Të bësh maksimumin në jetë

Print

Titulli: Të bësh maksimumin në jetë (pjesa 1)

Pse duket sikur na pëlqen më shumë situata e tjetrit se sa e jona? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Bari duket më i gjelbër në anën tjetër të gardhit, sepse bari në anën tjetër nuk është aspak bar; por plise bari artificial. Vërtetë bari duket më i gjelbër, por nuk është bar i vërtetë. Është artificial. Ajo lopë që e le barin e kullotës së saj për të shkuar drejt kopshtit më të gjelbër, do t’i mbetet në grykë bari plastik, dhe me siguri do të  ketë dhimbje të forta barku.

Një nga mënyrat më të sigurta për ta humbur lumturinë tonë është të jesh tepër i zënë duke parë kopshtin e komshiut duke menduar fantazi joreale, aq shumë sa harron të shijosh ato që ke para syve.

Për disa prej nesh, ana tjetër e gardhit është e ardhmja. Ne presim që një ngjarje e së ardhmes, do të na bëjë të lumtur. Nëse je student, ti i thua vetes: “Jeta nuk është shumë argëtuese tani, por sapo të diplomohem, do të hap krahët dhe do të fluturoj, atëherë do të jem i lumtur”. Sapo përfundon shkollën, ti thua: ” Unë nuk jam ende shumë i lumtur, por do të jem i lumtur vetëm nëse takoj personin e duhur dhe bie në dashuri”. Pasi martohesh, thua: “Unë nuk jam i lumtur, por do të jem, pasi të kem gjetur një punë të mirë dhe një shtëpi më të mirë.” Pasi ke dhe shtëpinë dhe punën, thua: ” Jam tepër i zënë me punë për ta shijuar jetën, por kur të martohen fëmijët e të kem dalë në pension, do t’ia kaloj mirë, atëherë do ta shijoj jetën.” Dhe pasi del në pension zbulon se “bari i gjelbër” i pensionit nuk mjafton që të të bëjë me të vërtetë të lumtur.

Ç’është e vërteta vijnë problemet shëndetësore. Ti nuk je më aq i ri sa dikur. Ti nuk ke aq shumë energji dhe, sëmundje të ndryshme fillojnë të godasin trupin tënd. Çdo ditë e më tepër e gjen veten duke shkuar në funeralet e shokëve apo të miqve të tu. Atëherë kupton se është e kotë të presësh për diçka që do të ndodhë në të ardhmen, që të bëjë ty të lumtur.

Në vend të kësaj, ti hedh vështrimin pas. Kur plakesh, ana tjetër e gardhit, me barin e tij të gjelbër i përket së kaluarës. Ti mendon për ditët e bukura që ke kaluar dhe thua: “Ah sikur të isha edhe një herë i ri! Sikur të kisha edhe një herë energjinë dhe gëzimin që kisha dikur! Ah sikur t’i kthehesha edhe një herë atyre ditëve të lumtura të shkollës kur gjithçka ishte më e thjeshtë! Ah sikur të jetoja edhe një herë emocionet e dashurisë së parë! Ah sikur fëmijët të ishin sërish të vegjël, sa të mirë ishin atëherë! Ah sikur të kisha një punë që të punoja e të mos dilja në pension e të rrija kështu kot!” Dhe kështu vazhdon historia. Pjesën më të madhe të kohës e kalojmë duke menduar për një të ardhme që nuk do të na lumturojë aspak aq sa mendonim ne. Kështu kalojmë pjesën tjetër të jetës sonë duke pasur një dëshirë të fortë që të kthehet e  kaluara që atëherë nuk na dukej aq e lumtur sa e mendojmë tani.

Në vend që të shikosh gjithmonë, o përpara o mbrapa, mundohu të shikosh lart! Fokusohu te Perëndia. Besoi Atij. Ndalo së pari barin nga ana tjetër e gardhit, qoftë ky bar i së kaluarës apo së ardhmes. Nuk është aspak e këndshme të përtypësh bar artificial. Bëhu realist. Mësohu të bësh maksimumin në jetë duke vështruar nga Zoti Jezus dhe duke i besuar Atij si Bariu yt i mirë. Dëgjo fjalët e famshme të Psalmit 23: ” Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë. Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin. Ai ma përtërin shpirtin…”

Pa Zotin Jezus, si bariun tënd, ti nuk do të gjesh kënaqësi në kullotat e Tij të gjelbra. Ky është thelbi i librit të Predikuesit në Bibël. Ky libër tregon edhe një herë se nëse Perëndia nuk na mbush, ne jemi të trazuar dhe bosh. Kjo tregon se si edhe njerëzit e pasur dhe të fuqishëm, që arrijnë shumë dhe festojnë gjithë kohës, mbeten bosh nëse nuk e shijojnë jetën duke pasur një komunikim të drejtpërdrejtë me Perëndinë. Pjesa e fundit e librit të Predikuesit është një ftesë për ta parë jetën si një dhuratë të Perëndisë, dhe ta bazojmë gjithçka në marrëdhënien tonë me Zotin.

