Pa humbur kohë dua t’ju njoh me vargjet e historisë së sotme. Ato mund t’i gjeni te 1 Samueli 17:40-52.
Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër Filisteut.
41 Edhe Filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqyrtari i tij e paraprinte.
42 Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm.
43 Filisteu i tha Davidit: “Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?”. Dhe Filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij.
44 Pastaj Filisteu i tha Davidit: “Eja këtu, dhe unë do t’ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave”.
45 Atëherë Davidi iu përgjigj Filisteut: “Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.
46 Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t’u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së Filistejve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael.
47 Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t’ju dorëzojë në duart tona”.
48 Kur Filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t’u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë Filisteut;
49 vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë Filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë.
50 Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi Filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.
51 Pastaj Davidi vrapoi, u hodh mbi Filisteun, ia mori shpatën dhe e vrau duke i prerë me të kokën. Kur Filistejtë e panë që heroi i tyre vdiq, ikën me vrap.
52 Atëherë njerëzit e Izraelit dhe të Judës u ngritën, duke lëshuar britma lufte, dhe i ndoqën Filistejtë deri në hyrjen e luginës dhe në portat e Ekronit. Filistejtë e plagosur për vdekje ranë në rrugën e Shaarimit, deri në Gath dhe në Ekron.
Dua t’ju kujtoj historinë e një djali dhe një gjiganti, kësaj here, nuk e kam fjalën për Davidin dhe Goliathin, sepse do tu kthehem atyre vetëm pas pak, por ndërkohë dua t’ju tregoj për Xhekun dhe gjigantin, të cilët jetonin lart, në një bimë fasuleje. Përralla e njohur “Xheku dhe Bima e Fasules”, tregon për një djalë me emrin Xhek, i cili ngjitet në një bimë fasuleje dhe aty gjen një gjigant.
Pasi gjigantin e zë gjumi Xheku vjedh disa çanta me ar nga shtëpia e gjigantit.
Ai zbret nga bima e fasules dhe kthehet te e ëma e varfër dhe, për një farë kohe jetojnë mirë.
Por paratë mbarojnë. Kështu që Xheku kthehet te bima e fasules dhe kësaj here vjedh patën që bënte vezë të arta.
Sërish, Xheku dhe e ëma jetojnë mirë për një farë kohe. Por Xheku, vendos të kthehet, te bima e fasules, për të bërë diçka tjetër.
Kësaj herë, Xheku, merr harpën e artë, që luan muzikë vetë.
Por kur Xheku rrëmben harpën, ajo fillon të thërrasë: “Zotëri, Zotëri!” Gjiganti zgjohet duke bërtitur, “Hej ndjej erë njeriu këtu!”
Gjiganti i afrohet Xhekut dhe e dini se çfarë bën Xheku? Ai vrapon. Po vrapon! Sigurisht që vrapon LARG. Dhe në cilin drejtim vrapon? Epo, kjo nuk ka rëndësi, mjafton që të largohet prej gjigantit. E kush nuk do të largohej prej një gjiganti?
Kjo pyetje më sjell ndër mend një tjetër djalë dhe një gjigant. Davidi dhe gjiganti i Filistejve, Goliathi.
Kur Goliathi i afrohet Davidit, çfarë bën ai? Ai largohet duke vrapuar. Po largohet!
Por ndryshe nga miku ynë Xheku ai shkon në një drejtim krejt të kundërt. Davidi vrapon në drejtim të gjigantit. Dua të pyes, përse vrapon ai drejt gjigantit?
Sinqerisht, nuk ka asnjë përgjigje njerëzore për këtë pyetje. Unë e di se Davidi është heroi i historisë sonë, por ai nuk kishte “materialin e duhur”.
Ju kujtohet një film, i cili është transmetuar para disa vitesh me titullin: ” Materiali i duhur.” Ky film ishte për astronautët Apollo.
Sikurse e tregon edhe filmi, secili prej astronautëve kishte materialin e duhur.
I gjithë thelbi i filmit është se duhen njerëz me materialin, me karakteristikat e duhura për të arritur një detyrë gjigantësh, sikurse është dërgimi i njerëzve në hënë.
Po, Davidi ka një detyrë prej gjiganti, për tu ndeshur me të vërtetë me një gjigant, dhe ai nuk ka materialin e duhur për këtë detyrë.
Davidi jo vetëm që vrapon në drejtimin e gabuar (drejt gjigantit, në vend që të largohet prej tij, si Xheku në përrallën tonë, që kishte orientimin e duhur), por gjithçka tjetër te Davidi ishte gabim. Davidi nuk kishte aspak materialet e duhura.
