Herën e kaluar e lamë bisedën tonë me Davidin i cili shkon shpejt drejt gjigantit. Si ka mundësi? Nuk ka frikë ai? Zakonisht në këtë pikë të mesazhit në lidhje me historinë e Davidit dhe Goliathit, predikuesit fillojnë të flasin për forcën e karakterit dhe për kurajën e Davidit.
Në predikuesve na pëlqen të themi: “Duhet të kemi guximin dhe kurajën e Davidit për të ndjekur bindjet tona në betejën që po bëjmë për Zotin.”
Pa dyshim që kjo është e vërtetë; por shmang atë pikë në tekstin tonë, që është me të vërtetë shumë ndihmuese. Unë nuk e di për ty, por unë nuk jam si Davidi. Unë mendoj se nuk mund ta bëj atë që bëri Davidi. Për më tepër në bisedat e mia me besimtarët në kishë dhe me të krishterët e tjerë, kam mësuar se shumica prej nesh mendojmë se nuk jemi si Davidi. Fundja fundit, Davidi është i famshëm për një arsye. Ai bën përjashtim, ai është djaloshi, cili hodhi përtokë gjigantin, ai është mbreti i madh i Izraelit. Ne, nga ana tjetër jemi veçse…ne, njerëz të thjeshtë. Ne nuk jemi Davidi.
Duke parë këtë të vërtetë, unë kam një lajm të mirë për ju sot. Teksti nuk është për Davidin. Ne mund të humbasim thelbin e gjërave nëse fokusohemi te Davidi. Davidi, fundja fare, nuk fokusohet te vetja e vet. Davidi mban një fjalim tek kapitulli 1 Samueli 17 vargjet 45, 46, dhe 47. Dëgjojeni atë.
45 Atëherë Davidi iu përgjigj Filisteut: “Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.
46 Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t’u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së Filistejve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael.
47 Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t’ju dorëzojë në duart tona”.
Ky fjalim është fokusi ynë sot.
Në këto fjalë të Davidit, dhe jo te Davidi vetë, ne gjejmë materialin e duhur. Te Davidi si djalë gjejmë gjëra të gabuara, tek armët që ai zgjedh, tek drejtimi që merr , deri tek beteja që zhvillon; por gjejmë materialin e duhur te fjalët që ai thotë dhe tek ajo që ai beson. Ai i thotë gjigantit: “ Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.”
Në emër të Zotit të plotfuqishëm, Davidi ndeshet me gjigantin. Ky po që është veprimi i duhur!
Davidi nuk vrapon sepse e di se kjo është beteja e tij, apo lufta e tij. Ai thotë: “Beteja i përket Zotit.” Ai vrapon dhe lufton në emër të Zotit.
Në këto fjalë kyçe të fjalimit të Davidit, dëgjojmë se ai vjen kundër gjigantit, thjesht si shërbëtor i Zotit.
Ai madje e di se nuk ka armët e duhura. A të kujtohen vargjet e mëparshme të kësaj historie, ku Davidi është i gatshëm të shkojë në betejë me armët e duhura. Ai provoi armaturën e Saulit. Ai zgjodhi shpatën e Saulit. Ai thjesht “nuk ishte mësuar” me armaturën dhe shpatën.
Kjo nuk do të thotë se Davidi kishte ndonjë kundërshtim me përdorimin e armaturës dhe shpatave.
Ai thjeshte e dinte se këto mjete nuk përshtateshin për të. Në thelb ai tha: “Unë duhet të shkoj me atë që di. Pse? Sepse beteja është e Zotit dhe unë shkoj në emër të Zotit, dhe kjo është e vetmja armë, që unë kam nevojë. Nëse më vonë Perëndia dëshiron që unë të përdor shpatën, shtizën, dhe armaturën, ashtu qoftë.
Por për momentin unë thjesht do të shkoj me atë që kam. Dhe unë e di se ato janë armët e gabuara. Unë e di se jam personi i gabuar. Në vendin tim duhet të kishte qenë vëllai im Eliabi, ose një prej ushtarëve të tjerë, ose mbreti Saul vetë.
Por unë jam këtu dhe jam i gatshëm për betejë.
Unë do të shkoj e do të ndeshem në emër të Zotit.
Beteja është e Zotit dhe e gjithë bota do ta dijë se ka një Perëndi në Izrael.” Këtë e di mirë dhe e beson Davidi.
Po ju që besoni në Zotin, çfarë mendoni për këtë?
Nëse ndjekim të vërtetën që thuhet në tekst, duhet ta dini se beteja nuk na përket ne, por Zotit. Nëse e dini tashmë, shumë mirë.
Kjo është përgjigja për sa i përket dilemës sonë se ti edhe unë jemi njerëzit e gabuar, me aftësitë e gabuara, që vrapojnë në drejtimin e gabuar, por kanë gjënë e duhur.
