Nga rinia në pleqëri
Bëje prioritetin kryesor në jetën tënde fokusimin te Perëndia dhe bëje sa mendja dhe trupi yt janë në gjendjen më të mirë të mundshme dhe sa je në kohë për ta shijuar jetën. Nëse je i ri, mund të mendosh se besimi është vetëm për të moshuarit. Por Bibla i shfaqet vazhdimisht njerëzve që janë të rinj ose në lulen e moshës së tyre. Besimi është një aventurë sfiduese dhe emocionuese që të merr të gjitha energjitë. Të moshuarit kanë nevojë për Zotin ashtu si të rinjtë. Por edhe ata janë më të aftë të menaxhojnë pleqërinë e tyre nëse marrëdhënia e tyre me Perëndinë ka filluar qysh në rini. Kapitulli i fundit i librit të predikuesit, kapitulli 12, hapet me këto fjalë:
1 Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: “Nuk gjej asnjë kënaqësi në to”,
2 para se të errësohet dielli, drita, hëna dhe yjet, dhe të kthehen retë pas shiut;
3 në moshën gjatë së cilës rojtarët e shtëpisë dridhen, njerëzit e fortë përkulen, ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak, ata që shikojnë nga dritaret errësohen
4 dhe portat mbi rrugë mbyllen; kur pakësohet zhurma e mokrës, dikush çohet me këngën e një zogu, dhe gjithë bijat e këngës dobësohen;
5 kur dikush ka frikë nga lartësitë dhe nga tmerret e rrugës; kur bajamja lulëzon, karkaleci është një peshë, dhe dëshira pakësohet, sepse njeriu shkon në banesën e tij të përjetshme dhe qaramanët enden rrugëve.
6 Kujto Krijuesin tënd përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus,
7 dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.
8 “Kotësi e kotësive”, thotë Predikuesi, “gjithçka është kotësi” (12:1-8)
Vitet e pleqërisë dhe afrimi i vdekjes mund të jenë shumë të vështira. Gjërat vazhdojnë të errësohen. Stuhitë e jetës duket sikur ta zënë dritën. Vetëm pasi një stuhi është larguar “retë dalin pas shiut” dhe fillon një tjetër stuhi. Ti sapo ke kaluar një problem shëndetësor, kur vjen tjetri. Vetëm sa ke varrosur një prej njerëzve të tu të dashur, kur vdes tjetri. Kur ishe më i ri, ndoshta shkoje rrallë nëpër funerale, por tani duket sikur po vdesin të gjithë të njohurit e tu. Brezi yt po humbet dhe shëndeti yt nuk ka përmirësime.
Është e vështirë të durosh atë që plakja i bën trupit. Por libri i Predikuesve, siguron një pamje të detajuar të plakjes. Le ta shohim së bashku në detaje:
“Rojtarët e shtëpisë dridhen”: duart e tua dridhen dhe janë më pak të qëndrueshme. “Njerëzit e fortë përkulen”: shpatullat dhe kurrizi fillon të kërruset dhe këmbët e tua të drejta e tërë muskuj fillojnë të shtrembërohen.”Ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak”: dhëmbët e tu fillojë të bien dhe nuk mund ta përtypesh mirë ushqimin. “Ata që shikojnë nga dritaret errësohen”: shikimi yt përkeqësohet dita ditës.
“Dhe portat mbi rrugë mbyllen”: ti nuk del më aq shumë jashtë shtëpisë. “Kur pakësohet zhurma e mokrës”: ti fillon të shurdhohesh.”Dikush çohet me këngën e një zogu”: ndonëse je pothuajse i shurdhuar, edhe tingulli më i vogël, mund të të zgjojë ty dhe nuk bën më gjumë të rehatshëm si dikur. “Gjithë bijat e këngës dobësohen”: zëri yt që dikur ishte i qartë dhe i fortë, tani dridhet dhe çirret dhe ti as nuk mund të flasësh as të këndosh si dikur. “Kur dikush ka frikë nga lartësitë dhe nga tmerret e rrugës”: ti dikur i kishe shumë qejf aventurat dhe rreziqet, tani i ke frikë. “Kur bajamja lulëzon” flokët e tu, nëse ende të ka mbetur ndonjë fije, janë bërë të bardha. “Karkaleci është një peshë”: ti e kishe zakon të kërceje me gëzim sa këtu atje apo ta shtoje hapin sipas dëshirës; ndërsa tani ti thjesht heq këmbët zvarrë, me shpresën se nuk do të biesh e të thyesh kurrizin. “Dëshira pakësohet”: dëshira jote për seks dhe kënaqësitë e tjera trupore pakësohen.
