Jezusi thotë: “Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit.” (Gjoni 8:34) Disa jobesimtarë e quajnë veten “mendimtarë të lirë”, por ata shpesh mbeten në birucën e mendjelehtësisë së tyre, të ndarë prej ajrit të freskët të së vërtetës së Perëndisë. Ata që flasin për dashurinë e lirë, kyçen në birucën e hormoneve dhe nxitjeve të tyre. Ata që flasin për lirinë e përdorimit të alkoolit dhe drogës pa asnjë limit, kyçen në birucën e varësive të tyre. Disa që mburren për “ sipërmarrjen e lirë” janë në birucën e blerjes dhe shitjes, punës dhe bërjes së pazareve, njëzetë e katër orë në ditë, shtatë ditë të javës.
Është e lehtë ta thuash fjalën “i lirë” por liria e vërtetë vjen vetëm me autoritetin dhe fuqizimin e Perëndisë.
Shkrimi flet për “ligjin e pasosur që jep liri” (Jakobi 1:25) Perëndia na fton në liri. Nuk është fjala për atë lloj dashurie, kur ti fluturon përmbys, dhe përplasesh përtokë pikërisht atëherë kur mendon se po shkon lart. Kjo nuk është ajo lloj lirie kur ti shpërthen burgun e mëkatit dhe e mbyll veten në birucën e sjelljes së varësisë së pandreqshme.
Jo, Bibla flet për “lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.” (Romakëve 8:21) Shumë njerëz të cilët nuk duan Perëndinë e Biblës frikësohen se ai do të ndrydhë lirinë e tyre. Ata nuk e kuptojnë se tashmë janë burgosur dhe skllavëruar prej Satanit dhe se Jezusi mban çelësin e lirisë së tyre. Shkrimi thotë: “Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi” (Galatasve 5:1) “Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.” (2 Korintasve 3:17)
Më të zgjuarit
Një tjetër përfitim i të jetuarit nën autoritetin e Perëndisë është se ti mëson nga mësuesi më i zgjuar në botë. Një mentor i tillë të bën ty njeriun më të zgjuar. Psalmi 119 thotë: “Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi. “(v. 24) “Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. Kam më tepër zgjuarsi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua. Sepse ti vetë më ke mësuar. Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë” (v. 98-104)
Bibla të mëson të mendosh si Jezusi. Nuk ka rëndësi sa të zgjuar janë armiqtë e tu, Jezusi është më i zgjuar.
Nuk ka rëndësi sa të zgjuar janë mësuesit e tu, Jezusi është më i zgjuar. Nuk ka rëndësi sa të zgjuar dhe me përvojë janë drejtuesit, Jezusi është më i zgjuar dhe me më shumë përvojë, dhe ai ka qenë këtej rrotull dikur, ka jetuar me ne, harrove? Kjo është arsyeja pse Psalmi 119 thotë se mësimet e Zotit të bëjnë më të zgjuar se armiqtë, më të mençur se mësuesit, më të mençur se pleqtë. Bibla thotë se në Jezusin: “ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes.” (Kolosianëve 2:3) Profesori i filozofisë dhe autori Dallas Uillërd komenton:
“Përkushtimi ynë ndaj Jezusit nuk mund të qëndrojë në asnjë themel tjetër veç atij që: Ai është i vetmi që di të vërtetat e jetës dhe të universit tonë. Jezusi dinte si të shndërronte strukturën molekulare të ujit për ta kthyer atë në verë. Ai dinte si të shndërronte indet e trupit të njeriut, nga të sëmura në të shëndetshme, dhe prej vdekjes në jetë. Ai dinte si të ndalte forcën e rëndesës, të ndërpriste strukturën e motit dhe, të priste pemët e pafrytshme pa përdorur sëpatë apo sharrë. Atij i duhej veç një fjalë. Me siguri Ai habitet kur sheh se për çfarë jepen çmimet Nobel sot.”
Në sferën etike, Ai solli një arsyetim të jetës që ka ndikuar botën më shumë se gjithçka tjetër. Të gjitha këto gjëra tregojnë aftësinë njohëse dhe praktike të çdo faze të realitetit: atij fizik, moral, dhe shpirtëror.
