Jezusi na mëson se një prej pjesëve kryesore në një lutje është të thuash:”Lartësuar qoftë emri yt”. Ne e lavdërojmë Perëndinë dhe lutemi që emri i Perëndisë të ngrihet mbi çdo krijesë të gjallë.
Ne harrojmë veten, ne harrojmë gjithçka rreth e qark nesh, dhe qëndrojmë të mahnitur prej Perëndisë dhe emrit të Tij madh.
Kjo është arsyeja përse ne duhet të lutemi pjesën më të madhe të kohës kur jemi vetëm. Kështu mund të fokusohemi plotësisht te Zoti dhe madhështia e Tij në vend që të fokusohemi te njerëzit përreth. Në vend që të përpiqemi tu tregojmë të tjerëve se sa besimtarë jemi, ne mund të përqendrohemi për t’i treguar se sa madhështor është Perëndia. Çdo lutje duhet të ketë një mahnitje brenda, një “uau”, kjo ndjenjë mahnitjeje para Perëndisë që krijoi gjithçka, i Cili kontroll yjet dhe galaktikat, i cili është i madh dhe i shenjtë e jeton në dritë të paafrueshme, por njëkohësisht zbret poshtë dhe i prek e i ndryshon jetët tona.
“Më fal”
Një tjetër fjalë që mësojnë shumica prej nesh është kur themi “më fal”. Shpesh nuk na pëlqen ta themi këtë. Po, nuk na pëlqen ta themi. Por kur kemi bërë diçka gabim, duhet ta themi. Nëse je fëmijë dhe nuk i bindesh prindërve, apo zihesh me fëmijë të tjerë, mënyra më e mirë për ta ndrequr gabimin është të thuash: “Më fal” dhe të kërkosh falje.
Lutjet e Biblës, tregojnë se si fëmijët e Perëndisë duhet ti thonë Perëndisë: “Më fal.” Te Psalmi 51:3-4 Mbreti David thotë: ” Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara. Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu.”
Ndonjëherë tregohemi tepër krenarë për të pranuar gabimin. Do të preferonim ta kishim mirë. Jezusi tregon historinë e një njeriu fetare që iu lut Perëndisë dhe e falënderoi atë që nuk ishte si njerëzit e tjerë. Ai pohoi se ai ishte tepër i mirë dhe se bënte gjithmonë gjënë e duhur. Por Perëndia nuk e pranoi atë njeri. përkundrazi, Perëndia pranoi njeriun që kishte bërë gjëra shumë të këqija, i cili u lut: “Perëndi ki mëshirë për mua, mëkatarin.” (Luka 18:9-14)
Nëse nuk e pranojmë asnjëherë se e kemi gabuar, atëherë nuk do të shijojmë gëzimin e faljes dhe dashurisë së Perëndisë. Do të bëhemi akoma shumë më tepër të mjerë. Te Psalmi 32, mbreti David thotë se sa më gjatë të qëndronte në qetësi dhe të mohonte gabimin e tij, aq më shumë trishtohej. Në fund Davidi thotë, ” Para teje pranova mëkatin tim… Thashë: “Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit”, dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim.”
E kemi të vështirë të pranojmë gabimin dhe të themi “më fal”. Por pasi kërkojmë falje ndihemi shumë mirë. Bibla thotë: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” (1 Gjoni 1:9)
Perëndia jo vetëm që na fal dhe rregullon marrëdhënien mes nesh dhe Atij, por na shtyn që edhe ne të falim ata që na kanë bërë keq.
Në lutjen e Zotit që Jezusi na mësoi, tha që të lutemi kështu: ” Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.” Me fjalë të tjera ne i themi Perëndisë se na vjen keq për mëkatet tona dhe i kërkojmë falje, po kështu i premtojmë se do të falim këdo që na lëndon. Kjo lutje e mban të shëndetshme marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe e mban të shëndetshme marrëdhënien tonë me njerëzit e tjerë. “Më fal”- kjo është një nga fjalët e para që themi si fëmijë, një pjesë shumë e rëndësishme e lutjes.
