Gjithçka që kemi nevojë
Pjetri fillon “Fuqia e tij hyjnore na ka dhënë gjithçka që kemi nevojë për jetën dhe perëndishmerinë” (vargu 3).
Mendo për disa çaste rreth këtij vargu. Perëndia ka siguruar për ne gjithçka që kemi nevojë! Nëse e vini re pohimi i tij është në të shkuarën. Ai nuk na jep një premtim se do të sigurojë në të ardhmen. Por ai pohon se realiteti i tanishëm varet nga premtimi i tij i bërë në të kaluarën. Perëndia tashmë na ka dhënë gjithçka që kemi nevojë. Sigurimi që Perëndia ofron është gjithëpërfshirës. Pra nuk do të kemi vetëm bekime shpirtërore ,por Pjetri thotë se Zoti do të sigurojë edhe për nevojat tona materiale. Vini re se këtu ai po flet për nevojat tona dhe jo për dëshirat. Por sigurisht që Perëndia do të plotësojë dëshirat tona, por jo çdo dëshirë. Pasi ka thënë këtë, mendoj se Pjetri ka pasur tre gjëra në mendje kur shprehu ato pohime.
Ja disa gjëra që duhet të kemi parasysh:
Së pari, fakti që Perëndia tashmë na ka dhënë atë për të cilën kemi nevojë nuk do të thotë se i zotërojmë ato gjëra në të tashmen.
Shkruesit e Dhjatës së re, përdorën kohën e shkuar në një pohim që tregonte siguri madje dhe për gjërat që nuk i shohim dhe i përkasin së ardhmes.
Edhe pse jemi të krishterë nuk gëzojmë gjithë kohën shëndet të mirë. Në fakt edhe ne sëmuremi dhe vdesim. Po kështu luftojmë me zakonet tona, apo me varësitë që kemi përgjatë gjithë jetës sonë. Shërimi i plotë dhe përfundimtar qoftë fizik apo shpirtëror, për të cilin kemi nevojë do të jetë vetëm kur të shohim Krishtin në lavdi.
Disa të krishterëve në botë u mungojnë nevojat jetike baze: si ushqimi dhe strehimi. Edhe ata presin që Zoti të përmbushë premtimin që ka dhënë. Fakti që Perëndia ka siguruar mjaftueshëm për nevojat tona nuk do të thotë që të mos presim në besim se ai të plotësojë të gjitha nevojat e tjera.
Së dyti, pohimi i Pjetrit, nuk do të thotë se nuk duhet të lutemi për më shumë. Pjetri nuk po thotë se meqenëse Perëndia i ka plotësuar nevojat tona, nuk kemi përse t’i kërkojmë Atij vazhdimisht për gjërat e tjera që kemi nevojë. Kujtoni se Zoti na tha të lutemi për bukën e përditshme. Kjo do të thotë se duhet të kërkojmë rregullisht të gjitha gjërat e nevojshme për trupin dhe për shpirtin. Ne jetojmë me anë të lutjes. Lutjet tona do të jenë gjithmonë mjeti kryesor që Perëndia përdor për të siguruar për nevojat tona.
Së treti, e vërteta që Pjetri pohon këtu tek 2 Pjetri 1:3 nuk e mohon të vërtetën që Pali na mëson tek 2 Thesalonikasve 3:10: “Po që se dikush nuk punon, le të mos hajë.” Fakti që Perëndia siguron për nevojat tona nuk do të thotë se nuk duhet të punojmë për të siguruar për vete dhe për familjen tonë.
Por nga ana tjetër, Pjetri na tregon diçka pozitive, “Se Perëndia ka siguruar gjithçka që kemi nevojë. Dhurata më e madhe është Jezusi. Fakti që Perëndia siguron për nevojat tona është shfaqur ” me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet. ” (vargu 3). Shumë njerëz janë konfuzë në lidhje me atë që dëshirojnë në të vërtetë.
Nga njëra anë nuk na duhen shumë gjera. Por nga ana tjetër kemi nevojë për gjithçka! Ne duhet të rilindim në shpresën e gjallë me anë të ringjalljes së Jezus Krishtit prej së vdekurish.” (1 Pjetri 1:3), sikurse Pjetri e shprehu në letrën e tij të parë. Dhe këtu në letrën e dytë ai shkruan se duhet t’i largohemi prishjes së kësaj bote dhe duhet të marrim pjesë në natyrën hyjnore të Perëndisë.