Teknologjia mundohet të merret me disa prej këtyre problemeve. Për ata që kanë mbetur pa dhëmbë, janë protezat e dhëmbëve. Për ata që nuk shohin mirë, ka operacione për heqjen e perdeve dhe katarakteve me dy apo tre vatra.
Për përmirësimin e dëgjimit, ka pajisje që ndihmojnë dëgjimin. Për pagjumësinë, ka ilaçe. Për flokët e thinjur ekziston ngjyrosja e tyre. Për gjunjët e dobësuar, ka zëvendësim të nyjave. Kur pakësohet dëshira seksuale, për zgjidhjen e kësaj ka ilaçe.
Teknologjia mund të lehtësojë disa probleme. Njerëzit sot jetojnë shumë më gjatë se gjithë brezat e mëparshëm dhe ne kemi pajisje kozmetike dhe ndihmë mjekësore më shumë se kurrë më parë. Por kjo nuk e ndryshon faktin se faza përfundimtare e jetës është ende e vështirë dhe kjo nuk e ndryshon faktin se pavarësisht se sa gjatë rron, do të vijë dita që duhet të vdesësh. Do të plakesh dhe do të vdesësh. E vetmja alternativë është të vdesësh i ri. Është kaq e thjeshtë.
Gati të vdesësh?
Libri i Predikuesit, flet për një llambë ari që varet me një kordon argjendi , një llambë e çmuar por që thyhet kollaj.
Për ta thyer atë llambë mjafton të këpusësh kordonin që e mban dhe ajo rrëzohet dhe bëhet copë e cikë.
Po kështu, e vetmja gjë që duhet për të shkatërruar dhuratën e çmuar të jetës njerëzore është të presësh një venë gjaku, apo të bllokosh një arterie kryesore që shkakton atak fatal zemre. Në të njëjtën mënyrë një grup qelizash të këqija që fillojnë shumohen mund të krijojnë kancerin vdekjeprurës. Vetëm një çast pakujdesie mjafton për të shkaktuar një aksident fatal. Nëse frenat e tua papritur nuk funksionojnë, t’i rrezikon të përplasesh me makinat e tjera.
Ose mendoje kështu në termat e një pusi. Çdo ditë mekanizmi i pusit, bën punën e tij, nxjerrjen e ujit të jetës, por një ditë ai bëhet copë e thërrime. Shtamba është thyer, çikriku që kontrollonte litarin është prishur dhe nuk është më e mundur të nxjerrësh ujë. Pasi pusi nuk punon më, gjithçka kthehet në pluhur. Kështu ndodh edhe kur zemra ndalon së pompuari gjak, trupi i kthehet pluhurit (pra vdes). Sikurse thotë predikuesi: “Dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.”
Në dritën e kësaj, thotë libri i Predikuesit, kujto Krijuesin tënd kur je i ri. Nëse e njeh Krijuesin tënd dhe ke një marrëdhënie të gjallë me Jezus Krishtin, Ai i bekon vitet e tua të rinisë duke të dhënë gëzim dhe qëllim për të kanalizuar vitalitetin dhe energjinë tënde. Ai i bekon vitet e tua të fundit të jetës duke të dhënë forcë të brendshme për të mbajtur ty edhe atëherë kur trupi fillon të dobësohet.
Sikurse e ka thënë edhe apostulli Pal dikur: ” Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë… Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.” (2 Korintasve 4:16, 5:1)
A ke atë lloj besimi? A beson në Jezusin? A po ripërtërihesh nga brenda përditë? A ke sigurinë e qiellit? Nëse po, ti mund të përballesh me vdekjen ashtu siç shkroi edhe një poet i krishterë:
Një ditë kordoni prej argjendi do të këputet
Dhe unë nuk do t’ këndoj më si tani
O sa gëzim, kur të zgjohem
brenda pallatit të mbretit
Dhe Atë ta shoh un’ ballë për ballë
Dhe të tregoj historinë time: shpëtuar prej hirit.
Unë lutem që ti të mund të jesh në një mendje me këtë poet të krishterë.
Nëse jo, atëherë të shtyj që:”Të kujtosh Krijuesin tënd në rininë tënde.” Nëse nuk je më i ri, kujtoje atë gjithsesi, sepse nuk bëhesh më i ri. Mbaje mendjen tek Ai, për sa kohë që e ke mendjen në rregull. Besoja Atij jetën tënde, sa ke ende jetë. Kujtoje krijuesin tënd, në të kundërt jeta jote të jetë një kotësi, ndërsa vdekja një fatkeqësi.