“Të dua”
Një tjetër fjalë që fëmijët e thonë shumë dhe që duhet dëgjuar shumë është “Të dua”. Në Bibël, Perëndia thotë herë pas here se sa shumë i do ai fëmijët e Tij. Ai e tregoi dashurinë e Tij duke dërguar birin e Tij për ne, dhe Fryma e Tij e shenjtë i ngroh zemrat tona me kuptimin e dashurisë së Tij. Pra është e drejtë t’i themi Perëndisë se sa shumë e duam Atë.
Jezusi tha se gjëja më e rëndësishme në botë është kjo: ” Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim.” (Marku 12:30) duke qenë se thirrja jonë më e lartë është të duam Perëndinë, të thuash “të dua” është pjesë shumë e rëndësishme e lutjes. Shkrimtari i Psalmit 18 lutet kështu: “Të dua, O Zot, forca ime!”. Kjo nuk është një lutje e qëndisur mirë apo jo? Por i pëlqen Perëndisë ta dëgjojë që ne e duam Atë. Sa herë që e themi këtë ne thjesht po përsëritim atë që Perëndia na ka thënë neve. Ai na deshi para se ne ta donim atë dhe ai kënaqet të na dëgjojë se e duam. Ashtu si i ndriçon fytyra një babai kur foshnja e tij buzëqesh dhe thotë “të dua”, po kështu edhe Perëndia kënaqet në lutjet tona të dashurisë, Ai na përqafon në krahët e Tij të dashurisë, dhe këndon një këngë të dashurisë së pafund dhe të përjetshme, që përsëritet dhe kumbon në zemrat tona. Sa e mrekullueshme është lutja! Sa gëzim ta njohim dashurinë e Perëndisë dhe t’ia shprehim dashurinë tonë Atij!
“Të lutem”
Diçka tjetër që fëmijët bëjnë është që kërkojnë gjëra. Dhe kjo është diçka shumë e mirë. Kjo tregon se fëmijët e dinë se nuk mund të bëjnë gjithçka vetë dhe se duhet të mbështeten te prindërit.
Pra është mirë të kërkojmë. Por është mirë të mësojmë se si duhet të kërkojmë. Prindërit tanë, nuk na mësojnë që të themi “Më jep.” Ata na mësojnë të themi “Të lutem”. “Të lutem” është një fjalë e mirë. Ajo tregon se sa shumë e duam diçka, po kështu tregon se po bëjmë një lutje dhe jo një kërkesë. “Të lutem” do të thotë se nuk po japim urdhra; ne kërkojmë me përulësi. Ne varemi në mirësinë e personit tjetër, dhe nuk po kërkojmë të drejtat tona.
E përdorim ose jo fjalën “të lutem” në lutjet tona, qëndrimi ynë duhet të jetë patjetër një lutje e përulur. Ndonjëherë, edhe atëherë kur një baba dëshiron t’i japë diçka fëmijës, ai nuk ia jep derisa fëmija t’i thotë fjalën “të lutem”. Në të njëjtën kohë, Perëndia dëshiron të na japë gjëra të mira, por ndonjëherë Ai nuk na i jep derisa lutemi e ia kërkojmë me përulësi.
Bibla është e mbushur plot me lutje nga më të ndryshmet. Populli i Perëndisë i lutet Zotit për shërim prej sëmundjes. Ata i luten Perëndisë të sigurojë ushqimin. Ata i kërkojnë Perëndisë t’i shpëtojë prej armiqve. Ata i kërkojnë ndihmë Perëndisë për të gjetur një bashkëshorte. Ata i luten për të pasur fëmijë. Ata i kërkojë ndihmë për të përballur pleqërinë. Ata i kërkojnë urtësi në vendime dhe gjithçka tjetër.
Këto shembuj na tregojnë se duhet t’i kërkojmë Atit tonë qiellor me përulësi dhe me respekt gjërat që kemi nevojë. Kjo përfshin nevojat tona të përditshme dhe shumë më tepër. Jezusi na mëson të lutemi kështu: “Bukën tonë të përditshme jepna sot.” Po kaq e rëndësishme sa kjo, ka edhe diçka tjetër, akoma më të rëndësishme. Madje para se t’i lutemi Perëndisë që të kujdeset për nevojat tona fizike Jezusi thotë, që duhet të lutemi kështu: “Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në tokë ashtu në qiell.”