Këto janë premtimet e Perëndisë tek ungjijtë. Pjetri i quan “ Premtimet më të mëdha e më të çmuara të Perëndisë.” Nëse i pranojmë ato, marrim gjithçka që Perëndia ka për të na dhënë. Pjetri thotë se me anë të njohjes së Jezus Krishtit”, na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë”. (v. 4). Të gjitha premtimet e Perëndisë që ne i ofrojmë dikujt gjejnë përmbushje në Jezus Krishtin (2 Korintasve 1:20). Nëse Perëndia na ka dhënë Birin si nuk do të na japë të gjitha gjërat bashkë me të? (Romakëve 8:32).
Si të sigurohesh se je i krishterë
Dhe tani apostulli Pjetër kalon nga pohimi tek këshillimi. Pasi tregoi një sërë të vërtetash doktrinore, ai vazhdon më tej duke i aplikuar ato në jetën e lexuesve të vet.
Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë, diturisë vetëkontroll, vetëkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmerinë,
mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë.
Sepse nëse këto gjëra gjendën në ju me shumicë, nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezus Krisht.
Sepse ai që nuk i ka këto gjëra është i verbër dhe dritëshkurtër, sepse harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetër. (vv. 5-9,)
Të gjitha këto këshilla, janë për të ndërtuar njëri tjetrin në besim , në mirësi , në vetëkontroll , pra le të themi se përmblidhen në këtë urdhërim të vetëm
” Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj” (vargu 10). Dhjata e Re na tregon se themeli në të cilin ndërtohet besimi ynë është zgjedhja. Pjetri, Gjoni, Pali dhe Jezusi vazhdimisht na tregojnë se iniciativa e Perëndisë është vendimtare. Zgjedhja e tij i paraprin zgjedhjes sonë; thirrja e tij na tërheq dhe na fton në Krishtin dhe kështu shpëtohemi.
Në të njëjtën kohë reagimi ynë për besimin është themelor dhe i vërtetë: duhet të besojmë dhe të afrohemi Perëndisë.
Kjo doktrinë na ofrohet jo vetëm si ngushëllim por edhe si sfidë.
Ngushëllimi vjen kur e dimë se shpëtimi ynë varet në qëndrueshmërinë e Perëndisë dhe vazhdimësinë e tij se sa varet nga ne. Ndoshta ne jemi pa besim por Perëndia është besnik.
Sikurse Jezusi e tha askush nuk mund të na rrëmbejë nga dora e Atit,( Gjoni 10:29). Por sfida vjen nga ky pasazh që sapo lexuam te 2 Pjetri kapitulli 1. Si mund ta di nëse Perëndia më ka zgjedhur apo jo? Si mund të jem i sigurt se besimi im në Krishtin nuk është i rremë apo iluziv? Përgjigja është se unë duhet ta bëj të sigurt thirrjen dhe zgjedhjen time duke u dhënë me pasion pas kërkimit të perëndishmërisë dhe dashurisë. Kështu ti mund të sigurohesh se je i krishterë.
A po i shton besimit tënd virtytin? Dhe virtytit diturinë? Dhe diturisë, vetëkontroll?
Dhe vetëkontrollit qëndresë? Dhe qëndresës perëndishmerinë, dhe mirësinë vëllazërore dhe dashurinë?
Vetëm kështu do ta dish nëse je i krishterë apo jo. A je duke u rritur në të gjitha këto gjëra?
A je ngjitur pas tyre dhe as nuk bie dhe as nuk lëkundesh?
Martin Luteri dikur ka thënë: “Jemi shfajësuar me anë të besimit dhe jo me anë të veprave të mira”. Por ai shtoi: “ Besimi që na shfajëson shoqërohet gjithmonë me vepra të mira. Besimi që na shpëton edhe na ndryshon. Pra besimit duhet ti shtojmë një karakter dhe sjellje të mirë, vetë kontroll dhe mbi të gjitha mos reshtim së dashuri Perëndinë dhe të tjerët.”
Nëse ti dëshiron të vesh në provë vërtetësinë e besimit tënd atëherë fillo të kërkosh brenda zemrës tënde Jezusin. Nëse e beson Jezusin si Zot dhe Perëndi, atëherë kjo është shenja e parë e gjallërimit të Frymës së Shenjë brenda teje, e veprës shpëtuese ne jetën dhe në zemrën tënde. Por mos ndalo këtu. Vazhdo të kërkosh në jetën tënde cilësitë specifike, tiparet dhe virtytet e karakterit që Pjetri përshkruan këtu,
sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë. Sepse kështu begatisht do t’ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht. ( 10-11) Qoftë kështu për çdonjërin nga ne!