Ta njohësh Jezusin

Print

Titulli: Ta njohësh Jezusin (pjesa 2)

Po është shumë e vërtetë. Çdo njeri është i mirëpritur ta takojë Jezusin personalisht. Teksa shoqërohesh me Jezusin, shikon se shumë nëna të reja bashkë me fëmijët dhe foshnjat e tyre dëshirojnë që Jezusi t’i prekë dhe të lutet për to. Por disa njerëz që janë me Jezusin u thonë atyre të largohen. Ata i thonë se Jezusi nuk ka kohë për foshnjat dhe gratë shtëpiake. Por Jezusi zemërohet shumë kur shikon që fëmijët dhe gratë trajtohen sikur të mos kishin rëndësi fare. “Lërini fëmijët e vegjël të vijnë te unë. Mos i pengoni. Sepse mbretëria e Perëndisë është edhe për fëmijë si këta.”

Më vonë ti bën një copë udhë me Jezusin dhe turmën e njerëzve. Papritur dëgjon një klithmë njerëzish që i drejtohet Jezusit si një raketë: “Zot, Bir i Davidit, ki mëshirë për ne.” Dy lypsarë të verbër, që qëndrojnë në atë rrugë për të lypur kanë dëgjuar që po kalon Jezusi aty pranë. Kur fillojnë të bërtasin, disa njerëz nga turma u thonë që ta mbyllin gojën. Tek e fundit, Jezusi është duke ikur. Ai ka shumë punë! Pse duhet t’ia ndërpresin planet dy lypsarë rruge? Por dy të verbrit nuk heqin dorë. Ata bërtasin më fort dhe Jezusi nuk e ka problem këtë fakt. Madje i bëhet qejfi. Ai ndalon dhe i pyet se çfarë dëshirojnë. Ata i thonë se duan të shikojnë. Jezusi i vështron me dhembshuri. Ai i prek sytë e tyre. Befas ata mund të shikojnë, dhe bashkohen me ndjekësit e tjerë.

Teksa shoqërohesh me Jezusin, do të zbulosh se Ai jo vetëm që ka kohë për gratë, fëmijët, njerëzit me aftësi të kufizuara, por edhe për ata që janë në rrugë të keqe. Ai ulet dhe ha në një tryezë me hajdutët, prostitutat dhe fundërrinat e shoqërisë. Ai pranon ftesën e pothuajse çdo njeriu, jo vetëm kaq, por i fton ata të vijnë në shtëpinë e Tij në rast se u vjen turp ta ftojnë në strehën e tyre. Ndonjëherë Ai e cenon reputacionin e Tij mes njerëzve fetarë, apo personave të tjerë të pranishëm. Ata mendojnë se Ai nuk ka standarde. Por Jezusi i qetëson dhe u thotë se arsyeja përse Ai erdhi është që të ndihmojë mëkatarët dhe duket se kjo po funksionon. Fakti që Jezusi ha me hajdutët nuk e bën atë hajdut; por kjo i ndihmon hajdutët të vijnë në udhën e drejtë. Fakti që Jezusi i mirëpret prostitutat nuk e bën Jezusin një njeri imoral, por i ndihmon prostitutat të bëhen të pastra seksualisht dhe i shndërron ato në gra të mençura që ndalojnë së shituri trupat e tyre e më pas fillojnë t’i shërbejnë Perëndisë.

Ndonjëherë duket sikur Jezusi preferon njerëzit e përulur në vend të atyre të rëndësishëm, dhe njerëzit me probleme në vend të qytetarëve të mirë. Ai madje paralajmëron disa njerëz që mburren se janë të mirë se rrezikojnë ferrin dhe se të dobëtit (e shoqërisë) do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë para tyre. Në këtë pikë ai thotë se do të ishte më e lehtë për një gamile të kalonte në vrimën e një gjilpëre sesa një i pasur të shpëtohej. Por Jezusi shton: “Me njeriun kjo është e pamundur, por me Perëndinë të gjitha gjërat janë të mundura.” Një gjë është e sigurt, ndonëse shumë njerëz e kundërshtojnë, Jezusi është i gatshëm të takojë këdo që e mirëpret Atë.

Jo vetëm kaq, por pranon edhe kushtet e vendosura nga vetë ata. Një njeri i pasur me ermin Nikodem, dëshiron të takojë Jezusin, por nuk do që ta bëjë këtë në publik, se ka frikë ta shikojnë të tjerët. Ai dëshiron që Jezusi të takohet me të, por fshehtas natën. A refuzon Jezusi? Jo, Ai tregohet miqësor edhe më këtë njeri që i vjen turp ta shohin me Jezusin. Por kur ulet me Nikodemin, Jezusi e informon se duhet të lindë sërish dhe të besojë në Jezusin, që të shpëtohet. Më pas Ai thotë se një person i shpëtuar, nuk do të qëndrojë i fshehur në errësirë por do të jetojë në dritën e Perëndisë.