Vini re se, para së gjithash Davidi kishte armët e gabuara. Davidi kishte një shkop në dorë, një hobe në dorën tjetër dhe, një çantë bariu me pesë gurë brenda. Hej, a mund të quhen armë këto?
Gjiganti i hedh një vështrim shkopit në dorën e Davidit dhe thotë: “Mos të dukem gjë si qen që mund ta gjuash me një shkop?” Për një gjigant të madh, afro 3 metra i gjatë, afrimi i një djaloshi me një shkop në dorë, ishte qesharake, sepse gjiganti mund ta thyente në mes shkopin. Davidi nuk vjen me drithërima dhe plot me shigjeta vdekjeprurëse, por thjesht me një çantë të mbushur me gurë.
Po, Davidi, ka një hobe, dhe asokohe kjo ishte një armë e ligjshme. Por në vend të “gurëve të hobesë”, që ishin gurë të pastruar dhe për tu përdorur veçanërisht në luftërat e lashta; Davidi merr me vete gurët që arriti të gjente në një përrua.
Davidi ka armët e gabuara. Si mund të vrapojë ai drejt një gjiganti të armatosur mirë, të blinduar mirë, pa pasur asnjë armë të vërtetë?
Pra jo vetëm që armët e tij janë të gabuara por Davidi vetë është në gabim. Le të themi se ai është personi i gabuar. Davidi është thjesht një djalosh. Ai as nuk duhet të ishte në këtë betejë përballë gjigantit.
Detyra që i kishte caktuar i ati, ishte tu çonte bukën të vëllezërve, ndërsa ai ndodhet përballë një gjiganti. Vëllai i tij më i madh, Eliabi, i cili është një luftëtar, në ushtrinë e Saulit, nuk do të luftojmë me gjigantin.
Sauli vetë nuk do të luftojë. Në fakt ata duhet të ndesheshin, se të paktën ata ishin në ushtri. Ata ishin ushtarë të ligjshëm. Ndërsa Davidi nuk ishte ushtar i ligjshëm. Ai ishte personi i gabuar.
Në fakt edhe beteja ishte e gabuar. Sikurse thonë: “Ti duhet të zgjedhësh betejat e tua.” Davidi nuk duhet të kishte zgjedhur këtë betejë. Si mbreti Saul ashtu edhe vëllai i Davidit Eliabi, e dinte se kjo betejë, me gjigantin nuk mund të fitohej. Qoftë edhe një person i vetëm në ushtri nuk besonte se kjo betejë do të fitohej prej Davidit.
Gjithë stabilimenti ushtarak, nuk kishte dëshirë të luftonte, prandaj kjo nuk ishte beteja e duhur për të luftuar. Por Davidi vazhdoi rrugën e tij gjithsesi.
Dhe së fundi në krye të listës së gjërave të gabuara, qëndron fakti se Davidi vrapon me nxitim drejt gjigantit.
Të gjithë ne, përfshi këtu edhe më të fortët, largohemi me vrap para gjigantëve. Sikurse e kam thënë, çdo gjë është e gabuar në këtë tekst.
Vrapimi në drejtimin e gabuar, si personi i gabuar, me gjithë armët e gabuara, është plotësisht marrëzi nga ana e Davidit.
Davidi ka gjithçka të gabuar. A nuk ndihesh edhe ti kështu si ai? Unë mendoj se në nivelin shpirtëror shumë prej nesh ndihen të mposhtur prej gjigantit të ligësisë në botën tonë, dhe në jetët tona sot.
Unë si pastor shpesh kam pasur mundësinë të bekoj fëmijët, djem dhe vajza të vogla pas lindjes së tyre.
Teksa marr në krahë foshnjën dhe kujtoj se ai apo ajo është pjesë e besëlidhjes së Perëndisë, mendoj: “Çfarë mund të bëjë ai apo ajo përballë ligësisë?”
Unë shikoj prindërit të cilët janë gjithmonë më të rinj se sa unë, dhe mendoj: “çfarë mund të bëjnë këta të rinj, përballë ligësive gjigante në kohën tonë?” “A e dinë vallë ata,” mendoj me vete, “se do të ketë njerëz në jetë, të cilët do t’i thonë fëmijës së tyre se nuk ka një Zot të plotfuqishëm, apo se nuk ka realisht asnjë të vërtetë? A e di vallë ky çift i ri, ky djalë dhe kjo vajzë se gjigantët e tokës do t’i mallkojnë ata për faktin që i kanë mësuar fëmijës se ka vetëm një Perëndi të vërtetë?”
