Urdhërim i demonëve
Autoriteti më mbresëlënës i Jezusit është mënyra sesi Ai urdhëron demonët. Shpirtrat e lig që kishin qenë duke kontrolluar njerëzit nuk mund të qëndrojnë para Tij. Demonët i binden çdo urdhri të Jezusit. Ata largohen kur Ai u thotë të largohen prej një personi të caktuar.
Demonët nuk janë krimba. Ata janë engjëj rebelë që kanë humbur mirësinë e tyre, por janë ende shumë të fuqishëm. Kur frymërat e këqija zotërojnë dikë, nuk është e lehtë t’i nxjerrësh jashtë. Asnjë qenie njerëzore nuk mund ta bëjë këtë. Njerëzit nuk janë aq të fortë sa të mposhtin demonët.
A nuk është e mrekullueshme që ekziston dikush, i Cili mund t’i bëjë demonët të dridhen nga frika, e t’ia mbathin vrapit! Frymërat e liga, që askush më parë nuk mund t’i largonte, ikin nga sytë këmbët kur shfaqet Jezusi. Kur një njeri i demonizuar, bën një shfaqje të tmerrshme gjatë shërbesës së adhurimit, Jezusi thjesht flet, dhe demoni largohet.
Në një rast tjetër, një burrë është pushtuar prej një legjioni demonësh dhe jeton në varreza. Këtë histori e gjen te Marku kapitulli 5, vargjet 1-20. Bëhet fjalë për një njeri që është lakuriq, i papërmbajtur, duke bërtitur me një zë demoni, e duke shkumuar nga goja, një njeri që përbën rrezik për veten dhe të tjerët. Kur Jezusi e sheh i urdhëron demonët të dalin jashtë. Vetëm pak më vonë e shohim të njëjtin burrë të veshur mirë, që e ka mendjen në rregull dhe flet shumë i gëzuar me Jezusin.
Po kush është ky person që arrin të dëbojë demonët? Disa prej armiqve të Jezusit, mendojnë se demonët e dëgjojnë Jezusin sepse Jezusi vetë është pushtuar prej demonit më të madh që ekziston. Por Jezusi u bën aq keq demonëve saqë shumë njerëz, nuk mund ta besojnë se Ai po përdoret si instrument i demonit më të madh. Në rast se Jezusi nuk i dëbon demonët me fuqi njerëzore dhe as me fuqinë e demonit më të madh atëherë ngelet vetëm një mundësi: Ai i largon me fuqinë hyjnore. Ai duhet të jetë Perëndia që ka ardhur të shpëtojë njerëzit e tij. Po ti si mendon? Ku e gjeti Jezusi fuqinë për të mposhtur demonët?
Jeta dhe dashuria
Cilido qoftë burimi i fuqisë së Jezusit, një gjë është e sigurt: Ai ka shumë fuqi. Ai dëbon demonët. Ai urdhëron erën. Ai i bën të çalët të ecin. Ai i bën të verbrit të shohin. Ai i bën të shurdhrit të dëgjojnë. Ai prek të lebrosurit dhe largon sëmundjet ngjitëse, dhe në vend që të sëmuret prej njerëzve, Ai i shëron ata. Turma të mëdha vërshojnë drejt Tij, duke sjellë më vete edhe miqtë e sëmurë. Jezusi i shëron që të gjithë. Ai ushqen mijëra njerëz të uritur, vetëm me pesë bukë dhe dy peshq. Madje Ai ngrihet prej së vdekurish. Një kortezh funerali ndalet, kur Ai kthen në jetë djalin, dritën e syve të një nëne të ve. Falë fjalës së Jezusit një vajzë që qëndron pajetë në shtrat, ngrihet befas në këmbë dhe në shëndet të mirë. Kjo është mrekullia më e madhe që dikush ka parë.
Mrekullitë tregojnë një pushte të madh, dhe po kështu tregojnë dashuri dhe dhembshuri. Jezusi jo vetëm që shëron njerëzit, por edhe i prek, i shëron, u flet dhe restauron shpirtrat e trupat e tyre. Ndonjëherë Ai shpall se mëkatet e tyre janë falur. Jezusi nuk është i interesuar të zgjidhë vetëm problemet, por të merret edhe me njerëzit.
Kështu përveç fuqisë dhe dhembshurisë, Ai ka edhe një dëlirësi personale. Kur e takon Jezusin zbulon se Ai e praktikon atë që predikon. Ai nuk mund të blihet me lajka, ryshfete apo joshje. As armiqtë e Tij nuk mund ta diskreditojnë përmes skandaleve. Ai i trajton gratë me respektin më të madh, pa asnjë grimë epshi. Ai e jeton jetën ditë pas dite, duke i besuar Atit qiellor, pa përdorur famën e Tij për tu bërë i pasur.
Lakmia nuk gjen vend te Jezusi. Ai është i duruar me njerëzit dhe nuk qorton askënd përveçse kur e bën për të mirën e tyre. Ai nuk qorton asnjëherë për interesin e vet. Kur Jezusi pyet: “A mund ta provojë ndonjëri prej jush që jam fajtor për mëkat?”. Askush nuk mund ta akuzojë për diçka të keqe. Askush në historinë njerëzore nuk ka përmbushur kaq me përpikëri standardet e Perëndisë.
