A do të pëlqente të takoheshe me Jezusin, a ta dëgjoje duke folur, a ta shikoje duke vepruar, me pak fjalë ta njihje personalisht? Mos u mbështet në atë që thotë sistemi fetar, apo në atë që thonë njerëzit e tjerë. Eja dhe takoje vetë. Eja në shtëpinë ku Jezusi është duke ngrënë darkë. Hip në varkë me Jezusin dhe miqtë e Tij. Ulu në një kodër dhe dëgjo Jezusin teksa tregon histori. Ec me Jezusin nëpër rrugicat e pluhurosura dhe shiko se si komunikon me njerëzit. Dallo se kush e pëlqen, e kush e urren dhe arsyen pse. Eja dhe shih!
Por si mund ta bësh këtë? A duhet vallë një makineri magjike për të të çuar në një vend dhe kohë tjetër? Jo nuk ke nevojë për makineri magjike. Mjafton të marrësh në dorë ungjijtë e Dhjatës së Re të shkruar nga Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Këto libra të frymëzuar nga Perëndia kanë fuqi të çojnë ty përtej hapësirës së kohës dhe vendit, për të kontaktuar Jezusin, i Cili eci në këtë tokë shumë kohë më parë. Dhe teksa shkon për të takuar Jezusin në atë kohë dhe vend, Jezusi vjen për të takuar ty në këtë vend dhe këtë kohë. Ti hyn në jetën e Tij dhe Ai hyn në jetën tënde. Eja dhe shih!
Një prej gjërave që do të vesh re ku të takosh Jezusin përmes ungjijve është se Ai gëzohet shumë kur të shikon dhe është i kënaqur që ti ke dëshirë ta takosh. Thjesht qëndro me Të për pak minuta dhe do të zbulosh se çfarë do të ndodhë.
Teksa e shikon Jezusin në veprim, kupton se Ai ka një ndikim të jashtëzakonshëm te njerëzit. Vetëm pak minuta në shoqërinë e Tij, mjaftojnë për të kuptuar se nuk ke takuar më parë dikë si Jezusi. Shumë persona dalin në përfundimin se Ai është çelësi i gjithçkaje që kanë qenë duke kërkuar në jetë.
Për shembull, dy burra, dëgjojnë prej Gjon pagëzorit, kushëririt të Jezusit, se Jezusi është një person i veçantë. Por Jezusi nuk është një person i njohur dhe nuk ka bërë asgjë spektakolare, megjithatë këta dy njerëz kanë vendosur t’i shkojnë pas. Jezusi kthehet dhe vëren se dikush po e ndjek. Ai i pyet: “çfarë dëshironi?” Ndoshta ata nuk dinë se çfarë të thonë dhe belbëzojnë “Ku banon ti?”
“Eja e shih!” përgjigjet Ai.
Kështu ata shkojnë dhe shikojnë se ku banon Jezusi dhe kalojnë atë ditë me Të. Tashmë është pasdite vonë, rreth orës katër. Por nga ky çast deri në mbrëmje ka mjaftueshëm kohë për t’i mahnitur ata, e për t’i bindur që të qëndrojnë me Jezusin dhe të ftojnë edhe të tjerët të takohen me Të.
Një prej tyre quhet Andrea. Gjëja e parë që Andrea bën është se kërkon të vëllanë Simonin dhe i thotë atij: “Ne kemi gjetur Mesian”, Shpëtimtarin e popullit të Perëndisë që e kemi pritur kaq gjatë. Dhe më pas Andrea e sjell Simonin te Jezusi.
Jezusi i hedh një vështrim Simonit dhe e pyet për emrin:” Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Pjetri,” që do të thotë “shkëmb”. Kush mund ta dijë emrin tënd, pa të njohur fare? Kush mund të të vërë një emër të ri duke të quajtur “shkëmb i fortë”, ndërkohë që je një peshkatar i thjeshtë? Simon Pjetri mund të jetë habitur prej kësaj, por ashtu si i vëllai, Andrea, ai mahnitet dhe magjepset prej Jezusit dhe vendos të qëndrojë me Të.
Të nesërmen Jezusi takon një njeri me emrin Filip, i cili vjen nga i njëjti qytet si Andrea dhe Pjetri. ” Ndiqmë”, i thotë Jezusi Filipit. Tani, çfarë do të mendoje nëse një i panjohur të fton të lesh gjithcka dhe ta ndjekësh, a do ta ndiqje ti? Nëse një njeri i zakonshëm do ta thoshte këtë me siguri do ta refuzoje. Por Jezusi ka një personalitet kaq të fuqishëm dhe bindës sa që Filipi pranon menjëherë kur Jezusi i thotë “Ndiqmë”.