Të shijosh dhuratën

Jeta është një dhuratë e çmuar. Predikuesit 11:7-8 thotë: “Drita është e ëmbël dhe është diçka e këndshme për sytë që shohin diellin. Edhe kur një njeri të jetojë shumë vjet, le t’i gëzojë të gjitha…” Pra ji pozitiv! Mos e ço dëm jetën duke u shqetësuar: “Po sikur të mos dal me nota shumë të mira në shkollë? Po sikur të mos gjej një punë të mirë? Po sikur të mos gjej personin e duhur për tu martuar?” Po sikur, po sikur, po sikur! Po sikur të ndaloje së shqetësuari për të gjitha këto gjëra? Po sikur thjesht të vesh re se sa e ëmbël dhe e këndshme është jeta dhe të vendosësh të shijosh çdo moment të jetës si një dhuratë të Perëndisë?

Nëse je në lule të moshës, shijo energjinë dhe vrullin që ke.

Dhe nëse je i moshuar, shijo shëndetin dhe zellin që ende ke për jetën. Kam njohur njerëz në të tetëdhjetat, që kanë shkuar në udhëtime misionare, apo kanë bërë gjëra të tjera emocionuese, ndonëse disa njerëz u thoshin se ishin tepër të moshuar për t’ia dalë mbanë. Nëse trupi yt të thotë se je tepër i moshuar për të bërë disa gjëra të caktuara, atëherë dëgjoje trupin dhe jeto brenda mundësive të tua.

Por mos lejo njerëzit dhe shoqërinë të të thonë se je tepër i moshuar për ta gëzuar jetën. Mos lejo njerëzit që të pengojnë të bësh diçka interesante vetëm sepse ajo mund të jetë e rrezikshme. Përdore kohën për të jetuar vërtetë; mos u sill vërdallë duke u munduar që të mos vdesësh.

Ji pozitiv, por dhe realist. “Edhe kur një njeri të jetojë shumë vjet, le t’i gëzojë të gjitha”, thotë libri i Predikuesit, “por le të mendojë edhe për ditët e territ që do të jenë të shumta; të gjitha ato që do të ndodhin janë kotësi.” Fëmijët ndonjëherë dëshirojnë fort që çdo ditë të jetë Krishtlindje, apo ditëlindja e tyre. Ata duan që çastet e tyre të preferuara të mos marrin asnjëherë fund.

Ndonjëherë, të rriturit mendojnë njëlloj si ata. Por jeta nuk është kështu. Çdo gjë e mirë e ka një fund. Pas ditëve me diell vijnë ditët e errta. Para disa çastesh ne thamë se nuk duhet të shqetësohemi për kohët e vështira, se përndryshe nuk jetojmë dot kohët e bukura, por as nuk duhet të mbyllemi në këto kohë të mira, aq sa të mos jemi gati për kohët e këqija kur ato vijnë. Ji realist!

Këshilla tjetër e radhës: Ji i lirë!

Predikuesit thotë: “Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinisë sate; ndiq edhe rrugët e zemrës sate dhe pamjen e syve të tu.” (11:9) Ji i lirë! Ji vetvetja! Disa njerëz mund të ndiejnë presionin për të qenë të prerë dhe të mërzitshëm. Të tjerët, mund të shtyjnë që të bëhesh budalla apo të shkatërrosh veten duke pirë duhan, duke marrë drogë apo duke fjetur me këdo.

Ti mund të ndjesh presionin për të marrë nota dhjeta në shkollë ashtu si motra jote, apo të bësh të njëjtën punë si babai, apo të bësh aq para sa ai çifti në pallatin tuaj, apo ta bësh punën në të njëjtën mënyrë si e ka bërë personi para teje. Por nëse jetoni që të përmbushni pritjet e të tjerëve, ti nuk do të jetosh vërtetë dhe nuk do të jesh vërtetë vetja! Ti do të jesh mishmashi i planeve të të tjerëve. Ndiq zemrën tënde. Ji personi që je projektuar të jesh. Ji i lirë!

Ji i lirë!

Vetëm kaq? Jo, ji i lumtur dhe ndiq dëshirat e zemrës, thonë predikuesit ” por dije që për të gjitha këto gjëra Perëndia do të të thërrasë në gjyq.” (11:9) Me fjalë të tjera, ji i përgjegjshëm. Kënaqu dhe sigurohu që argëtimi yt të jetë i perëndishëm. Përdore energjinë dhe entuziazmin për të shijuar jetën që Perëndia të ka dhënë, dhe mos e keqpërdor atë. Ti nuk ke përse t’i përgjigjesh gjithë gjyqtarëve të vetë caktuar të ta shkatërrojnë jetën, sepse ti duhet t’i përgjigjesh vetëm një gjykatësi: Zotit Perëndi. Mos mendo se mund të mbjellësh tërshërë të egër dhe të shpresosh që kjo nuk do të mbijë. Ji i përgjegjshëm.

“Pra ” shton libri i Predikuesit, “Elimino nga zemra jote trishtimin, dhe largo nga trupi yt dhembjen, sepse rinia dhe mituria janë kotësi.” (11:10) Fjala që është përkthyer “kotësi” apo “diçka e padobishme” shfaqet shpesh te libri i Predikuesit. Në Biblën origjinale, pra në hebraisht, kjo do të thotë “avull” ose “mjegull”. Jeta është një mjegull. Ajo zgjat për pak kohë, dhe më pas davaritet. Pra shijo dhuratën e jetës dhe të shëndetit sa ke mundësi, mos e torturo veten nëse nuk je i detyruar.

Lere paqen e Perëndisë të sundojë në zemrën tënde dhe trajtoje trupin tënd si tempullin e Frymës së Shenjtë.