Megjithatë përsosmëria e Tij, nuk është rreptësi e hidhur dhe strikte. Shpesh Jezusi flet për mbretërimin e Perëndisë sikur të ishte një festë e madhe dhe pothuajse kudo që Ai shkon, njerëzit organizojnë festa për Të. Në fakt Ai shkon në kaq shumë festa sa që njerëzit e kritikojnë se nuk po tregohet i rreptë apo i ashpër sa duhet me njerëzit. Jezusi shoqërohet me miqtë e gabuar, që po kënaqen tej mase me jetën, dhe nuk përshtaten lehtë me rregullat e rrepta të një kujdestari. Por pavarësisht ankimeve, Jezusi vazhdon të bëjë miq të rinj, të cilët organizojnë festa për Të.
Jezusi vetë është qendra e festës. Mëkatarët me të cilët Ai miqësohet janë njerëz që nuk mund të rinë pa festuar. (Marku 2:19) “…Por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.” (Gjoni 10:10) Kjo është arsyeja përse kudo që Ai shkon bëhet festë. Jezusi u thotë miqve të vet se Perëndia mishëron në Të dashurinë e Tij për ta. Po Ai e shpreh këtë me fjalët: “… që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.” (Gjoni 15:11) Gëzimi i plotë dhe jeta me bollëk, janë arsyet përse kudo ku shkon Jezusi ka festë. Njerëzit nuk janë asnjëherë aq të lumtur sa me Jezusin. Jo vetëm kaq, por i ftojnë edhe të tjerët të vijnë dhe të shikojnë.
Shikoje me sytë e tu
Po ti? Çfarë mendon për Jezusin pasi ke dëgjuar disa minuta rreth Tij, dhe e ke njohur më shumë? A mund ta kuptosh gëzimin që të tjerët kanë provuar? A mund të shikosh se sa shumë njerëz janë bindur se Ai është Biri i Perëndisë? A do të pëlqente ta njihje më mirë Jezusin? Atëherë mos ndalo këtu. Kalo më shumë kohë me Të.
Hape Biblën tek ungjilli i Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit. Lutu që fryma e Shenjtë të të zbulojë më shumë rreth Jezusit. Pas kësaj fillo lexo ungjijtë, sa më shumë që të lexosh aq më shumë do të gëzohesh që e ke njohur Jezusin.
Në rast se e shikon Jezusin duke vepruar, do të zbulosh se askush më parë nuk ka bërë atë që bën Ai. Në rast se e dëgjon Jezusin duke folur, do të zbulosh se askush nuk ka folur si Ai. Nëse e kupton karakterin e Jezusit, do të ndiesh se askush nuk ka dashur më parë si Ai dhe askush nuk ka jetuar më parë si Ai. E fundit, do të shohësh Jezusin në kryq, duke vdekur për mëkatet e tua dhe, do të zbulosh se Ai është Zoti i ringjallur, që ka mposhtur vdekjen për të dhënë ty jetën e përjetshme.
Ndonjëherë thjesht edhe kur dëgjon nga një person tjetër rreth Jezusit mjafton që të bindesh se Ai është i mahnitshëm. Ky mund të jetë hapi i parë për t’i besuar Atij dhe për të pasur një marrëdhënie me Të, por nuk ka më mirë se sa ta njohësh ti vetë, Jezusin.
Në një takim të tij Jezusi njeh një grua që nuk ka sukses me martesat derisa takon Jezusin. Jezusi e njeh shumë mirë të kaluarën e saj, por miqësohet me të dhe i thotë se mund të ketë jetë të përjetshme nëse beson në Të. Gruaja gëzohet shumë. Ajo vrapon tek njerëzit e tjerë në fshat dhe i thotë ejani të takoni Jezusin. Dëshmia e saj është kaq prekëse saqë shumë njerëz besojnë se Ai duhet të jetë Mesia. Por a mjaftohen vetëm me fjalët që u thotë kjo grua? Sigurisht që jo, ata dëshirojnë ta takojnë Jezusin vetë dhe ta njohin më mirë, ndaj edhe i kërkojnë Jezusit të qëndrojë pak kohë me ta.
Shumë njerëz që më parë nuk besonin, bëhen besimtarë, ndërsa ata që i besojnë fjalët e gruas, besojnë edhe më shumë teksa takohen personalisht me Jezusin. Ata i thonë gruas: “S’është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës”. (Gjoni 4:42)
Unë shpresoj që ti ke njëjtën përvojë dhe beson jo për shkak të asaj që kam thënë unë, por sepse ke takuar vetë Jezusin dhe ke një marrëdhënie personale me Të dhe, nuk ke asnjë pikë dyshimi se Jezusi është Shpëtimtari i botës. Kur Jezusi të thotë “Ndiqmë”, bëje. Vetëm Jezusi mund të të japë një jetë që ia vlen të jetohet. Vetëm Jezusi mund të të japë gëzimin që zgjat përgjithmonë.