Ndoshta ndonjëherë do të dështosh në premtimet që i ke bërë Zotit dhe kishës së tij, apo pasi je pagëzuar dhe ke bërë një rrëfim publik të besimit.
Edhe unë si pastor do të dështoj në diçka. Po kështu pastori i kishës ku ti shkon mund të dështojë. Vëllezërit dhe motrat në Krishtin do të zhgënjejnë ty. Shpesh, ashtu si mbreti Saul dhe ushtria e tij ne do të rrethohemi me gjërat e gabuara.
Por në Perëndinë ne kemi gjënë e duhur. Perëndia na jep dhuntinë, të cilën ai vetë dëshiron dhe, Ai na nxit të shkojmë në drejtim të Tij, të luftojmë në emër të Tij, të vrapojmë në rrugën e Tij.
Dhe kur ne e bëjmë këtë kemi materialin e duhur: materialin e Zotit të plotfuqishëm.
Por ndoshta, edhe ti ashtu si unë, ke dyshimin në mendjen tënde.
Ti ndoshta nuk ndihesh sa duhet i mirë, sepse fëmijët e tu apo nipërit e tu nuk besojnë ende, bota duket sikur nuk po bëhet më e mirë, dhe kisha jote është larg të qenit e përsosur.
Po sikur ne të dridhemi nga frika dhe tmerri, ashtu si Sauli dhe ushtria e tij?
Më lejo të theksoj edhe një herë tekstin tonë. Vi re se si Davidi fillon betejën e tij krejt vetëm, por nuk e përfundon atë në këtë mënyrë.
Kur Davidi shkon para ushtrisë dhe u tregon atyre se Filistejtë gjigantë mund të mposhten dhe, e gjithë ushtria rreshtohet pas tij, e pas kësaj fitorja i përket gjithë Izraelit.
E gjithë ushtria e Zotit, i mund Filistejtë dhe korr një fitore të madhe. Ndërsa sot, ashtu siç ishte dikur Davidi për ushtrinë, është edhe Jezus Krishti për ne.
Sepse ashtu siç Davidi e printe përpara Izraelin, kështu është edhe Krishti për ne.
Ashtu si Davidi e mposhti gjigantin, duke i hapur rrugën fitore së madhe, kështu edhe Jezusi e mposhti gjigantin e vdekjes duke u ngritur prej së vdekurish e duke hapur rrugën drejt fitores dhe jetës së përjetshme, për të gjithë popullin e Tij.
Ashtu siç e thotë edhe apostulli Pal: “Nëse Krishti është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” Ne nuk e luftojmë betejën të vetëm. Në vend të kësaj ne luftojmë në fitoren e sigurt të Krishtit!
A e kupton thelbin e kësaj? Po është e vërtetë se shpesh problemet tona vazhdojnë të jenë atje, dhe ashtu si ushtria e Saulit, ne frikësohemi dhe tmerrohemi.
Po ne duhet të pranojmë se nuk mund të jemi si Sauli, të frikësuar dhe të tmerruar, aspak të guximshëm apo me kurajën që kishte Davidi.
Por kujtoni se për shkak të udhëheqjes së Davidit, ushtria e Saulit, merr pjesë në fitoren e plotë.
Për më tepër, ne që jemi njerëz të tmerruar dhe të frikësuar, marrim pjesë në fitoren e përjetshme të Krishtit për ne!!! Kjo është për hir të Krishtit dhe jo për meritën tonë.
Pra ku na nxjerr gjithë kjo bisedë që po bëjmë?
Të gjithë ne që jemi në Krishtin, që jemi besimtarë, mund të vrapojmë para armiqve dhe shqetësimeve në jetën tonë. Ne e bëjmë këtë, jo sepse jemi shumë të aftë për t’ia dalë mbanë vetë, por sepse në emrin e Perëndisë së gjallë, e kemi fituar tashmë fitoren.
Le të vrapojmë në drejtimin e duhur, sa herë jemi para një beteje. Edhe sikur të mos kemi aftësitë e duhura, edhe sikur të ndihemi sikur jemi njerëzit e gabuar për këtë detyrë, le të vrapojmë në emër të Zotit, në betejat që Ai vendos përpara nesh.
Në historinë që folëm herën e kaluar, nëse ju kujtohet “Xheku, bima e fasules dhe gjiganti”, Xheku vrapoi sa më larg të mundej kur pa se gjiganti u zgjua dhe mund ta kapte. Shpresa e vetme e shpëtimit për Xhekun ishte t’ia mbathe nga sytë këmbët.
Por ne dimë sot shumë më tepër se sa kaq. Fatmirësisht ne nuk jemi vetëm në betejat tona. Ne njohim Zotin; Ai nuk na le vetëm, shpresa jonë është në Zotin! Dhe për këtë ne themi Amen!