Ai nuk është vetëm i mirë, Ai është i shkëlqyer. Ai është njeriu më i zgjuar që ka jetuar ndonjëherë. Ai tani po mbikëqyr tërë rrjedhën e historisë së botës. (Zbu. 1:5) Ndërkohë që përgatit pjesën tjetër të universit për rolin tonë të ardhshëm në të. (Gjoni 14:2) Ai gjithmonë ka informacionin më të mirë në gjithçka dhe sigurisht në gjërat që kanë më shumë rëndësi në jetën njerëzore.
Nëse dëshiron të jesh sa më i zgjuar që të mundesh, nuk të leverdis të shpërfillësh Jezusin. Besoja Atij mentorimin tënd.
Të dëshirosh Perëndinë
Psalmi 119 thotë shumë gjëra të tjera për bekimet e nderimit të autoritetit të Perëndisë dhe bindjes ndaj Fjalës së tij. A dëshiron që jeta jote e vogël dhe e përkohshme të lidhet me diçka të madhe dhe të përhershme? Psalmi 119 thotë, ” Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejt.” (v. 89) “Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.” (v. 160). Teoritë njerëzore vijnë dhe ikin. Idetë njerëzore për vdekshmërinë shkojnë nga fryn era. Por e vërteta e Perëndisë nuk ndryshon kurrë dhe, ligjet i Tij janë të përjetshme.
Një arsye e rëndësishme pse kemi probleme me autoritetin, pra që nuk dëshirojmë ta kemi Perëndinë si autoritet, është se kemi frikë se mos nuk arrijmë standardin e Tij. Ajo frikë ka themele të forta. Unë nuk i plotësoj standardet. As ti nuk i plotëson. Madje as shkruesi i Psalmit 119, nuk i plotësonte. Tek psalmi 119 ai thotë kështu: “Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroj urdhërimet e tua.” (v. 176) Ai e do Perëndinë por ndonjëherë largohet prej tij. Ai e shkel ligjin e Perëndisë, por ai nuk mund të harrojë urdhërimet e Perëndisë. Kështu që edhe atëherë kur nuk është i sigurt se si ta kërkojë Perëndinë, ai i lutet Perëndisë që ta kërkojë atë dhe ta kthejë.
Pikërisht këtë bën edhe Jezusi. Jezusi është bariu i mirë. Ai kërkon delen e humbur, madje e jep jetën e tij për atë dele. Nëse dëshiron që të jetosh nën autoritetin e Perëndisë por pranon se ti shpesh mëkaton, ungjilli deklaron që: “Ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” (1 Gjoni 1:9) Perëndia përdor autoritetin e tij jo thjesht për të urdhëruar apo drejtuar, por për të falur, shpëtuar dhe transformuar.
Nëse dëgjon Fjalën e Perëndisë dhe e do Atë, do autoritetin e Tij, bekimet e Tij, pastaj mund të besosh çfarë të duash. Ne folëm pak më parë për njerëzit të cilët duan një botë pa Perëndinë e Biblës dhe besojnë çfarë të duan. Është marrëzi të besosh atë që do vetë, në rast se ajo çka ti do është fantazi e palidhur me realitetin. Por Perëndia është realiteti përfundimtar. Nëse e do Atë, pastaj mund të dëshirosh çfarë të duash. Në rast se dëshiron kënaqësi të mirëfilltë, beso çfarë të duash. Nëse dëshiron liri të pasosur, beso çfarë të duash. Nëse dëshiron zgjuarsinë më të lartë, beso çfarë të duash. Dëshirimi i këtyre gjërave, nuk tregon gjë tjetër veç faktit se dëshiron të njohësh Perëndinë dhe të jetosh nën autoritetin e tij. Prandaj beso çfarë të duash. Beso tek Perëndia si personi që mund t’i përgjigjet pyetjeve të mendjes sate dhe të plotësojë dëshirat e zemrës sate. Në rast se dëshiron që Perëndia të ketë mëshirë, beso çfarë të duash. Në rast se dëshiron falje, beso çfarë të duash. Nëse dëshiron të jetosh përgjithmonë nën autoritetin dhe dashurinë e Perëndisë, beso çfarë të duash. Nëse dëshiron atë që Perëndia dëshiron, atëherë beso atë që thotë Perëndia. Dhe ndërkohë që beson, do ta marrësh atë.