Unë mendoj me vete: “Këta prindër janë shumë të rinj; ata nuk kanë dhuratat e duhura për betejën që do të kenë në jetë.”
Unë vështroj njerëzit në kishën time, ata janë njerëz të zakonshëm, që dëshirojnë të kenë një marrëdhënie të mirë me këtë çift apo me të tjerët në kishë dhe mendoj: “Çfarë mund të bëjnë ata përballë Satanit dhe gënjeshtrave të të ligut?”
Por ajo që më prek më shumë, është se kur vështroj veten mendoj: “Çfarë shakaje, kjo është një shaka pa kripë, si ka mundësi që unë jam pastor i këtyre njerëzve?” Kush jam unë që t’i drejtoj këta njerëz në betejën e tyre shpirtërore? Kam frikë se nuk kam armët e duhura, kam frikë se jam personi i gabuar dhe se po luftoj me armët e gabuara. Dua të largohem me vrap. Po ti çfarë mendon?
Ndoshta ti vetë dallon dhuntitë dhe aftësitë që Perëndia të ka dhënë për ti përdorur në kishën apo familjen tënde.
Ti bën çka mundesh me atë aftësi që Perëndia të ka dhënë ty, por vazhdon të ndihesh i mposhtur prej gjigantëve të thatësisë dhe dyshimit shpirtëror.
A beson se ndonjëherë ti nuk je i mirë sa duhet, i madh sa duhet, i matur sa duhet, apo i zgjuar sa duhet për të jetuar si fëmijë i Perëndisë?
Ndoshta në këto momente nuk po përballesh me këtë vështirësi. Ndoshta, ashtu si mbreti Saul, dhe vëllai i Davidit, Eliabi, ti ke pasur shumë fitore në Zotin, në të kaluarën. Por tani, ashtu si Sauli, apo Eliabi, të cilët nuk mund të bënin asgjë kundër Filistejve, duket se nuk mund të bësh asgjë kundër fëmijëve të tu apo nipërve të cilët janë larguar prej besimit. Por çfarë mund të bësh?
Unë sigurisht, nuk e di ekzaktësisht se çfarë talentesh aftësish, dhurata shpirtërore apo armë të ka dhënë Perëndia në jetë.
Unë nuk e di se cilët mund të jenë gjigantët me të cilët ti je duke u përballur sot.
Por unë di këtë. Kur kemi gjigantë në jetën tonë, madje gjigantë shumë të këqij, gjigantë të frikshëm, gjigantë të pamposhtur, armët tona mund të duken të gabuara, ashtu si në rastin e Davidit.
Kështu që ne duam vetëm të largohemi me vrap.
Të dielën e parë të çdo tetorit shumë kisha nëpër botë, marrin pjesë në një festë që e kanë quajtur, E Diela Botërore e Darkës së Zotit.
Kjo është koha për kishën kudo në botë, për të gjitha kombet, për të gjithë njerëzit, pavarësisht ngjyrës së tyre apo gjuhës, të festojnë së bashku përkushtimin dhe vëllazërinë në Zotin e jetës.
Sipas përvojës sime, kjo është një e diel e lavdishme.
Dhe kështu, ne gjejmë veten duke reflektuar se sa shumë dobësi kemi ne si njerëz dhe sa të thyer jemi, ne si njerëz në kishë.
Unë shqetësohem dhe pyes veten nëse ne si pastorë, dhjakë, pleq, mësues të takimit të fëmijëve, drejtues të adhurimit, prindër dhe besimtarë besnikë jemi të gatshëm të ndërmarrim një detyrë gjigante siç është fitimi i botës për Krishtin! Unë shpesh ndihem si mbreti Saul dhe kam frikë se edhe kisha ndihet si ushtria e Saulit. Kjo do të thotë se ne jemi ashtu.
Dua të them, se ne frikësohemi madje tmerrohemi para një armiku gjigant, të cilin nuk mund ta mposhtim.
Me pak fjalë, kam frikë se mos kisha mposhtet në betejat e saj. Ne tundohemi që të largohemi, apo t’ia mbathim nga frika, nga sytë këmbët. Por Davidi shkon me vrap drejt gjigantit. Si ka mundësi? Nuk ka frikë ai?!
Me këtë pyetje po ju lë të mendoheni miqtë e mi dhe sërish ju ftoj të shkruani mendimet tuaja, dhe pse jo të na ndiqni herën e ardhshme, në programin tonë Fjalët e Shpresës, për të mësuar si të mposhtim gjigantët teksa ndeshemi në emër të Zotit!