Zbrazëtia jonë, plotësia e Perëndisë
Agjërimi takon zbrazëtinë tonë me plotësinë e Perëndisë. Çdo njëri prej nesh është krijuar në një mënyrë të tillë që asgjë nuk mund të kënaqë plotësisht zemrat tona veç Perëndisë. Nëse ke shijuar sado pak prej pranisë dhe dashurisë së Perëndisë, ti e vlerëson Zotin më shumë se gjithçka tjetër dhe dëshiron gjithmonë e më shumë prej Tij. Psalmi 63 e shpreh këtë dëshirë për Perëndinë në fjalët: ”
O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im… Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë. Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.”(Psalmi 63:1-5) Agjërimi shpreh një dëshirë kaq të fortë për Perëndinë sa që edhe trupi digjet për të. Kur Perëndia e ushqen këtë dëshirë me praninë dhe mirësinë e Tij, kjo nuk krahasohet as me festën më të mirë.
Agjërimi nuk është thjesht një projekt për të përmirësuar veten, apo për t’i bërë përshtypje të tjerëve. Agjërimi i vërtetë është të largosh vëmendjen prej vetes dhe t’i kushtosh vëmendje Perëndisë. Në çastin kur agjërimi nuk ka Perëndinë në fokus, agjërimi humb edhe vlerën e tij. Jezusi afirmoi agjërimin, por Ai na paralajmëroi që të mos e bëjmë asnjëherë për tu dukur agjërimin. Në predikimin e Tij në Mal, Jezusi tha:
” Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t’u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën, me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht…”
Vini re se Jezusi nuk thotë: “Nëse agjëroni…” Ai thotë, “Kur të agjëroni.” Jezusi pohon se ndjekësit e tij do të agjërojnë. Ai i paralajmëron që të mos e bëjnë agjërimin në mënyrën e gabuar dhe për motivet e gabuara, por as nuk e lë pas dore agjërimin. Ai e merr si të mirëqenë që ndjekësit e tij të agjërojnë, dhe Ai na drejton që ta fokusojmë agjërimin tonë te Perëndia.
Në kohën e Jezusit, disa njerëz e kishin kthyer agjërimin në një shfaqje fetare, një mënyrë për t’i bërë përshtypje të tjerëve. Farisenjtë zakonisht agjëronin dy ditë në javë, të hënën dhe të enjteve. Këto ditë i shërbenin shumë mirë qëllimeve të farisenjve. Të hënat dhe të enjtet ishin ditë pazari dhe kjo do të thoshte që më turma të mëdha njerëzish do t’i vinin re dhe do të admironin shenjtërinë dhe drejtësinë e agjërimit të tyre. Farisenjtë e caktonin agjërimin e tyre në ato ditë që tu binin në sy sa më shumë njerëzve, dhe të siguroheshin që të gjithë ta vinin re se po agjëronin dhe ishin shumë të uritur e të dëshpëruar.
Feja mund të jetë diçka e tmerrshme. Edhe gjërat e mira mund të korruptohen. Agjërimi mund të korruptohet. Lutja mund të korruptohet. Dhënia e parave për një kauzë të drejtë mund të korruptohet. Në predikimin në mal, Jezusi na paralajmëron jo vetëm kundër agjërimit që bëhet për t’i rënë në sy të tjerëve, por edhe kundër bërjes së donacioneve për të marrë mirënjohje.
Dhënia, lutja dhe agjërimi janë të gjitha gjëra shumë të mira, por sa më të shkëlqyera të jenë gjërat, aq më të këqija bëhen kur Satani dhe mëkati largon prej fokusit Perëndinë dhe na përqendron tek vetja.
Si. Es. Lljuis e përshkruan çastin kur demoni kryesor Skr- tejp u thotë demonëve të tjerë :”Miqtë e mi, gjithçka do të marrë fund për ne, nëse ajo çka njerëzit e quajnë fe do të zhduket prej Tokës. Feja mund të vazhdojë të na dërgojë mëkate me të vërtetë të këndshme. Lulja e mrekullueshme e jo-shenjtërisë mund të rritet vetëm në lagjen fqinje të të Shenjtit. Ne, askund më mirë se në shkallët e altarit të lutjes jemi të zotë për tundim.”
Farisenjtë patën të paktën tri gabime të mëdha në qëndrimin e tyre ndaj agjërimit. Gabimi i tyre i parë ishte se donin më shumë t’i bënin përshtypje njerëzve përqark se sa të kishin marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Ata arritën që t’i bënin njerëzit të admironin dhembshurinë e tyre, por me këtë ata e fyen Perëndinë.