Në fakt, takimi me Jezusin e emocionon kaq shumë Filipin sa që ai dëshiron që gjithë të tjerët ta takojnë Atë. Filipi takon mikun e tij Natanaelin dhe i thotë: ” E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit.”
Megjithatë, Natanaeli nuk çuditet kur dëgjon se Jezusi është nga Nazareti. Nazareti është qytet me reputacion të keq, vend humbësish dhe Natanaeli e pohon këtë. Ai nuk po tregohet i poshtër me këto fjalë, thjesht po shpreh atë që mendon. Ai nuk i fsheh ndjenjat e tij. “Mos ma përmend Nazaretin!”, i thotë Natanaeli. “Si mund të dalë një njeri për së mbari nga Nazareti?!”.
Filipi mundohet të debatojë me Natanaelin. Filipi përgjigjet thjesht: “Eja dhe shiko.” Ai e di mirë se nëse vjen ta takojë personalisht Jezusin, sikur edhe për dy minuta, Jezusi do t’ia fitojë zemrën edhe Natanaelit pavarësisht mendimit të keq për vendlindjen e Jezusit. Natanaeli bie dakord. Ai ka paragjykime dhe dyshime por njëherazi edhe kuriozitet për të parë vetë se kush është Jezusi.
Kur Jezusi e shikon Natanaelin duke u afruar i thotë: “Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s’ka mashtrim.” Si reagon Natanaeli? Ndoshta e pëlqen komplimentin, por sa vlerë ka ky kompliment kur bëhet nga një person që nuk të ka takuar asnjëherë më parë? Si ka mundësi që ky i panjohur e dinte se Natanaeli nuk ishte një njeri me dy fytyra. Mos po përpiqej ta lajkatonte? Ndaj në vend që ta falënderonte për komplimentin, Natanaeli thotë: ” Si ka mundësi që më njeh?”
Jezusi u përgjigj: “Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi.”
Pas kësaj iu largua dyshimi. Natanaeli kupton se ky njeri që nuk e kishte takuar më parë, e dinte shumë mirë se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë një ditë më parë, përpos kësaj i njihte edhe karakterin. Pra, Jezusi e njeh atë nga brenda jashtë. Papritur Natanaelit i ndizet një shkëndijë se kush mund të jetë Jezusi.
“E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit.” ( Gjoni 1:35-51)
Njëri pas tjetrit, të gjithë njerëzit që takohen me Jezusin, mahniten dhe magjepsen prej personalitetit të Jezusit, dhe kjo ndodh para se Jezusi të ketë filluar me shërbesën e tij që do ta bëjë të famshëm kudo. Kjo ndodh shumë kohë para se Ai të fillojë të bëjë mrekulli të fuqishme, e tu predikojë turmave të mëdha që mbështeten në Fjalën e Tij. Disa njerëz emocionohen thjesht prej faktit se janë në shoqërinë e Jezusit, ashtu siç gëzojnë fansat e çmendur kur janë në një koncert të një këngëtari të famshëm. Por Andrea, Pjetri, Filipi dhe Natanaeli po takojnë Jezusin në fillim të shërbesës së Tij, para se të bëhet i famshëm, para se turmat e mëdha ta ndjekin.
Nuk është publiciteti dhe as emocionimi i përgjithshëm që e mrekullon Andrean, Pjetrin apo Filipin dhe Natanaelin por është vetë Jezusi. Jezusi është kaq i mrekullueshëm dhe magjepsës, sa që ata e kuptojnë se Ai duhet të jetë Mesia, i premtuari nga profetët, Biri i Perëndisë, mbreti i tyre. Ata kanë ende shumë për të mësuar, por një gjë e dinë mirë: te Jezusi kanë takuar shumë tepër se një njeri të thjeshtë. Në këtë takim me Jezusin ata do të njohin Perëndinë në mish. Kjo është e mrekullueshme sepse dëshirat e tyre plotësohen. Kur ata i tregojnë familjes, miqve dhe të tjerëve për Jezusin nuk mbajnë një fjalim të gjatë. Ata thjesht thonë:”Eja dhe shiko. Shikoje me sytë e tu.”