Autoritet mahnitës

Jezusi nuk largon asnjë, as nuk gjuan me grushte. Ai është i gatshëm të takojë njerëzit sipas kushteve të tyre, por nga ana tjetër ata mund të qëndrojë me Të dhe ta ndjekin vetëm sipas kushteve të Tij. Ai nuk refuzon askënd për hir të së shkuarës së tyre, por nuk do të pranojë askënd që nuk dëshiron të lejë pas të shkuarën dhe t’ia besojë të ardhmen e vet Jezusit. Askush nuk është aq i keq sa të mos hyjë në praninë e Tij, por askush nuk është aq i mirë sa që të mos ketë nevojë për Të.  Ai është i gatshëm të të takojë atje ku je, por më pas duhet të jesh i gatshëm ta ndjekësh Atë kudo që Ai të drejton.

Tek Jezusi takon kombinimin e përulësisë dhe autoritetit që nuk e gjen askund tjetër, një bashkim i pasosur i butësisë dhe i ashpërsisë. Një moment e sheh duke përkundur foshnjat, e tjetrin duke u përballur me krerët e vendit. Një moment e sheh shtrirë në varkën që po mbytet, në një gjumë të thellë pas një dite të lodhshme, ndërsa momentin tjetër ai urdhëron stuhinë që të fashitet. Një moment Ai është duke qarë në varrin e mikut të tij Llazarit, ndërsa tjetrin e sheh duke urdhëruar vdekjen që t’ia kthejë mikun mbrapsht. Një moment, Ai ulet në gjunjë si skllav, për të larë këmbët e dishepujve, ndërsa tjetrin u thotë se është Zoti i tyre. Jezusi ndjen dobësinë, përulësinë dhe varfërinë njerëzore, e njëherazi shpalos fuqinë, shërimin dhe pasurinë e Perëndisë. Ai nuk ka asnjë kasolle të vogël ku të fusë kokën, megjithatë hyn në tempullin e Perëndisë si të ishte shtëpia e vet. Ai nuk ka asnjë kacidhe në xhep, megjithatë flet sikur të ishte pronar i tërë botës. A mund të jetë një njeri i përulur dhe i fuqishëm në të njëjtën kohë? A mundet që edhe Perëndia vetë të ishte më i fuqishëm dhe më i madh? A nuk të bën kjo të mendosh e të pranosh se Jezusi duhet të jetë njëherazi njeri dhe perëndi?

Por një gjë është e sigurt: Jezusi nuk është i mërzitshëm. Nuk mërzitesh asnjëherë kur qëndron në shoqërinë e Tij. Kur flet Ai ndoshta, ndihesh kureshtar, madje mund të mërzitesh dhe të zemërohesh me disa gjëra që thotë Ai, por gjithsesi nuk do të gogësish para Tij. Shumë prej gjërave që Ai thotë kanë një zhvillim të papritur. Ai tregon një histori për një hajdut të fëlliqur, dhe për një mësues të respektueshëm.

Ajo që të bën më tepër përshtypje është se Jezusi thotë se Perëndia pranon hajdutin dhe refuzon mësuesin. Jezusi tregon një tjetër histori rreth djalit plangprishës që largohet prej shtëpisë, harxhon kot gjithë paratë, e rrënon jetën e vet, dëmton reputacionin e familjes, dhe kur prek fundin, kthehet në shtëpi. Babai e pret në shtëpi me përqafime dhe me një festë të madhe, por ndërkohë, vëllai tjetër ndihet i lënë pas dore, ndonëse është sjellë mirë tërë kohës dhe ka bërë gjithmonë gjërat e duhura.

Jezusi thotë se disa gjëra duken të zakonshme, por disa të tjera duken vërtetë të tepruara e të guximshme.

Pra nuk është gjithmonë e lehtë të kuptosh atë që thotë Jezusi. Megjithatë fjala e Tij ka aq shumë autoritet, sa që edhe sikur të mos e kuptosh nuk mund ta shpërfillësh.

Studiuesit, apo mësuesit e ndryshëm të ligjit mundohen që ta kapin mat Jezusin, apo t’i bëjnë pyetje me tendencë që ta kapin Jezusin në gabim, por Jezusi ka gjithmonë përgjigjen e duhur. Të mençurit nuk mund të tallen me të, ndërsa të thjeshtët mund të përfitojnë prej mësimeve të Tij. Shkëlqimi i thjeshtë i Jezusit i shtyn njerëzit të pyesin: ” Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?”. (Gjoni 7:15)

Njerëzit mahniten prej shkëlqimit të Jezusit por edhe kur Ai flet me autoritet. Ai nuk është si mësuesit e tjerë që debatojnë shumë mirë rreth fesë bazuar në citimet e studiuesve të tjerë. Jezusi shpesh e sfidon opinionin e specialistëve dhe deklaron të vërtetën bazuar në autoritetin hyjnor.

Armiqtë e Jezusit dërgojnë roje të armatosur për ta arrestuar, por janë vetë rojet që tërhiqen prej fjalëve të Jezusit. Ata i përpijnë fjalët e tij dhe largohen pa e arrestuar. Të pyetur se përse nuk e arrestuan Jezusin, ata u përgjigjën: “Asnjë nuk ka folur ashtu siç flet ky njeri.” Arsyeja e vetme është se askush veç Jezusit nuk mund të flasë me autoritet Perëndie.