Gabimi i tyre i dytë ishte se ata e mendonin agjërimin si një mënyrë për të fituar pikë me Perëndinë. (Luka 18:12) Ata menduan se mund të pranoheshin prej Perëndisë në sajë të përpjekjeve të tyre, në vend që të pranonin natyrën e tyre mëkatare dhe t’i besonin mëshirës së Perëndisë si një dhuratë e pamerituar.
Gabimi i tyre i tretë ishte se ata e trajtonin agjërimin si një ushtrim në mjerim. Ata jo vetëm që mundoheshin të dukeshin sa më të uritur dhe të trishtuar për t’i rënë në sy të tjerëve, por menduan se vështrimet e uritura do ta fusnin perëndinë në borxh. Për më tepër e trajtuan tërë iniciativën e qëndrimit pranë Perëndisë si një trishtim që duhet duruar se sa ta shijonin me kënaqësi. Kur Jezusi tha që të mos dukemi të trishtuar kur agjërojmë, e në vend të kësaj tha që të dukemi të pastër, të shëndetshëm dhe të lumtur. Ai donte të parandalonte agjërimin si një mënyrë për të dukur, por po ashtu dëshironte të na parandalonte që të mos e shohim agjërimin si diçka të mjerueshme. Qëllimi kryesor i agjërimit nuk është që trupi të vuajë urie, por që shpirti të kënaqet.
Agjërimi është festë
Riçard Foster (Richard Foster) thotë në librin e tij – Celebrimi i disiplinës (Celebration of Discipline), “Na thuhet të mos jemi të trishtuar kur agjërojmë sepse në fakt ne nuk jemi të mjerë. Teksa agjërojmë nuk përqendrohemi te privimi prej ushqimit, por tek fakti se po festojmë në Fjalën e Perëndisë. Agjërimi është festë!” Agjërim do të thotë të kërkosh dhe gjesh kënaqësi në Perëndinë. Agjërimi është një mënyrë për të përjetuar faktin, se ” Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.” (Mateu 4:4) Agjërimi heq dorë prej disa kënaqësive për një kohë, por vetëm për të shijuar kënaqësi më të mëdha, në përbashkësi me Perëndinë.
Mua më pëlqen shumë ushqimi, por edhe dashuria ime për ushqimin më mëson vlerën e agjërimit.
Më lejoni të shpjegohem. Ndonjëherë dashuria ime për ushqimin më shtyn ta përzgjedh atë që ha, që në vend të diçkaje të thjeshtë, dua atë që më shijon më shumë.
Për shembull, më pëlqen shumë sallata dhe patatet, por vdes për brinjë qengji. Nëse jam diku për darkë, dhe ka brinjë qengji, me siguri unë e shmang sallatën dhe marr më pak patate që të kem vend në stomak për më shumë brinjë. Ose nëse jam duke ngrënë një ushqim të caktuar, që është i mirë, por e di se pas kësaj vjen një ëmbëlsirë e shijshme, unë ha më pak ushqim për të lënë vend për një copë të madhe ëmbëlsirë. Tani, kur unë marr më pak nga një ushqim i caktuar, për të marrë më shumë prej ushqimit tim të preferuar, a duhet të jem i trishtuar dhe të veproj sikur kam bërë një sakrificë të madhe. Sigurisht që jo! Unë thjesht po kufizoj diçka më pak të pëlqyer për të shijuar diçka më të pëlqyer.
Parimi bazë i agjërimit është: kufizimi i një kënaqësie më të vogël, për të shijuar një kënaqësi më të madhe. Nëse vendos të agjërosh dhe të lësh disa vakte me qëllim që të kërkosh një miqësi më të ngushtë me Perëndinë, ti je duke hequr dorë nga një kënaqësi më e vogël për të shijuar një kënaqësi më të madhe. Në agjërim, ti e shmang ushqimin fizik për të lënë pak vend për ushqimin shpirtëror, ashtu siç bën ndonjëherë, kur le ushqimin më pak të pëlqyer për të ngrënë diçka më të pëlqyer. Gjatë kohës së agjërimit, thelbi nuk është ta mundosh veten, por të zgjerosh aftësinë për të shijuar Perëndinë. Kënaqësitë e stomakut zvogëlohen për të shijuar kënaqësitë shpirtërore. Si riorienton agjërimi orekset e tua fizike dhe shpirtërore? Për më shumë na ndiqni në programin tonë të radhës. Deri atëherë unë Berti ju përshëndes.